Kampioni i Botës ngre në festë shkodren

genci

Primus registratum
Kampioni i Botës ngre në festë shkodren

Kampioni i Botës ngre në festë shkodrën
MEJDAN ZHIVANI
4 Qershor Peshëngritje

Dje është organizuar një pritje shumë festive në pritjen e Erkand Qerimajt, pas shpalljes së tij kampion i botës

Pas pritjes që i është rezervuar në aeroportin e Rinasit mesantën e së premtes, radhën për një pritje madhështore për kampionin e botës në peshëngritje e ka pasur qyteti i lindjes Shkodra. Kështu, dje paradite qyteti i Shkodrës ka pritur me shumë entuziasëm Erkand Qerimajn, i cili vetëm pak ditë më parë në Kinë në kampionatin botëror të peshëngritjes, në peshën 69 kg për moshën deri 20 vjeç në stilin e shtytjes, arriti të shpallej kampion bote, që bëhet kështu edhe i pari sportist shqiptar për ngjyrat e kombit tonë që merr një medalje të tillë. Qerimaj ka ngritur në këtë aktivitet peshën prej 175 kg, duke e renditur pa diskutim të parin, ndonëse në këtë konkurim ka pasur kampion nga e gjithë bota, madje edhe botëror. Gjithsesi, qyteti i Shkodrës së bashku me istitucionet drejtuese vendore dhe sportive, dje kishte organizuar një pritje festive për peshëngritësin e talentuar. Sipas programit, rreth 10:30 ishte rezervuar një pritje në sheshin pranë prefekturës, pikërisht në momentin e mbërritjes së Erkandit në qytetin e Shkodrës. Kishin dalë për të pritur kampionin e botës qindra qytetarë shkodranë, të cilat e kanë duartrokitur pa pushim në çastin që kolona e makinave që shoqëronte Qerimajn në drejtim të shehsit qëndror të qytetit. Në pritje të kampionit të botës kishin dalë drejtuessit të lartë të pushetit lokal, deputetë, drejtues të sportit etj. Në fillim u ekzekutua himni kombëtar i dirigjuar nga banda muzikore e qytetit, e më pas u lexua karriera sportive e deritanishme e Qerimajt. Më pas përshëndetën, prefekti Gjovalin Kolombi, kryetari i bashkisë Artan Haxhi, shefi i klubit shumësportësh Gëzim Mema, kryetari i këshillit të qarkut Lorenc Luka, deputeti Gilman Bakalli, sekretari i federatës së peshëngritjes Ilir Kraja etj. Në fund të kësaj ceremonie Qerimaj i shoqëruar edhe nga një karvan i gjatë makinash, i veshur me uniformën e Birra Tirana, ka bërë një xhiro rreth qytetit, ku është përshëndetur nga mbarë qytetarët shkodran, e më pas është kthyer në ambjentet e bashkisë, ku dhe ishte organizuar një koktej për të pranishmit.

Pritja në Rinas

Në aeroportin e Rinasit kampioni Qerimaj u prit fillimisht nga sponsori i vetëm i tij zyrtar, Birra Tirana, ku në deklaratën e tij ai e përshëndeti këtë “kampione” të biznesit, si një nga më të veçantat e suksesit të tij. “Unë e bëra detyrën time që e ngrita flamurin shqiptar në Kinë, ndërsa ju më prisni sot me këtë madhështi. Falenderoj shtetin shqiptar, Birrra Tirana, Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, dhe të gjithë ju që më prisni sot e më krijoni këto emocione të papërshkruara”. Por kërshëria e disa gazetarëve të pranishëm në këtë pritje, nxorri në dukje edhe ndihmesën e madhe që Birra Tirana ka dhënë në sukseset e Erkand Qermajt. “Më shikoni të veshur me uniformën e Birra Tirana? Është sponsori im i vetëm zyrtar dhe gjej rastin që ta falenderoj në mënyrë të veçantë. Është e vetmja që më ka mbështetur që në fillimet e mia dhe është pjesë e këtij suksesi. E falenderoj shumë”, - theksoi midis të tjerave në deklaratat e tij në aeroportin e Rinasit Erkand Qerimaj.

Kraja: Suksesi i erkandit jo rastësi

I vetmi drejtues i FSHP-së pjesëmarrës në pritjen e organizuar për kampionin e botës Erkand Qerimajn dje në Shkodër ishte sekretari i kësaj federate Ilir Kraja. Në prononcimin e tij dhënë për gazetën “Metropol Sport”, Kraja shprehu vlerësimet e tij maksimale për këtë sportist, duke e quajtur jo një rastësi suksesin e Qerimajt. “Ka qënë një sukses jashtëzakonisht i madhe për talentin Qerimaj shpallja kampion bote, duke nderuar veten në radhë të parë, Shkodrën dhe mbarë kombin tonë, pasi është i pari sportist shqiptar që ngrihet në nivele kaq të larta, kur kemi parasysh se Erkandi është vetëm 18 vjeç. Por nëse do t’i referohemi suksesit të radhës, theksoj se Qerimaj nuk e ka pasur të lehtë, pasi përballë tij në garë kanë qënë të gjithë kampion bote, aq më tepër që Kina shquhet në këtë sport, dhe veçanërisht në këtë peshë. Kemi parasysh vetëm një fakt që kinezët kanë 2.5 milion peshëngritësa, ndërsa ne kemi rreth 160 të tillë, prandaj në këtë aspekt them se suksesi i Erknadit ishte jashtëzakonisht i madh. Megjithatë, suksesi i Erkandit nuk është një rastësi, pasi qënë vitin 2002 kur ai ka filluar të garojë në aktivitetit ndërkombëtarë në moshën 14 vjeç, gjithnjë është nderuar me medjale. Por këto suksese janë arritur prej tij falë punës së të mirë dhe me shumë vullnet e dëshirë në stërvitje, ku padyshim një meritë të padiskutueshme ka edhe trajneri i talentuar Genc Barkiçi. Duke parë aftësitë e këtij peshëngritësi, unë jam i bindur se Qerimaj do të ketë të tjera suksese edhe më të larta, duke filluar që nga olimpiadat e ndryshme apo edhe në “Pekinin 2008”. FSHP-ja vazhdimisht e ka mbështetur Erkandin në të gjitha drejtimet dhe me të gjitha mundësitë e saj që ka pasur, dhe të njëjtën gjë premtojmë edhe në të ardhmen. Por vitet e fundit edhe shteti ka lëvizur disi në aspektin financiar dhe besoj se edhe këtu Qerimaj do të ketë një mbështetje të fuqishme, pasi nga qeveria na është premtuar një gjë e tillë. Gjithashtu, mbështetje financiare do të ketë edhe nga Komiteti Olimpik, Bashkia e Shkodrës, ndërkohë që sponsori kryesor do të jetë Birra Tirana”, - ka përfunduar sekretari i FSHP-së Ilir Kraja.

Barkiçi: Arritëm objektivin që i kishim vënë vetes

I mbuluar nga emocionet e mëdha të jep një sukses i tillë, por edhe nga pritja e rezervuar në Shkodër, trajneri Erkandit, Genc Barkiçi, ka theksuar dje se synimin që kishin për këtë kampionat botëror e arritën, duke e ngritur flamurin shqiptar në majat më të larta në peshëngritjen botërore. “Normalisht që të arrish një sukses të tillë, siç është ky me Erkandin ku unë jam trajneri i tij personal, pra të shpallesh kampion bote emocionet janë shumë të mëdha. Ndonëse ne nuk e kemi zakon të flasim shumë përpara garave të tilla, pasi garë është dhe nuk dihet. Në fakt i kishim vënë detyrë vetes për sukses të tillë dhe ia arritëm qëllimit, kjo falë punës sonë të përbashkët në stërvitje, ku për asnjë moment nuk i ndahemi palestrës. Pra kemi arritur të ngrejmë flamurin shqiptar në majat më të larta në aktivitet ndërkombëtare, por duke parë që një sukses i tillë arrihet pikërisht në Kinë ku gjynjëzohen peshëngritësa të rangut botëror, sikur ky sukses dyfishohet. Tani e tutje na del një punë akoma më e madhe, pasi është më e lehtë ta fitosh një trofe se sa ta mbrosh, por kam besim se një sukses tëtillë do ta mbrojmë edhe në të ardhmen. Megjithatë kërkohet një mbështetje financiare më e fuqishme, pasi nuk mjafton vetëm financimi për sportistin, ku Birra Tirana i ka qëndruar shumë pranë, por duhet edhe për trajnerin, pasi suksesi është i përbashkët”, - ka përfunduar trajneri Genc Barkiçi.

Qerimaj: Suksesin ia dedikoj gjithë shqiptarëve

Brenda atmosferës festive që ishte organizuar dje në Shkodër për peshëngritësin kampion i botës, Erkand Qerimaj, këtij të fundit ishte tepër vështirë t’i shkëpusje dy fjalë, pasi njërëzit që dëshironin ta takonin, mediat e ndryshme etj, bënin që koha e tij të ishte shumë e shkurtër. Megjithatë kemi arritur që t’i shkëpusim dy fjalë eksluzivisht për gazetën “Metropol Sport”, ku Erkandi këtë sukses historik për të dhe gjithë kombin mbarë, ia ka dedikuar gjithë shqiptarëve kudo që janë brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë. “Ju them sinqerisht se e prisja një sukses të tillë, pasi kisha punuar shumë në stërvitje, pavarsisht se nuk ishte kollaj të përballesh me një Kinë të tërë, ku si në numër popullsie ashtu edhe në peshëngritje vazhdojnë të jenë një superfuqi. Sikur të kisha pasur edhe një garë në shkëputje, pasi dështova në 141kg, do të kisha dalë kampion bote edhe në dy garësh. Ndonëse Shqipëria e vogël, por me 175 kg në shtytje arrita të dal kampion bote, duke munduar në garë kinezin, që ishte pretendenti numër një për titull botëror deri atëherë. Kështu, këtë sukses, që për mua mbetet historik ia dedikoj gjithë shqiptarëve kudo që janë. Në të ardhmen shpresoj që shteti të më ofrojë më shumë përkrahje financiare, pasi deri tani asgjë nuk ka bërë veçse ka premtuar, apo edhe nga donatorë të ndryshëm, sepse unë deri tani jam sposorizuar vetëm nga Birra Tirana”, - ka përfunduar kampioni i botës, shkodrani Erkand Qerimaj.
 

hawk

Primus registratum
Re: Kampioni i Botës ngre në festë shkodren

Ta pa shef tesh kur t'fillojn kampionati botnor i futbollit se si cohet shkodra.....
Fillon kallashi n Kiras per Brazilin,n'Bace t'Cakajve per Gjermant,e maran te Ura e Thive per Taljant.

Inshalla pa fitan Gana se kshtu nuk kena nevoj per helmet, e nuk nuk ka rrezik me na piku shpia.
 

Guest
Re: Kampioni i Botës ngre në festë shkodren

Ba me Fitu Gjermani ja bajm hallall catise, nja karikator ma ka premtu djali i halles me e zbraz deri ne fund..

Jo jo po qeshi se i kena dorezu armet /pf/images/graemlins/smile.gif
 

hawk

Primus registratum
Re: Kampioni i Botës ngre në festë shkodren

Ke dorzu lastikun noshta....
 

genci

Primus registratum
Re: Kampioni i Botës ngre në festë shkodren

Mirënjohja e Bashkisë nuk duhet thënë vetëm me fjalë

Nga Besi Bekteshi





Traineri Barkiçi ka pranuar të japë intervistën etij të parë të gjatë dhe me problemet e momentit për gazetën “SOT” e cila për të është ajo që ka treguar me intervistat e botuara para pak kohësh se kompioni i botës dhe traineri i tij kanë mbajtur premtimet.
Barkiçi falenderon por edhe kritikon për mundësitë e pakta financiare dhe intersimin akoma më të madh që duhet treguar sidomos në Shkodër për kampionë të botës. Barkiçi është i bindur se sporti i tyre tashmë është një punë dhe kjo duhet të ketë shpërblimin e saj dhe jo vetëm fjalë dhe falenderime.



Barkiçi tashmë ju jeni trainer i një kampioni bote. Si ka arritur kjo gjë kaq e madhe për ju dhe Erkandin?

Barkiçi—Marrja me sport sot është kthyer në bisnes, sepse ne kemi lënë çdo lloj pune dhe detyrimi apo edhe oferte që kemi pasur për bisnes të tjera si të gjithë njerzit për t’ju përkushtuar sportit ditë e natë. Për vëndin ku jetojmë dhe mënyrën tonë të jetës unë e quaj bisnes dhe këtë e them me bindje të plotë, pra mendja, puna, shpirti e të gjitha janë në palestër. Por, duhet të kemi parasysh se Qerimaj është fenomen dhe nuk ka fjalë të tjera në mënyrë absolute. Duke pasur një fenomen dhe për më tepër të përkushtuar që nuk mundesh ti “heqesh një presje” atij djalë për çfarë i takon stërvitjes dhe garave, mua si trainer nuk me zë gjumi natën kur mendoj se si do të vazhdojë stërvitja e tij e nesërme. Mua nuk më lejojhet gabimi më i vogël për të, sepse ai do të kushtonte shumë shtrenjtë të dyve njëkohësisht. Pra po e përsëris që ky është një bisnes dhe “për atë që japim kërkojmë me marrë” .

Qeveria është e angazhuar?

Barkiçi—Qeveria është e angazhuar. Vetë kryeministri të cilit i jam shumë mirënjohës sidomos vitin e kaluar në aktivitet që i sollën Shqipërisë 20-të medalje dy prej të cilave ishin të Erkandit, qeveria me dashamirësi e vlerësoi sportin duke na bërë që edhe ne të ndjehemi të vlerësuar.Veç kësaj kemi marrë shuma të konsiderueshme.

Zoti Berisha me sa di unë ka premtuar edhe për më tepër?

Barkiçi—Po në takimin me zotin Berisha ne trainerëve na ka dhënë fjalën, por edhe sportistëve të rinj akoma disa minoren duke na thëne se: Ju punoni dhe nderoni Shqipërinë pra merrni medalje dhe dyert e kryeministrit do ti keni të hapura për shpërblime për atë që meritoni. Po kështu edhe fjala e ministrit ka qënë tepër e ngrohtë në këtë drejtim, por unë dua të them se fjala e kryeministrit Berisha ka qënë fjala më e madhe që na u tha, duke krijuar edhe respektin e veçantë për të.

Federata ka qënë në ndihmë tuajën?

Barkiçi—Në këtë rast mund të them se unë i jam mirënjohës Presidentit të Federatës Esat Ademi dhe sekretarit Ilir Kraja. Mund të them se janë të “çmëndur” për këtë sport dhe për Esatin të ketë kujdes nëpër gara sepse ai sëmuret aty dhe bëhet jashtëzakonisht keq emocionalisht mbas pedanave. Ne jemi të kënaqur edhe për anën e trajtimit që federata dhe ai na krijojnë kjo jo vetëm për sportistat, por edhe për trainerët.Unë do ti uroja suksese dhe ne gjithashtu e sigurojmë se ky sukses do të vazhdojë.

Shkodra si ju priti?

Barkiçi—Si unë edhe Erkandi jemi befasuar me popullin e Shkodrës, por deri në një farë mase, sepse ky popull është tepër sportdashës. Kemi një publik që në shumë pak vende të botës mund të gjesh. Ne i jemi shumë mirënjohës publikut dhe qytetarëve të Shkodrës, sepse ne jemi lindur dhe rritur në këtë traditë.Problemi është te pushtetarët e Shkodrës. Unë mbaj mend ish kreun e Bashkisë Ormir Rusi kur dikur na ftoi të pijmë kafe kur jemi kthyer kampion europe në 2002-shin dhe herën e parë ishte mos besues, por herën e dytë ai tha se “këtu paska diçka të vërtetë”.
Që nga ai moment jemi trajtuar mirë dhe i jemi shumë mirënjohës atij. Ai në një formë dhe përmbajtje na e shpërbleu mundin, sepse kjo punë që bëjmë ka edhe kosto të mëdha. Kjo punë nuk është se do të ushqehesh mirë dhe “u lamë me kaq”. Kjo punë e rëndë që po bëjmë ka një seri faktorësh të cilët kanë harxhime dhe kosto të mëdha për të arritur rezultate. Ndryshon shumë puna me kreun e Bashkisë aktuale dhe me duket se ai akoma nuk e ka “marrë përnjimend” dhe me sa duket nuk di të gjejë formën. Për mua ai mbetet një njeri shumë i nderuar dhe kam respekt, por ai nuk di të gjejë format e shpërblimit dhe për këtë duhet të jetë i zoti, sepse kjo punë do shpërblim. Pra mirënjohja e Bashkisë nuk duhet thënë vetëm me fjalë, por edhe me anë financiare dhe bazë meteriale sepse kemi edhe një palestër që ka shumë nevoja. Ka breza që po bëjnë stërvitje dhe Erkandi sot është bërë idhull për to duke rritur edhe ambicjen e tyre për rezultate dhe kjo gjë kërkon kushte. Investime të tilla i takojnë kryesisht Bashkisë së Shkodrës. Ne kësaj Bashkie i përkasim dhe fama e fitoreve tona janë kryesisht për qytetin dhe bashkinë tonë. Unë them se kreu i Bashkisë Haxhi duhet të gjejë të gjitha format dhe mënyrën që ne të na shërbejnë. Patjetër që edhe shpërblimi duhet të jetë i madh. Unë kam marrë disa herë takim me prefektin e Shkodrës ai të paktën është njeriu i vetëm që nga goja e tij këtu në Shkodër ka dalë një shprehje e tillë si :Ju, ti dhe Erkandi nuk duhet të keni asnjë problem dhe për ju duhet të krijohen të gjitha mundësitë. Prefekti më tha se nuk duhet të keni shqetësimin më të vogël, sepse ai ndikon në rezultat dhe mbarëvajtjen e stërvitjes. Besoj se ai mori angazhim edhe në drejtim të qeverisë sepse ai nuk është institucioni që ka financa.

Bisnesi është afruar për ndihmë?

Barkiçi—I pari nga bisnesmenët ka qënë pronari i lokalit “Manhatan” zoti Bebeziqi dhe ai na pramtoi një shifër për të dy në muaj duke parë se shtatori ka edhe europianin dhe ku edhe atje duhet të shkëlqejmë. Unë shpresoj që shëmbullin e tij ta ndjekin edhe bisnesmen të tjerë të sukseshëm të Shkodrës. Po kështu përgatitja për “Lojnat Olimpike” të cilat duan një stërvitje tepër të madhe dhe financim tepër të fuqishëm.

Konkretisht çfarë ju kanë afruar deri tani?

Barkiçi—Për momentin që po jepet kjo intervistë është një gjysëm konfirmimi nga Bashkia dhe kreu i saj që mund të japin vetëm një 2 milion të vjetër kur vetëm Erkandit kjo shifër i ka shkuar vetëm javën e fundit. Mund të them se shefi i klubit “Vllaznia” është një njeri tepër korrekt, por mundësitë e tij janë tepër të vogla. Unë e di që Bashkia e Shkodrës ka dhënë një minimale lekësh për të gjithë sportet dhe kështu që as që bëhet fjalë për gjë. Për të gjithë sportet janë shumë pak dhe kjo është e qartë.

Çfarë pretendon më nga Erkandi dhe vetja.?

Barkiçi—Nuk di se çfarë ka mbetur përveç kampionit olimpik. Këtu mbyllet cikli rezulatativ sportiv si trofe të larta. Unë them, por edhe Erkandi ka këtë mendim, se ne në rradhë të parë punojmë për familjet tona, për Shkodrën dhe për Shqipërinë. Janë edhe vëllezërit e Erkandit në emigracion që ndihmojnë për të. Unë ju jam shumë mirënjohës. Por problemi është se ai i dedikohet të gjithëve. Unë mund të them se përballë peshëngritësve të talentuar kinez ishte e gjithë europa ( trainerë e sportista) që ngrihej në këmbë për Erkandin dhe kjo tregonte se deri ku shkon përfaqësimi dhe krenaria. Gëzim më të madh nuk ka kur e gjithë “Europa u ba Shqipëri” duke brohoritur që Erkandi të kalonte Kinën dhe sportistat e saj të talentuar.
Objektivat janë se duhet mbajtur kjo fitore dhe është e vështirë. Duke pasur parasysh fenomenin Erkand dhe përkushtimin tim unë jam shprehur se do të bëjmë mrekulli të tjera. Di të them se kemi një punë shumë të madhe përpara.

Sikur po e mbyllni keq kështu intervistën sidomos në raport me Bashkinë?

Barkiçi—Jo krejtësisht, sepse në vargun e disa propozimeve është edhe ai i kreut të Bashkisë Haxhi për tu bërë të dy “Qytetarë Nderi” të Shkodrës dhe kjo nuk është pak dhe është një nder i madh për ne. Ne normalisht këtë nder e meritojmë dhe po përfitoj të përshëndes edhe zotin Leskaj të cilin pata nderin të komunikoj me telefon dhe ku mora përgëzimet e tij për trofeun e madh në Kinë. Unë e sigurova ministrin se të tilla trofe ne do të sjellim përsëri nga aktivitetet botërore dhe europiane.

Zoti Barkiçi çfarë keni për të thënë më për këtë “mbas fitore” në këtë botëror të peshëngritjes.

Barkiç—Jo nuk kam shumë, por jemi në pritje të thirrjes tonë nga presidenti dhe kryeministri dhe kjo do të ishte një sadisfaksion i madh për ne dhe ju falenderoj ju dhe gazetën tuaj “SOT” e cila është pikërisht ajo që edhe në raste të tjera me faqet e saj ka premtuar fitoret tona, Erkandit dhe timen. Ju jeni pikërisht një “SOT” i madh që nuk lini asgjë për nesër. Ju falenderoj dhe suksese.
 

genci

Primus registratum
Re: Kampioni i Botës ngre në festë shkodren

3 qershor-06
Sport nga Besi Bekteshi

Erkand Qerimaj pritet në mënyrë madhështore në Shkodër.






Shkodër—Kampioni i ri i botës në peshëngritje Erkand Qerimaj është pritur nga Klubi Shumësportësh “Vllaznia”, autoritetet më të larta vendore dhe populli i qytetit ku ai stërvitet dhe kontribuon, me një ceremoni dhe nderim të veçantë. Në sheshin e Parrucës banda e qytetit ka filluar atmosferën e ceremonisë së pritjes së Erkandit dhe trainerit të tij Genc Barkiçit. Njerzit të interesuar kishin mbushur sheshin në Parrucë dhe rreth orës 10-të Qerimaj, Barkiçi, por edhe sekretari i federatës Ilir Kraja kanë arritur dhe janë pritur nga Kryetari i Bashkisë Artan Haxhi, Prefekti Gjovalin Kolombi dhe kreu i Qarkut Lorenc Luka sëbashku me deputetin e zonës Gilman Bakalli. Pritja ka qënë tepër e ngrohtë dhe entuziaste për më tepër se njerzit, pa asnjë problem kanë lënë edhe xhiron apo punët e tyre për të takuar dhe përshendetur djalin e ri Qerimaj që i solli Shkodrës titullin e lartë të kampionit të botës i cili i mungonte këtij qyteti me tradita të mëdha si në peshëngritje ashtu edhe në sporte të tjerë. Qerimaj falenderoi autoritet dhe popullin sportëdashës për pritje e bukur dhe mallëngjyese që i rezervuan dhe kujtoi se ai pikërisht për këtë gjë ka qëndruar në Shkodër. Por, Qerimaj u falenderua nga të gjithë auroritetet si nga Artan Haxhi dhe Lorenc Luka apo edhe nga deputeti Bakalli i cili deklaroi se jemi ne që të falenderojmë për nderin që na rezervove me titullin e lartë. Sekretari Kraja tha se Erkandi i një vëndi me 160 peshëngritës si Shqipëria u përball me 2.6 milion peshëngritës si Kina dhe fitoi vëndin e parë. Midis kësaj atmosfere dhe brohoritjeve të shumta Qerimaj është marrë në supe i mbuluar nga flamuri kombëtar dhe festa ka vazhduar nëpër rrugët e Shkodrës e cila u ndal për disa çaste për të përshëndetur një prej sportistave të saj që me mundim dhe sakrifica të shumta arriti të mbajë fjalën e dhënë për tu shpallur kampion bote. Aktiviteti ka vazhduar në qytet me prezantimin e bujshëm të biografisë së Erkandit dhe fitoret e tij në vitet jo të shumta, por me shumë trofe dhe fitore që ka ky peshëngritës i talentuar i Shkodrës dhe Shqipërisë. Gjithsesi premtimi vazhdon akoma për Erkandin dhe ai doli nga goja e trainerit të talentuar Barkiçi për rezultate, medalje dhe “mrekulli” akoma të mëtejshme. Po kështu organizimi i mirë i pritjes së Qerimajt i dedikohet edhe klubit “Vllaznia” dhe drejtuesit të saj Gëzim Mema që i emocionuar arriti që me këtë ceremoni festive të sillte entusiazmin e munguar prej disa kohësh në aspektin sportiv në Shkodër. Festa mbas rrugëve të Shkodrës pasoi në Bashkinë e Shkodrës ku Haxhi kishte përgatitur për vetë kampionin dhe familjen e tij një koktej i cili kaloi në mënyrë të hareshme dhe me premtime të dyanëshme për rezultate dhe interesim për sportin në Shkodër
 
Top