KESH-i, nga errësira në heshtje
Nga Ervin Qafmolla
Kanë kaluar vetëm pak ditë nga njoftimi i bujshëm për shtyp i KESH-it, në të cilin me tone gati militare përshkruhej sesi një “bufonadë djemsh dhe pleqsh pa argumenta” kishin dëmtuar rëndë imazhin e korporatës - megjithëse personalisht dyshoj që kjo e fundit të ketë pasur ndonjëherë imazh - dhe si rrjedhojë KESH-i ishte në përgatitje të procedurave ligjore kundër “MJAFT”-it. Me sa duket, batuta që paska vënë në lëvizje mekanizmin ndëshkues të korporatës së drejtuar nga Harasani - figurën e të cilit nuk di përse, në mënyrë të pandërgjegjshme e përftoj kurdoherë të mbështjellë nga një aureolë e venitur qirinjsh - paska qenë diçka lidhur me vjedhjen që KESH-i u bëka qytetarëve.
Në fakt, deri diku, edhe unë vetë do të tundohesha ta rishikoja termin ekzakt “vjedhje”, për ta zëvendësuar me diçka tjetër, më artistike ndoshta. Rasti do të meritonte një tryezë të përbashkët opinionesh ekonomistësh dhe gjuhëtarësh, të cilët do të kishin detyrën qytetare për t’ia shkoqitur këtë çështje të vdekshëmve të zakonshëm - atyre që me gjak të ngrirë përgjojnë llampat, për t’u rigjetur pastaj në gjysmë-errësirë, përmes qirinjve të reklamave që qëmoti Harasani i shfaqte nëpër media.
E pra diskutimi që duhet të ngrihet është nëse korporata e ditë-natës shqiptare i ka vjedhur apo jo konsumatorët e saj, pasi deri më sot, kanë qenë vetëm këta të fundit që janë akuzuar si hajdutë.
Le të kujtojmë dëmet, shpeshherë të pariparueshme, që KESH-i u ka shkaktuar bizneseve me ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë. Të mos i harrojmë firmat e falimentuara, milionat e humbura të ekonomisë së përbashkët kombëtare, dhe kontratat, ku në mënyrë alla-perëndimore, korporata e errësirës dhe e mallëkimeve mbarëqytetare, merr përsipër kompensimin e dëmeve të shkaktuara për faj të saj.
Dhe prej këtej, duke e nisur nga televizorët e djegur e deri te bizneset që i vënë kyçin derës, zor se mund të gjesh ndonjë klient të korporatës që të dalë e të pohojë se KESH-i e ka shpaguar dëmin që i ka shkaktuar. Dhe KESH-i në vend që të lumturohet që askush nuk po e hedh në gjyq për dëmet, shkeljet e mashtrimet e panumërta që u shkaktuar konsumatorëve, merr guximin t’i padisë këta të fundit pasi kanë marrë guximin të protestojnë publikisht, duke deklaruar se ndihen të vjedhur.
Ata që deri dje ishin dënuar me errësirë, tani duhet të ndëshkohen gjykatave. Sepse dikush duhet të bëhet shembull; duhet të këputet ndonjë kokë që mileti ta kuptojë se heshtja është vërtet “flori” - tamam siç thotë fjala e urtë dhe siç nënkuptohej edhe nga njoftimi për shtyp i KESH-it të Harasanit.
Çuditërisht, më tingëllon me të njëjtin intensitet dhe ngjyrim që kanë deklaratat “live” të drejtorit të KESH-it, kur ky i fundit jep “xhevap” për bëmat e korporatës që drejton, me të njëjtin zë vetëbesues që në Bibël thotë: ”Le të bëhet dritë!” I njëjti zë, që në tekst mbillte mynxyrën dhe errësirën mbi zërat rebelë, duke zbatuar kështu drejtësinë hyjnore. Është i njëjti timbër zëri që tani u kthehet konsumtorëve shqiptarë: “Pipëtini po ja u mbajti!”
Dhe ndoshta konflikti KESH - MJAFT, përveç vëmendjes aktuale që meriton, duhet të shoshitet edhe për vlerat e tij simbolike, si një përplasje mes interesave të sistemit dhe të qytetarëve, mes interesave të bizneseve monopol dhe të konsumatorëve. Të njëjtët konsumatorë “hajdutë”, të cilët bënë që bilanci përfundimtar i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare të rezultonte pozitiv, megjithëse kjo e fundit deklaron se e shet energjinë nën kosto. Të njëjtët konsumatorë, që tani na u dashka të paguajnë 5 lekë për kw/orë, megjithëse kostoja e vërtetë e energjisë nuk është 4 lekë, siç pretendon KESH-i, pasi kjo shifër i korespondon vetëm energjisë së importuar, por shumë më e vogël: kostoja e prodhimit në vend, i cili zë më shumë se 60% të totalit të energjisë që shqiptarëve u ndahet me pikatore, është vetëm 1 lek.
Janë të njëjtët konsumatorë, që së fundmi nuk shqetësoheshin më për “më shumë drita”, por kërkonin thjesht zbatimin korrekt të orarit të ndërprerjeve. Dhe janë po këta konsumatorë që me protestat e tyre i sollën kryeqytetit më të errët në Europë, 24 orë premtime dritash. Energji, që gjithësesi “do u merret hua” (nuk guxojmë të themi “do u vidhet” as në mënyrë të figurshme) po atyre qyteteve shembullore që paguajnë gati 100%, të cilave kurdoherë u është hequr drita për të plotësuar hartën e ditë-natës shqiptare.
Ndaj e vështruar nga ky kënd, mund të thuhet me plot gojën se konsumatorët shqiptarë vërtet janë vjedhur, plaçkitur, grabitur e zhvatur në të gjithë format e mënyrat, nga krejt sistemi qeveritar që paturpësisht ka veshur petkun e shtetit.
Dhe duke nisur që nga dita kur KESH-i do të depozitojë padinë e tij, këta konsumatorë përveçse të dënuar me errësirë do jenë ndëshkuar edhe me heshtje.
Nga Biznesi
www.biznesi.com.al