Ja nje artikull ne PCWorld.al per kete event qe do te mbahet nga TED
TED është një konferencë e përcjellë nga shumë njerëz anembanë botës dhe në të marrin pjesë emra të njohur të botës së teknologjisë, argëtimit, dizajnit, etj. Synimi i TED është shpërndarja e ideve dhe besimin në fuqinë e tyre për të ndryshuar qasjen, jetën dhe në fund të fundit botën në të cilën
jetojmë.
Ajo ka konferenca të ngjashme ose të ndara si TEDGlobal, TEDActive, TEDIndia, TEDWomen, etj të cilat kanë synimin e ngjashëm, por një produkt tjetër i fuqishëm i TED është edhe TEDx, që është krijuar nën frymën e misionit të TED “për ide që ia vlen të shpërndahen”. Programi në fjalë është dizajnuar që t’iu ofrojë komuniteteve, organizatave dhe individëve mundësinë për të stimuluar dialogun përmes përvojave të ngjashme me TED por në nivel lokal.
Dhe pikërisht në këtë pikë duhet theksojmë se për herë të parë në Kosovë do të organizohet edhe një event TEDx, që do të ketë si synim bartjen e frymës nga TED “Ide që ia vlen të shpërndahen” edhe tek qytetarët e Kosovës.
Me një faqe të krijuar në Facebook - TEDxPrishtina, u kuptua se kryeqyteti i Kosovës do të përfitojë rastin që për herë të parë të përcjellë përvoja të ngjashme nga TEDTalks që mund t’i përcjellë online, edhe në nivel lokal.
TEDxPrishtina 2011 do të jetë eventi i parë i këtij lloji në Kosovë që do të sjell së bashku njerëz të cilët do të synojnë ndarjen e përvojave të ngjashme me TED. Në të njëjtën formë sikurse me eventet tjera, edhe TEDxPrishtina do të mundësojë TEDTalks Vidoe dhe folës, të cilët do të synojnë ndezjen e debateve të thella.
Sipas informatave që posedon PCWorld Albanian, të cilat bazohen në faqen zyrtare të TEDxPrishtina, eventi do të jetë organizim i Kosovo Glocal, që është organizata që qëndron prapa Kosovo 2.0, një rrjet i fuqishëm për dokumentimin e Kosovës dhe botës, dhe në të cilën postohen opinione të ndryshme të ndërlidhura me vendin tonë.
“Nën frymën e ideve që ia vlen të shpërndahen, TEDxPrishtina do të kontribuojë në shpërndarjen e ideve dhe inspirimeve që sjellin ndryshime në shtetin e ri” thuhet në faqen e TEDxPrishtina në Facebook.
Ndërsa në faqen zyrtare të eventeve në TEDx, Prishtina është e rezervuar që të ketë për herë të parë konferencën TEDxPrishtina me 16 shkurt 2011, që është një datë para festës së tre vjetorit të pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt 2011. /pcworld.al