Re: Koha per Ndryshim
Olldashi deklaron hapur mbështetjen për Nanon President. Berisha e la hapur mundësinë e Nanos pak ditë më parë
Olldashi: Votoj Nanon President
Fillon të marrë trajtë skenari i mazhorancës për të kaluar ngërçin e zgjedhjes së presidentit vitin e ardhshëm
Anila Rama
“Votoj Nanon President”. Deklarata e papritur e Ministit të Brendshëm, Sokol Olldashi u hodh dje në emisionin “Zonë e Lirë” në mesnatë. I pyetur nga gazetari Arian Çani a do ta votonte Fatos Nanon nëse Partia Socialiste do ta paraqesë si kandidaturë për president në zgjedhjet presidenciale të 2007-ës, ministri Olldashi pohoi me plot gojën se do t’ia jepte votën ish kreut të PS-së. Kjo deklaratë e ministrit të Brendshëm duket se vërteton zërat e kohëve të fundit, sipas të cilave maxhoranca do ta mbështesë Nanon për president me qëllim shmangien e vështirësive në zgjedhjen e presidentit dhe për pasojë zgjedhjet e parakohshme. Deklarata e Olldashit nuk duket spontane, pasi vetëm pak ditë më parë kryeministri Sali Berisha, nuk mohoi mundësinë e votimit të Nanos si president nga ana e maxhorancës. Berisha, i pyetur nga gazetarët, në raportin njëvjeçar të qeverisjes, la të hapur mundësinë e votimit të Nanos. Ai në mënyrë diplomatike u përgjigj se “unë e bëra detyrën time duke e nxjerrë nga dera Nanon, por Rama po e kthen nga dritarja”. Shtegu i lënë hapur nga ana e kryeministrit Berisha për mundësinë e zgjedhjes së Nanos në postin e Presidentit të Republikës, u përforcua mbrëmë nga deklaratë e ministrit të Brendshëm, Sokol Olldashi. Kjo ngjan me një skenar të maxhorancës për të rrëzuar skemën e opozitës e cila ka deklaruar vazhdimisht vendosmërinë e saj, për të mos dhënë konsensusin për zgjedhjen e Presidentit vitin e ardhshëm. Partitë e opozitës kanë nënshkruar një marrëveshje ku bien dakord për të provokuar zgjedhje të parakohshme, kur të vijë momenti i zgjedhjes së presidentit. Vetëm pak kohë më parë, ish-kryeministri Fatos Nano, është rishfaqur në skenën politike. Ai ka akuzuar kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, ndërsa ka mbajtur qëndrim të ngrohtë ndaj kryeministrit. Fatos Nano ka pasur vazhdimisht si synim, zgjedhjen e tij në postin e Presidentit të Republikës. Këtë, ai e ka artikuluar publikisht disa herë. Synimi i tij, ka qenë zgjedhja në këtë post që pas zgjedhjeve të vitit 2001. Skema e përdorur nga PS në atë kohë, i dha numrat e nevojshëm për të realizuar qëllimin, por opozita i kontestoi fort zgjedhjet si të manipuluara. Presioni i opozitës së atëhershme dhe i ndërkombëtarëve, detyroi PS-në e drejtuar nga Fatos Nano që të pranojë një kandidaturë konsensuale për president, që ishte Alfred Moisiu.
30/09/2006
KATEGORIA: Politike
www.shekulli.com.al