BeRaTsi_MiZeRje
Aktivist i AlbForumi

Komedianja Joan Rivers ka ndërruar jetë në një spital të Nju Jorkut gjatë pasdites së të enjtes, një javë pasi u shtrua atje për një arrest kardiak gjatë një procedure mjekësore, bëri të ditur vajza e saj.
“Ajo u nda nga jeta pa vuajtje rreth orës 13 të mesditës, e rrethuar nga familja dhe miqtë e saj më të ngushtë”, tha Melissa Rivers përmes një deklarate me shkrim.

81-vjeçarja Rivers ishte shtruar në spitalin “Mount Sinai” të Mahnattanit dhe mbahej në jetë artificialisht, ku u transferua pasi ndali frymëmarrjen në klinikën “Yorkville Endoscopy”, të enjten e kaluar.

Klinika ambulatore do të hetohet tashmë nga Departamenti i Shëndetësisë së shtetit të Nju Jorkut, bëri të ditur zëdhënësi James O’Hara.

“Unë dhe im bir duam të falënderojmë mjekët, infermieret dhe stafin e spitalit Mount Sinai, për kujdesin e jashtëzakonshëm të ofruar ndaj nënës sime”, tha vajza e saj. “Cooper dhe unë jemi të përulur ndaj gjithë dashurisë, mbështetjes dhe lutjeve që kemi marrë nga e gjithë bota. Të gjitha janë dëgjuar dhe vlerësuar”.
