Izraelitët do të rindërtojnë Korçën

Izraelitët do të rindërtojnë Korçën

Një studio izraelite dhe një firmë greke fitojnë të drejtën e hartimit të planit rregullues të qytetit të Korçës. Një ekip ekspertësh nga studioja izraelite e projektimit “Lerman Architects & Toën Planners” janë njohur dje me planin ekzistues dhe të dhënat mbi mundësitë e zhvillimit të një plani të ri rregullues, për ti dhënë një tjetër vizion qytetit juglindor. Ekipi i përbërë nga 16 ekspertë është njohur në detaje me sistemin e lagjeve dhe të zonave historike, karakteristikat e ndërtimeve, hapësirat e gjelbra dhe pronësitë. Pjesë e informacionit të servirur ka qenë dhe rrjeti rrugor dhe infrastruktura ekzistuese që nga ujësjellësit dhe kanalizimet, ndërtimet e vjetra dhe të reja, bulevardet dhe zonat ku mund të krijohen hapësira për këmbësorët, etj. Ekspertët kanë kërkuar konsultime dhe njohuri mbi zonën për të hartuar më tej një plan të ri rregullues, ku do të kombinohet tradita me modernen. Po synohet ndërthurja e trashëgimisë dhe zonave me lagje të vjetra, me krijimin e hapësirave për lagje të reja me ndërtime moderne. Sipas kryetarit të bashkisë, Niko Peleshi, Korça ka nevojë për një plan të ri rregullues që do ti japë zgjidhje një sërë problemesh, që nga transporti urban, raporti mes zonës historike dhe ndërtimit të lagjeve të reja e objekteve me karakter modern. Njëkohësisht, sipas kreut të bashkisë një rëndësi të veçantë merr modaliteti i shfrytëzimit të hapësirave të gjelbra, pasi plani ekzistues është i vjetër dhe daton nga vitet 80. Kreu i bashkisë bëri të ditur se: “Me një plan të ri rregullues mund të krijohen mundësitë për sistemin e lagjeve dhe kombinimin mes atyre karakteristike dhe moderne, ku nuk përjashtohet as mundësia e ndërtesave të larta që mund ti shtohen natyrës urbane dhe ti përshtaten kërkesave të kohës për një vizion të ri për qytetin”. Studioja izraelite, që ka fituar të drejtën e hartimit të planit rregullues, ka nisur tashmë konsultimet me ekspertët dhe verifikimet në terren, për të nisur më pas nga puna konkrete. Ndërkohë mësohet se veç izraelitëve për planin rregullues do të punojë dhe firma nënkontraktuese greke Thymjo Papayanis & Associates”.(Shqip)</p>
zR2B48enH8c

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25195. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25195
 
Top