Kolegët: Mjeku e kishte denoncuar vrasësin

Kolegët: Mjeku e kishte denoncuar vrasësin

EKZEKUTIMI/ Viktima Thaçi kishte pasur përballje fizike me autorin disa kohë para ekzekutimit të tij në spital

Bluzat e bardha hedhin poshtë çdo dyshim lidhur me një tradhti bashkëshortore të mundshme mes dy viktimave

Mark Brunga

DURRËS – “Doktor Thaçi kishte bërë një denoncim në polici ndaj autorit të vrasjes. Kjo për faktin se para disa kohësh, përveç konflikteve ata kanë pasur dhe një përballje fizike”. Kjo është ajo që bëhet e ditur nga mjeku i urgjencës, Arjan Tivari, një ditës pas ekzekutimit të mjekut Fatmir Thaçi në ambientet e spitalit të Durrësit. Teksa shprehin keqardhjen për gjithçka që ka ndodhur, bluzat e bardha mohojnë kategorikisht akuzat e ngritura nga Ali Lorja ndaj kolegut të tyre.

Mjeku Arjan Tivari thotë se ndonjë keqdashës mund të ketë bërë ndonjë telefonatë nga spitali për të krijuar një incident të qëllimshëm. “Megjithatë, – shprehet mjeku i urgjencës, – nëse do të ishte treguar më shumë kujdes, do të shpëtoheshin të dy, doktori nga vdekja dhe autori nga krimi”. Për kolegun e vrarë ai thotë se ka qenë mjek i shkëlqyer. “Këtë e dëshmon i gjithë opinioni i spitalit. Ai ka pasur një qëndrim tepër korrekt me personelin dhe pacientët. Mjeku mund të shkojë me infermieren edhe në një hotel për të kuruar ndonjë pacient në urgjencë, por kjo nuk do të thotë se ata kanë qëndrim moral të dyshimtë”,- vijon mendimin e tij doktor Tivari.

Duke hedhur poshtë çdo dyshim për një lidhje jashtëmartesore të dy viktimave tashmë, mjeku thotë se urgjencat duhet të jenë me policë shtetërorë, sepse policia private nuk luan asnjë rol. “Ka raste kur vinë në urgjencë njerëz që nuk janë për urgjencë dhe pas kësaj edhe kërcënojnë. Madje, ka pasur raste kur kanë ardhur edhe të pirë edhe kanë kërcënuar apo rrahur kolegët tanë. Rastet e goditjeve kanë qenë të shpeshta. Të paktën 6 rrethet kryesore të vendit, duke filluar nga Tirana, duhet të jenë të ruajtura me polici”,- përfundon mjeku Arjan Tivari.

Në spitalin e Durrësit, mëngjesi i një dite pas ngjarjes së rëndë ndodhi në mjediset e punës, duket edhe më i rënduar. Mjekimet e zakonshme janë ndërprerë dhe funksionon vetëm urgjenca. Fytyrat e vrara të punonjësve të spitalit, mjekë dhe infermierë, janë prezente kudo. Njerëzit, që duket se si rezultat i punës profesionale që kryejnë kanë fituar “imunitet” ndaj emocioneve të vdekjes, këtë radhë duken të dobët. Vdekja i ka thyer të gjithë shpirtërisht. Janë momentet kur pritet që rreth orës 12:00 të organizohen homazhe në mjediset e Drejtorisë së Spitalit Rajonal të Durrësit dhe gjithçka duket e rënduar.

Është e vështirë që t’u hiqet nga mendja skena makabër e vrasjes së kolegut të tyre, shefit të Repartit të Radiologjisë, Fatmir Thaçit. Personat me imunitet të fituar ndaj skenave të përgjakshme, sikur të thonë se edhe gjakftohtësia profesionale paska një kufi. Dhimbja për kolegun ka shkaktuar shqetësime shpirtërore e fizike tek bashkëpunëtorët e përditshëm të spitalit. “Jam me tension 18″,- thotë infermierja Vera Xhelollari.

Zyra e EKO-s ku punonte doktori është bosh. Karrigia ku ai ulej dhe mbushte skedat mjekësore të pacientëve është bosh. Dhe kolegët e vet kanë në shpirt boshllëkun e mungesës së tij pas vrasjes që iu bë në mjediset e spitalit, kur u qëllua 5 herë me pistoletë. Vera Xhelollari, infermiere prej 6 vitesh në këtë vend pune, rrëfen: “Kam punuar shumë kohë me doktorin, po kurrë nuk kam dëgjuar një fjalë të keqe prej tij në adresë të kujtdo.

Qëndrimi i tij ndaj kolegëve ka qenë tepër korrekt. Unë i kam njohur të dy, edhe viktimën që u vetëhelmua dhe asnjë në spital nuk mund të thotë një fjalë të keqe për të dy. Punonim së bashku dhe kurrë nuk mund të imagjinonim një gjë të tillë, por xhelozia ndonjëherë nuk njeh kufi… I morën në qafë njerëzit e këqij”,- shton me keqardhje.

Mjekët e Durrësit: Kemi frikë për jetën
Frika për jetën tashmë i ka përfshirë të gjithë dhe mjekët e Durrësit thonë se ndihen të pambrojtur. Ngjarja e rëndë, ku mbeti i vrarë në zyrën e tij të punës mjeku radiolog Fatmir Thaçi, ka shkaktuar një panik të madh mes bluzave të bardha në mjediset e spitalit. Një ditë pas vrasjes së kolegut të tyre, ata ndihen të frikësuar dhe për këtë kërkojnë marrjen e masave në mbrojtje të jetës së tyre. Bluzat e bardha shprehin indinjatën e thellë për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e së premtes, ndërsa iu bëjnë thirrje strukturave të policisë të marrin të gjitha masat për të siguruar një shërbim shëndetësor normal, ku mjekët të kryejnë në qetësi detyrën e tyre fisnike, dhe jo nën presionin e vazhdueshëm të njerëzve ordinerë që shpeshherë i kanë kërcënuar.

Homazhet
Ndërkohë, qindra njerëz, kolegë dhe miq të mjekut kanë marrë pjesë në homazhet e organizuara për t’i dhënë lamtumirën e fundit mjekut të vrarë në detyrë. Pjesëmarrësit kanë ngushëlluar familjarët që humbën të dashurin e tyre vetëm dy ditë më parë si pasojë e një akti kriminal. Ngushëllimet më të thella për familjarët kanë shprehur dhe kolegët, të cilët kanë braktisur për disa orë punën në spitalin e Durrësit, me qëllim për t’i dhënë nderimet e fundit ish-kolegut të tyre. Vizitat janë bërë në mënyrë të pandërprerë që nga dita e premte në banesën e të ndjerit Thaçi, ndërsa në orën 11:30 të së shtunës ato janë zhvendosur në ambientet e Drejtorisë së Spitalit Rajonal të Durrësit. Pas përfundimit të ritualit mortor, në orën 12:30 mes dhimbjes dhe lotëve, kortezhi me trupin e pajetë të të ndjerit Fatmir Thaçi, i cili u vra të premten në sallën e radiologjisë, u nis në drejtim të varrezave të qytetit të Durrësit.

Gjatë paradites së djeshme familja Thaçi u vizitua edhe nga përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, deputetë, si dhe zyrtarë të pushtetit vendor të Durrësit. Doktori Fatmir Thaçi mbeti i vrarë në punë teksa u qëllua me 5 plumba në kokë nga Ali Lorja. Ky i fundit dyshonte se gruaja e tij (e cila u vetëhelmua një muaj më parë) kryente tradhti bashkëshortore me mjekun-koleg të punës, çka dyshohet se e ka shtyrë edhe infermieren Liljana Lorja në vetëvrasje. Pasi vrau mjekun, autori u vetëdorëzua në policia duke pranuar autorësinë dhe duke u shprehur se shkak për këtë akt ishte tradhtia bashkëshortore.(Shekulli)

_-pnUgjN-ec

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23453. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23453

Top