Kartoline

Luart Xheka

Primus registratum
Ç’kuptojnë shqiptarët me demokraci? Është interesante se ndryshimi politik i vitit 1991, prej shumëkujt përshkruhet si “ardhja e demokracisë”, por perceptimi i përmirësimeve në vend është i vogël, dhe akoma më e vogël është ndikimi i shqiptarëve në mënyrën sesi qeveriset vendi.
Nga Seera Marston*

Shqipëria është një vend ku meshkujt vërdallisen nëpër qoshet e rrugëve, madje edhe në palcën e të ftohtit të dimrit. Ata mund t’i shohësh në qytezat e vogla, në Tiranë, në sheshet e qyteteve, nëpër kryqëzime e kudo gjetkë, nëpër kafenetë e panumërta. Duket sikur vendi është përplot me to. Edhe hotelet kanë kafene; kësi lokalesh i has kudo nëpër rrugë, të frekuentuara gati ekskluzivisht nga burrat dhe përgjatë gjithë ditës.
Gjatë ditëve të mia të para në atdheun e tyre, unë çuditesha sesi mbijetonin në biznes kaq shumë lokale shqiptare të të njëjtit profil, por ato dukeshin plot me klientë shumicën e kohës; meshkuj të përkulur mbi filxhanin e kafesë, gotën e rakisë e pijeve të tjera, teksa digjnin jetët e tyre me tymin e cigares. Rrallë e tek sheh femra nëpër kafene apo duke u sjellë rrugëve, me përjashtim të pak lypëseve. Edhe burrat lypin, ose shesin karta celulari dhe çikërrima të tjera, edhe në këtë rast më të shumtë se femrat. Gratë punojnë në shtëpi, nëpër zyra dhe biznese të vogla; i gjen gjithashtu duke blerë a shitur nëpër tregje. Fëmijë nuk të zë syri shumë, edhe pse këndet e lojërave janë aty.
Përveç kafeneve, vendi gëlon nga pikat e këmbimit valutor, që jo rrallë i gjen edhe çdo 50 metra larg njëra-tjetrës. I pikas kollaj dhe kësisoj, këmbimi i parave nuk është aspak problem, një tregues i qartë ky i një shoqërie që ende varet në masë të madhe nga emigracioni. Sepse numri i kufizuar i turistëve të huaj nuk e justifikon dot praninë kaq të madhe të kambistëve. Ka gjithashtu me mijëra filiale bankash, degë të pafundme të një numri jo të vogël bankash europiane e të tjera, të cilat kanë instaluar një shumicë të dukshme bankomatesh. Duke çuar në mendje katastrofën e firmave piramidale në fund të viteve 90-të, dikush mund të pyesë veten se sa leverdi dhe ç’volum pune kanë këto banka. Gjasat janë që shqiptari mesatar me fitime pak mbi modesten, t’i shpenzojë të ardhurat e veta për të jetuar, t’i investojë diku (me gjënë e gjallë në fshat apo ndonjë shtëpi në qytet) apo t’i mbajë poshtë dyshekut. Tingëllon një zgjedhje e mençur, pas atyre që kanë hequr. Por ndërkaq harroj edhe numrin po kaq të madh të lokaleve të bixhozit apo basteve sportive që kam hasur, të llojeve të larmishme: Nga cepat e vegjël të rrugëve dytësore, tek hapësirat “luksoze” të kumarit, që afrojnë më shumë me kazinotë. Hoqa dorë nga ushqimi në një restorant, kur pashë se pranë tavolinave ishin vendosur edhe makina elektronike.
Në radhën e mjediseve që frekuentohen më shumë janë supermarketet, të vogla apo më të mëdha, mes të cilave fiksova të quajturin Euromax, apo Conad-in italian. Më thanë edhe për një Carrefour në periferi të Tiranës, por ende nuk kam shkuar. Sa për vendasit, ata më vënë në dukje praninë po kaq të shpeshtë të farmacive; por unë pikasa edhe disa librari apo kafe-librari, një dukuri kjo që në shumë vende të tjera është goxha më e rrallë. Është diçka e këndshme të shohësh kaq shumë rafte me libra, ku qartësisht mbizotërues janë autorët e mëdhenj botërorë. Duke qenë se shqipja ime është zero, nuk munda ta shtjelloj më gjatë se çfarë lexojnë aktualisht shqiptarët.
Kinezët këtu kanë mbërritur me kohë. Eca përgjatë një rruge të ngjeshur me dyqane që shisnin zbukurime të Krishtlindjeve edhe mallra të tjera të lira, si lule e lodra plastike, veshje burrash, grash e fëmijësh por edhe pajisje elektronike e orendi kuzhine. Të gjitha prodhim kinez, në dyqane të zotëruara nga kinezë. Në një zonë tjetër të Tiranës pashë se të njëjtat prodhime shiteshin nga shqiptarët.
Nëse në ndonjë vend tjetër të Ballkanit varfëria nuk është kaq e dukshme, në Shqipëri ajo të përplaset në fytyrë. Dhe nuk është dhe aq tek blloqet e apartamenteve pak e shumë të lodhura nga epoka e mëparshme socialiste, shumë prej të cilave janë rilyer me bojëra për t’u dukur më pak të trishta. Aq më pak është tek disa rrugë të gjera me ndërtesa moderne xham e çelik, plot me zyra, dyqane, markete e apartamente banimi që tash kanë mbirë gjithandej. Fukarallëku duket tek fakti që kudo, njerëzit në grupe të vogla apo më të mëdha, shesin prodhimet e bahçes së tyre, bimë aromatike, mallra të përdorura, kryesisht veshje; apo tek gratë që të ulura në qoshe rrugësh, shesin çorape e sende të tjera të punuara me dorë. Nëse keni patur ndonjë dyshim se ku shkojnë gjithë ato mallra që ne ua dhurojmë qendrave të bamirësisë apo organizatave të tjera, ato do t’i gjeni në masë të madhe këtu, tek shiten nëpër rrugë, por edhe në dyqane, disa syresh të renditura bukur dhe me shije, pasi janë larë. Pata përshtypjen se në shumë pjesë të Tiranës dhe qyteteve të tjera që vizitova, edhe dyqanet “serioze” më shumë shisnin mallra të dorës së dytë sesa rroba të reja. Pranë tregjeve të zë syri radhë burrash të ulur mbi kuti apo arka, që ekspozojnë ato pak perime e fruta, bimë të thara mjekësore e shumëçka tjetër. Po ashtu atmosfera e përgjithshme bie era varfëri, me përshtypjen që ta përforcon mbushja e çdo trotuari apo hapësire të lirë, me njerëz që diçka shesin.
Prodhim vendas dhe mallrat mikro-artizanale luajnë një rol të rëndësishëm në tregtinë lokale; mjalti, kompostot e turshitë, frutat e thata, djathi dhe lloje të ndryshme verërash etj, gjenden në tregjet e hapëta e dyqane, ku i sjellin prodhuesit e vegjël; vetëm pak syresh kanë etiketë. Dyqanet janë qartazi rajonale, me bulmetet dhe mishrat që reklamojnë origjinën e fshatit apo zonës.
Edhe pse diku tek 70% e popullsisë thuhet të jetë myslimane (besimi fetar nuk ishte një pyetje e detyrueshme në censusin e fundit), Krishtlindjet festohen gjerësisht. Por kur i pyes njerëzit, më thonë se të gjitha dekorimet e zbukurimet, pemët e babagjyshat e Krishtlindjeve etj, janë për…Vitin e Ri! Paçka se pemët dekorative janë stolisur me fashat e gjera ku lexohet “Gëzuar Krishtlindjet” dhe kanë topat e zakonshëm shumëngjyrësh e dritat e rastit. I sheh kudo: Në dyqane, hotele, në sheshet e qyteteve e fshatrave. Të ndriçuara gjatë gjithë natës, të bien në sy dekorimet e bulevardit qendror të Tiranës, me disa dekoracione abstrakte të stilit Krishtlindas. Sheshi qendror tani është tërësisht i ndezur gjatë natës, me pemët e vërteta të veshura me shirita dritash dhe një pemë gjigande Krishtlindjesh; Pamja të krijon një ndjesi lezeti dhe gëzimi, ndoshta akoma më i nevojshëm për të hequr mendjen nga varfëria. Edhe pse broshurat udhëzuese për Shqipërinë më paralajmëronin për mungesën e energjisë elektrike, ky problem mesa duket nuk ishte kaq i ndjeshëm sa dikur, por sërish kjo varet nga standardet me të cilat mësohesh.
Disi e vështirë të vlerësosh rolin e fesë. Si një vend dikur zyrtarisht ateist, përshtypja e parë është ajo e një populli jo dhe aq fetar, paçka se plot fonde janë shpenzuar për xhami e kisha të mëdha nëpër gjithë territorin- shumica e tyre të reja, sepse të vjetrat janë shkatërruar gjatë regjimit të kaluar. Disa gjëra të bëjnë çudi: Qendra kryesore e veriut, Shkodra, që është edhe vatra kryesore e katolicizmit, ka një xhami masive të sapondërtuar mu në qendër të qytetit (e financuar nga sauditët, thonë). Por nëse objektet fetare të kultit nuk mungojnë, të çdo besimi, sa frekuentohen ato? Nga ajo pak përvojë që mblodha, duket se janë kryer e kryhen shumë martesa të përziera dhe feja nuk ka pasur asnjë rol frenues në këtë rast: Unë shpresoj që kjo të jetë pikërisht kështu, duke pasur parasysh se ç’dramë ka pasur ish Jugosllavia fqinje në këtë lëmë.
Peizazhet rurale janë të bukura, sidomos me borën e parë që ka veshur majat e maleve dhe kodrave. Lumenjtë rrjedhin me ngjyrat e gjelbra e të kaltra, pemët kanë ende disa gjethe të vonuara ngjyrë kafe e të verdha, pa harruar pishat me jeshilen e tyre të errët, ndërsa fushat janë të mbuluara me brymën dimërore. Bagëtia e imët gëlon në tufa me tingëllimat e zileve që kthehen nga jehona e maleve, e më pak janë gjedhët. Në zonat e largëta, kuajt e gomerët përdoren ende për transport e udhëtim, me fshatarët që sjellin prodhimet e tyre në qytet. Nëpër gjithë vendin, syri të zë mjaft ndërtime të braktisura e të rrënuara të epokës socialiste, shumica hangarë e stalla të gjata. Disa syresh janë privatizuar dhe përdoren nga fermerët në bizneset e tyre të vogla. Por pjesa tjetër mbeten aty, duke u shkërmoqur dita-ditës dhe të dukshme që larg. Shoh se ca janë ndërtuar me gur të mirë, dhe habitem përse nuk e kanë marrë për të ndërtuar shtëpi të reja. Edhe pse në disa vende të ngjashme i kam hasur edhe më tepër se këtu, këto gërmadha mbeten një kujtim i gjallë i sistemit të vjetër.
A kanë mall për atë regjim njerëzit sot? Zor ta thuash. Afërmendsh, mënyra sesi flasin disa prej tyre, lë të kuptohet se për disa gjëra nga ai sistem, kanë mall. Është interesante se ndryshimi politik i vitit 1991, prej shumëkujt përshkruhet si “ardhja e demokracisë”, por perceptimi i përmirësimeve në vend është i vogël, dhe akoma më i vogël është ndikimi i shqiptarëve në mënyrën sesi qeveriset vendi. Çfarë kuptojnë shqiptarët me demokraci? Kjo pyetje nuk vlen vetëm për Shqipërinë.
Unë ja dola të shijoj diellin dhe borën në dy ditë rresht njëra pas tjetrës, duke ecur nëpër gjysmë metri borë për të arritur tek një fshat i largët, pasi makina jonë nuk kishte zinxhirë; dhe ditën tjetër duke parë panoramën totalisht mahnitëse mbi liqenin e Shkodrës, nën diellin e dimrit. Rrugët janë një përzierje e infrastrukturës së vjetër, me ish asfalt të shkalafitur e plot gropa, dhe rrugëve të reja, përfshi dhe autostradat me dy korsi e ndarje betoni, segmente të cilat ende janë në ndërtim aty-këtu. Për vizitorin që e ka sefte, udhëtimi nëpër Shqipëri përfshin kalimin nga njëri ekstrem tek tjetri, ku faktori i paparashikueshmërisë është i lartë. Por progresi që është bërë me ndërtimet, nënkupton që gjërat gradualisht po përmirësohen.
Për një vend me veç 3 milionë banorë, ekzistojnë katër rrjete telefonie celulare! Çuditem sesi arrijnë të fitojnë, dhe lidere e sektorit është Vodafone. Emrat e tjerë nuk të lënë të kuptosh se ç’origjinë kanë, nëse nuk kërkon shpjegime; rrjeti Eagle mund të jetë vendas, meqë shqiponja është simboli i flamurit. Dhe sidomos në këtë vit 100 vjetori të Pavarësisë së vendit, flamujt i sheh gjithandej. Mbase është një mënyrë paqëtimi e qetësimi i një populli me 100 vjet histori të trazuar shtetërore. Nuk mungojnë as flamujt e BE-së dhe SHBA-së, nëpër ballkone, lokale e rrugë. Supozohet që kjo të reflektojë dëshirën për t’u anëtarësuar në BE, që në fakt nuk po kalon ditë të mirë këto kohë, e megjithatë perceptohet si gjë e mirë nga shumica e njerëzve. Disa fonde para-anëtarësimi po mbërrijnë, shumica e tyre me destinacion përafrimin e prodhimeve bujqësore në standardet europiane. Por rruga përpara është e gjatë… Përse flamuri amerikan gjendet gjithandej, është diçka që nuk ja dola ta kuptoj në këtë udhëtim të shkurtër.
Përfundimisht, pavarësisht nga fama që ka marrë ky vend për qeverisjen e keqe, korrupsionin dhe trafiqet mafioze, për një vizitor afatshkurtër aspekti më goditës është sesa miqësorë, mikpritës e ndihmues janë njerëzit, dhe sa e këndshme është atmosfera, edhe kur mysafiri nuk nxjerr dot nga goja as fjalët më të thjeshta në shqip.
*Nga OpenDemocracy. Botuar nga Revista Klan :)
 

Sahit Rexhepi Keca

Valoris scriptorum
ne nje vend ku egziston pasiguria,aty mund ti gjesh te gjitha te metat e nje politike te deshtuar.
politikan te deshtuar qe e udheheqin vendin.ekonomi ose zhvillim ekonomik nuk mund ta quajm ne nje vend ku hapen shume kafene,lojra te fatit,dyqne te shumta me artikuj te shumt te klases se 2 ose 3,pa afat te garantuar,me vizitor te shumt e bleres te paket.ajo eshte nje shkaterrim i shoqeris njerezore...
 

Sahit Rexhepi Keca

Valoris scriptorum
ne shqiptaret duhet te krenohemi me rinin tone para te gjitheve qe keme nje rini te shendosh dhe te afte.
per kete na nevoitet nje qeverisje e shendosh dhe e afte.
 

Hektor12

Locus omnem
Kultura e masave?


Dikur, në kohën e qepës moniste, është folur gjatë për “vijën e masave” që duhej zbatuar me besnikërinë e rreptësinë më të madhe në të gjitha fushat e jetës, përfshirë artin dhe kulturën: të gjithë shkrimtarët, kineastët, kompozitorët, skulptorët dhe piktorët duhej të krijonin vepra të tilla të partishme që të ishin të kuptueshme jo vetëm për intelektualët, por sidomos për punëtorët dhe fshatarët, pra, për masat e gjera të popullit.
Madje, aparati ideologjik i diktaturës hoxhiste sajoi edhe të ashtuquajturin “kontroll punëtor”, që kishte për detyrë të ushtronte mbikëqyrjen e vet klasore mbi intelektualët dhe artistët e lartpërmendur, në mënyrë që ata t’i përmbaheshin pikë për pikë “vijës së masave”, e cila i kundërvihej pa mëshirë krijimit të elitave, dhe kjo në përputhje me parullën leniniste, sipas së cilës “[në socializëm] edhe një kuzhiniere duhet të merret me punët e shtetit”.
Sot, mbi njëzet vjet pas shembjes së komunizmit dhe vendosjes së demokracisë në Shqipëri, askush nuk flet më për “vijë masash”, por fakti është që, nën ndikimin e fortë të zhvillimeve social-kulturore në vendet perëndimore, edhe te ne është krijuar e po shtrihet gjerë e gjatë (mjerisht edhe thellë) e ashtuquajtura “kulturë e masave”. Si mund ta përkufizojmë këtë tip kulture?
Ja si shprehet lidhur me këtë dukuri, në pamfletin e tij “Eloge de l’élitisme” (Lëvduar qoftë elitizmi), sociologu belg Claude Javeau, profesor në Universitetin e Lirë të Brukselit: “Kohë e quajtur e ‘lirë’, dëfrim(e), industri kulturore, zbavitje, media për masat: e gjithë shoqëria perëndimore [...] përjeton epokën e argëtimit, të entertainment-it, kësaj dege tregtare të ‘kulturës’ planetare, World Culturein, emblemat e të cilit janë Walt Disney, çifti Nike-Adidas, McDonald’s-i, Interneti, Coca- Cola. Një botë krejt më vete: bota jonë”.
A nuk i gjejmë sot në Shqipëri këto shfaqje të “kulturës së masave”, të këtij mohimi të elitave, gati njësoj si e dikurshmja “vijë e masave”? Le të shtojmë këtu edhe Big Brother- in, Miss Universin, Miss Botën, Miss Globin, Miss Albania-n, Miss Shqipërinë, Miss Tiranën, Miss Shkollën, Miss Klasën, Miss Mëhallën, Mis Pallatin, Miss Shkallën e Mister Pallën etj., dhe do të kemi një pasqyrë më të plotë të “kulturës së masave” te ne.
Për ta karakterizuar më qartë këtë lloj kulture, është përdorur, sigurisht nga kritikët e saj, termi “nënkulturë”. Kritikë të tjerë e kanë vënë me kohë theksin te fakti që gjithë kjo “nënkulturë” është, në një masë të konsiderueshme, një biznes shumë fitimprurës. Të tjerë akoma shohin tek ajo një manipulim mendor, një drogë tinëzare për trullosjen e masave. Nga ky këndvështrim, edhe sporti nuk mbetet prapa: Shikoni skandalet lidhur me shitjet e ndeshjeve dhe me bastet.
Sot, një futbollist virtuoz vlen me miliona euro apo dollarë për vite të tëra, kurse një shkencëtar apo një artist që, si shpërblim për veprën e tij në dobi të njerëzimit, vlerësohet me çmimin “Nobel”, merr, me sa di unë, diçka më shumë se një milion euro apo dollarë, dhe kjo vetëm një herë në jetën e vet. Nga ana tjetër, publiciteti, pa pikë dyshimi faktor fitimprurës për firmat prodhuese apo tregtare, është bërë aq i pranishëm në jetën e njeriut modern, sa po përthith në shërbimin e tij edhe artistë të njohur, dukuri kjo e pranishme jo vetëm në vendet tjera, por edhe tek i yni, duke u shndërruar kështu në një “kulturë masash”; madje, në disa vende të Europës, struktura të caktuara publicitare organizojnë edhe festivale ku i thuren lavde pikërisht publicitetit para një publiku entuziast.
Në pamfletin e tij, Claude Javeau-i i bie fort kambanës së kushtrimit kur shkruan, edhe për ne, shqiptarët, ndër të tjerë: “Ndoshta e mbajmë mend që në epokën kur mori hov sociologjia e argëtimeve, teoricienët e saj më të famshëm u kishin veshur këtyre, pra argëtimeve, ose më saktë, kohës së lirë të vënë fisnikërisht në dispozicion të tyre, tri funksione thelbësore: çlodhjen, zbavitjen dhe zhvillimin e personalitetit”. Sot, fatkeqësisht, tendenca është, jo vetëm në vendet e zhvilluara, por edhe në Shqipëri (për këtë lexuesi im i ndershëm është vetë dëshmitar), që të privilegjohen vetëm dy funksionet e para, sepse njeriu, si përkufizim (sidomos, posaçërisht dhe në veçanti i quajturi homo albanicus), ka më tepër qejf qejfin sesa punën që kërkon prej atij pikërisht zhvillimi i personalitetit.
(Marrë nga: Panorama)
 

Hektor12

Locus omnem
"Padituria, si pengesë për përfaqësim"

Zgjedhjet janë një proces i zgjedhjes së përfaqësuesve apo zyrtarëve të lartë nga njerëzit që kanë të drejtë vote. Në të gjitha shoqëritë ku raportet e brendshme (ekonomike, sociale, politike e fetare) janë më pak ose më shumë demokratike, zgjedhjet janë formë e rregullt e përzgjedhjes së atyre që në mënyrë legjitime do të bartin funksione dhe detyra me rëndësi. Dallojnë nga format e tjera të nominimit, të ngritjes së dorës me rastin e propozimit, aklamacionit, të emërimit sipas autoritetit apo të trashëgimisë së fronit.
Në sferën politike zgjedhjet, si proces i rregullt demokratik, jo rrallëherë ndërlidhen me zhvillimet politike dhe të qeverisë përfaqësuese. M. Weber përmend raportet e thella mes zgjedhjeve, vlerave të demokracisë dhe vullnetit të lirë. Sipas tij, liria është ekzistente atëherë kur jemi të lirë të zgjedhim mes dy alternativave, ndaj zgjedhjet e lira demokratike janë një akt par excellence dhe ligji esencial i demokracisë.
Në antikë zgjedhjet mbaheshin vetëm për funksione të larta. Në Romën e vjetër, deri në vitin 107 p.e.s. qytetarët zgjidhnin përfaqësuesit e vet me sistem të hapur. Më vonë filluan me vota të fshehta. Në Mesjetë, praktika e zgjedhjeve ishte shumë e kufizuar dhe e kushtëzuar nga procedura të vështira, ndërsa hedhja e zarit ka qenë njëra ndër metodat më të shpeshta. Sa i përket vendeve të botës, sidomos të Azisë dhe Afrikës, përveçse në rrafshe filozofike, shumë pak materiale disponohen në lidhje me rregullimin shoqëror të atjeshëm. Është detyrim kombëtar të hulumtohen segmente të cilat do t’i hyjnë në punë kombit tonë, për të mësuar dhe për të përfituar nga përvojat e tyre. Bota për ne mbetet ende thesar i pazbuluar.
Në nr. 4 të revistës “URA” (e cila botohet në Tiranë), organ i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale të cilin e udhëheq me mjaft sukses orientalisti Ermal Bega, është botuar një shkrim nga Murad. W. Hofmann, i cili bënë një pasqyrim interesant të qeverisjes në shtetin islam. Sipas tij, shteti i Medinës ishte një republikë federale, jo mbretëri. Muhammedi a.s. e kishte mohuar kurorën mbretërore. Ai nuk bëri asnjë përpjekje për të vendosur pushtet në duart e fëmijëve të tij, përfshirë dhe Fatimen. Në atë kohë nuk kishte asnjë republikë ekzistuese, por kishte vetëm mbretër dhe perandorë. Pavarësisht se Muhammedi a.s. ishte i dërguar i Allahut, ai nuk e drejtoi komunitetin e tij si një autokrat. Vendimet politike që merrte, dilnin nga shur’a (këshilli federal ligjdhënës).
Federata e Medinës e themeluar nga fiset të cilat më parë vepronin si shtete të pavarura, është përgjigja se shteti islam ishte një lloj konfederate e jo mbretëri e centralizuar, përfaqësuesit e së cilës zgjidheshin me vota të lira. Ibn Tejmije në “Qeverisja në Islam” kishte pranuar përfundimin se parimi i ligjit është më i rëndësishëm sesa parimi i caktimit të përfaqësuesit të Zotit.
“Zgjedhjet kanë rëndësi për aq sa ofrojnë mundësinë e zbatimit të dispozitave të fesë. Islami mund të mbijetojë pa një halif, por jo pa sheriat”, thoshte ai.
Në Evropën më të re, zgjedhjet ndërlidhen me themelimin e Parlamentit në Angli. Shenjat e para të zgjedhjeve në kuptimin e përgjithshëm vërehen në vitin 1254. Atëbotë, Henri III kishte ftuar nga dy përfaqësues prej secilit grupim shoqëror për të marrë mbështetjen për luftë kundër gjermanëve. Pas shumë shekujve, në vitin 1832 sendërtohet Ligji mbi Reformën nga ku fillon epoka e zgjedhjeve në kuptimin që njohim sot.
Përgjatë shekullit XIX, me përparimin demokracisë avancohej edhe vetëdija për zgjedhje ku deri atëherë merrnin pjesë vetëm meshkujt. Lufta e gruas për barazi me meshkujt dhe për pjesëmarrje të barabartë në zgjedhje vazhdoi edhe në shekullin XX. Lëvizjet feministe në Angli dhanë të kuptohet se pozita e gruas atje ishte e rëndë. Nga fundi i shekullit XIX, Xh. S. Mill doli me kërkesën e tij tepër trimëruese për ndalimin e të pashkolluarve për kandidim në funksione politike. “Injorantët në pushtet janë të rrezikshëm për interesat kombëtare”, thoshte ai. Motoja e asaj ndalese ishte: “Ignorance as a bar to representation” (Padituria si pengesë për përfaqësim). Matanë Atlantikut, vetëm pas luftës qytetare të vitit 1860 fillon epoka e zgjedhjeve të lira të cilat do të luajnë rol vendimtar në demokracinë amerikane.
Ndodhë shpesh që zgjedhjet janë përcaktime mes opsioneve që asnjëri të mos jetë më i pranueshmi për qytetarët. Në vitet 30 të shek. 20, në Italinë fashiste organizoheshin zgjedhje, por, sa vlenin ato kur në lista figuronin vetëm emra të përzgjedhur nga korporatat fashiste. Në diktaturat dhe demokracitë popullore zgjedhjet me karakter të “pjesëmarrjes masive” bëheshin sa për sy e faqe. Të këtij karakteri ishin ato në sistemet totalitare të vendeve arabe. Në listat zgjedhore figuronte vetëm emri i presidentit, kurse si opsion ishin dy fjalë: PO ose JO. Është interesante që pozicioni i diktatorëve të zgjedhur në këtë mënyrë është më i fortë se pozicioni i diktatorëve të hapur. Diktatori “i zgjedhur” thirret në “nevojën” e qytetarëve për të dhe në domosdoshmërinë e “zgjedhjes” së tij. Arsyetimi se po humbi ai, kaosi në shoqëri është i paevitueshëm ndërsa tërheqja nga gara është “tradhti ndaj votuesve” është moto e vetëmashtrimit të tyre.
Në shoqëritë demokratike zgjedhjet janë të domosdoshme, por jo kusht i mjaftueshëm për ekzistimin e demokracisë. Është e pamundur për demokracinë e mirëfilltë të mos ketë zgjedhje të rregullta. Zgjedhjet janë të rëndësishme për socializmin e politikës, për kulturën politike, ato janë tregues i mirë i vetëdijes politike të një shoqërie. Fushatat, prezantimi i programeve dhe kandidatëve, tubimet zgjedhore dhe veprimtaritë propagandistike etj., janë dëshmi e zgjedhjeve që tregojnë performancën demokratike në vetëdijen e shoqërisë.
Kuptimi demokratik i zgjedhjeve shprehet nëpërmjet mundësimit që gjendja reale e shoqërisë me gjithë tendencat demokratike të jenë të përfshira në real-politikën e shoqërisë. Sipas kësaj tendence, as grupet që nuk janë shumicë nuk duhet të mbeten jashtë proceseve politike. Në fakt, qeveria e dalë nga zgjedhjet, nuk bënë të jetë aq e lirë sa të mos përfillë zërin e pakicës (opozitës). Zgjedhjet reflektojnë interaktivitetin demokratik të bashkëpunimit mes qeverisë dhe shoqërisë. Askush nuk duhet të mbetet plotësisht i pa rol, i ruajtur nga kritikat dhe pa përgjegjësi. Formë e mirë e mundshme e demokracisë është tejkalimi i paprekshmërisë së funksionarëve.
Koncepti bazë i zgjedhjeve është zgjedhja e pushtetit (teoria instrumentaliste). Etatizmi dhe elitarizmi është shah-damari i kësaj teorie. Sipas saj, pushteti është më i rëndësishëm se njerëzit që përbëjnë shtetin dhe pushtetin. Mbështetja që duhet t’i jepet pushtetit është e domosdoshme. Zgjedhjet mbahen për të justifikuar kuptimin metafizik “pushteti mbi shoqërinë” i cili është themeli i legjitimitetit të tyre.
Kjo teori mbështet format organike të shtetit dhe shoqërisë, pranon primatin e tërësisë mbi pjesët përbërëse të saj si dhe rrymat totalitare/autoritare të mendimit politik. Teoritë instrumentaliste e kanë zanafillën tek mbrojtja e doktrinave liberale dhe neo-liberale (T. Hobs). Individualizmi dhe posesivizmi ekstrem shpeshherë përfundojnë me kundërthënie të interesave dhe për t’u mbrojtur ndjehet nevoja për centralizimin politik të shtetit. Xh. Loku këtë e quan properties of state. Sipas instrumentalizmit, shpesh dhe në mënyrë të papritshme etatizmi përzihet me liberalizimin, ndërsa shteti i së drejtës me absolutizmin dhe me totalitarizmin.
Zgjedhjet janë shprehje e vullnetit të qytetarëve për t’u arritur konsensusi mes tyre dhe pushtetit, democracy by consent (teoria funksionaliste). Fryma e saj vërehet në të ashtuquajturat teori të marrëveshjeve në të cilat kuptimi i zgjedhjeve përcaktohet nëpërmes vendosjes së baraspeshës mes pushtetit dhe shoqërisë.
Teoria demokratike është koncepti radikal që mbështet premisën “shoqëria mbi shtetin dhe politikën”. Sovraniteti demokratik konstituiv i popullit është bazë në bashkësinë politike ku zgjedhjet janë mjet jo në duart e pushtetit, por armë në duart e shoqërisë. Atributi kryesor i kësaj demokracie është përgjegjësia e të zgjedhurve e ndërlidhur në mënyrë demokratike me trupin zgjedhor, i cili, sipas terminologjisë së Aristotelit është “tërësia qytetare”. Në sistemet anglosaksone, sidomos në Angli ku zgjedhjet kanë një traditë më të gjatë, ekziston një ndjeshmëri sa i përket baraspeshimit mes nevojës për pjesëmarrje në zgjedhje dhe ruajtjes së privatësisë dhe interesit të qytetarëve.
Në çdo sistem zgjedhor, kandidimi, nominimi dhe vërtetimi i kandidatëve është njëri ndër problemet kryesore. Nëse përgjatë këtij procesi nuk respektohen rregullat demokratike apo nëse nuk përzgjidhen emra që e meritojnë, në fazat në vijim, demokracia dëmtohet, ndërsa qytetarët do të paguajnë faturën e kandidimit të gabueshëm. Për shkak të rëndësisë së kandidimit në rrjedhën përfundimtare të zgjedhjeve si dhe karshi manipulimeve ku përgjatë procesit të kandidimit janë të mundshme, është me rëndësi të sigurohet një rregullore e qëndrueshme e cila mundëson zhvillimin demokratik të zgjedhjeve.
Është praktikë që partitë politike të propozojnë kandidatët sipas normave të veta, sipas preferencave të liderit të partisë ose sipas pozitës së kandidatit në hierarkinë partiake (kriteret meritokratike apo “shërbimi” si arsye për promovim). Nga ana tjetër, ajo që votuesve u intereson nuk janë “kriteret”, por morali dhe puna e mëtutjeshme e kandidatit. Në fakt, në praktikë, është shumë e vështirë të kënaqen në të njëjtën kohë edhe kandidatët edhe votuesit, sepse kjo nuk varet vetëm nga konstrukti i sistemit zgjedhor, por edhe nga karakteri i partisë, pozita e anëtarëve të partisë në raport me udhëheqjen e saj dhe nga marrëdhëniet politike dhe morali i tyre.
Nëse ato organizohen mirë, nëse kandidatët janë të nivelit për të përfaqësuar, nëse fituesit mbajnë premtimet e tyre dhe i përkushtohen punës me njerëzishmëri, po, ato janë zgjidhje. Përndryshe, në një vend si Kosova, ato do të ishin një humbje kohe, mundi dhe djerse të qytetarëve.
 
Top