Re: Krime Enveriste
Testamenti i Bedri Spahiut: "Unë nuk jam Gjilasi i Jugosllavisë"
--------------------------------------------- -----------------------------------
Dashnor Kaloçi
Në pjesën e katërt të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm, u njohëm me një nga letrat që Bedri Spahiu, ia dërgonte komandantit të burgut të Elbasanit, Hysen Kapllanit, (gjatë kohës që ai vuante dënimin në atë kamp) letër e cila ishte pa adresë dhe i drejtohej një zyrtari të lartë që Spahiu e quante: "Dikushi". Në atë letër ish-Prokurori i Përgjithshëm, deputeti, anëtari i Byrosë Politike dhe Sekretari i Komitetit Qëndror, denonconte trajtimin çnjerzor që iu bëhej të dënuarëve politikë, duke akuzuar zyrtarët e shtetit si fajtorë për gjithshka ndodhte në kampet e punës së detyruar. Në fundin e letrës së parë, Spahiu denonconte trajtimin që iu bë në burg, ish-Sekretarit të Komitetit Qëndror, Tuk Jakovës, duke dëshmuar se në vitin 1958 atë nuk e lejuan që të takonte dhe të puthte fëmijët nga hekurat e qelisë, e në kulmin e zëmërimit, Tuku kishte bërtitur: "Çfarë bëni o faqezinj, këto që po na i bëni ju, nuk na i ka bërë as fashizmi". Më pas në vazhdimin e letrës tjetër, Bedri Spahiu akuzonte zyrtarët e shtetit, duke i etiketuar ata me emërin "antiligjorët", të cilët me anë të dhunës fizike, i detyronin të dënuarit politikë që të dilnin dëshmitarë kundër shokëve të tyre bashkëvuajtës, duke shpifur sipas kërkesave që iu bëheshin. Për këtë ai jep si shëmbull gjyqin e ish-Ministrit të Brendshëm Koci Xoxes, kundër të cilit u përdorën si dëshmitarë të dënuar politikë të manipuluar nga zyrtarët antiligjorë.
(vijon nga numri i kaluar)
Nëntekstet e testamentit
Kur ta lexoni testamentin tim, o zyrtarë ligjorë dhe ju, o miqtë e mi të brezave të ardhshëm, mos më qortoni për pakujdesi, mos kërkoni që jem shqiponjë, kur unë nuk jam veç një zog rrebeshi. Gjithkush ka një prerje të tijën. Kushdo që do të ketë mundësinë ta lexojë këtë testament qoftë ky zyrtar ligjor, qoftë antiligjor, qoftë nga ata të brezave të ardhshëm do t'i bëjë vetes pyetjen: Cili është nënteksti i këtij Testamenti? Eshtë e natyrshme që secili lexues t'i veshë Testamentti një nëntekst që të përshtatet pozitës që ka ndaj vetë çështjeve që shtrohen në testament. Pra, nga pikëpamja e autorëve përkatës, ato janë të drejta dhe nuk i lot as topi. Unë nuk dua të bëj si Makjaveli që botoi "Princin", "Il principe" pa na i lënë të shkruar nëntekstin dhe i bëri njerëzit të djersijnë sa të binin dakord mbi nëntekstin e tij. Jo! Unë dua ta jap vetë nëntekstin e Testamentit. Makiaveli i rekomandonte Princit të keqen për të mrië dhe të mirën për të keqe, në mënyrë që e keqja e praktikuar nga Princi t'i bënte varrin vetë Princit. Kjo mënyrë veprimi hyri në përdorim me emrin makiavelizëm. Kjo mënyrë veprimi është plotësisht e justifikueshme dhe morale për kohën e vet. Makiaveli ishte një shqiponjë, e ç'dreq tjetër mund të bënte ai në rrebeshin e kohës së tij? Unë zbuloj kryet përpara kujtimit të tij, përpara zotërisë së tij, që diti edhe në atë fazë të rëndë të zhvillimit shoqëror të gjejë mënyrën për të luftuar të keqen. Nga kjo pikpamje unë jam një makiavelist. Por unë nuk jam shqiponjë si Makiaveli. Unë jam zog i rrebeshit. Nuk duhet çuditur pra që Bedri Spahiu makiavelist e quan të keqen të keqe dhe të mirën të mirë dhe u del përpara princërve dhe princë-rucëve (antiligjorëve zyrtarë) të kohës së vet me një sulm ballor, pa marrë parasysh se këta kanë në dorë dhe t'i tretin plumbin në gojë në një të hapur e të mbyllur të syve dhe t'ia bëjnë jetën skëterrë dhe vdekejn xhenet siç ja bënë 9 vjet me radhë (1958-1966). Kjo metodë e drejtpërdrejtë është e kundërt me atë të Makiavelit, prandaj, i shikuar me metoda unë jam Makiavelist i marrë. Kushdo që ka pesë para tru në kohë t'i njohë Bedri Spahiut dhe Makiavelit epërsi ndaj njëri-tjetrit se nuk mund të krahasohen lloje të ndryshme siç janë Shqiponja dhe zogu i rrebeshit; nuk do t'i njohë asnjë vlerë plus metodën së njërit ndaj metodës së tjetrit. Sepse metoda e Makiavelit ësht ëmetoda e luftëtarit për të vërtetën në kushtet kur ekzistonte absolutizmi i trashëgimisë princore e monarkike dhe kur turmët jetonin si zhabat në kënetë. Në këtë kohë princat e kishin kohën e tyre përpara për të shtypur sa të kënaqeshin dhe turmët nuk tregonin aspak se u qe sosur durimi: "Shtyp pra, që këtij populli mistrec t'i soset durimi". Kjo ishte llogjika e Makiavelit. Ndërsa metoda ime e sulmit ballor është metoda e luftimit për të vërtetën në kushtet e mungesës së trashëgimisë familjare të pushtetit dhe kur turmët kanë dalë nga këneta dhe janë hedhur në ballancë me pashën e tyre vendimtare. "Antiligjorë zyrtarë, zbrapsuni e po bini në humnerë! Kjo është e mirë edhe për ju, edhe për Partinë, edhe për popullin". Kjo është llogjika e Bedri Spahiut.
Akuzat ndaj meje
Nënteksti im i këtij Testamenti (them nënteksti im, pasi lexuesit do të nxjerrin nëntekstet që u duhen atyre) ka disa aspekte, por po t'i shtjelloj të gjitha do më duhet të bëj një postskriptum më të madh nga vetë testamentit ose aty afër. Do të kap pra ndonjë aspekt fluturimthi, ashtu si të më vijë dhe do ta trajtoj shkurtimisht. Shpendët ndjejnë nga larg rrebeshin, unë si zog rrebeshi, nuhat nga larg arbitraritetin, Dikushi, si shpend grabitqar nuhat nga larg kërmën. Gjithkush ka aftësinë e tij. Për shkak se unë kisha jetuar atë kthim nga ripërtëritja e ligjshmërisë së 1966 në drejtim të arbitraritetit, unë nuk mund të mos kuptoja dhe të zbuloja tendenciozitetin e provokacionit të 7 prillit. Kjo bëhet e qartë në Hyrjen e Testamentit tim. Duke qenë i sigurt për tendenciozitetin e provokacionit unë bëra disa supozime: 1- Supozova se bandës së antiligjorëve i ka ardhur koha të më zhdukë. Bukur! Thashë me vete. Po Bedri Spahiu nuk është në një sallë operacioni si Tuk Jakova nuk mund të mos t'i lejojë mbrapa bandës në fjalë një Testament që të jetë gjëma e fundit të saj të paevitueshëm. 1- Supozova se për t'u shkaktuar nga përgjegjësia që i sollën të burgosurit deri në atë gradë sa të shfaqet fenomeni i një çiltërsie dhe heroizmi të tillë dëshpërimi, do t'u duhej, medoemos, të fantazonin partira, organizata, grupe dhe në krye të këtyre të më vinin mua dhe ta shpjegonin gjendjen si rezultat të veprimtarisë subversive të kësaj partie. Kjo parti fantazmë do t'u shërbente pastaj edhe për të justifikuar represionet shëmbullore që do të bënin, në mënyrë që çiltërsia e dëshpërimit dhe heroizmi dëshpërimit t'i linin vendin panikut. Duke u udhëhequr nga ky supozim, unë gërmova në mendjen time ato teza mendore të kapitullit "Bota ime mendore" dhe të kapitullit "Bisedë testamentare", të cilat, të shkëputja nga konteskti, nga Dikushërit, dialekticienë mekanistë dhe shabllonistë specifikë, mund t'u shërbejë si bazë programatike për fabrikimin e një partie socialiste, revizioniste, social-demokrate apo të një partie Fronti Nacional Arbëror. Për t'i nxitur antiligjorët në këtë drejtim, unë e theksova në këtë testament përçmimin dhe neverinë për ta. Pra, Bedri Spahiu shërben kundërshtarëve të tij, u jep atyre armë që ta luftojnë dhe që të mbështesin shpifjet, mashtrimet dhe trillimet e tyre. Po! Kështu është! Por mos harroni se Bedri Spahiu është Sokrati dhe Makiaveli bashkë, prandaj atij i intereson që të shkruhet në analet e historisë si i masakruar nga antiligjorët zyrtarë të kohës së tij dhe jo nga pleqëria. 1- Supozova se antiligjorët zyrtarë mund të gjenden përpara një nevoje që i kalon kufinjtë e burgut, që t'u duhet të bëjnë një valë arrestimesh e një cikël gjyqesh të hapëta e të fshehta, në shkallë kombëtare dhe, pra, për t'u paraqitur "zbulues" të një organizate klandestine në shkallë kombëtare.
Nuk jam Gjilasi
Duke supozuar këtë, unë gërmova në mendjen time ato mendime dhe i formulova në mënyrë të atillë që antiligjorët të kishin mundësinë që ta paraqitnin këtë organizatë të lidhur me burgun dhe, pra, me mua, që gjithë mendimet opozitare të vendit tonë të gjendeshin të shkrira në tezat e mia, që këto teza të mund t'i përdorin si material akuze kundër meje dhe si material propagande në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Pashi Zotin, o antiligjorët e mi të shtrenjtë! A nuk ka vlerë kjo ndihmë që ju jap unë, në këtë rast, shumë më tepër se ndihma që do t'ju japin të gjithë jallanshitët së bashku, që do të përdorni për krijimin e një organizate të tillë! Por, o antiligjorë, dialekticienë mekanistë dhe shabllonistë, mos harroni se unë jam Makiaveli! Unë nuk jam Gjilasi. Në qoftë se ju pëlqen të ma jepni këtë emër, nuk kundërshtoj, se çdo epitet juaji më nderon, por në këtë rast unë nuk jam Gjilasi i Jugosllavisë, por i Shqipërisë. Metoda ime e përhapjes së mendimeve nuk është metoda gjilasiane, se Shqipëria nuk është Jugosllavia. Gjilasi i përhap mendimet e tij ndër brezat që jetojnë. Unë i përhap mendimet ndër brezat që s'kanë lindur akoma, prandaj Gjilasi i Jugosllavisë bën pamflete që përhapen ndër njerëzit që jetojnë, kurse unë bëj testamente që depozitohen në kasafortën e udhëheqjes së vendit. Pra, malet e mia më të lartë këto janë, në qoftë se ju i çoni tezat e mia në njerëzit që jetojnë, qoftë nëpërmjet gjyqeve, qoftë në çdo mjet tjetër. Nuk më prish aspak punë që do t'i nxirrni tezat e mia nga konteksti, që do t'i shtrembëroni që do t'u jepni karakter dizinformacioni dhe diversionist. Sot e në të ardhmen njerëzit objektivë do të dinë të gjejnë në atë mish mash atë që është e imja. 4- Supozova se po patën mundësi të lexojnë testamentin tim të dytë antiligjorët zyrtarë, do të rilexojnë edhe të gjithë materialin informative të këtyre viteve të fundit deri në ditën e sotme dhe do t'u thonë zyrtarëve ligjorë:"Ja si e gjejmë idenë e Bedriut, pikëpamjet e tij, mendimin e tij të përhapur tek ky dhe tek ai i burgosur, tek ky dhe tek ai kamp, tek ky dhe tek ai burg, tek ai apo tek ky ish i burgosur, në qytetet e në fshatrat, në fushat e në malësitë, në jug e në veri të vendit, në lindje e në perëndim të Shqipërisë. Duke qenë se supozova këtë nuk u kujdesa të vija më pak në Testament faktin që idetë e mia politike dhe vlerësimi i situatës nuk janë dogma kuranike të zbritura nga Qielli, nëpërmjet shkallës së Muhametit dhe se këto mendime, duke qenë reflekse të një realiteti objektiv të burgut e të jashtëburgut, nuk mund të mos ketë partizanë ndër të gjithë ata që jetojnë këtë realitet objektiv që jetoj edhe unë, qofshin këta partizanë zyrtarë ligjorë apo antiligjorë, të burgosur apo të lirë, punëtorë apo burokratë. Ç' më duhet mua, thashë, t'i përvishem një pune të tillë, kur antiligjorët do ta bëjnë për mua më të mirë se sa mund të bëja unë? Mos m'u zemëroni, zyrtarë antiligjorë, unë jua deklarova vetëm që jam makiavelist. 5- Dhe së fundi unë supozova, porsa mora punën në dorë më 7 prill, se pasi të merrni (nëse do të merrnin) njoftimin mbi testamentin tim, antiligjorët do të kundërsulmonin zyrtarët ligjorë në këtë mënyrë:"Kur Bedriu na sfidoi neve në fillim të vitit 1965 ju nuk pranuat ta zhduknit. Me këtë mënyrë ju e inkurajuat Bedri Spahiun që të dërgojë Testamentin e dytë. Jo vetëm kaq, por me rastin e asaj të mallkuare ripërtëritje të ligjshmërisë, përmirësim të metodës së drejtimit të luftës së klasave e të luftës kundër burokracisë, ju na e nxorrët edhe jashtë vendit (ku e kishin varrosur të gjallë) dhe na e dërguat në kamp, në mes të të burgosurve". Ky supozim më bëri mua që të gërmoj në mendjen time dhe të pasqyroj në testament të gjithë ato çështje të teorisë dhe të praktikës, të ideologjisë dhe të politikës, që na ndajnë me zyrtarët ligjorë dhe t'i paraqes në mënyrë të tillë që të mos ketë asnjë ekuivok. Me këtë pasqyrim unë kam dashur t'u them ish mbrojtësve të mi: "Njihmëni mirë para se të më mbroni. Nuk dua të bëhem sebep i fatkeqësisë suaj, nuk dua të më mallkoni. Nuk dua të më mbroni". Me këtë pasqyrim unë kam dashur edhe t'u jap material antiligjorëve zyrtarë kundër zyrtarëve ligjorë. Kjo ju vjen mirë, o antiligjorë apo jo? Sa bukur! Bedri Spahiu ndihmon antiligjorët në luftë kundër ligjorëve. Por mos harroni veç, o qyqarë antiligjorë, se keni të bëni me makiavelin e shekullit të XX. Nga përllogaritjet e mia makiavelike, del se: Në qoftë se pozitat e zyrtarëve ligjorë janë dobësuar aq fort sa të tremben nga historia e mostolerancës suaj specifike, fati i tyre, fati i ligjshmërisë sot për sot është i vendosur. Zyrtarët ligjorë e kanë punën aq pisk sa s'ka ç't'u ndodhë për shkak të një çështjeje kaq të përfillëshme. Por në qoftë se forcat e dy palëve ekuilibrohen të paktën, ky Testament, si tërësi mund të bëhet në duart e zyrtarëve ligjorë thërmia që kthen balancën në favor të ligjorëve zyrtarë, në dobi të madhe të Republikës e të popullit. Ju përshëndes sinqerisht, o zyrtarë ligjorë, se unë jam si ai i krishteri që, sa herë që mallkon Zotin, kthehet e bën kryqin se i kujtohet Satanai. Ju përshëndes sinqerisht dhe me respekt të pakushtëzuar edhe si përfaqësues të mendimeve të kundërta me të mia, se unë jam një partizan i tolerancës në fushën e mendimit..
Elbasan 11 Maj 1967. Bedri Sinan Spahiu.