Korçë, intelektualët reagojnë kundër konsullit

Shkruar Juliana Thimitri/Shqip
Deklaratat e një dite më parë të konsullit grek Theodhoros Ikonomu, ku ai e ka cilësuar Korçën si zonë me popullsi helene dhe ka bërë thirrje për bashkimin e popullsisë dhe regjistrimin e kombësisë, por edhe ka prekur atë pjesë që quhet Vorioepir, ka sjellë edhe reagime në qarqet intelektuale të qytetit të Korçës. Një pjesë e madhe e intelektualëve korçarë, por edhe e forumeve të ndryshme të opinioneve, ka kundërshtuar deklaratat e diplomatit grek të Korçës, për më tepër që në këtë rajon nuk ka zona minoritare greke apo dhe ndonjë pakicë etnike të njohur zyrtarisht. Intelektualët e kanë quajtur një incident deklaratën e radhës, që synon të krijojë një zgjerim artificial të popullsisë greke në Shqipëri.

Ylber Merdani, shkrimtar, publicist, “Qytetar Nderi”
Është paradoks të mendosh që në Korçë ka grekë. Këtu nuk ka pasur asnjëherë as minoritet dhe as grekë, por mos ndoshta ngatërrojnë fjalën ortodoksi me fjalën Greqi apo kombësi greke. Nëse bëhet fjalë për ortodoksët e Korçës, ata janë shqiptarë. Jam rritur në një ambient miqësor mes feve dhe në një vëllazërim fetar. Nuk kam asgjë me fqinjin tonë, madje ne i kemi ndihmuar dhe në kohë lufte dhe grekët kishin borxhe me ne. Është paradoks të pretendosh sot se në Korçë na paska grekë, se nuk ka pasur të tillë. Edhe në rast se një moment flitet për një Vorioepir, kjo s’ka të bëjë me Korçën. S’ka pasur minoritet asnjëherë dhe as popullsi greke. Unë vij nga një familje e vjetër korçare dhe mbaj mend se pleqtë nuk thoshin greku, por greçka. Këtu ka pasur tek-tuk disa greke që ishin të martuara në Korçë dhe vetëm kaq.

Zamira Kita, aktore
Korçarët nuk janë grekë. Më ka bërë përshtypje kjo deklaratë e konsullit grek dhe mendoj se ishte një deklaratë e tepruar, sepse ne korçarët nuk jemi grekë, por shqiptarë. Pavarësisht se ka një pakicë të organizuar në shoqata, kjo nuk do të thotë se korçarët janë grekë, sepse sigurisht që nuk janë. Për sa i përket regjistrimit të popullsisë mund të regjistrohen vetëm ata që vërtet rrjedhin nga familje me origjinë greke.

Kristaq Prifti, mësues në pension
E konsideroj një incident deklaratën e konsullit grek. Nuk i takon të bëjë thirrje të tilla nacionaliste. Nuk ka asnjë dyshim që korçarët janë shqiptarë, ndërsa fakti se flitet për grekë në Korçë, besoj i takon atij plani afatgjatë që kanë grekët për të zgjeruar në mënyrë artificiale popullsinë greke në Shqipëri. Këtu s’ka një minoritet grek dhe kjo çështja e Vorioepirit del në skenë sa herë që vetë grekët kanë ndonjë interes. Tani me regjistrimin e popullsisë dhe deklarimin e kombësisë duan të krijojnë idenë se edhe ata persona që për arsye emigracioni janë pajisur me dokumente, të figurojnë zyrtarisht si grekë, që më pas të ngrihet pretendimi mbi baza të regjistrimit zyrtar, se në fakt na paska minoritet edhe në Korçë. Kjo është një politikë e njohur tashmë nga grekët, që punojnë me plane afatgjata dhe nuk e kuptoj se përse kaq shpesh duhet të bëhen deklarata të tilla për të thënë se nuk jemi shqiptarë dhe për të na mohuar identitetin kombëtar.
 

Al-Punk

Still here
Me beri pershtypje se mes plehrave qe duan te blejne gjithcka, ka dhe njerez qe flasin e deklarojne perkatesine shqiptare
 
Top