Re: Jakov Xoxa
Jakov Xoxa ka nje fjalor aq te pasur shqip dhe nje zhdervjellsi ne perdorimin e tij qe mua me befason. Mjeshter! Plus nje njohje dhe dhembshuri te atille per njeriun, shqiptarin, qe eshte per tu admiruar. Me vjen keq qe nuk promovohe.
Nga "Lumi i vdekur"
"Vita ishte vajza më e madhe e shtëpisë së Shpiragajve. Si vajza më e rritur në mes atyre djemve në moshë, ajo ndjente një lloj drojtje, turpi, për ato shenjat e femrës që me ditë po i piqeshin e me orë po i shquheshin. Andaj nisi, një nga një, t'ia fshehë botës: në fillim, nën qepallat e gjata, si halë gruri, mbuloi sytë levarashë, pastaj zgjati fustanin nja dy gisht, për të fshehur kufíjtë e kofshëve dhe më vonë, kur pa se s'po ia dilte me të ndrydhur e me të shtypur të gjoksit që po shpërthente pa e pyetur atë, përktheu kurrizin përpara dhe mundi, një farë kohe, t'i bëjë ballë sulmit të moshës së bukur, po të paturpshme. Po a e dini? ... Vita sikur t'i kishte bërë të gjitha këto për të hequr më tepër sytë e botës: Qerpikët e ulur përgjysmë mbi gropëzat e syve, që lëshuan mbi mollëzat e faqeve një hije të lehtë, thelluan akoma më tepër gjallërinë e bebzave të saj të zjarrtë, pothua ashtu si thellon e nxinë nata grykën e pusit; teksa kurrizi, përkulur pakëz përpara e pajtuar aq mirë me sytë e ulur përgjysmë, i mësoi një të ecur të drojtur, që mori, me kohë, hijen e nazes."