KOMUNISTËT DHE ...... NEOKOMUNISTËT
KOMUNISTËT DHE ...... NEOKOMUNISTËT
Manifesti i Partisë Komuniste bazohej mbi katër teza themelore, të cilat ishin:
marrja e pushtetit me dhunë dhe vendosja e diktaturës së proletariatit;
lufta e klasave;
zhdukja e pronës private;
lufta kundër fesë.
Këto teza gjetën mishërimin e tyre të plotë në praktikë, kur sistemi komunist u vendos me dhunë në Rusi, pas Revolucionit bolshevik të Tetorit. Në jetën e popujve të ish-Bashkimit Sovjetik mbarë njerëzimi u njoh me modelet e përsosura të zbatimit të luftës së klasave, një luftë e egër kjo, që u konkretizua me zhdukjen fizike të kundërshtarëve politikë, me dëbime dhe internime masive të familjeve dhe të të afërmëve të viktimave, të shoqëruara këto me konfiskime tërësore të pasurive të tyre.
Në zbatimin e tezave të mësipërme komunistët shqiptarë rezultuan shumë më tepër fanatikë dhe më kriminelë, se vetë udhëheqësit e tyre shpirtërorë, komunistët sovjetikë. Këta jo vetëm zbatuan në praktikë një luftë klasash me përmasa të përbindshme, por bënë edhe një shtetëzim aq total të ekonomisë shqiptare, saqë edhe mbarë masën fshatare e zhveshën tërësisht nga prona private dhe e shndërruan në rrogëtarë të shtetit, duke ia rrëmbyer gjithçka dhe duke ia çuar kufijtë e pronës shtetërore deri te muret e shtëpisë.
Komunistët shqiptarë, si në asnjë vend ish-komunist të Evropës Lindore, bënë një izolim të përgjithshëm të mbarë jetës shqiptare nga bota e jashtme, izolim ky që synonte të përjetësonte kultin e partisë dhe të kryediktatorit Enver Hoxha.
Kësisoj, komunistët shqiptarë, për vendosjen e këtij kulti, si në asnjë vend tjetër komunist, erdhën duke e varfëruar gradualisht popullin tonë përmes mpirjes së ndërgjegjshme të energjive të tij krijuese. Varfëria arriti deri në atë shkallë, saqë më 2 korrik të vitit 1990 rreth 5000 të rinj e të reja braktisën vendin e tyre me vrap, sikur të largoheshin nga kolera, për t’i shpëtuar lakut të mjerimit që po u mbështillej në fyt nga dita në ditë.
Ngjarjet e 2 korrikut nxorën në pah lakuriq pasojat e sundimit të egër të Enver Hoxhës, i cili, duke vënë në jetë ligjin e Njëshit, kishte vendosur një sundim absolut mbi shtetin ligjor nëpërmjet një dhune të përgjakshme.
Katër shtyllat e Manifestit të Partisë Komuniste, mbi të cilat mbështetej sistemi komunist, provuan në praktikë që komunizmi ishte një utopi e kulluar, e cila kishte për qëllim veç forcimin e pushtetit personal të kastës së kuqe dhe shndërrimin e masave të gjera të popullit në qenie e të robotizuara, në kope, në turma bujkrobërish, që të kujtonin skllevërit e fshatit rus në periudhën e sundimit carist në Rusi.
Në shtatorin e vitit që kaloi shtëpia botuese “OMSCA-1” nxori nga shtypi librin e z. Nikolla Kosta me titull “Shqipëria: enigmë evropiane”, të cilën e ka përkthyer bukur në shqip prof. Gëzim Hadaj. Duke trajtuar nocionin e kopesë në regjimet totalitare, z. Kosta, ndër të tjera, shkruan:
“Mund të bëhet një analogji ndërmjet ndërmjet mentalitetit të turmës dhe atij të shoqërisë totalitare enveriane me mjetet e saj të kontrollit të instaluar, me parimet e udhëheqjes dhe me mendësinë e saj prej garnizoni..... Kur trembet, kopeja merr vrapin me rrëmujë dhe mund të shkatërrojë gjithçka që i del përpara.....
Kur mendon se gjatë periudhës komuniste të historisë së Shqipërisë nuk ka pasur ndonjë kryengritje të madhe, duket qartë se sa bari i mirë ka qenë Enver Hoxha; si udhëheqës i Partisë Komuniste të Shqipërisë, ai e udhëhiqte popullin drejt kullotave të gëzueshme të llojit marksist të Fushave Eliziane të mitologjisë greke. Ndërsa “qentë e stërvitur mirë” mund të krahasohen me anëtarët e Partisë Komuniste dhe puthadorët e tyre zyrtarë dhe jozyrtarë” (fq. 218-219).
Largimi i kastës së vjetër komuniste nga pushteti u bë i pashmangshëm pas ngjarjeve që ndodhën në vendet ish-komuniste të Evropës Lindore. Në këto kushte, komunistët shqiptarë organizuan Kongresin e tyre të 10-të në qershor të vitit 1991, pa pjesmarrjen e afishuar të gardës byroiste, me përjashtim të Ramiz Alisë, i cili, megjithëse i ulur diku, në njerën nga llozhat e Pallatit të Kongreseve, mbetej figurë qëndrore në hartimin e strategjisë që do të ndiqte paskëtaj Partia e Punës, e fshehur poshtë mantelit të Partisë Socialiste.
Qëllimi kryesor i atij kongresi ishte përcaktimi i direktivave për ruajtjen e pushtetit të komunistëve, pas shembjes së sistemit komunist, nëpërmjet transferimit të pushtetit në duart e neokomunistëve, të cilët qenë të komanduar me detyra konkrete në krye të të gjitha partive politike, të krijuara pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri. Kësisoj, neokomunistët, sipas orientimeve të veteranokomunistëve, vendosën të luajnë komedinë më tragjike në kurriz të popullit shqiptar, e cila zor se është luajtur ndonjëherë gjatë historisë së tij shumëshekullore.
Milovan Gjilas ka thënë: “Komunizmi nuk humbet beteja historike” (cituar sipas librit të Kostas, fq. 253). Po të kemi parasysh faktin që sistemi komunist ishte sistemi i idilit arkadian të kuadrove të larta udhëheqëse dhe i varfërimit të përhershëm të masave të gjera të popullit, citati i mësipërm merr rëndësi aktuale në kushtet e neokomunizmit (alias ndërtimit të kapitalizmit nën sundimin e neokomunistëve) të instaluar në Shqipëri.
Për krijimin e kushteve, në të cilat edhe neokomunistët do të kishin idilin e tyre arkadian, u sajua opozita me emrin Parti Demokratike, me ca bishtra nga pas, me neokomunistë të thekur në krye. Partia Demokratike shumë shpejt u bë flamurtarja e demokracisë. Tek ajo mbështetën shpresat e tyre shtresat e gjera, të shtypura egërsisht nga sistemi komunist. Madje Partia Demokratike i vuri vetes si detyrë që, në shpirtin e çdo të pakënaquri nga sistemi komunist, të përndjekuri, të burgosuri politik (të cilët tek ajo varën shpresat e tyre), të ngjallte ndjenjën e euforisë së lirisë, eufori kjo që shumë shpejt turmave të dikurshme u krijoi përshtypjen se po ndërtohej një shoqëri demokratike e qëndrueshme.
Por kush mund ta besonte asokohe që Partia Demokratike do t’i përgatiste popullit shqiptar zhgënjimin më të madh të jetës së tij. Një miku im tepelenas, ish-i përndjekur politik, të cilit Partia Komuniste i kishte pushkatuar të atin për bindjet e tij nacionaliste gjatë viteve të luftës, më tregon: “Kur po organizohej dega e Partisë Demokratike në Tepelenë, unë pranova menjëherë të bëhesha anëtar i saj, se tek ajo shikoja realizimin e ëndrrave të mia, si i përndjekur politik. Por kur e mësova porosinë që i dha i ndjeri Azem Hajdari, që kishte ardhur si i dërguar nga Tirana, se të përndjekurit dhe të burgosurit politik nuk duhet të zgjidhen në organet drejtuese të degës dhe të seksioneve të Partisë Demokratike, unë u largova me vrap prej saj, i bindur përfundimisht se Partia Demokratike s’ishte asgjë tjetër, përveçse një parti e pastër neokomuniste, që do të na mashtronte, ashtu si edhe nëna e saj, Partia e Punës”.
Kacafytjet butaforike mes neokomunistëve me mantel socialist dhe neokomunistëve me mantel demokratik qenë aq të egra gjatë këtyre 12 vjetëve, saqë të krijonin përshtypjen, sikur po përgjakeshin egërsirat e xhunglës gjatë ndarjes së presë. Këto kacafytje me art të përsosur komik pillnin skena tragjike poshtë, në popull, i cili, si dikur, në kushtet e sistemit komunist, kur që politizuar deri në palcë, vazhdonte të militarizohej dhunshëm, duke u ndarë në dy kampe të kundërshtare, të cilët s’e shikonin dot me sy njëri-tjetrin.
Pra, nëse në sistemin komunist populli qe kthyer në një kope unike, që ndiqte verbërisht partinë komuniste dhe Njëshin e saj, në sistemin pluralist, alias neokomunist, populli duhej ndarë dhe u nda në dy kope, nga të cilat njëra do të ndiqte verbazi neokomunistët socialistë, kurse tjetra do të shkonte qorrazi pas neokomunistëve demokratë, të hedhur në treg si opozitarë. Në këtë mënyrë, dukuria “kope” në Shqipëri vazhdon të jetë e pranishme edhe në sistemin pluralist.
Por, për t’u bërë më të besueshëm në masën e mbarë popullit dhe për ta bindur gjithsekush elektoratin e vet se neokomunistët socialistë nuk kanë të bëjnë fare me neokomunistët demokratë, të cilët, demek, e shesin veten për mbrojtës të vërtetë të demokracisë, neokomunistët e të dy krahëve komedinë që po luajnë kanë ardhur dhe e kanë bërë më të stërholluar.
Neokomunistët socialistë janë unikë, të kompaktësuar në radhët e tyre. Ata shahen e përshahen me njëri-tjetrin, sikur të ishin prostituta rrugësh, por kjo nuk i prish punë unitetit dhe kompaktësimit të tyre. Kështu që, pas një dite të zhurmshme “femrat e përdala” të stanit të tyre neokomunist në mbrëmje kthehen në “Kanosën” rozë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Le të marrim ca shembuj konkretë. Fatos Nano, në intervistën, dhënë TV “Klan” në mbrëmjen e 18 tetorit të vitit 2001, deklaroi: “Unë nuk jam nga ata që përdhosin shtretët bashkëshortorë të të tjerëve në zyrat apo paradhomat e mbyllura. Zgjedhja ime nuk është të pi qumësht në lopët e kooperativave fqinje” (Gazeta Shqiptare, 19 tetor 2001, fq. 6). Kësisoj, Nanoja pranon haptazi se zyrat dhe paradhomat e kabineteve të pushtetarëve socialistë që e detyron kryeneokomunistin Nano të zbresë, në deklaratën e tij, deri në nivele të tilla vulgariteti. Kjo deklaratë tregon se deri në ç’shkallë ka arritur degjenerimi moral i neokomunistëve socialistë, të cilët nuk e kuptojnë dot ushtrimin e pushtetit pa ushtrimin e pushtërisë nëpër zyra dhe kabinete shtetopartiake.
Në këtë aspekt, neokomunistët socialistë i kanë lënë shumë prapa etrit e tyre komunistë, të cilët, gjithsesi, ishin jashtëzakonisht të kujdesshëm në ruajtjen e fasadës së moralitetit të tyre. Ata nuk lejonin t’u çirrej cipa në sytë e popullit deri në atë derexhe, se e dinin që kryepartiaku mund t’i çonte drejt “gijotinës” pa iu dridhur qerpiku. Kjo nuk do të thotë se edhe asokohe nuk ka pas lulëzuar prostitucioni nëpër zyrat shtetopartiake, por gjithsesi, komunistët ishin më të kujdesshëm në respektimin e ndjenjës së masës.
Ish-ministri i shëndetësisë, Gjergj Koja, në intervistën e datës 19 tetor të vitit 2001, dhënë disa kanaleve televizive, deklaroi: “Petro Koçi është idiot, trafikant i lindur, turpi i Partisë Socialiste” (Gazeta “55”, 20 tetor 2001, fq. 1).
Në datat 3-4-5 dhjetor të vitit 2001 u zhvillua mbledhja e KPD të Partisë Socialiste, e cila u transmetua drejtpërdrejt në televizion. Personalisht nuk e ndoqa dot asokohe, bashkë me një grup pedagogësh të fakultetit të gjuhëve të huaja, ndodhesha me shërbim në Universitetin Ëestminster, në Londër, por një gazetare e BBC-së na sqaroi se sa “e bukur” na paskësh qenë parada e karnavaleve neokomuniste në atë mbledhje.
Kryetari i partisë, Nano, kishte “vrarë” dhe kishte “prerë” sa i kishte ngrënë “palla”, ama “gjak” nuk kishte nxjerrë. Një mori anëtarësh të KPD-së, Nanoja i kishte futur dhe i kishte nxjerrë andej nga s’tregohet dot me gojë, por çuditërisht, asnjëri s’ishte treguar burrë në mbrojtjen e “dinjitetit” personal. Me sa duket, që të gjithë notonin në të njëjtin batak, bashkë me kryetarin e tyre.
Fatos Nano, në fushatën e tij “katarsiste” nxorri e ç’nuk nxorri nga goja kundër Ilir Metës, duke e quajtur edhe “fashist”. Ilir Meta u hodh në kundërsulm, volli e ç’nuk volli kundër Fatos Nanos, duke e quajtur edhe “padrino”. Me këto “llogje Kavaje” neokomunistët socialistë ua bënë kokën dhallë shqiptarëve, për t’ua hequr mendjen nga mungesa e dritave, e ujit, nga rrogat dhe pensionet e pamjaftueshme dhe për t’i hedhur në sherr me njeri-tjetrin për punërat e politikës. Dhe këtij qëllimi ia arritën për bukuri. Populli le të vazhdojë t’i pijë lëngun komedisë që u luajt në teatrin neokomunist të socialistëve dhe të vazhdojë të bëhet qole i tyre.
Të gjitha deklaratat e sipërpërmendura të neokomunistëve socialistë, të bëra me një fjalor, të denjë për njerëz të hurit dhe të litarit, kishin vetëm një pikësynim: t’i tregonin opinionit publik se partia neokomuniste socialiste na qenka një parti “e tipit të ri”, na qenka një parti “moderne”, “e kohës”, “tolerante”, “transparente”, në kundërshtim me Partinë e Punës së veteranokomunistëve, e cila kundërshtarët e vet, me urdhër të kryediktatorit, i çonte në plumb. Nëse në partinë veteranokomuniste të drejtën për demaskim dhe denigrim e kishte vetëm kryepartiaku, në partinë neokomuniste të socialistëve këtë të drejtë e gëzon kushdo, se ajo askujt nuk i prish punë, se askush nuk pëson gjë: bizneset nuk i dëmtohen, prona nuk i preket, masa dëshkimore nuk merren. Pra, partia neokomunistosocialiste atë fjalën e urtë “Shpif, shpif se diçka do të mbetet” e ka transformuar në një tjetër fjalë të urtë: “Shaj, shaj se asgjë nuk mbetet”.
Në kampin tjetër neokomunist, me etiketë demokratike, ngjarjet morën një tjetër zhvillim “dramatik”. Atje, tamam si në kohën e veteranoneokomunizmit, kacafytjet mbylleshin me përjashtime “heretikësh”, me nxjerrjen e kundërshtarëve forcërisht nga sallat e mbledhjeve, me denigrimin e tyre në shtyp. Të gjitha këto bëheshin për të krijuar bindjen në opinionin publik se partia neokomuniste e demokratëve nuk është një parti e tipit të ri, nuk është një parti moderne, nuk është parti e kohës, nuk është parti tolerante, nuk është parti transparente, se ajo udhëhiqet nga po ato parime, si edhe nëna që e ka pjellë (Partia e Punës), ndaj kundërshtarëve të saj. E tërë kjo komedi që luhej në skenën e partisë neokomuniste të demokratëve kishte si pikësynim arritjen e dy qëllimeve:
Së pari, rrënjosjen e bindjes në ndërgjegjen e njerëzve të thjeshtë se kjo parti, demek, qëndroka në pozita krejtësisht të kundërta me partinë neokomuniste të socialistëve.
Së dyti, të nxiste, tërthorazi dhe djallëzisht, pasivitetin dhe indiferentizimin e elektoratit të djathtë, në mënyrë që të forcohej qëndrueshmëria e elektoratit të neokomunistëve socialistë, siç edhe ndodhi në realitet, pra, të përjetësohej pushteti i këtyre të fundit.
Këtë e vërtetuan fare bukur zgjedhjet e të dy raundeve në zonën zgjedhore nr. 52 të Elbasanit, ku pjesëmarrja në votime nuk e kaloi shifrën prej 36 përqind. Ky fakt dëshmon edhe një herë më së miri se sa profetik ka qënë parashikimi i zotit Abdi Baleta, i cili dikur ka thënë se PD-ja ia siguroi pushtetin PS-së edhe për nja 20 – vjet.
Kjo ka qenë dhe mbetet strategjia e PD-së në kushtet e neokomunizmit të instaluar në Shqipëri që këtu e 12 vjet të shkuara – përjetësimi i pushtetit së neokomunistëve socialistë – një strategji kjo, së cilës ajo i është përmbajtur rigorizisht dhe e ka zbatuar për mrekulli.
Qëllimi final i komunistëve, siç u përmend më lart, ka qenë varfërimi i përhershëm i popullit dhe pasurimi i përhershëm i kastës së kuqe. Këtij qëllimi i janë përmbëjtur dhe vazhdojnë t’i përmbahen rreptësisht edhe neokomunistët socialistë dhe demokratë gjatë këtyre 12 vjetëve. Ngritja e firmave piramidale në kohën e pushtetit neokomunist të demokratëve ishte gjëma më e rëndë që ky pushtet i bëri populli shqiptar. Pasurimi marramendës i pushtetarëve neokomunistë demokratë u bë në të tilla përmasa skandaloze, saqë gazeta angleze “The Independent” shkruante në vitin 1996 se nuk mund të ndërtohet demokracia me gangsterë.
Me sa duket, gazeta kishte parasysh fjalët që qarkullonin asokohe poshtë e përpjetë për depozita të disa pushtetarëve të PD-së në bankat e Londrës, të cilat arrinin në disa qindra milionëdollarë, të siguruara nga firmat piramidale, trafiku i armëve dhe i naftës në drejtim të Serbisë, gjatë kohës që kjo vazhdonte agresionin kundër Bosnjës dhe Kroacisë. Fjalët që pëshpëriteshin atëherë arrinin deri aty, saqë të thuhej sikur sikur depozitat e sipërpërmendura paskëshin joshur edhe ish-kryeministrin britanik të asaj kohe, i cili, me sa duket, nuk i shpëtoi dot hetimit të shtypit britanik dhe e pagoi me largim nga pushteti të partisë së tij.
Ato firma piramidale, që pushteti neokomunist i PD-së lejoi të lulëzonin në një mënyrë spektakolare, gëlltitën miliona e miliona dollarë, kursime këto, të siguruara me djersën dhe me gjakun e mijëra shqiptarëve të thjeshtë, të cilët u varfëruan deri në atë shkallë, saqë vështirë se do ta marrin më veten ndonjëherë.
Pushteti i sotëm i neokomunistëve socialistë është model më i përkryer i grabitjes së pasurive kombëtare, i pasurimit befasues të kastës neokomunistëve dhe i varfërimit tragjik të popullit të thjeshtë. Në buxhetin e qeverisë për vitin 2003, të aprovuar nga parlamenti në dhjetorin që kaloi, thuhej se papunësia arrin në 15 përqind, ndërkohë që Sindikatat e pavarura deklarojnë se papunësia, në të vërtetë, kap shifrat 35-40 përqind (Top Channel, 13 dhjetor 2002). Sipas UNICEF-it, në Shqipëri 149 mijë familje marrin ndihma për të mbijetuar (Top Channel, 04 janar 2003). Vetëm në qytetin e Tiranës disa dhjetra familje të marrin ndihma me lista, siç e pamë me sytë tanë gjatë një emisioni televiziv të stacionit Top Channel të datës 04 janar 2003, kur u intervistuan disa banorë të varfër dhe disa pronarë dyqanesh në një lagje periferike të kryeqytetit.
Për ta mbajtur në nivele sa më të ulëta standartin e jetesës së popullit tonë, pushtetarët neokomunistë asnjëherë nuk kanë dalë në mbrojtje të punëtorëve shqiptarë gjatë marrëveshjeve të nënshkruara apo gjatë lëshimit të licencave për ushtrimin e biznesmenëve nga ana e biznesmenëve të huaj në vendin tonë. Punëtorët shqiptarë paguhen sa për të mbajtur frymën gjallë, duke u katandisur në pre të shfrytëzimit të egër të këtyre biznesmenëve. Për ish-komunistët dhe neokomunistët e tanishëm në pushtet moto kryesore mbetet parulla: Pushteti ruhet më lehtë kur ke një popull të varfër.
Shpesh herë neokomunistët socialistë dhe demokratë kanë organizuar farsa televizive në parlament për deklarimin e pasurive të politikanëve, sidomos në prag fushatash zgjedhore. Humori i këtyre farsave qëndron në faktin se ata paraprakisht duhej të kishin bërë verifikimin e pasurive të etërve të tyre komunistë, të cilët e grabitën popullin egërsisht për 46 vjet me radhë.
Asnjëherë dhe në asnjë rast ata nuk i hynë hetimit të pasurive të Enver Hoxhës dhe të ish-anëtarëve të kryenomeklaturës së kuqe, si Hysni kapo, Ramiz Alia, etj; për të zbuluar llogaritë e tyre sekrete nëpër bankat e huaja. Ashtu si edhe për etërit e tyre komunistë, për neokomunistët socialdemokratë është krejtësisht i huaj nocioni i transparencës në jetën e tyre private dhe në bizneset e tyre private.
Në qëndrimin ndaj pronës neokomunistët shqiptarët të të dy krahëve vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtat pozita, si edhe etrit e tyre komunistë. Aprovimi i ligjit të tokës nr. 7501 në gushtin e vitit 1991, në marrëveshje të plotë me njëri-tjetrin, është saksionim i parimit leninist, sipas të cilit toka i takon atij që e punon.
Ky ligj dëshmon se Shqipëria vazhdon të mbetet një vend neokomunist, në të cilin asnjëherë nuk do të bëhen investime të huaja në fusha të tilla fitimprurëse, si turizmi, agroturizmi apo thjesht bujqësia.
Terrori i varfërisë i ka detyruar gati 1 milionë shqiptarë të braktisin vendin për të nxjerrë bukën e gojës si argatë nëpër vendet e huaja.
Por vepra më kriminale e neokomunistëve shqiptarë ka qënë dhe mbetet shkatërrimi i rendit në Shqipëri. Bashkëpunimi i fshehtë mes neokomunistëve socialistë dhe demokratë për këtë qëllim u konkretizua me shpërthimin e kundërrevolucionit të vitit 1997.
Deklarata e ish-ministrit të mbrojtjes të mbrojtjes, të ndjerit Safet Zhulali, gjatë një bisede në studion e televizionit shtetëror para disa vjetësh, se “ngjarjet e vitit 1997 janë një dosje e mbyllur që nuk do të hapet kurrë”, vërteton katërcipërisht bashkëpunimin kriminal të neokomunistëve të të dy krahëve për shkattërimin e vendit , me sponzorizimin e Greqisë.
Hapja e depove të armatimit dhe armatosja e popullit qe ngjarja më ogurzezë për fatet e mëvonshme të Shqipërisë. Ajo pati si qëllim lënien e popullit në mëshirën e vetvetes dhe fuqizimin e mëtejshëm ekonomik të kastës neokomuniste nëpërmjet trafiqeve të gjithfarëllojshme.
Që asokohe shqiptarët vazhdojnë të vriten me njëri-tjetrin dhe qeverinë neokomuniste po e lënë të qetë t’ua shtrëngojnë në fyt edhe më fort lakun e varfërisë. Vrasja e më shumë se 200 policëveqë nga vitit 1997 tregon se rendi në Shqipëri është bërë pre e bandave kriminale, të cilat neokomunistët nuk kanë dashur t’i likujdojnë, për ta mbajtur popullin vazhdimisht nën pushtetin e frikës dhe për t’ia larguar vëmendjen nga shumë probleme të mprehta sociale, si mungesa e ujit, e dritave, pagat dhe pensionet e ulëta, ngritja e çmimeve etj.
Kryeprokurori Theollori Sallaku bëri bujë vitin e kaluar në parlament para deputetëve, duke akuzuar policinë e shtetit për mungesë profesionalizmi. Sipas tij, policia nuk i është përgjigjur situatës së vendit dhe se aktualisht bredhin të lirë mbi 1100 vrasës. Kjo shifër hodhi poshtë edhe rezultatet zyrtare të Ministrisë së Rendit, gjë, e cila tregoi mungesë bashkëpunimi ndërmjet hallkave shtetërore të rendit (Gazeta “Albania”, 29 dhjetor 2002, f.17).
Si shpjegohet fakti që Ministria e Jashtme Britanike e rendiste Shqipërinë në vendin e 11-të të listës së 37 vendeve, ku lëvizja e njerëzve është e pasigurt (TV Klan, 03 dhjetor 2002), kurse Ministria jonë e Punëve të Jashtme, Ministria e Rendit, deri edhe qeveria nuk reagojnë fare?
Komisioneri i Bashkimit Europian, Kris Patten, deklaroi më 19 dhjetor në Ëashington se krimi i organizuar është një problem shumë serioz në Shqipëri (Gazeta “Shekulli”, 21 dhjetor 2002, f.5), kurse strukturat e shtetit tonë, duke filluar nga Ministria e Rendit deri te qeveria, heshtin duke e marrë si të mirëqenë deklaratën e sipërpërmendur të personalitetit europian!
Zëvendësprokorori i antimafies së Barit, Giovani Giorgio, deklaron se mafien e kemi në shtet (Gazeta “Tema”, 05 dhjetor 2002, f.5), kurse neokomunistët e Tiranës nuk reagojnë përsëri! Këto janë vula turpi, me të cilat bota damkos neokomunistët shqiptarë në pushtet, kurse këtyre s’u bën përshtypje!
Ndërkohë, në ekranin e televizionit shikojmë se “ç’bukuri që ka dajaku” në kurrizin e qytetarëve të pambrojtur nga dhuna e shtetit neokomunist. Kanali televiziv “Top Channel” transmetoi ca skena skandaloze më 22 dhjetor 2002. Këto skena kanali në fjalë i ritransmetoi edhe më 08 janar 2003, me rastin e vdekjes së një qytetari korçar nga dajaku i policisë, Gazmend Tahirllari, i cili mbylli sytë në spitalin e qytetit.
Por çuditërisht, mjeku reaminator, Rahmi Dalipi, që bëri epikrizën, sipas së cilës qytetari Tahirllari kishte vdekur nga dajaku i policisë, pushohet nga puna, me urdhër të drejtorit të spitalit (Gazeta “Shqiptare” 09 janar 2003, fq.1). Kësisoj, shteti bandit kërkon të fshehë gjurmët e krimit.
Skenat që transmetoi TV “Top Channel” në lajmet e orës 15-00 të datës 08 janar 2003, skena këto, të përgatitura për emisionin “Fiks fare”, që paraqisnin disa policë, që kishin ndaluar një makinë, pronarin e së cilës njëri prej policëve e qëllonte me shkelma brenda, të ulur në timon, me një egërsi shtazarake. Pastaj pronarin e nxorën nga makina, kurse polici hoqi nga koka kaskën e vet metalike dhe me të filloi ta godiste në kokë me sa fuqi që kishte.
Këto skena të egërsisë barbare të forcave të rendit (aty kishte edhe policë të tjerë që po e ndiqnin skenën nga afër) kundër një qytetari të thjeshtë, tregojnë se në Shqipëri është instaluar një regjim banditësh neokomunistë, të cilët qytetarët e pambrojtur i konsiderojnë si objekt i shtazërisë së tyre, ashtu si në kohën e regjimit komunist të etërve të vet.
Ky është një turp i përmasave skandaloze për Shqipërinë, nga i cili nuk po i skuqet faqja askujt, as intelektualëve, as popullit të thjeshtë, i cili duhej të ishte ngritur në greva të fuqishme për të tronditur themelet e pushtetit të neokomunistëve socialistëve, të këtyre poshtëruesve të individit.
Por kush ta ngrejë popullin në greva, kur në Shqipëri nuk ka opozitë në parlament? Për një rast të tillë, si ky, në Los Anxhelos, në vitin 1991, tërë popullsia e qytetit u ngrit në demonstrata të fuqishme, të cilat i kushtuan shtetit amerikan mbi 2 miliardë dollarë dëme, kurse ish-presidenti Bush i kushtoi mosrizgjedhjen në mandatin e dytë.
Neokomunistët morën në “pronësi” nga komunistët shqiptarë një traditë shumë të pasur me tradhëti kombëtare. Komunistët shqiptarë qenë të vetmit në mbarë rruzullin tokësor, që, në themel të platformës së tyre politike, vunë varrosjen e çështjes kombëtare shqiptare.
Përfaqësuesi amerikan, z. Henderson, në vitin 1946, iu drejtua me një pyetje Enver Hoxhës: “Gjeneral, cili do të ishte reagimi juaj, sikur Shqipëria të përpiqej të fuste në rendin e ditës të Konferencës së Paqes (në Paris – E.Y) një pretendim për ndonjë rajon, fjala vjen, ..... të rajonit të Kosovës...? (Albania: “U.S. Position on Recognition of Tirana Government”. 1973. Citohet sipas librit të Kostas, fq. 192).
Po cila ishte përgjigja e Enver Hoxhës?
“.... ne nuk kemi pretendime ndaj aleatit tonë, Jugosllavisë, për rajonin e Kosovës” (fq. 193).
Me këtë përgjigje Enver Hoxha e zbuloi veten lakuriq, si tradhëtar të kombit shqiptar dhe të çështjes kombëtare shqiptare, si vegël të verbër në duart e Beogradit. Ishte Beogradi ai, që bëri çmos dhe arriti ta sabotonte, nëpërmjet tradhëtisë së Enver Hoxhës, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me aleatin e madh të popullit shqiptar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në fund të fundit, sipas Vladimir Dedijerit, sikur Enver Hoxha ta pranonte qëndrimin amerikan, atëhere qarqet financiare të Shteteve të Bashkuara do të mbizotëronin dhe do të vendosnin për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë” (fq. 194).
Ja, kjo është gjëma që i përgatiti popullit shqiptar Enver Hoxha, duke e shkëputur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe duke e lidhur me armiqtë e egër të kombit tonë, Beogradin e Moskën.
Po neokomunistët shqiptarë ç’qëndrim mbajnë ndaj çështjes kombëtare shqiptare? Ata vazhdojnë të ndjekin rrugën e tradhëtisë së etërve të tyre komunistë. Sipas gazetës “Koha Jonë” (27 dhjetor 2002, fq.5) aty nga fundi i muajit dhjetor, Partia Lëvizja Popullore e Kosovës hodhi idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, duke i përcjellë një deklaratë edhe Kuvendit të Shqipërisë.
Kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi deklaron se “kjo është një ide jashtë kohë” (po aty, fq. 5). Kurse politikani Petro Koçi mendon se imperativi i politikës kosovare na qenka statusi i Kosovës në raport me ish-Jugosllavinë. Çfarë raporti me ish-Jugosllavinë nënkuptoka Petro Koçi?
Ish-Jugosllavia është dhe mbetet një vend i huaj, një vend armik për Kosovën, derisa asnjë politikan, asnjë intelektual, asnjë artist, asnjë klerik ortodoks, asnjë qytetar i thjeshtë serb nuk ka kërkuar ndjesë për krimet e përbindshme dhe genocidin e egër që shteti jugosllav kreu në Kosovë.
I pari që duhej të kërkonte ndjesë për këto krime duhej të kishte qënë presidenti Koshtunica, por ai s’mund ta bëjë dot një gjë të tillë se me bindjet e veta është po aq shovinist, sa edhe Millosheviçi.
Argumenti më i fortë për shovinizmin e tij është fotografia, me kallashnikov në dorë, në të cilën ai është fiksuar bashkë me ushtarët e armatës serbe gjatë agresionit të saj kundër Kroacisë dhe Bosnjës. Por politikani neokomunist, Petro Koçi, nuk dëshiron ta kuptojë që Kosova është shkëputur përfundimisht nga ish-Jugosllavia dhe s’ka se ç’të bisedohet për kurrfarë raportesh me të.
Kurse politikani Tritan Shehu kalon në ekstremin tjetër. Sipas tij, ideja e Partisë Lëvizja Popullore e Kosovës na qenka e rrezikshme, sepse idetë për të ndryshuar kufijtë mund të hapkan konflikte dhe probleme.
Për cilët kufij e ka fjalën Tritan Shehu? Në qoftë se e ka fjalën për kufijtë mes Shqipërisë Londineze dhe Kosovës, atëhere le të mundohet të kuptojë se ato ishin kufij, të vendosur me dhunë nga Europa, e cila në vitin 1913 kreu një akt kriminal ndaj kombit shqiptar, duke ia copëtuar trojet dhe duke ia hallakatur nëpër shtete të tjera.
Këto kufij faktikisht u fshinë nga harta (juridikisht do të fshihen pak më vonë) që kur trupat e NATO-s hynë në Kosovë. Me këtë deklaratë për mosndryshim kufijsh (paçka se kufijtë e ish-Jugosllavisë dhe të ish-Bashkimit Sovjetik sot janë relike muzeu) Tritan Shehu i vjen në osh ministrit të jashtëm rus, Igor Ivanovit, i cili Ilir Metës i kërkoi në Moskë që Shqipëria të mundësojë mbajtjen e një Konference Ndërkombëtare për Ballkanin, ku të vendoset mosndryshimi i kufijve dhe krijimi i shteteve multietnike në këtë rajon (Gazeta “Rimëkëmbja”, 17 dhjetor 2002, fq. 3). Kësisoj, dashuria e neokomunistëve tanë për sllavët, në dëm të çështjes kombëtare shqiptare, sa vjen e bëhet edhe më përvëluese se e etërve të tyre komunistë.
Konkretisht, ata bashkohen me mendimin e veteranokomunistit Arben Puto, i cili, në intervistën, dhënë BBC-së në emisionin e orës 7 – 30 të datës 28 nëntor, deklaroi: “Nuk diskutohet për unifikimin e trojeveshqiptare”. Neokomunistët shqiptarë, ashtu si dhe etërit e tyre, nuk po e lënë të qetë Kosovën.
Ata, në bashkërendim të bëmave të tyre kriminale me Beogradin, kanë eksportuar në Kosovë një lëvizje të rrezikshme majtiste, e cila po zhduk fizikisht figura të shquara të luftës së popullit shqiptar të Kosovës.
Ka shumë rrezik që kjo lëvizje majtiste, me ngjyrime fashiste, ta fusë Kosovën në perspektivë të një lufte civile. Kjo është vepër e poshtër, tradhëtare e neokomunistëve të Tiranës. Në varrimin e kolonelit Tahir Zemaj me të birin dhe me kryetarin e forumit rinor të Deçanit, që u bë më 08 janar 2003, njëri nga eksponentët drejtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës deklaroi se kjo vrasje u krye nga bandat e armatosura të Vlorës (TV “Klan”, 08 janar 2003), duke pasur parasysh bandat e vitit 1997, të cilat pikërisht në Vlorë, në shtratin e ngrohtë të komunistëve dhe neokomunistëve, gjetën fushë të lirë veprimi për kryerjen e gjithë atyre masakrave të përbindshme.
Deklaratën e eksponentit të Lidhjes Demokratike të Kosovës e transmetoi TV “Klan” në orën 11 – 00 të datës së sipërpërmendur, por e kishte censuruar TV e Prishtinësnë lajmet e orës 22 – 30 të kësaj date. Ky censurim vërteton pa asnjë mëdyshje se elementë majtistë, miq të neokomunistëve të Tiranës, janë vendosur në pozita kyçe në TV e Prishtinës.
A e di UNMIK-u një gjë të tillë? Po Lidhja Demokratike e Kosovës, po presidenti Rugova, që ka fituar zgjedhjet e zhvilluara deri tani në Kosovë, çfarë po bëjnë? Mefshtësia në qëndrimin ndaj elementëve majtistë, këtyre zëdhënsve të neokomunistëve të Tiranës dhe aleatëve tepër të kamufluar të beogradit, do t’i kushtojë shumë shtrenjtë Kosovës.
Të tre këta politikanë, që dalin kundër idesë së Partisë Lëvizja Popullore e Kosovës, i përkasin zonës së Poshtëshkumbinit të Shqipërisë Londineze, të asaj zone, të asaj pjese të Shqipërisë, që na polli qeverinë e Zonës së Parë Operative, të dalë nga kallashparlamenti i vitit 1997. janë këta politikanë neokomunistë, të cilët, ashtu si dhe etërit e tyre komunistë, nuk e shohin dot me sy Kosovën, të bashkuar me Shqipërinë, se e dinë që, në një shtet të unifikuar shqiptar, do të prishet ekuilibri i qeverisjes në “dëm” të pushtetarëve të Poshtëshkumbinit, në raport me numrin e popullsisë së Mbishkumbinit, veçanërisht në dëm të labokomunizmit, i cili ushtrimin e pushtetit në Shqipëri e ka konsideruar dhe e konsideron si një të drejtë përjashtimore të tijën dhe Shqipërinë si një pronë, të trashëguar brez pas brezi.
Tritan Shehut, me sa duket, i është mbushur mendja top se në skenën e politikës shqiptare na qenka e pamundur të militosh, pa iu servilosur Evropës, pa sakrifikuar interesat kombëtare të vendit tënd. Politikanëve dhe deputetëve të parlamentit tonë duhet t’u vijë turp që problemet e çështjes sonë kombëtare, si pavarësia e Kosovës apo çështja çame, diskutohen në Kongresin dhe në Senatin amerikan, kurse Kuvendi ynë hesht në mënyrën skandaloze, duke u shndërruar në një strehimore memecësh antinacionalistë.
Pse kanë frikë dhe nga kush kanë frikë politikanët dhe deputetët e parlamentit shqiptar? Pse nuk ngrihen dhe të deklarojnë me zë të lartë, deri në kupë të qiellit: Evropë! Ke kryer kryer krime kundër kombit shqiptar! Këtyre krimeve tani u duhet dhënë fund! Kombi shqiptar duhet të ketë shtetin e vet të unifikuar, në mbarë trojet e veta etnike në Evropën Juglindore, duke filluar që nga Çamëria, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia Perëndimore. Kombi shqiptar mund të zhvillohet dhe të përparojë vetëm në një shtet të unifikuar në mbarë trojet e veta! Boll më me eksperimente në kurriz të kombit shqiptar, duke mbajtur më këmbë në Evropën Juglindore shtete të paqena me troje shqiptare!?
Por politikanët dhe deputetët e parlamentit shqiptar s’e bëjnë dot një deklaratë të tillë se, si neokomunistët që janë, kanë nëpër duar tapinë e tradhëtisë kombëtare, që ua kanë lënë si trashëgim etrit e tyre komunistë.
Në rublrikën “Koment” të gazetës “Republika” (dt 27 dhjetor 2002, fq. 11) lexojmë: “Politika e deritanishme e tarafeve dhe e klaneve ka siguruar pasuri përrallore.... për menaxherët e pushtetit dhe njerëzit e tyre, ndërkohë që varfëria ka goditur pjesën tjetër të popullsisë..... Është po kaq e vërtetë, që në kabinet ndodhen emra të lakuar për shkelje të ligjit dhe vjedhje të pasurisë së popullit. Nuk mund të justifikohet emërimi në poste i tyre me frazën klishe: “Nuk u janë provuar fajet nga organet e Drejtësisë”. Këto të fundit kanë provuar tashmë se mund të bëjnë gjithçka, por jo të zgjidhnin paradoksin e madh mes pasurimit të shtetarëve dhe varfërimit të nënshtetasve”.
Bukur mirë e ka vlerësuar komentatori i “Republikës” punën e gjykatave tona. Kur kujton vendimin e treshes gjyqësore Edmond Gogo, Fatime Beça dhe Tom Ndreca të Gjykatës së Apelit për dënimin me një gjobë të rëndë të z. Abdi Baleta vetëm e vetëm se ka cituar fjalët e nxjerra nga një artikull i ish-drejtorit të përgjithshëm të policisë, z. Agim Shehu, për vlerësimin e figurës së ish-kryeministrit Aleksandër Meksi, nuk ke si të mos skandalizohesh dhe të mos vësh kujën.
Një vendim i tillë i pashembullt cënon rëndë lirinë e shtypit dhe nxjerr në pah faktin se gjyqtarët e lartpërmendur kanë marrë thjesht një vendim politik kundër kryetarit të së vetmes parti opozitare në Shqipëri, siç është Partia Rimëkëmbja Kombëtare, zotit Baleta.
Në vazhdim të fjalëve të komentatorit të “Republikës”, dëshiroj të shtoj edhe diçka tjetër: në kabinet, siç thotë ai, nuk ka vetëm shkelës të ligjit dhe vjedhës të pasurisë së popullit. Atje ka edhe njerëz të paaftë. Pika nevralgjike e çdo shteti janë financat. Le të kujtojmë për një çast se kë kishin vënë në krye të Ministrisë së Financave neokomunistët demokratë kur ishin në pushtet: një inxhinier mekanik. Shikoni tani se kë kanë vënë në krye të kësaj ministrie neokomunistët socialistë: një fizikan, i cili, dikur, kur nuk kishte ndonjë post ministri, pyetjes së gazetares të TV “Klan” për marrjen e ndonjë posti ministror iu përgjigj: vetëm postin e ministrit të Rendit dhe të Financave nuk do ta përballoja dot.
Kur partia e tij ia ofroi postin e ministrit të Financave, ai e pranoi me kënaqësi. Tani, që, me sa duket, është ëmbëlsuar keq me këtë post dhe i është mbushur mendja top se na qenka bërë me të vërtetë specialist i thekur i “financave” shqiptare, del e deklaron pa iu dridhur qerpiku: “Do të jem ministër i financave deri në vitin 2005” (TV “Klan”, 28 dhjetor 2002).
Për natyrën e kulluar neokomuniste të sistemit politik që është vendosur në Shqipëri dëshmon në një mënyrë të dhimbshme protesta e disa politikanëve, deputetëve dhe intelektualëve kundër një numri humori me Papën Gjon Pali i II të dy humoristëve tanë të talentuar. Kjo zhurmë e protestë provoi mjerimin e politikës neokomuniste që ndiqet në Shqipëri.
Për të vajtuar ishte shfaqësimi i drejtorit të përgjithshëm të RTV-shqiptar, i cili pretendon se humori u dashka menaxhuar. Por më shumë ishte për t’u vajtuar reagimi i presidentit të vendit. Ai “edhe për humorin e mëtejshëm për figurat e triumviratit Nano-Moisiu-Berisha porositi të bëhet shumë kujdes dhe kërkoi të ndërtohet për ta një “kornizë mbrojtëse” nga “armiku humoristik” (Gazeta “Rimëkëmbja”, 24 dhjetor 2002, fq. 4).
Në këtë fushatë të marrë, që politikanët neokomunistë ngritën kundër humorit dhe artistëve humoristë, ishte vetëm z. Abdi Baleta ai që doli me vendosmëri në mbrojtje të artistëve humoristë, duke theksuar me shumë të drejtë, se “humoristët shqiptarë nuk pyesin se çfarë mund të deklarojnë disa pushtetarë, që gjoja për të mbrojtur Papën, duan të shpëtojnë veten nga shigjetat e humorit dhe të lirisë së shtypit” (Po aty).
Në dallim nga etrit e tyre komunistë, të cilët e kishin lidhur Shqipërinë pas qerres jugosllave, neokomunistët socialistë e kanë kthyer Shqipërinë në koloni të Greqisë. Besoj se teleshikuesve u ka bërë përshtypje një lajm që transmetoi TV “Top Channel” më 07 janar 2003: nga Shtetet e Bashkuara vinte një shqetësim i madh për rrezikun që paraqesin depozitat greke të naftës në portin e Durrësit, rrezik ky, që kërcënon orë e çast qytetin me shpërthime të tmerrshme, me zjarre të përmasave katastrofike dhe me një ndotje të pallogaritshme të mjedisit. Në vend që qeveria shqiptare të reagojë me shqetësimin e duhur dhe t’u shprehë mirënjohjen publikisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës për tërheqjen e vëmendjes për një problem kaq delikat, është ambasadori grek ai që, si një guvernator i vërtetë i Greqisë në Shqipëri, ngrihet dhe shkon në Durrës dhe deklaron, pa prishur terezinë, se, demek, depozita greke, nuk na paraqitkan asnjë rrezik për qytetin e Durrësit, ndërkohë që kanali televiziv “Top Channel” jepte pamje konkrete të ndotjes së mjedisit, rrjedhje të tubacioneve të naftës, me pasoja të rënda këto për banorët vendas.
Shqipëria vuan dhe lëngon nga “këta terroristë politikë...., që sot vazhdojnë ta mbajnë peng Shqipërinë, nën një tutelë të kuqe, pa asnjë perspektivë të hapur e demokratike... Por përsëri nuk duhet të çuditemi nga nomeklatura e kuqe e sotme në Shqipëri, që veç shqiptarë nuk dinë të jenë” (Gazeta “Tema”, 05 dhjetor 2002, fq.6).
Në shtypin shqiptar shteti i sotëm neokomunist quhet edhe “shteti i çunave”. “Pra, është një lloj absurdi i shtetit të çunave, në duart e të cilëve kemi rënë dhe prej të cilit më kot banorët viktima kërkojnë mëshirë..... Jemi para një shteti bijsh komunistë që po na mban peng, që s’na lë as të protestojmë, as të qahemi, as të kërkojmë të drejtat” (po aty, fq. 7).
Situata në Shqipëri sa vjen e bëhet edhe më tragjike për faktin se sot në parlamentin shqiptar nuk ekzistojnë forca opozitare. Ca deputetë dhe politikanë të PD-së, në fillim të dhjetorit, i kërkonin Berishës: “Duam të kthehemi në opozitë” (Gazeta “Albania”, 07 dhjetor 2002, fq. 2).
Madje kjo gazetë theksonte: “Shqiptarët tani kanë filluar të besojnë se qeverisen nga dy bashkëministra dhe kanë njëfarë të drejte për këtë. Berisha nuk kërkon më ardhjen në pushtet. Ai vetëm po e ndihmon kryeministrin aktual që të përmirësojë qeverisjen dhe të forcojë pozicionin e tij politik përballë rivalëve. Kështu nuk bën asnjë opozitar në botë, përveç zotit Berisha” (po aty, fq. 3).
Këto vlerësime gazetës “Albania” i mbështet vetë kryetari i qeverisë, Fatos Nano, i cili deklaron: “Do të qeverisim bashkë me Berishën” (Gazeta “Koha Jonë”, 09 janar 2003, fq. 1).
Tani është arritur qëllimi i neokomunistëve: elektorati i djathtë është hedhur në pasivitet, kurse elektorati i majtë, që nuk përbën më shumë se 30-35 përqind të votuesve, parapëlqen mjerimin, veç neokomunistëve socialistë të jenë në pushtet, të cilët i do me një dashuri patologjike.
Ky elektorat mezi e pret ditën e zgjedhjeve, për t’u rreshtuar, si me komandë, para kutisë së votimeve: në shi e në breshër, në stuhi dhe në furtunë. Votuesit e majtë lumturohen në maksimum, kur në pushtet janë neokomunistët socialistë, se atyre nuk u prish punë drita e pakët, uji i pakët, rroga e paktë, rendi i paktë, çmimet e larta, racioni i vogël dhe mjerimi i madh.
Ky pasivitet i elektoratit të djathtë po bëhet burrim rreziku prangosjen përfundimtare të vendit tonë nga ana e neokomunistëve dhe varrosjen prej tyre të çështjes kombëtare shqiptare. Elektorati i djathtë duhet të gjejë vetveten dhe të rreshtohet në krahun nacionalist të spektrit politik shqiptar për largimin nga pushteti të tradhëtarëve neokomunistë, për zgjidhjen një herë e mirë të çështjes kombëtare shqiptare dhe për shpëtimin e vendit nga kolonizimi grek.
Dikur dekabristi Vladimir Rajevski, popullin rus, që lëngonte nën çizmen e carizmit, e quante “popull memec”, heshtja dhe stepja e të cilit përbënin fatkeqësinë më të madhe për atdheun e tij të poshtëruar.
E çuditshme është heshtja e gazetës angleze “The Indipendet”, e cila në vitin 1996 stigmatizonte gangsterizmin e neokomunistëve demokratë në pushtet. Nuk e ditka kjo gazetë që tani ne kemi në krye ca gangsterë, po këtë herë neokomunistë socialistë, ku e ku më të rrezikshëm, që pushtetin kanë qejf ta marrin me dhunë (si në vitin 1997) dhe paskëtaj ta mbajnë po me dhunë, të cilën e maskojnë mirë e bukur me farsa zgjedhore?
Heshtja e saj të bën të dyshosh se neokomunistët demokratë nuk duhet të kenë qenë të rrahur mirë në ato punët e lyerjes së qerres.
15.01. 2003 Eshref Ymeri