Re: jemi bere te bezdisur per Europen
Keqkuptim apo dashakeqësi?
Besnik Mustafaj
Vitet e fundit, sidomos pas zgjedhjeve të vitit 2001, te një numër profesionistësh të analizës politike, vërej një modifikim të gjykimit mbi zhvillimet në vend, modifikim që nuk më duket ... i rastësishëm dhe si i tillë meriton vëmendje. Ky gjykim ka të bëjë me ndarjen e përgjegjësisë midis faktorëve politikë institucionalë lidhur me ngërçet gjithnjë e më të dhimbshme, nga të cilat ka vuajtur e vazhdon të vuajë rrugëtimi i tranzicionit tonë. Në mënyrë të përmbledhur, gjykimi i këtij soji të profesionistëve të analizës politike shprehet në ndarjen e barabartë të përgjegjësisë midis shumicës qeverisëse dhe opozitës. Një metodë e tillë “e çuditshme” u përdor prej tyre edhe në komentimin e deklaratave të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në përfundim të raundit të radhës të negociatave për Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit ditët e fundit. Vlen gjithashtu të nxirret në dukje se kjo periudhë “objektivizimi” e një pjese të familjes së analistëve përkon në kohë me periudhën e çeljes së procesit të negocimit me Bashkimin Evropian për Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit, periudhë që shënon një rritje të ndjeshme monitorimit ndërkombëtar e rrjedhimisht edhe një intensifikim të raporteve dhe deklaratave të miqve të Shqipërisë mbi ecurinë e reformave të nevojshme për të përmbushur standartet demokratike qoftë në fushën e stabilitetit politik, qoftë në fushën e rritjes ekonomike e të krijimit të një tregu vërtet të lirë, qoftë në fushën e ndërtimit të një shteti të së drejtës, ku parësore janë zgjedhjet e lira, respektimi i të drejtave të njeriut e të qytetarit dhe liria e shtypit.
Ku qëndron më konkretisht modifikimi në fjalë?
Gjatë mandatit të parë qeverisës të socialistëve 1997-2001, kjo pjesë e trupës në shtim të analistëve, duke tundur ashtu si të tjerët flamurin e papërlyer të pavarësisë nga pushteti, e ushtronte profesionin e ri duke i ndarë qartë rolet e opozitës e të shumicës qeverisëse në zhvillimet e ditës. Nuk ka ndonjë vlerë të veçantë të kujtojmë se sa e zezë dilte plateja e opozitës nga maja e penës së tyre e sa e bardhë lozha e qeveritarëve. Në këtë rast vlen të përmendet se në kokën e tyre ishte të paktën i qartë parimi se në një sistem politik pluralist shumica qeverisëse dhe opozita parlamentare kanë përballë vendit dhe shoqërisë detyra të pangjashme njëra me tjetrën.
Kjo pikë vështrimi parimisht e drejtë ndryshoi pak nga pak e u thellua pas zgjedhjeve të vitit 2001. Manipulimet si dhe shkeljet e tjera që u kryen gjatë këtyre zgjedhjeve prodhuan një shumicë parlamentare pa moralin e nevojshëm për të qeverisur në kushtet e reja që parakuptonte angazhimi konkret në procesin e integrimit si në Bashkimin Europian ashtu edhe në NATO. Po ashtu, kalimi i viteve e bëri marsin 1997 gjithnjë e më të papërdorshëm për të justifikuar dështimet e ditës. Për herë të parë në këtë kohë Nano nisi të flasë për përgjegjësi të përbashkët me opozitën për të plotësuar standartet e duhura për integrim në familjen europiane. Ai mori kështu një parim të drejtë dhe zuri sakaq ta shpërdoronte. Për aq sa i takonte parimisht, opozita ishte e vetëdijshme për përgjegjësinë e saj. Duke qenë qysh në origjinë me frymëzim të pastër euroatlantik, opozita demokratike do ta mbështeste me vullnet të plotë ecjen e Shqipërisë drejt Brukselit, gjë që edhe publikisht iu pohua Kryetarit të Komisionit Europian të asaj kohe, Zotit Romano Prodi, nga ana e Berishës. Ishte edhe në praktikë çështja e stabilitetit politik, pa të cilin nuk mund të kryheshin reformat e nevojshme. Partia Demokratike dhe gjithë opozita ishin tashmë në parlament dhe tërësisht aktivë në debatin parlamentar. Rrjedhimisht, edhe stabiliteti politik, në kuptimin që ka ky term në demokraci, ishte i garantuar. Për aspektet e tjera të bashkëpunimit, marrëdhëniet midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike do të duhej të zhvilloheshin në atë ballafaqim serioz e të shëndoshë, që parakupton edhe terminologjia pozitë-opozitë në fjalorin e politikës moderne.
Por vetë Nano, me ndarje të përgjegjësisë, siç edhe u provua e fatkeqësisht vazhdon të provohet, kishte në të vërtetë parasysh ndarje të fajësisë me opozitën veçanërisht përballë monitoruesve ndërkombëtarë qoftë për dështimin e reformave, dështime të ardhura kryesisht për mungesë të vullnetit politik të qeverisë, qoftë për rritjen galopante të korrupsionit, qoftë për shtrirjen e kontrollit të krimit të organizuar mbi institucionet shtetërore, qoftë për politizimin dhe klientelizimin e administratës publike. Ai synonte kësisoj që Partinë Demokratike t’ia bashkangjiste karvanit të Partisë Agrare e të Aleancës Demokratike, duke i bërë një dëm shumë të madh vendit, por duke ia shumëfishuar lirinë vetes për të abuzuar me pushtetin në favor të xhepit. Në ndihmë ai thirri sakaq edhe një shpurë “analistësh”, të cilët, në mungesë të argumenteve për të lavdëruar kryetarin e qeverisë, morën përsipër t’ia përgjysmojnë atij përgjegjësinë. Gjysma tjetër do t’i jepej opozitës, pa shpjeguar asnjëherë se çfarë kishte në dorë Partia Demokratike përveç denoncimit me emër e me fakte të së keqes? Bie fjala: si mund ta pengonte opozita krijimin e monopoleve, kur ajo me të drejtë as nuk jep liçenca, as nuk mbledh taksa, as nuk urdhëron dogana? Si ky shembull mund të përmenden edhe plot të tjerë, me të cilët ilustrohen kritikat e ardhura në mënyrë të përsëritur nga Brukseli e nga Uashingtoni. Le të kthehemi edhe te rasti i fundit, artikuluar edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Europian gjatë negociatave tri ditë më parë: ai i hartës së re elektorale. Puna për këtë hartë kishte ngecur nga predominimi i interesave politike, ndërkohë që është një çështje teknike, madje matematikore, e përcaktoi zoti Priebe. Teknike e kishte konsideruar qysh në krye të herës këtë punë edhe Partia Demokratike, prandaj edhe ia kishte besuar grupit të ekspertëve të OSBE-së, duke deklaruar se do të pranonte çdo propozim të këtij grupi. Ndërkohë që Partia Socialiste hodhi poshtë jo një po disa propozime të këtyre ekspertëve. Atëherë ka vend të shtrohet pyetja se ata analistë që flasin për përgjegjësi të barabartë të mazhorancës dhe të opozitës për ngërçin e gjatë që pati reforma elektorale në këtë pikë, ngërç që u bë pengesë edhe për përparimin e negociatave për Marrëdhënien e Asocim-Stabilizimit, nuk i njohin faktet, nuk janë në gjendje t’i lexojnë ato, apo përpiqen me qëllim të manipulojnë opinionin publik shqiptar e ndërkombëtar?
Duke ditur se ata jetojnë në Tiranë, ngjan e pamundur që të jenë kaq të paditur mbi ç’ndodh rreth e rrotull. Po aq e pamundur ngjan edhe që ata të mos jenë në gjendje të lexojnë fakte kaq të thjeshta. Mbetet dashakeqësia si më e besueshmja. Një dashakeqësi që synon të dekredibilizojë opozitën në prag të zgjedhjeve të reja. Edhe një shqyrtim i sipërfaqshëm i këtyre praktikave mjafton për të zbuluar një pandershmëri të madhe jo më thjesht kundrejt opozitës, por kundrejt vetë Shqipërisë. <span style="font-weight: bold"> Dëmi më i vogël që rrezikon të sjellë një strategji e tillë është mbjellja e konfuzionit në opinionin tonë publik lidhur me detyrat e opozitës në sistemin shumëpartiak, duke ngadalësuar vetë pjekurinë dhe civilizimin e shoqërisë tonë. Ndërsa në marrëdhëniet ndërkombëtare shkakton atë që Sabri Godo e përcakton si lodhje e bezdi të të huajve me ne shqiptarët.</span>
Kuptohet jo kaq bukur po si ide bashke me disa antare ka kohe q1 mundohemi me i sqaru kto tentativa.Sepse Nanoiste te deklarum tashma kan mbete shume pak,nuk e di a asht ma shume se nji ne t'gjithe forumin apo jo.Pra jane kthy ne <<neutrale>> edhe i duhen Nanos per te nda pergjegjsine,me i fjale per te mbajt status quo-ne si thote edhe zoti Mustafaj.