Jamaha, o mua o Lorencon. Nëse jo, do iki te Dukati

Jamaha, o mua o Lorencon. Nëse jo, do iki te Dukati

Kampioni i botës në MotoGP, Valentino Rosi, ka lënë të kuptohet se do të largohet nga Jamaha, nëse këta të fundit nuk do të largojnë Horge Lorencon në 2011-ën. Italiani Rosi, i cili fitoi edhe titullin e nëntë botëror këtë sezon, ka zbuluar gjithashtu se mund të shkojë te skuadra e Dukatit. Nëse ky nuk është një ultimatum, pak i mungon. Por Valentino tashmë duket se i ka hapur letrat, nëse skuadra e tij në fund të sezonit nuk e prish kontratën me pilotin tjetër, Lorenco. Spanjolli kohët e fundit nënshkroi një marrëveshje me skuadrën japoneze, por Rosi mendon se nuk ka vend për dy konkurrentë në të njëjtin ekip. “Jamaha duhet të zgjedhë mes meje dhe Horges për 2011-ën”, rrëfeu dje Rosi në një prononcim për “BBC”. “Kam një mundësi të madhe për tiu bashkuar te Dukati”, vazhdoi më tej Rosi. Të dy protagonistët kanë zhvilluar duele të jashtëzakonshme gjatë këtij sezoni, ku 30-vjeçari Rosi mundi të fitonte titullin vetëm një garë para fundit, ndërsa rivali i tij më i ashpër ishte pikërisht shoku i bokseve, 22-vjeçari Lorenco. Duke parë intervistën e Rosit në “BBC”, Valentino la pas shumë dyshime. Por një gjë u tha qartë: Nëse Lorenco do të qëndrojë te Jamaha edhe në 2011-ën, atëherë ai do të largohet. Ndërkohë që Lorenco ka thënë se nuk është ndjerë gjithmonë i vlerësuar te Jamaha dhe bëri të ditur se kishte marrë disa oferta nga skuadrat e tjera përpara se të rinovonte kontratën e re. Tani Rosi, i cili ka nënshkruar një kontratë 2-vjeçare me Jamahan në gusht të vitit 2008, e bëri të qartë se ai mund të largohet nga skuadra në fund të sezonit të ardhshëm. “Nuk jam i sigurt 100% nëse do të qëndroj te Jamaha, nënvizoi Rosi. Varet se çfarë do të ndodhë sezonin e ardhshëm. Varet nga performanca ime, nga dueli me Horge Lorencon dhe nga vendimi i Jamahas për 2011-ën”. Më pas Rosi shpjegoi edhe mundësinë e largimit. “Unë mund të ndryshoj motor, të garoj për Dukatin dhe të përpiqem të fitoj titullin kampion bote me një skuadër italiane. Ky do të ishte një motivim i madh për mua”. pohon kampioni. Për momentin bëhet fjalë vetëm për një paralajmërim, sepse objektivi i vërtetë i Rosit është ai i mbylljes së karrierës së tij me skuadrën japonez: “Por në këto momente preferoj të qëndroj me Jamahan, për shkak të dashurisë mes nesh, të marrëdhënies sonë, e cila është diçka speciale. Ndërrimi i skuadrës do të ishte i pabesë dhe i dhimbshëm. Kështu që për Jamahën do të ishte e rëndësishme që unë ta përfundoj karrierën këtu dhe për mua një gjë e tillë është gjithashtu e rëndësishme”. Rosi për momentin po shijon fundin e sezonit, në të cilin u rikonfirmua kampion: “Në fund janë numrat dhe rezultatet ato që mbeten. Kam fituar gjashtë gara më shumë se të gjithë, kam triumfuar në gjashtë pole position më shumë se të gjithë, dhe e kam kaluar çatinë e 300 pikëve. Mendoj se jam ngjitur më shumë se të gjithë në pod, prandaj kam marrë me vete në shtëpi edhe një rezultat shumë të mirë, rrjedhimisht edhe titullin kampion. Në të ardhmen? Do të luftoj të rikonfirmohem, edhe pse e di që kundërshtarët do të jenë të fortë”.(Shqip)</p>
s-EMUMWRZDk

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=26209. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=26209
 
Top