Kosovë, tre atentate në Zubin Potok

kosove-gjykata.jpg
Një seri atentatesh me armë zjarri janë kryer gjatë orëve të natës ndaj tre objekteve të ndryshme në Zubin Potok, në veri të Kosovës.

Sipas raportimeve të “REL”, që citon burime policore, atentatet janë kryer ndaj selisë së një banke, një radioje lokale dhe shtëpisë së një zyrtari të Policisë së Kosovës.

Sipas burimit, policia dyshon se sulmet, të kryera gjatë periudhës kohore 01:40 - 02:20, kanë qenë të koordinuara dhe të mirëorganizuara.

Shënjestër e të shtënave kanë qenë selia e bankës KEP, stacioni radiofonik “Radio Kolashin”, ndërkohë që emri i zyrtarit policor nuk është bërë i ditur.

Për fat të mirë nga sulmet nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale, sidomos në banesën e zyrtarit policor, ku mësohet se është hedhur edhe një granatë dore.

Në tre vendet e ngjarjes kanë mbërritur njësi të specializuara policore, përfshirë ato të EULEX-it, të cilat kanë mbledhur provat materiale, kryesisht gëzhojat e armëve të zjarrit.

Në dy lokacionet e para, tek ndërtesa bankare dhe radiostacioni, janë rekuperuar plot 50 gëzhoja, ndërkohë që në shtëpinë e zyrtarit janë gjetur 20 të tilla.

Aktualisht po kryhen hetime nga Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it, por vendimtare do të jenë rezultatet e ekspertizës së provave materiale të mbledhura në vendngjarje.
 
Top