Ju dëshmoj mëkatin e Kadaresë !

Ju dëshmoj mëkatin e Kadaresë !

GSH
Ju dëshmoj mëkatin e Kadaresë me internimin e familjes Rapi
Pas akuzave të Paskal Milos, rrëfimi i plotë i ish-kryehetuesit Dilaver Bengasi mbi denoncimin e shkrimtarit

Nga Dilaver Bengasi

(vijon nga faqja 1)

Kërkoi ndjekjen penale për një djalë 18-vjeçar, i quajtur Renato Rapi. Ky djalë merrte në telefon familjen e Kadaresë për të biseduar me vajzën e tij, me të cilën kishte lidhje shoqërore. Djali pretendonte se me vajzën dashuroheshin. Kur Kadareja mori vesh mbi këtë lidhje, donte me çdo kusht që kjo të prishej. Por Renato vazhdonte me të tijën. Mirëpo, telefonatat e përsëritura “e shqetësonin” familjen Kadare. Prandaj, Kadareja po bënte denoncimin ndaj Renatos. Kjo ishte vepër e sanksionuar nga neni 129 i Kodit Penal. Akuzohej në denoncim edhe nëna e Renatos, Janulla Rapi, e cila kishte marrë guximin për të shkuar në shtëpinë e Kadaresë. Mirëpo nuk i ishte hapur dera dhe Janulla e paskësh fyer, duke i rënë derës me forcë. Kështu, kishte shqetësime të mëdha Ismail Kadareja.
U fillua çështja penale nga hetuesi N.Topjani. U mor në përgjegjësi penale dhe nëna e Renatos, Janulla Rapi. Akuza ishte për fyerje publike të Ismail Kadaresë. Renato ishte simpatik, inteligjent dhe vazhdonte vitin e katërt të Liceut Artistik të Tiranës. Nëna e tij, Janulla Rapi ishte shitëse e divorcuar nga burri. Hetuesi N.Topjani nuk njihte nga palët asnjë person. Por duhej të shmangte të gjitha ndërhyrjet apo presionet që mund të bëheshin. Ishte i aftë dhe korrekt. Njëherazi për çdo gjë do të konsultohej me kryetarin e hetuesisë.
Pas fillimit të hetimeve, më thërret në zyrën e tij Foto Çami, në atë kohë ishte sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Tiranës, i cili më shpjegoi se I.Kadareja ishte ankuar për një “rrugaç” të quajtur R.Rapi, që i kishte mashtruar vajzën, duke krijuar momente irritimi. “Më ka thënë, - theksoi Foto Çami, - se megjithëse e ka denoncuar problemin në hetuesi, juve nuk po e vlerësoni si duhet. Për këtë problem që ka të bëjë me nderin e I.Kadaresë, - tha ai, - duhet të bëni të gjitha përpjekjet deri dhe në arrestimin e atij djali. Nuk duam të shqetësohet familja e Kadaresë”.
Shpjegova se ai djalë ishte një nxënës shkolle në Liceun Artistik, por siç del, ai është dashuruar me vajzën e Kadaresë. Për sa i përket hetimit të çështjes, mendoj se është vlerësuar, megjithëse denoncimi i bërë nuk i plotësonte elementët e veprës penale, sikurse pretendohet. Djali me vajzën kanë lidhje prej kohësh dhe këtë e vërteton edhe... “Për sa i përket sugjerimit, - vazhdova unë, - se nderi i I.Kadaresë duhet shpëtuar nëpërmjet arrestimit të këtij djali, kjo më vjen keq që po ju them, por nuk mund të bëhet, sepse nuk ka bazë ligjore për një arrestim të tillë. Djali Renato nuk ka bërë asnjë vepër penale, veç dashurisë. Për dashuri, që ka të bëjë me një normë morale, nuk kemi bërë ndonjëherë arrestime”. Më tha që të shkoj përsëri pasdite në zyrën e tij, se do të ishin dhe kryetari i Gjykatës dhe prokurori i rrethit. Ndërkaq, unë u takova me V.Konomin dhe I.Remjen, përkatësisht kryetar dhe prokuror, e u tregova porosinë që më ishte bërë. Ata kishin të njëjtin mendim me mua. Edhe në takimin që bëmë pasdite me Foto Çamin, ata të dy mbështetën mendimin tim.
Por hetimi vazhdoi. Janulla, nëna e Renatos ishte marrë e pandehur në gjendje të lirë. Ajo erdhi disa herë në zyrë për t’u ankuar ndaj një hetuesi, që pretendonte se ndihmonte padrejtësisht familjen Kadare. E sigurova se nga hetuesia do të kishte vetëm zbatim të drejtë të ligjit dhe objektivitet. Janulla këmbëngulte se nuk kishte bërë asnjë veprim antiligjor në adresë të familjes Kadare. Sqarimet që ajo kërkonte të bënte me atë familje, ata i kishin marrë për fyerje. Këto pretendime, hetuesi N.Topjani i kishte vërtetuar dhe i kishte raportuar. Hetuesi i çështjes kishte raportuar se shpeshherë i shkonte në zyrë edhe Elena Kadare, që i bënte presion duke i kërkuar arrestimin e Janullës dhe Renatos. Pas këtij raportimi në prani të rreth 25 hetuesve, tërhoqa vëmendjen se, nëse nuk provohej vepra penale, atëherë akuza të pushohej dhe të mos binte askush nën presionin Kadare.
Sigurisht që nga ana ime si kryetar i hetuesisë, toni me të cilin porosita që të zbatohej ligji ishte i lartë, i ndikuar edhe nga ankesat e Janullës apo presionet e Elenës ndaj hetuesit. Ditën e dytë, rreth orës 8:30 të mëngjesit, mori në telefon ministri i Punëve të Brendshme, i cili kërkonte të sqarohej përse ishte fyer në mbledhjen e hetuesisë, Ismail Kadare. Veç u theksua se në hetuesi të mos pranohej asnjë person qoftë edhe nga Kadare.
Ndërkohë, Hekuran Isai më tha se Elena Kadare i kishte shkuar në zyrë që në mëngjes dhe ishte ankuar ndaj kryetarit të hetuesisë, i cili jo vetëm nuk po e vlerësonte çështjen e denoncuar nga familja Kadare për të ndëshkuar familjen Rapi, por për më tepër kishte fyer Ismail Kadarenë në mbledhjen e Hetuesisë së Tiranës. Në orën 10:00 shkuam në zyrën e ministrit, së bashku me dy hetues. Atje gjetëm dhe drejtorin e Punëve të Brendshme të Tiranës dhe një punëtor operativ të sigurimit. Hetuesi N.Topjani shpjegoi saktë se denoncimi i Ismail Kadaresë nuk përmbante elementë të ndonjë vepre penale, as për Janullën e as për të birin, Renaton. Ministri Isai na shpjegoi se Ismail Kadareja ishte njeri i nderuar dhe vetë shoku Enver Hoxha e kishte vlerësuar posaçërisht. “Problemi është i qartë, - vazhdoi ai, - do pasur kujdes në trajtimin e Kadaresë”. Pastaj Elena Kadare kishte akuzuar se Janulla ndiqej si agjente ruse. Kush e kishte thënë këtë? Ishte e vërtetë, apo ishte thashethemnajë si shumë hamendje keqdashëse?
Ministri shfaqi inat e pakënaqësi ndaj operativit V.M. dhe hetuesit R.I., kur dëgjova se Janulla Rapi ndiqej nga Sigurimi si agjente ruse dhe këtë problem e paska mësuar Elena, të them të drejtën u çudita. Sa thellë i kishte futur rrënjët I.Kadareja me “informatorët” e tij në punën e sigurimit dhe hetuesisë, kur ne nuk kishim dëgjuar asnjë fjalë të tillë. Mbas pyetjeve dhe përgjigjeve që u bënë në zyrën e ministrit, u porositëm që të kishim kujdes dhe të mos krijonim situata shpërthyese ndaj Kadaresë. U tërhoq vëmendje dhe për faktin se Elena kishte mësuar sekretet e Sigurimit të Shtetit. Por, me gjithë presionin nga lart, çyshtja e ngritur për Janulla Rapin dhe djalin e saj Renato, nga hetuesia u mbyll. Sidoqoftë edhe pas këtij veprimi objektiv ligjor të hetuesisë, reagimet e veprimet ndëshkuese ndaj familjes së djaloshit Renato Rapi nuk pushuan. Për të plotësuar dëshirën e Kadaresë dhe që ai të “rrinte i qetë”, me porosi partie u vendos masa e internimit të familjes Rapi. Pra, u internua Janulla dhe Renato, si kundërshtarë të familjes Kadare, për të vënë “në mbrojtje dinjitetin e tyre”. Me urdhër nga një apo disa drejtues të lartë, më 25 prill 1984, familjen Rapi e internuan në Kosovë të Elbasanit. (...)
Sipas rrëfimeve të një ish-gjyqtareje të Gjykatës së Lartë, kam mësuar se Janulla Rapi, mbi bazën e denoncimit të Ismail Kadaresë
Në polici, për një vepër penale si ajo “e fyerjes”, që ishte në kompetencë të drejtpërdrejtë gjykimi nga gjykata, ishte dënuar me 11 muaj edukim nëpërmjet punës. Vuajtjen e dënimit e kishte filluar në kombinatin “Josif Pashko”. Sapo kishte filluar punën e detyruar në zbatimin e vendimit të gjykatës, Janulla Rapi
I kishte shkruar një letër Enver Hoxhës, duke i treguar se shkaku i dënimit të saj ishte vetëm fakti se djali i saj dashuronte vajzën e Ismail Kadaresë, lidhje të cilën ai nuk e dëshironte. Enver Hoxha, pasi kishte lexuar letrën, kishte vënë një shënim duke theksuar se si ishte e mundur të dënohej ajo nënë, pse djali i saj dashuronte vajzën e Ismail Kadaresë apo kushdoqoftë tjetër. Kjo letër me shënim përkatës i ishte dërguar kryetarit të Gjykatës së Lartë, i cili kishte urdhëruar rigjykimin e çështjes direkt atje, me kryesues seance gjyqtarin e mirënjohur A.Z, i cili masën e dënimit “me punë të detyruar me 11 muaj”, e uli gjykimin në 2 muaj, kohë që Janulla Rapi kishte bërë deri në kohën e rigjykimit.
Por sikurse citova më sipër, ky dënim i lehtë nuk kënaqi kurrë kundërshtarin e saj dhe më 25 prill 1984, Janulla Rapi me të birin Renaton, u internuan në Kosovë të Elbasanit.
Marrë nga libri
“Enigmat e 2 Korrikut ‘90”
 

MUST

Primus registratum
Re: Ju dëshmoj mëkatin e Kadaresë !

bravo te qofte qe ke arritur te nxjrresh nje fakt kaq te madh kunder nje njeriu qe mund te jete gjithshka por jo shqiptar sic pretendon
 

Daniel H

Primus registratum
Re: Ju dëshmoj mëkatin e Kadaresë !

Kjo teme qenka hap dhe tek Politika, gjithsesi them qe ketu le te trajtohet vetem tema e internimit te familjes Rrapi.
 

Al-Punk

Still here
Re: Ju dëshmoj mëkatin e Kadaresë !

Duket sikur me se fundi Kadare po e humbet shkelqimin e tij dhe paprekshmerine.

Faktikisht per shkrimin e pare edhe mund te kete pasur te drejte te akuzoje familjen tjeter. Nese djali dhe vajza duheshin, nuk kishte pse te shkonte te bezdiste familjen nena e djalit apo dhe djali ne telefon. Ishte dicka qe e zgjidhte me vajzen.


Nejse, mbi Kadare: Ne vit te pare te shkolles se mesme na impononim te gjitheve te lexonim nje liber te tijin qe as titullin nuk ia mbaj mend. Ky nuk ishte nje liber letrar, po nje "studim" i Kadare mbi Eposin e Kreshinkeve e te ngjashme (Autobiografia e popullit ne vargje? ). Libri ishte i mbushur me aq shume budalliqe sa nuk e kuptoja se si te gjithe me shikonin si te huaj kur u shpjegoja qe Kadareja shkruante si demagog mbi gjera qe mbeshteteshin mbi fakte te paqena. As argumentat nga Injac Zamputit (ekskursion ne dy vepra te Kadarese) apo studimet e F. Arapit mbi Eposin nuk bindnin njeri per faktet e qena dhe ato te sajuara nga Kadare per Eposin.

Kjo jo per te ulur Kadare. Ai eshte nje shkrimtar shume i mire i rrymes hermetike per mendimin tim. Ama ne castin qe perpiqet te dale nga fronti i shkrimtarit dhe merret me Hulumtime, Histori apo Politike, behet nje sharlatan cfaredo!
 

policia

Forumium maestatis
Re: Ju dëshmoj mëkatin e Kadaresë !

debati mbi kadarene ka kohe qe ka nisur, qe kur la shqiperine dhe iku ne France...
problemi eshte se duhen ndare ne dy momente figura e ismail kadarese.
e para ismail kadareja si shkrimtar. per mendimin tim ai eshte nje shkrimtar i madh. kam lexuar shume vepra te tij dhe me pelqen me te vertete.
e dyta ismail kadareja si njeri dhe jeta e tij ne te kaluaren. kjo eshte dhe s'eshte per tu diskutuar...
e them kete pasi jeta personale e individit eshte e shenjte, por meqe ne shtyp dolen gjera te tilla, hajde te diskutojme edhe ne...
eshte shume e ulet ajo qe familja kadare ka bere kunder djalit dhe nenes se tij, kjo nuk tregon vetem ligesi, por edhe faktin se sa komunist e devotshem paska qene ky person(pasi kadare nuk e pranon te kete qene pro sistemit komunist, por sipas tij e ka luftuar me menyrat e tij).
tani cfare eshte bere nuk cbehet me...
 

Daniel H

Primus registratum
Re: Ju dëshmoj mëkatin e Kadaresë !

Kjo eshte dhe ajo qe po i thone te gjithe, merru me letersi dhe leria çadraxhiut ta bej çadren.

DOSJA K.

Intervista ekskluzive/ Rrëfimi nga SHBA i nënës së Renato Rapit, djalit që dashuroi vajzën e shkrimtarit

Janulla: Ju tregoj vuajtjet tona të urdhëruara prej Kadaresë

“Renato vazhdon të vuajë pasojat e spitalit psikiatrik”


Janulla Rapi sot numëron plot 62 vjeç, jeton në një pallat modest në lagjen Bronks të Nju Jorkut dhe shqetësimi kryesor i ditës së saj vazhdon të jetë djali, Renato. Djaloshi simpatik i filmave të Kinostudios shqiptare, tashmë është një i sëmurë që jeton me një pension invaliditeti të dhënë nga qeveria amerikane, ndërkohë që vazhdon të vuajë pasojat e torturave dhe mjekimit të detyruar në spitalin psikiatrik të Elbasanit. “Doja të falenderoja Paskal Milon, sepse e kam ndjekur debatin e tij me Kadarenë. Do të doja që Kadare të përballej me mua, por ai gjithnjë i bën bisht kësaj historie”, e nis bisedën e saj në telefon, Janulla. Debati i ditëve të fundit mes shkrimtarit dhe historianit e ka rikthyer edhe njëherë në qendër të vëmendjes këtë ngjarje të hidhur dhe Janulla i ka ndjekur të gjitha nëpërmjet internetit. Nuk e ka patur të lehtë që t’i përgjigjet pyetjeve sepse t’u rikthehet atyre momenteve të dhimbshme nuk është e lehtë, edhe pse plagët e ndjekin nga pas çdo ditë. Në një intervistë të gjatë për Gazetën, Janulla Rapi rrëfen të gjitha vuajtjet që ka pësuar ajo dhe djali i saj për fajin e vetëm të një dashurie me vajzën e familjes Kadare.


Zonja Janulla, faleminderit që pranuat t’u përgjigjeshit pyetjeve. Mund të na tregoni se si nisën problemet tuaja me drejtësinë dhe Sigurimin?

Debati i ashpër që është zhvilluar ndërmjet shkrimtarit Ismail Kadare dhe historianit Paskal Milo së fundi në Shqipëri më detyroi që t’u përgjigjem dhe të sqaroj të vërtetën mbi këtë ngjarje që përpiqet të fshihet nga Ismail Kadare.
Në vitin 1977 më vdiq burri dhe më la dy fëmijë jetimë, djalin 13 vjeç Renaton, dhe vajzën e vogël 3 muajshe. Me shumë sakrifica u mundova t‘i rrisja, t‘i edukoja e t‘i bëja me shkollë. Që nga mëngjesi e deri në darkë, punoja shitëse ushqimore e megjithatë, isha e lumtur me fëmijët e mi. Djali në Liceun Artistik për violinë dhe vajza në shkollën e baletit. Renatoja kishte pasur dhe një talent tjetër të fshehur, aktrimin. Kinostudioja e zgjodhi për të luajtur në disa filma si:”Gunat përmbi telat”, “Tinguj lufte” dhe “Mësonjëtorja”. Ështe pikërisht ai djaloshi i pëllumbave, që në skenën e filmit vritet nga turqit, për të mbrojtur mësonjëtoren. E megjithatë, violina, filmi dhe dashuria do të shënonin çastet e bukura të jetës së Renatos, e më pas për të dhe për mua do të vijonin vuajtjet dhe shkatërrimi. Fati ynë i keq ishte se ne jetonim shumë afër me shtëpinë e Kadaresë. Një ndenjë dashurie e pastër, për të cilën Renatoja, në moshën 18 -vjeçare do të provonte rrahjet, torturat psikologjike, internimin, burgimin dhe së fundi, mbylljen në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit me kurë të detyruar, ku qëndroi për një kohë të gjatë. I vetmi faj i tij ishte se dashuroi vajzën e Ismail Kadaresë. Është një histori me shumë detaje, sa me to mund të shkruash një film ose roman, që ia kalon dhe tragjedive të Shekspirit. Më vjen keq, se ndjej dhimbje për gjithçka të padrejtë që më është bërë. Unë isha e pafuqishme, kurse ai, shkrimtar i madh, deputet, nënkryetar i Frontit, etj. Ismail Kadareja u ngrit në sferat e larta ku, zgjuarsinë e ktheu në dinakëri të zhdërvjelltë, vullnetin në egërsi bishe, ambicien me cinizëm dhe moralin, në mirësjellje formale. Kur mori vesh dashurinë e vajzës së tij me djalin tim, u bë si bishë, por ishte tepër vonë, sepse kishte në mes një shtatzani.
Mund të na shpjegoni si nisën problemet për ju?
Gjithçka filloi në një nate dimri. Kisha derdhur në arkë, lekët e dyqanit dhe po kthehesha në shtëpi, ku gjeta Gresën me djalin tim, të ulur në divan dhe rrinin shumë të mërzitur. “Çfarë keni mo Renato, më thoni çfarë ka ndodhur?”. Unë isha mësuar me ta, se ajo vinte shumë herë dhe i gënjente ata, duke iu thënë se do të fle te shoqja e ngushtë, më duket, në mos gaboj, te Majlinda Turdiu. Epo më në fund Gresa tha: “Thuaja ti sat`ëme!”. Më dha numrin e telefonit të shtëpisë së saj dhe unë shkova direkt tek hotel “Peza”, t’i telefonoja Helenës, të vinte e të bisedonim si nënë që ishte për këtë hall. Erdhi menjëherë me një shall të bardhë, që kishte mbuluar gjysmën e fytyrës, e enjtur nga heqja e një dhëmballe. Kur mori vesh për gjendjen e vajzës dhe kur pa konditat tona të shtëpisë që nuk i pëlqyen, u ngri në vend, megjithatë, ajo më tha mua: “Hajde nesër në shtëpi të bisedosh me Ismailin, se ai është babai dhe ai vendos për gjithçka”. Ashtu e lamë, unë do të shkoja të nesërmen kur do mbaroja nga puna. Por pas asaj nate, filloi skenari i përgatitur prej tyre dhe për mua e tim bir rodhën ngjarje të tmerrshme.

Në akuzat që ngriti hetuesia ndaj jush thuhet se patët një grindje në shtëpinë e Kadaresë?

Kur arrita, derën e hapi Ismaili, atje gjeta një shoqe të Helenës, Lili Zhejin, një punonjës të Ministrisë së Brendshme, Vladimir Meçen dhe Helenën. Ismaili, në fillim më futi në dhomën e tij të punës. Menjëherë sa hyje, të binte në sy një fotografi e madhe, ku kishte dalë ai me Enver Hoxhën dhe vajzën e tij Gresa. Filloi duke thënë i qetë se e mori vesh këtë histori dhe kishte biseduar me vëllain e tij, Shahinin që ishte mjek, se kishte mundësi që mos të kishte ndodhur shtatzania. E shikova një herë dhe mendova, se çfarë mashtruesi kisha përpara. Ia ktheva përgjigjen duke i thënë: “Shko o Ismail! E di që për ju është e rëndë, por ata janë të rinj dhe do ta ndërtojnë jetën e tyre më së miri, në qoftëse i ndihmoni dhe ju”.
Sa i thashë kështu, u egërsua e më shikonte si një bishë e egër. Në këtë kohë hyn Helena dhe më merr në kuzhinë. Vladimir Meçja, një servil i regjur, nis duke më bërtitur e duke më thënë: “Po ti moj, do të bësh krushqi me Ismail Kadarenë, që e njeh gjithë bota, mos harro se je mbesë kulaku, një dajë të burgosur në Burrel 25 vjet, një tjetër të arratisur,… ik moj qërohu! Ke dhe surrat të flasësh me Ismail Kadarenë; lëreni rehat të shkruajë materialin që i duhet për pleniumin!”.
Fillova t’i përgjigjesha se vërtet isha mbesë e kulakut, i cili me pasurinë e tij ndihmoi luftën Nacionalçlirimtare, një dajë i arratisur me emrin Leonidha Gjoni, iku se ligji partizan, me urdhër të Mehmet Shehut (mik familjar i Kadaresë), atë natë do ta pushkatonte, për të vetmen arsye që nuk la të dilte partizane të fejuarën, Eftiqi Zaho. Ndërsa tjetri që ishte në burg, vetëm se i tha një mikut, i cili ishte spiun: Unë në ato kohë përpara bridhja me kalë në këto fusha.

Si rrodhën ngjarjet në këtë takim të parë në shtëpinë Kadare?

Mbas gjithë këtyre debateve, bie zilja e telefonit dhe i nderuari Ismail më thotë: “Merre pak telefonin se është për ju.” Ishte një farë Neshat Tozaj dhe me një dialekt lab të egërsuar më tha: “Do ikësh andej moj prostitutë, apo të dërgojmë policinë të të nxjerrë përjashta”. O Zot, thashë, çfarë tmerri dhe deri ku arrin kjo kulturë e këtyre njerëzve që mbahen intelektualë të mëdhenj, që në publik ishin aq të respektuar dhe anasjelltas, me mua po silleshin me skenarë të turpshme si harbut, e kriminelë të regjur. Megjithatë, u bëra gati për të dalë kur u hap dera, u vërsulën nja 6 a 7 policë e duke më tërhequr prej krahu me forcë, me ato duar prej hekuri duke më thënë: “Do vish në polici me ne. Je e arrestuar se ke hyrë me zor në shtëpinë e deputetit Kadare”.
“Ore njerëz, a jeni në vete për këto që thoni, ky bashkë me të shoqen më ftuan në shtëpi, ej”. Por dhe mua më hipi gjaku në tru nga dhimbja e krahëve që më tërhiqeshin sikur të isha një kafshë, por as donin t’ia dinin. Me shkelma e grushte më nxorën dhe nëpër shkallë ku më mbeti njëra këpucë ju thashë: “More Ismail Kadare, o kriminel, o mik i Mehmet Shehut e Enver Hoxhës që ke në duar gurin dhe arën.” Njerëzit e komshinjtë si Dritëro Agolli, besoj se e kanë dëgjuar dhe parë nga penxheret gjithë këtë skandal?!
Ismaili më përgjigjej: “Vazhdo, vazhdo të shikosh se ç’do të bëj.” Më mbajtën në rajon të policisë numër 3 gjithë natën, duke më bërë presione: “Ti, një copë shitëse kërkon të bësh krushqi me I. Kadarenë. Po vazhduat do shikosh se ç’do t’ju bëjmë, burg ose internim do të keni. E more vesh.” E bjer ku të dhemb. Në mëngjes më liruan, shkova në shtëpi, u përqafova me fëmijët e mi, të cilët dhe ata tërë natën s`kishin fjetur. Po pas kësaj nate, pasojat erdhën aq të rënda, e tani që po i kujtoj më dridhen duart që po i shkruaj.
 

ujku81

Primus registratum
Re: Ju dëshmoj mëkatin e Kadaresë !

Hmmm, cudi qe Shteti komunist (pavaresisht se ne grahmat e fundit) nuk e ka permendur kete histori kur Kadare u arratis. /pf/images/graemlins/shrug.gif
 

Nobis

Primus registratum
Re: Ju dëshmoj mëkatin e Kadaresë !

Ne foto Ismail Kadare ne shtepine e ish udheheqesit komunist Enver Hoxha
kadare_enver_h.jpg
 

policia

Forumium maestatis
Re: Ju dëshmoj mëkatin e Kadaresë !

sa e tmerrshme...
me preku shume, te shkretet njerez pa pushtet...
nuk me vjen ne kujtese fytyra e atij djalit te filmi mesenjtorja, nese ndonjeri e ka le te na e sjelli...
 

Daniel H

Primus registratum
Re: Ju dëshmoj mëkatin e Kadaresë !

Ja dhe fotoja e Renato Rrapit, e botuar nga Gazeta Shqiptare

412955959-renato-rrapi-m.jpg


Renato 20 vjec dhe tani.
 

Daniel H

Primus registratum
Re: Ju dëshmoj mëkatin e Kadaresë !

Vazhdimi i intervistes botuar sot ne GSH....

Janulla Rapi: A do ta falja Ismail Kadarenë? Nuk e di…

Enveri më hoqi dënimin: Nuk ka pse të vuajë nëna


Dje na treguat për incidentin në shtëpinë e Kadaresë. Çfarë pasojash patët?

Dy ditë pas atij takimi në shtëpinë e Kadaresë më erdhi thirrja për në gjyq, ku akuzohesha se kisha dhunuar banesën e deputetit dhe shkrimtarit të madh. Kadare, do të përdorte kundër nesh jo vetëm emrin, por dhe miqtë e tij me pozitë, duke filluar që nga drejtori i Policisë së Tiranës, Hajredin Shyti, Komiteti i Partisë, e deri tek ministri i Brendshëm, Hekuran Isain, për të përfunduar në majën më të lartë të shtetit shqiptar, tek çifti Hoxha. Akuza që më bëhej ishte ajo e “fyerjes” së deputetit.
Më dënuan me punë korrektore për 11 muaj, duke më mbajtur gjysmën e rrogës. Kadare kishte urdhëruar që të më fusnin në burg, por shpëtimi më erdhi nga një letër që i drejtova Enver Hoxhës. I shkruajta se çfarë po më bënin mua vetëm sepse isha nëna e Renatos, djalit që dashuronte me gjithë zemër vajzën e Kadaresë dhe pas kësaj ai ndërhyri. Duke e parë se ishte një dënim i padrejtë, Enver Hoxha i dha urdhër Aranit Çelës, kryetarit të Gjykatës, dhe ai e uli dënimin në 3 muaj. Kështu u ktheva prapë në punë, në dyqanin ushqimor ku unë punoja. Por Ismail Kadareja nuk u kënaq me kaq. Djalin ma përjashtuan nga shkolla, ndërsa e thërrisnin në polici e në hetuesi herë pas here, duke e sharë edhe para vajzës, të dashurës së tij. E rrihnin në mënyrë të pamëshirshme dhe me fjalët më banale: një këmbë ia vinin në bark me ato këpucë që i mbanin me gozhda, e me këmbën tjetër i binin në kokë, duke e gjakosur. “More rrugaç, do heqësh dorë ti nga kjo vajzë, apo do që të të bëjmë të vdekur”. Vajza e shikonte dhe vetëm qante, duke thënë: “Nuk më vjen më zor, se unë e dua!”.

Pra dashuria mes dy të rinjve vazhdonte ende edhe pas kësaj situate të rënduar?

Hetuesi “privat” i Kadaresë, Riza Icka, i thoshte gjithnjë vajzës së Ismailit: “Thuaj që Renatua më ka kapur me zor!”. Por ajo nuk e pranonte një gjë të tillë. Ata duheshin aq shumë, sa thurnin ëndrrat e tyre për të ardhmen. Një natë, Renaton e rrahën aq shumë, sa e mbajtën nja 3 ditë në rajon pa ndjenja, e thoshin: “Në qoftë se vdes, do thoni që i ra murit vetë me kokë”. O Zot çfarë ka hequr ky djalë!
Nuk mund ta harroj ditën që djali ruante pas derës së shtëpisë së Kadaresë sepse kujtoi se e rrihnin vajzën, por dëgjoi që ai i bërtiste dhe i thoshte: “Ti nuk ke për ta parë më atë djalë, se ne do t’i internojmë si familje”. Hetuesi Icka, e pa Renaton dhe ata e morën prapë në polici. Duke vazhduar të rrahurat, i thanë se do të na internonin dhe do të na zhduknin. Djali erdhi atë natë në shtëpi dyllë i verdhë dhe me shenja. U mbyll në dhomën poshtë, ku rrinte gjithmonë me të dashurën e vet dhe piu ilaçin e “Flibolit”, që mbanim për mizat. E pashë që u vonua dhe shkova poshtë, por ç’të shihja...? I dilte shkumë nga goja. Erdhi ambulanca dhe e mori. Mendova në ato momente se Renaton nuk do ta shihja më. Ashtu e egërsuar me dashurinë e nënës për djalin, i shkova në shtëpi Kadaresë. I rashë derës dhe më doli Helena dhe hetuesi Rizai: “Ta dish o Ismail Kadare, - i thashë, - më vdes djali sonte, unë po s’ta vura benzinën që të habitet bota!”. Helena më mori pak mënjanë që të më qetësonte. Më tha se dhe ajo kish vrapuar mbas vajzës për ta ndaluar që të hidhej nga taraca. Më shkoi mendja te tragjedia e Shekspirit. E paskan vendosur dhe bërë me fjalë që të dy të vdisnin. “Mos u mërzit, - thoshte Helena, - se ne nuk i kemi bërë gjë Renatos”. Me shumë edukatë, që më dukej shumë falso, më tregoi se vetë ajo, i kishte vajtur në zyrë Hekuran Isait, duke i thënë që të na burgosnin e jo të na internonin. Ç’ironi!

Si rrodhën ngjarjet deri në internimin tuaj?

Duke qenë se u bë bujë nga kjo ngjarje, Kadareja i shkruajti një letër Nexhmijes dhe Enver Hoxhës, duke denoncuar me shpifjet nga më të ndryshme. Mesa kam marrë vesh shkruhej deri se “kjo familje më shqetëson, se unë dua të përgatitem të shkruaj për në Kongres e nuk mundem të shkruaj për Partinë”, etj, dhe në fund, “kërkoj ndihmë nga ju”. Kështu, ata kaq deshën, sa të thoshte Enveri: “Të shikohet kjo çështje!”
Foto Çami bashkë me Hekuran Isain dhe Manush Myftiun, që në atë kohë firmoste për dëbim-internimet, vendosën të na internojnë me pretendimin se nuk e linim të qetë shkrimtarin e madh Kadare. Në orën 5 të mëngjesit, më datë 26 Prill 1984, e gjithë rrugica u rrethua me policë, me njerëz civilë të hipur në makinë me rimorkio dhe nja 7 a 8 gaza të Ministrisë së Brendshme. Shpejt e shpejt, sikur të ishim si në kohën e skllevërve, na futën në një makinë të madhe me gjithë rimorkio. Në derë hynë tre persona bashkë me kryetarin e Frontit të Lagjes Nr.4. Lexuan urdhrin e internimit për 5 vjet në Kosovë të Lushnjës, ku atje ishte dhe burgu i grave të Shqipërisë. Nga ai tmerr, vajza ime që atëherë ishte 7 vjeçe, akoma dhe sot në gjumë i del një psherëtimë, kurse Renato gjithmonë hesht; nuk do t’i kujtojë më ato tmerre që hoqi. Në internim pamë shumë gjëra, të internuar që kishin dhe 40 vjet. Të gjithë na u afruan më vone, se në fillim kishin frikë; familja e Xhevdet Mustafës, familja e Tefta e Vera Dumes, familja Urani, familja Leka, kunata e Mehmet Shehut dhe familja e Ali Ohrit. Dëshira Ohri, e cila na ndihmoi në mënyrë të jashtëzakonshme, të paktën çdo të shtunë na vinte ujë në zjarr të laheshim, se do të kishim marrë ndonjë sëmundje, pasi një copë kasolle ku na futën; pa ujë, pa banjë e minjtë na vinin natën nga penxherja.

Patët probleme e Sigurimin gjatë këtyre viteve të internimit?

Mbaj mend një episod kur dy spiunë të Degës së Brendshme të Elbasanit bënë sikur e njihnin Renaton në lice, e sikur iu vinte keq për të. Një ditë i kishin thënë: “Renato, nuk mund të jetohet këtu, e di ç’ke? Hajde me ne, se dhe ne e urrejmë këtë regjim, do shkojmë në Jugosllavi se atje kam një dajë gjeneral në UDB. Po të duash merr dhe mamanë!”, e shumë gënjeshtra të tjera. “Mirë, - u tha Renatua, - po shkoj t’i them mamasë”. Sa hyri, më tha: “Filluan provokimet e më duket se do të na futin në burg”. -Rri brenda, se vete e ua them unë përgjigjen! - Dal dhe nja 50 metra më poshtë, në një rrënjë ulliri po prisnin ata të dy. Gazi i Elbasanit po vinte me nja 2 civile brenda. Fillova duke iu bërtitur e duke iu thënë: “Kush ju ka futur të na provokoni more maskarenj!,- Vazhdova duke u thënë: “Çoni fjalë atij Kadaresë, se nuk na e prish mendjen jo, a morët vesh.”
E çfarë t’i kujtojmë atij internimi të mallkuar! Punonim të 7 ditët e javës pa pushim, që nga mëngjesi në orën 6 e deri në darkë. Renatua, rrëshqiti nga çizmet e llastikut, nga maja e kodrës. U vra në këmbë derisa iu infektua e do t’i bëhej gangrenë sepse nuk e merrnin as ta mjekonin apo ta çonin në spital në Elbasan, por e lanë të vuante. Edhe sot e ka kujtim nga ai internim shenjën që nuk i hiqet kurrë. Njerëzit atje ishin shumë të mirë dhe e ndihmuan me ilaçe popullore. Mbasi bëmë gjysmën e dënimit, i shkrova letër drejtoreshës së ligjeve në Kuvendin Popullor z.Liri Gjoliku, e cila bashkë me Ramiz Alinë na ndihmuan të na lironin. “Ky internim, - tha Ramiz Alia, - është bërë i njëanshëm, sepse familja Kadare dhe familja Rrapi kishin një çështje të përbashkët”. Nuk do të thotë që të gjithë komunistët të ishin të këqij. Unë dhe sot kam respekt për disa që e kanë shikuar çështjen time me drejtësi si, Guro Zeneli, Zef Loka, Jorgo Dhrami apo Drita Xhillari, e shumë të tjerë.
Kur u kthyem nga internimi, menduam se u liruam dhe s’do të kishim më pasoja, por makina e persekutimit, nuk harroi të përgatiste tjetër skenar, një skenar që ishte i fundit për ne e shumë tragjik.

Çfarë ndodhi pas kësaj ndërhyrjeje të Ramiz Alisë?

Nuk na jepnin shtëpi dhe nuk na bënin pasaportizimin që të rrinim në Tiranë. Vinte policia prapë dhe na vinte afat që të largoheshim. Kadareja, i frikësuar se mos vajza e tij vazhdonte me Renaton, i kurdisi prapaskena bashkë me hetuesin e tij “privat”. Kërkesës sime për të qëndruar në Tiranë, Nexhmije Hoxha, nëpërmjet sekretares, Hejdije Xhango, m’u përgjigj: “Dhe atje njerëz jetojnë, prandaj shkoni prapë atje!”. I zura derën edhe Kryeministrisë dhe me firmën e Adil Çarçanit u ndihmova që të rrinim në Tiranë, por djalit iu mohua e drejta të shkonte në Konservator, se thoshin që nuk i takon, se ka qenë i internuar. Nuk kaloi shumë kohë dhe Renatos ia shpikën një akuzë për ta larguar sërish nga Tirana. Një denoncim se gjoja ai mbante thikë me vete dhe kërcënonte familjen Kadare mjaftoi që djali të mbyllej në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, me kurim të detyruar për një kohë të gjatë. E shkatërruan me doza të larta aloperdoli dhe me elektroshok. Mbase donin t’ia hiqnin kujtesën, që mos të mendonte më për vajzën e Kadaresë. Edhe sot e kësaj dite Renatoja është gjallë, por me çdo ndjenjë të vdekur. Pasojat po i vuaj ende dhe sot me djalin e sëmurë dhe me shtëpinë në Tiranë që ende nuk e marr dot. Shpresoj të paktën që kryeministrit z.Sali Berisha të më ndihmojë me gjyqet që kam në gjykata për kthimin e pronave.

Në fjalët tuaja ka ende shumë zemërim për Kadarenë. A do ta falnit, pas kaq shumë vitesh?

Ai nuk ka dashur të përballet asnjëherë me mua. Nuk di ç’të them mor bir. A do ta falja?!... Nuk e di...


Saktësim
Në numrin e djeshëm të intervistës, përmendet edhe emri i hetuesit Vladimir Meçi. Sqarojmë se nuk bëhet fjalë për avokatin e njohur Vladimir Meçaj, por vetëm për dy persona të ndryshëm të cilët mbajnë të njëjtin emër.
 
Top