Kokëdhima në Tonight Ilva Tare : Nuk do të votoj për asnjë lloj importi armësh kimike

Koço Kokëdhima ka deklaruar në studion e “Tonight Ilva Tare” se nuk do të votojë në parlament për asnjë lloj importi plehrash apo armësh kimike drejt Shqipërisë. I pyetur nga moderatorja Ilva Tare ai është shprehur se e majta nuk merr vendime që shkojnë ndesh me interesat e vendit.

Nëse ju vjen një draft i tillë nga qeveria për të votuar për armët kimike të Sirisë në Shqipëri, si do të ishte vota juaj?
Unë dua tju kujtoj juve që unë nuk jam deputet i Sirisë. Jam deputet i Himarës, jam deputet i Sarandës, jam deputet i Vlorës, jam deputet i popullit dhe jam deputet i Partisë Socialiste, i të majtës së bashkuar dhe unë në mënyrë të qartë mund ta deklaroj me përgjegjësi që unë nuk votoj për plehrat në Shqipëri dhe nuk votoj kurrë as në këtë botë dhe as në atë botë për asnjë lloji importi armësh kimike dhe për asnjë lloj mbetjesh të rrezikshme në tokën tonë”.

Ia keni thënë Kryeministrit qëndrimin tuaj kundër?
Unë nuk diskutoj në terma personalë sepse komunikimi ynë është shumë formal, është komunikim në grupin parlamentar etj. Unë nuk besoj kurrë që nga e majta e bashkuar dhe nga Partia Socialiste, nga qeveria e saj, nga Kryeministri i saj të ketë ndonjëherë ndonjë vendim që është në dëm të Shqipërisë. Unë nuk e besoj. Kam besim të plotë tek udhëheqësit tanë, tek përgjegjshmëria e tyre, tek maturia e tyre dhe te fakti që ata bëjnë vlerësim të të gjithë faktorëve të interesave të vendit dhe jam i bindur që ata do të marrin vendime që janë në favor të vendit – ka thënë deputeti i Partisë Socialiste
 
Top