Jetojmë larg

Jetojmë larg

Pyetje:

Unë jam një emigrant jashtë Atdheut. Gruaja më ka ngelur në Shqipëri, për shkak të dokumentave. Jam në stres. Për sa kohë ajo mund të më presë? Do më tradhtojë apo jo? Unë e dua më shumë se veten. Faleminderit doktor.

Përgjigje:

E kuptoj shqetësimin që keni, por në pyetjen tuaj ka shumë pak informacion, që do të ishte i vlefshëm për të dhënë një përgjigje sa më të mirë. Do të ishte mirë të dinim: Sa vjeç jeni ju të dy? Sa vite keni jetuar së bashku? Sa vite keni që jetoni larg njëri-tjetri?A keni fëmijë? Çfarë arsimi keni dhe çfarë profesionesh ushtroni?

Ku jeton ti si emigrant dhe ku jeton gruaja jote në Shqipëri? E shumë të dhëna të tjera si këto. Në kushtet, që nuk i kam këto të dhëna, përgjigja do të jetë e përgjithshme. Një përgjithësim i gjithë atyre përgjigjeve, që u kam kthyer shokëve tuaj emigrantë.

Ata të gjithë e vuajnë këtë gjendje dhe përpiqen t’i ruajnë marrëdhëniet, që kanë në distancë të largët. A mund të funksionojë marrëdhënia e një çifti, që jeton i ndarë shumë larg prej njëri-tjetrit? Kjo është një pyetje shumë e vjetër në librin e dashurive. Padyshim, që ka sfida, kur dy njerëz që e duan njëri – tjetrin, jetojnë larg. Por, ndonjëherë, edhe sfidat kanë të mirat e tyre. Ju dhe gruaja juaj jeni duke përjetuar një situatë, që është e pazakontë për dy të rinj të martuar.

Pse është e pazakontë? Sepse ju jetoni diku jashtë shtetit si emigrant dhe jeta juaj atje ndryshon shumë nga jeta që ju bënit në shtëpinë tuaj në atdhe. Kudo ku ke jetuar, në mes të Tiranës, apo në ndonjë fshat të vogël të Shqipërisë. Atje ku jetoni tani, keni parë dhe vazhdoni të shihni gjëra të reja. Keni takuar njerëz interesantë, keni mësuar gjëra që nuk i dinit më parë dhe keni pasur shansin të njihni më mirë edhe veten tuaj. Ndërsa, gruaja juaj, është akoma në Atdhe.

Unë, nuk di me kë banon ajo? Me prindërit e saj, me prindërit e juaj, ose vetëm? Të gjitha këto kanë rëndësi. Është ndryshe, po të keni fëmijë dhe ndryshe pa fëmijë. Në çfarë moshe janë fëmijët tuaj ? Punon ose jo gruaja juaj?

Shkon në ndonjë shkollë ose jo? Si do që të jetë, një gjë mund të thuhet me siguri, ajo vazhdon jetën, afërsisht, po njësoj, si disa vite më parë. Mëson në të njëjtën shkollë, punon në të njëjtën punë, dëgjon të njëjtën muzikë, pi të njëjtat pije dhe ha njësoj si më parë. Krijohet përshtypja sikur, përkohësisht, ju nuk keni më asgjë të përbashkët dhe kjo të frikëson.

Mesa duket, ju e ndjeni këtë realitet dhe nuk i përgjigjeni dot pyetjes që po vetë e bëni: Sa mund të vazhdojmë kështu dhe kur do përfundojë marrëdhënia jonë? Sigurisht, kjo gjendje nuk mund të vazhdojë pafund. Ju të dy duhet të bëni zgjedhjen tuaj më të mirë. Kjo zgjedhje është që të bashkoheni pa u vonuar shumë, atje ku je ti, ose atje ku është ajo.

Bashkimi do të ishte gjëja më e mirë për marrëdhënien tuaj. Por edhe ndarja u jep mundësinë, që t’i shikoni gjërat ndryshe, nga ç’i shihnit kur ishit bashkë. Shfrytëzoni çdo mundësi që t’i bëni sa më të shpeshta vizitat në Atdhe. Kjo varet nga vendi ku jeni emigrant dhe çfarë statusi keni atje. Ju duhet të dini se telefonatat dhe e-meilet, janë gjërat që e ndihmojnë marrëdhënien.

Në shumë vende, mundet edhe atje ku jeni ju, e-meilet dërgohen papaguar, madje, shumë njerëz bisedojnë dhe e shohin njëri-tjetrin në ekran. Shfrytëzoni mundësitë që ju ofron interneti, siç është programi “scape”. Mos i harroni letrat e mënyrës së vjetër. Ato do t’ju ndihmojnë shumë, që të mbeteni sa më afër me njëri – tjetrin. Ato, përveç të tjerave, përmbajnë brenda tyre edhe pak atmosferë romantike.

Unë besoj, se ju dhe gruaja juaj, do t’i kapërceni me sukses vështirësitë e ndarjes provizore. Këtë besim e fitova nga mënyra e sinqertë se si ju e shprehët dashurinë për gruan tuaj. Bëni kujdes që t’ia përcillni njëri-tjetrit qartë, ato që ndjeni.

Kjo është një gjë me shumë rëndësi, që duhet të vazhdoni ta bëni. Kjo është mënyra më e mirë për ta bërë kohën që jeni larg njëri – tjetrit, në mos të kënaqshme, të menaxhueshme.

Pushimet është mirë të shkoni e t’i kaloni me gruan tuaj dhe fëmijët e juaj, natyrisht, në qofte se keni. Ju të dy duhet të dëgjoni me kujdes njëri-tjetrin dhe të njihni mirë shpresat dhe nevojat që ka shoku.

Është krejt normale që një i ri të dëshirojë të dijë hollësira për gruan, nga e cila jeton larg. Është krejt normale, gjithashtu, që ai të interesohet të dijë për punën, për aktivitetet dhe për miqtë e saj të rinj. Por, kjo gjë nuk është, gjithmonë, e lehtë për gruan.

Që ajo të tregojë për gjithçka që ju dëshironi të dini, më përpara ju duhet t’i keni dhënë asaj sigurinë se bën, akoma, shumë kujdes për të. Ajo dëshiron të bindet se ju i keni qëndruar besnik, ndaj dhe je i interesuar të dish se çfarë bën ajo. Këtë duhet ta bësh me shumë kujdes.

Mos të të shkojë as nëpër mëndje, se ajo është e detyruar ta bëjë këtë për ju, pavarësisht, sjelljeve të juaja në emigracion. Siç e shikoni, të gjitha këto janë eksperienca të reja, që nuk do t’i provonit po të mos ishit larg. Gjithmonë, kërkoni nga gruaja të sillet e të bëjë, ashtu siç silleni e bëni edhe ju.

E vlerësoj faktin që ju mendoni për fatin e marrëdhënies dhe që jeni i interesuar ta ruani këtë marrëdhënie në largësi. Siç kuptohet edhe nga shqetësimi juaj, këto marrëdhënie në distancë, janë vërtet të vështira dhe janë shumë stresante. Disa njerëz janë të aftë t’i menaxhojnë ato, ndërkohë, që të tjerë nuk e bëjnë dot këtë. Kjo varet nga gjendja e marrëdhënies dhe forca e saj përpara ndarjes.

Por, kjo varet dhe nga personaliteti që ju të dy keni. Unë e kam të vështirë të them se çfarë duhet të prisni nga kjo marrëdhënie. Mendohu mirë, por shpresa të mëdha mos mbani, po qe se largësia do të vazhdojë pafund. Shumë herë kam thënë se një marrëdhënie pa seks, është e vështirë të mbahet. Por kjo, nuk përjashton çdo mundësi që marrëdhënia juaj të vazhdojë dhe ta ruajë edhe romancën brenda saj.

Marrëdhëniet në largësi midis dy të rinjve të martuar, janë të vështira, por nuk janë të pamundura. Lidhuni me telefon para se të flini, shkruani letra për njëri-tjetrin, dërgoni e-meile ku të përshkruani aktivitetet e ditës, nuk është keq të mbani ditarë.

Shikoni fotografitë që keni dalë bashkë, lexoni letrat dhe e-meilet e vjetra, kjo do t’u mbajë afër emocionalisht edhe pse jeni larg fizikisht. Mbajini linjat e komunikimit të hapura, duke biseduar shpesh dhe gjithmonë në mënyrë të ndershme me njëri – tjetrin. Kjo do t’ju ndihmojë dhe do të lozë rol me rëndësi për të ndërtuar një urë që do t’ju bashkojë të dyve.

Duke qëndruar në kontakt, edhe pse në distancë nga njëri-tjetri, kjo vlen shumë për ju të dy. Përfitoni nga interneti. Sot me ndihmën e tij shumë njerëz bëjnë seks, kështu bëni edhe ju. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për ta ruajtur marrëdhënien.

Shfrytëzoni çdo mundësi, që të vizitoni gruan tuaj sa më shpesh. Vetëm në këtë mënyrë do të njihni miqtë që e rrethojnë atë. Kanë shumë rëndësi vitet që keni qëndruar bashkë.

Sa më shumë të keni qëndruar bashkë para ndarjes, aq më pak dyshime do të shfaqen gjatë marrëdhënies në distancë. Siç të thashë që në fillim, aspekti më i rëndësishëm në një marrëdhënie të mirë, është komunikimi i mirë, kjo bëhet,veçanërisht, e domosdoshme kur dy të martuar jetojnë larg njëri-tjetrit. Le ta dijë gruaja juaj atë që ju ndjeni për të dhe inkurajoje edhe atë që të t’i tregojë ndjenjat e saj për juve.

Por, më përpara sigurohu se do ta presësh mirë dhe pa zemërim, kur ajo do të tregojë se në Atdhe, pas largimit tënd, ka takuar njerëz të mrekullueshëm që e mbështetin. Çdo marrëdhënie ka veçoritë e saj, nuk janë të gjitha njësoj.

Por shumica e çifteve që jetojnë larg njëri-tjetrit, thonë se vështirësia më e madhe është në fillim dhe me kalimin e kohës ajo lehtësohet. Ngarkesa me punë të lodhshme, atje ku jeni si emigrant, e bën më të lehtë ndarjen.

Përfytyrojeni këtë periudhë të ndarjes, si një kohë që u duhej për të zbuluar gjëra të cilat nuk i njihnit para njohjes me njëri-tjetrin.(Shekulli)

fBP3h13mfTI

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25860. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25860

Top