jeta e njeriut si nje "çast" dhe si nje e tere ?

Sweety el

Locus omnem
Pse po zgjerohet prirja e trajtimit të jetës si “çast”, kur ajo në të vërtetë është një e “tërë”?Koncepti për jetën, identitetin dhe vlerën e saj është duke ndryshuar në shoqërinë tonë. Ajo shfaqet në përputhje me kohën dhe me konceptet e individualizuara që kanë njerëzit për vlerën e saj si “çast” dhe si një e “tërë”, si rrjedhë individuale sasiore dhe e përditshme, por dhe si rezultante cilësore e papërsëritshme. Ky shqetësim që tashmë ndihet qartë në jetën e shoqërisë tonë nuk është ndonjë deformim ontologjik që buron nga konceptet e deformuara,

por më shumë është një reagim adekuat ndaj kërkesave të natyrshme të jetës modern. Nga që tashmë jetojmë në një shoqëri më shumë të individualizuar se sa me dimension social të qartë duket se është i fortë ndikimi i prirjeve pragmatiste dhe utilitariste, që janë të natyrshme të shfaqen dhe të jenë të forta. Madje ato po ndikojnë në trajtë shumë deterministe, dhe kanë efekt evident në mënyrën se si njerëzit tanë po konceptojnë jetën e tyre. Çështja është se tek njeriu po bëhet dominante prirja e jetës me natyrë imediatiste, me objektiva materialist afatshkurtër, me dëshirën e ngutur për plotësimin sa më shpejt të kërkesave utilitare dhe inkrementaliste të jetës së përditshme. Kjo mënyrë të jetuari, kjo prirje e jetës në shoqërinë tonë ka problemet e veta dhe në një farë mënyre po bëhet kërkesë ultimative dhe në mënyrë të padrejtë tregues i vlerës së saj. Duhet kuptuar e vërteta që po ndodh në jetën tonë sociale dhe individuale, sepse janë të gjithë të dhënat dhe treguesit e mjaftueshëm që tregojnë se po i largohemi prirjes së shëndoshë vlerësimit të jetës si një e tërë, si perspektivë totale dhe bilanc tërësor i jetës njerëzore e cila është shumë më e madhe se kënaqësitë e “çastit” apo objektivat e veçanta të momentit. Ky deformim ontologjik dhe perceptim partikularist i “pjesëve të jetës” së njeriut, nuk është pa rëndësi për të vlerësuar cilësinë e jetës sociale në vendin tonë dhe mbi të gjitha si kusht që duhet njohur për të ndihmuar njeriun që të dijë të kërkojë dhe të gjejë në kohë vlerën e duhur të jetës së tij. Koha ka treguar se nuk është prirje e shëndetshme, që në jetë të jepesh pas “drurëve” dhe të harrosh “pyllin e jetës”. Kjo situatë është prezente dhe në shoqërinë tone ka filluar të shfaqet si tregues i jetës moderne, e cila është e dominuar nga ligjet dhe parimet e ekonomisë së tregut, që ka sjellë zmadhimin e pakufishëm të prirjeve individualiste dhe konsumistike të përditshme të njeriut. Ato kanë shtuar dukshëm dilemat ekzistenciale materialiste dhe kanë ndryshuar optikat tradicionale për vlerësimin e “esencës së jetës” si një e tërë, të respektimit të vlerës së jetës së njeriut dhe kuptimin e saj si çështje e “kohës aktuale” por dhe si moment të perspektivës.
Në shoqërinë tonë padyshim që jemi në një situatë kur presioni për të ndryshuar tipologjinë e jetës moderne nuk mund të mos jepte efekte pozitive por dhe kundër-efekte negative, në kuptimin dhe konceptimin e jetës së njeriut modern. Tani nuk është e mundur që të flitet për jetën modern me norma dhe standarde të “ngurta”, nuk mund të arsyetojmë për të me parime fikse, të përbashkëta, që në njëfarë mënyre determinojnë mënyrat dhe format e konceptimit të jetës individuale të njerëzve tanë. Sepse nuk është fjala thjesht për të kuptuar vlerën e jetës në kuptimin e thjeshtë të ekzistencës biologjike, apo në rrjedhat suksesive kalendarike. Koha kërkon që jetën e njeriut ta shikojmë dhe vlerësojmë si “një të tërë”, unike, duke parë atë si sintezë me të “kaluarën” , të “sotmen”, dhe të “nesërmen” e saj të papërsëritshme.

Konfuzioni që ka sjellë moderniteti në shoqërinë tonë edhe në këtë aspekt tashmë është i qartë. Konceptimi i ngushtë pragmatist dhe utilitarist i jetës vetëm si shans për përfitime dhe leverdi, e kanë deformuar thellë mundësinë që njeriu të ketë një kuptim më të gjerë për vlerat ekzistenciale dhe kuptimin e thellë dhe tërësor konceptual të vlerës së jetës, duke i parë “pjesët” e saj jo thjesht si “moment i të jetuarit”, por së pari si “rezultante e të përjetuarit” të saj. Më saktë si “sumare”, si tërësi e pandarë tek çdo njeri.
Padyshim duke folur kështu nuk e kemi fjalën se duhet të bëjmë eksperimente idealiste e transedentale me jetën e njeriut, duke e ndarë atë si “moment” dhe si “perspektivë”, si “çast kalimtar” dhe si “rezyme përfundimtare”. Jeta e njeriut është një e tërë dhe vlera e saj është një patjetër një shumatore e balancuar e vlerave që njeriu ka shënuar në tërë “zinxhirin e pakëputur” të saj. Ajo është e lidhur me aftësinë e njeriut që të përballojë me sukses vështirësitë, sfidat që duhen përballuar në të gjithë “çastet” e saj, në mënyrë që bilanci perspektiv të jetë individualisht pozitiv dhe shoqërisht i vlerësuar. Natyrisht të jetosh momentin e duhur të jetës është me rëndësi edhe për perspektivën e saj. Në këtë pikëpamje unë nuk mendoj se njeriu jeton vetëm duke menduar jo vetëm për ekzistencën ditore të jetës por edhe duke patur parasysh perspektivën, bilancin, vlerën e fundit të jetës. Kjo nuk do të thotë që duhet harruar vlera e “jetës së ditës”, por ndërkaq nuk ka kuptim jeta e njeriut që është reduktuar në kuptimin e ngushtë ekzistencial të plotësimit të “kërkesave të ditës” pa menduar për një “bilanc jete” që është në fund të fundit vlera e jetës totale të njeriut.

Pozitiv është fakti që në shoqërinë tonë është duke u shtuar së tepërmi pjesa e njerëzve, që kanë concept të qartë për jetën dhe që përpiqen të gjejnë kuptimin dhe vlerat e saj, që janë të bindur se kuptimi jetës së njeriut është këtu në tokë, në jetën e përditshme individuale dhe sociale, pikërisht duke u marrë dhe përjetuar ngjarjet, të mirat, të këqijat, faktet e vërteta të jetës së përditshme. Qytetërimi ynë po zgjeron konceptin se jeta asociale e njeriut që bën jetë të mbyllur, të ndarë nga shoqëria, nuk ka vlerë. Realizmi i kohës moderne ka ndryshuar parametrat e të jetuarit të vërtetë, sepse tani nuk është më koha kur njerëzit tanë kuptimin e jetës e kishin të lidhur edhe me perceptime ideologjike apo besime transhedentale mbitokësore, duke e bërë njeriun të mendonte ndryshe nga çfarë fliste apo duke i dhënë formën e “qenies mesianike” të ligështuar dhe e mbetur në shpresën e pafund të pritjes të “Godosë”. Koha e sotme është kohë moderne dhe jeta është dinamike, konkrete, e vështirë prozaike. Vlera dhe kuptimi i saj janë në tokë dhe realizohen me veprimtari inkrementaliste, të programuar, nxitëse dhe suksesive të njeriut, që synon t’i japë formë, përmbajtje dhe kuptim të vërtetë jetës së tij.
Në këtë kontekst, më duket se është koha që të mësojmë njerëzit, veçanërisht të rinjtë që me sens mase të mendojnë për t’i dhënë kuptim të vërtetë jetës së tyre. Por jo në rrugë të pavërteta, apo me mënyra që nuk kanë as substancë as imanencë, që më shumë janë dhe sjellin iluzione utopike, që garantojnë zbehjen e jetës së njeriut, humbjen e kuptimit të natyrshëm të vlerës dhe perspektivës së saj. Kuptimi i jetës në kohën tonë nuk gjendet në terrene të imagjinuara, as në kllapi jashtëtokësore. Përkundrazi në jetën moderne “lëngu i jetës”, kuptimi dhe vlera e saj është e personalizuar. Ajo për secilin prej nesh gjendet këtu në terrenin e jetës konkrete.
Njerëzit janë bërë më koshientë për vlerën e jetës së vërtetë nga që gjithnjë e më shumë mendojnë jo për veprime të imagjinuara, as për iluzione e pasione ekstraterritoriale, por për të gjetur dhe siguruar mundësitë e veprimit në “mjedise reale”, aty ku gjendet dhe rrjedh jeta e vërtetë e njeriut, aty ku është dhe mund të gjendet vlera dhe kuptimi i saj, aty ku ajo vlerësohet si “çast” por dhe ku më në fund bëhet bilanci i saj përfundimtar si një e “tërë”. Kjo do të thotë që duhet t’i mësojmë njerëzit tanë veçanërisht të rinjtë, me bindjen se vlera e jetës as nuk është e barabartë dhe as nuk jepet në një ditë, por dhe nuk është njëherë dhe përfundimisht një e tërë.
Ndaj në vend të iluzioneve, predestinimit absurd të “fateve”, të papriturave dhe mundësive të imagjinuara që deformojnë esencën e jetës dhe paralizojnë energjitë e njeriut, ka ardhur koha që në mënyrë shumë empirike dhe pragmatiste t’i mësojmë njerëzit më të vërtetën e jetës moderne, sipas së cilës vlera dhe kuptimi i jetës së njeriut si “çast” dhe si “totalitet” është këtu, realizohet në jetën konkrete dhe të përditshme të njeriut. Natyrisht, me të drejtë filozofët dhe sociologët e jetës moderne e kanë të vështirë të “bëjnë receta” sociale, të japin rekomandime filozofike për rrugë që njeriu të jetë i sigurt, i aftë në cdo rast për të gjetur vlerën apo kuptimin e tërësisë së jetës. Një qëndrim doktrinarist dhe deontologjik në kohën tonë do të ish i vështirë për të patur sukses. Në këtë kontekst, rrugët e mësimit të tipologjive të kuptimit të jetës janë më shumë të natyrës vlerësuese që na japin fakte të modeleve të jetës së njerëzve të “suksesshëm” dhe të “dështuar”. Në këtë rast në vend të teorizimit për thelbin transedental apo nominal të kuptimit të jetës më mirë do të ishte vlerësimi konkret i modeleve jetësore, i paradigmave jetike të njerëzve që kanë arritje dhe sukses të dukshëm me jetën e tyre, përgjithësimi i përvojave dhe praktikave të mira, e metodologjive jetës së njerëzve të suksesshëm, të atyre që e kanë mbyllur jetën jo si “çast” por si një të tërë me bilanc pozitiv, që kanë shënuar arritje dhe që më në fund janë larguar nga jeta duke lënë emrin si simbol të tërë jetës së tyre.
Në vend të përfytyrimeve mekaniciste, biologjizante apo mesianike, mua më duket se për të ndihmuar njeriun që të gjejë kuptimin dhe vlerën e jetës së vet, ka vetëm një rrugë të sprovuar si të suksesshme. Ajo është kultivimi i vetëdijes personale për vlerën e papërsëritshme të jetës si kapital personal, si nxitëse dhe orientuese e njeriut që në çdo etapë të gjejë rrugën e duhur drejt suksesit personal. Unë jam dakord me ata sociologë, filozofë dhe psikologë që mendojnë se ka rrugë për zbulimin e vlerës së jetës, për gjetjen e kuptimit të saj. E sigurt është se vlera dhe kuptimi i jetës nuk mund të arrihen me “përpjekje në tym”, as me sforcime biologjike dhe logjike të paorientuara, kaotike, me veprime spontane dhe të padisiplinuara nga qëllime të caktuara kohore dhe hapësinore. Por aftësia e njeriut për të njohur dhe vlerësuar situatat jetike, për të qenë i aftë që të zotërojë kritere për të ndërtuar një hierarki të vlerave të jetës së vet, që janë në një farë mënyre piketa prioritare të orientimit të saj, duket se janë kushti sine quan non për çdo njeri që ka dëshirë t’i japë vlerë dhe kuptim jetës së vet si “çast” por edhe si një e “tërë”.
 
Top