Re: Kosova qan me lot për BARDHYL AJETIN
Në Gjilan është varrosur me nderime gazetari Bardhyl Ajeti
Gjilan, 6 korrik - Në Gjilan dje pasdite është varrosur gazetari i të përditshmes "Bota sot" Bardhyl Ajeti. Në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë mijëra qytetarë, miq të të ndjerit dhe personalitete të jetës shoqërore. Familjen Ajeti me këtë rast e kanë ngushëlluar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe atyre lokale.
Salih Cacaj, këshilltar i Presidentit të Kosovës ka lexuar para të pranishmëve një telegram të Presidentit Rugova në të cilin thuhet se humbja e Bardhyl Ajetit është një humbje e madhe për familjen Ajeti, për gazetën "Bota sot" dhe për publicistikën e Kosovës.
Bardhyl Ajeti do të mbetet në historinë e publicistikës si gazetar i guximshëm dhe i mendimit të qart e humanist.
Ndërkaq në emër të zëvendëskryeministrit Adem Salihaj, telegram-ngushëllimin e lexoi këshilltari i tij Samet Dalipi.
Për figurën e gazetarit Ajeti në këtë vorrim folën me pietet të lartë edhe kryetari i Kuvendit komunal të Gjilanit, Xhemajl Hyseni dhe në emër të kolegëve të redaksisë së gazetës kombëtare "Bota sot" foli Abdullah Bytyçi. Ai tha se gjatë gjithë punës Bardhyl Ajeti u angazhua për të bërë lajme në gazetë dhe në fund vetë u shndërrua në lajm.
Dëshira që kjo të jetë vrasja e fundit në Kosovë në emër të familjes e shprehu Nazmi Ajeti. Dhembja për familjen Ajeti ishte edhe më e madhe se po dje ndërroi jetë edhe axha i të ndjerit Bardhyl Ajeti.