Kreu i PS: Kryeministri kërkon të burgosë të vërtetën

Kreu i PS: Kryeministri kërkon të burgosë të vërtetën

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e cilësoi si absurd pozicionimin e Kryeministrit Sali Berisha për të mos lejuar hapjen e kutive të votimit për zgjedhjet e 28 qershorit. Pak orë pas deklaratave të Kryeministrit në mbledhjen e qeverisë, kreu i selisë rozë reagoi duke paralajmëruar përshkallëzimin e reagimit opozitar deri në përmbushjen e kushteve, pa hequr dorë nga bojkoti dhe protestat. Veç të tjerash, Rama foli edhe për raportin e publikuar nga “Reporterët pa kufij”, si dhe për procesin e shumëpërfolur të liberalizimit të vizave.</p>


“Dua të reagoj lidhur me pozicionin tërësisht absurd të Kryeministrit, i cili pasi i ka vjedhur zgjedhjet e 28 qershorit, kërkon që me pushtetin e grabitur të mbajë në burg të vërtetën, duke këmbëngulur se kutitë e 28 qershorit nuk mund të hapen”, tha ai. Sipas Ramës, Berisha po përdor vendimet e gjykatës, ndërsa Partia Socialiste nuk dëshiron të mbivendosë sistemin e drejtësisë. “Ajo çfarë kërkojmë ne, nuk ka të bëjë me asnjë lloj mbivendosjeje ndaj sistemit të drejtësisë. Ne kërkojmë hapjen e kutive të votimit për të bërë transparencë përmes Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili nuk është absolutisht një shkallë tjetër gjykimi dhe nuk ka të bëjë fare me procesin juridik që u mbyll me vendimin e Kolegjit Elektoral. Janë dy gjëra të ndryshme që skanë lidhje me njëra-tjetrën, por që Kryeministri i bashkon sepse kërkon ti ikë me çdo kusht të vërtetës që fshihet në kutitë e 28 qershorit”, deklaroi Rama. Për të mbështetur kërkesën e selisë rozë, ai përmendi rinumërimin që po ndodh aktualisht në Greqi, por edhe zgjedhjet në Afganistan. Në Shqipëri, sipas tij, rinumërimi, edhe pse është e shkruar e zeza mbi të bardhë në ligj, u ndalua me pushtetin arbitrar të administratës zgjedhore dhe të Kolegjit Zgjedhor, e tashmë kjo gjë i ndalohet edhe vetë Parlamentit, i cili pa as më të voglin dyshim mund të hapë çdo çështje, çdo kuti, çdo dosje për hir të së drejtës që të hetojë lidhur me çështje të caktuara.</p>


Edhe pse Kryeministri u përpoq ti japë pozicion përfundimtar çështjes së hapjes së kutive, Rama garantoi se nuk ka asgjë përfundimtare në këtë çështje, e cila është një temë e hapur dhe që do të mbyllet vetëm atëherë kur e vërteta të dalë në pah.</p>


“Ne nuk do të hyjmë në Parlament. Ne do ti përshkallëzojmë protestat tona dhe do ti japim përgjigjen e merituar Sali Berishës dhe vartësve të tij, sa në Ministrinë e Jashtme, sa në karrige të tjera të qeverisë, që përpiqen më kot të bëjnë sikur kjo çështje është e mbyllur apo ekziston vetëm për opozitën”, vijoi ai. Në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave, Rama kërkoi nga mediat që të mos bëhen pjesë e farsës, pasi në janar të 2010-ës nuk do të ketë liberalizim vizash. Ndërsa në lidhje me raportin e “Reporterëve pa kufij”, Rama tha se shifrat që përmenden në të nuk janë asgjë përpara realitet në Shqipëri, ku demokracia ndodhet në udhëkryq. “Notat negative të Reporterëve pa kufij janë asgjë në krahasim me realitetin shumë më negativ me lirinë e medias në Shqipëri. Sot media në Shqipëri vuan si asnjëherë më parë rrezikun e asimilimit brenda një sistemi të korruptuar dhe korruptiv që administrohet nga Sali Berisha”, konstatoi Rama.(Shqip)</p>
Gz8-6Npr_Us

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24539. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24539
 
Top