Klinton: Kosova shumë shpejt në NATO dhe BE

Klinton: Kosova shumë shpejt në NATO dhe BE

I pazakontë dhe me pjesëmarrje të disa mijra qytetarëve ka qenë tubimi I djeshëm në sheshin kryesor të Prishtinës, me rastin e vizitës së ish presidentit amerikan Bill Klinton, I cili iu përgjigj ftesës në ditën e përurimit të shtatores së tij të ngritur në shenjë mirënjohjeje prej qeverisë dhe popullit të Kosovës.</p>


Ish presidenti amerikan, Bill Klinton, u shpreh se është i nderuar që gjendet në Kosovë dhe duke mbajtur një fjalim, aty ku kishte mbajtur edhe nënpresidenti aktual i Shteteve të Bashikuara, Xho Bajden, në Kuvendin e Kosovës, të cilin Klinton e quajti mik me të cilin ka punuar për vite të tëra. Në fjalën para deputetëve, ish presidenti klinton shtoi se:” Është një rrugë në të cilën duhet të shkojë bota në Shekullin 21. Mësimi është i njëjtë, fuqia e shembullit tuaj mbetet e njëjtë. Duhet të jeni shumë krenarë për atë që keni arritur dhe unë i thashë presidentit dhe kryeministrit se e keni bërë punën shumë më mirë se sa kanë menduar të tjerët. Keni konsoliduar instituconet demokratike, keni nxitur shtypin e lirë dhe shoqërinë civile. Edhe shumë vende të tjera do pasojnë pavarësinë tuaj, jeni pjesë e FMN-së dhe shumë shpejt do jeni edhe pjesë e NATO-s e BE-së. E keni kërkuar sigurinë tuaj, në vendin tuaj dhe keni ndërmarrë hapat e duhur”, nënvizoi Klinton.
Në vijim të fjales, presidenti i 42-të i SHBA-ve vuri theksin në punën e mirë që është bërë me pakicat. “Mund tju siguroj të vazhdoni për të punuar që pakicat të integrohen plotësisht dhe ju do ta bëni këtë sepse jeni pjesë e botës së shek 21. Eshtë me rëndësi që njerëzit të jenë krenarë për atë se cfarë janë, përfshirë edhe rrënjët e tyre etnike”, shtoi Klinton. Ai kërkoi gjithashtu që kosovarët të mendojnë për të ardhmen dhe jo për të shkuarën
Duke përmendur arritjet e deritanishme që prej përfundimit të luftës në Kosovë, presidenti i dikurshëm amerikan ftoi të gjithë në Kosovë të ndjehen krenarë me rrugëtimin e tyre të deritanishëm.
“Megjithatë, tani duhet të mendojmë se çka do të bëni, dhe një prej gjërave që kam mësuar është fakti se është shumë më e lehtë për njerëzit të ndajnë të ardhmen nëse mendojnë më shumë për të dhe më pak për të kaluarën”, tha zoti Klinton, duke ftuar për integrim të mëtejshëm të serbëve dhe grupeve të tjera pakicë.
“Ato me çka jeni përballur ju para një dekade dhe atë që jeni duke e ndërtuar prej atëherë, është një rrugë të cilën duhet të shkojë bota në shekullin 21″, tha Bill Klinton, për të shtuar se “është me rëndësi që njerëzit të jenë krenarë për atë se çka janë, përfshirë këtu rrënjet etnike dhe fetare”.
Ai rikujtoi edhe vizitën e dikurshme me bashkëshorten e tij, Hillari Klinton, e cila sot është sekretare amerikane e shtetit, i kishin bërë në kampet e refugjatëve ku ishin zhvendosur shqiptarët e Kosovës.
“Kurrë nuk do ti harroj fytyrat e njerëzve dhe rrëfimet e tyre”, tha Klinton.
Pas adresimit në Kuvend, zoti Klinton u nis për në bulevardin që mban emrin e tij, për të përuruar shtatoren e njeriut që në Kosovë cilësohet si hero.Bulevardi që prej orëve të hershme të mëngjesit, ishte mbushur plot me qytetarë, të cilët mbanin në duar flamuj amerikanë dhe portrete të ish presidentit amerikan. Nga skena me mbishkrimin “Kosova nderon heroin”, ish presidenti amerikan, Bill Klinton, përshëndeti numrin e jashtëzakonshëm të qytetarëve që kishin dalë për të marrë pjesë në përurimin e shtatores së Klintonit, në sheshin “Bill Klinton”. Ai iu drejtua turmës me fjalët “Faleminderit që më mirëpritët!”. “Skam pritur se dikush do të bëjë një shtatore aq të madhe për mua”, duke shtuar se “ndihem jashtëzakonisht mirënjohës që kam pasur mundësinë për tua dhënë juve shansin të ndërtoni një të ardhme më të mirë”.
Në turmë gjithandej valëviteshin flamuj amerikanë dhe kosovarë. Mesazhi kryesor nga organizatorët, “Miqtë e Amerikës – miqtë e Bill Klintonit”, ishte se “Kosova nuk ka harruar gjithë ato që presidenti Klinton ka bërë”.
Ish presidenti falënderoi ushtarët amerikanë në Kosovë dhe ata të NATO-s, zonjën Medlin Albrajt, Riçard Holbruk, Ueslej Klark, gjithashtu edhe presidentin Xhorxh Bush dhe Kondoliza Rajs.
“Dua tju siguroj se presidenti Obama, sekretarja Klinton dhe i gjithë populli amerikan është me ju sot dhe do të jenë në të ardhmen tuaj”, tha Klinton.
“Ne ndajmë një planet të vogël midis nesh, të kërcënuar nga terrorizmi, sëmundjet, ngrohja globale dhe kriza financiare. Ndajmë edhe ëndërrat për fëmijët tanë. Duhet të vendosim mbi dicka shumë të thjeshtë, qoftë në Kosovë apo kudo tjetër në botë, nëse do të përqëndrohemi tek e nesërmja apo e djeshmja, tek ajo që na bashkon apo ajo që na ndan”, u tha qytetarëve të mbledhur ish presidenti amerikan.
“Besoj se mund të gjeni prosperitet, paqe dhe shpresë, por vetëm nëse e gjeni bashkërisht”, tha në fund ish presidenti amerikan, duke i dhënë fund kështu edhe ceremonisë së përurimit të shtatores.
Presidenti Klinton në Kosovë gëzon respekt të jashtëzakonshëm, për rolin që ka pasur në fushatën ajrore të aleancës veri-atlantike kundër forcave serbe të sigurimit më 1999.
Pikërisht ky rol ka bërë që figura e ish presidentit amerikan në Kosovë të shihet si personalitet që çliroi Kosovën nga pushteti i dhunshëm i Serbisë së udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi.
Vizita e presidentit Klinton në Kosovë, është e treta me radhë që prej përfundimit të luftës dhe e para që prej shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.(Shqip)</p>
EL6SX3yCxec

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25355. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25355
 
Top