Ismail Kadare për Enver Hoxhën !!!

GJENERALI

Primus registratum
Ismail Kadare për Enver Hoxhën !!!

Marre nga WWW.SHQIPERIAEBASHKUAR.COM

Të nderuar lexues,

Kjo pjesë kujtimesh nga I. Kadare është dërguar në adresë të Redaksisë sonë nga një lexues, të cilin për hir së vërtetës dhe korrektsisë e publikojmë të plotë. Pasi të jetë lexuar përshkrim i I.Kadaresë është fare normale të rezymohej; mbase njeriu mund të ketë "katërqind fytyra" ose duhet të jetë fare pa asnjë, sepse po i njejti njeri në ditët e sotme, herë në Paris e herë në Tiranë, nuk le gurë pa rrëzuar mbi të njejtin personalitet me emrin Enver Hoxha. (Shënim i Redaksisë).


Ismail Kadare për Enver Hoxhën


Në verën të vitit 1961, klima letrare në vendin tonë ishte sa e gjallë, aq edhe e komplikuar. Të angazhuar në luftën e madhe që bënte populli e Partia, për përballimin e bllokadës së re revizioniste që porsa kishte filluar forcat krijuese, ishin në një aktivitet të plotë. Ishte e natyrshme që në këto kushte kur kërkoheshin rrugë të reja zhvillimi për ta bërë letërsinë tonë edhe më shumë të lidhur me problemet e kohës, të kishte mjaft debate e polemika disa herë të mprehta.
Klima letrare u komplikua pikërisht nga disa keqkuptime që lindën gjatë debateve lidhur me traditën dhe novatorizmin në letërsinë shqipe të realizmit socialist. Polemika, e cila shpërtheu edhe në shtypin letrar, kishte rrezik të çonte drejt ndarjes artificiale të shkrimtarëve më të rinj e më të vjetër, gjë tepër e dëmshme, sidomos në kushtet ku po ndodhej vendi ynë kur më tepër se kurrë kërkohej forcimi i unitetit.
Në një atmosferë të tillë, në korrik të vitit 1961, në Tiranë u organizua një mbledhje e madhe e të gjitha forcave krijuese. Mbledhja do të ishte vendimtare për t’i dhënë një zgjidhje apo një zhvillim të mbarë debatit që po vlonte prej kohësh. Por mbledhja merrte një rëndësi edhe më të madhe, sepse në të asistonte shoku Enver Hoxha.
Mbledhja u bë në një nga sallat e Universitetit të Tiranës. Në një pjesë të materialeve të saj u pasqyruan ato keqkuptime e teprime që ishin shfaqur gjatë polemikës së deriatëhershme. Duhet thënë se për ne shkrimtarët e rinj, gjendja ishte jo pak e vështirë. Nga disa autoritete të kritikës e të letërsisë u bënë kritika, disa herë, të pamerituara ndaj nesh. Kishte rrezik të thellohej ndarja artificiale në "të rinj" e të "vjetër" dhe zhvillimi i letërsisë sonë të ngadalësohej prej koncepteve konservatore.
Shoku Enver, i cili asistoi në të gjitha seancat, dëgjonte me vëmendje diskutimin e secilit.
Në një nga pushimet, një shok që ishte në presidium, më tha:
-Përse nuk flet askush prej jush? Me sa kuptova unë nga biseda e tij në pushim, shoku Enver dëshiron t'ju dëgjojë edhe ju të rinjve.
Këto fjalë sikur më hoqën në çast njëfarë mpirjeje që më kishte zënë gjatë kësaj mbledhjeje. Nxora një letër dhe fillova të përgatitem me shpejtësi.
Në seancën e mbasdites kërkova fjalën. Isha i pari që po flisja nga "të rinjtë" dhe merret me mend që auditori priste me interes se si do t`u përgjigjeshim ne shumë kritikave që na u bënë. Në kohën që zura vend për të folur përpara mikrofonit, shoku Enver, i cili me siguri e kishte kuptuar tronditjen shpirtërore të shkrimtarëve të rinj në këtë mbledhje, më tha:
Ja, tani t'ju dëgjojmë edhe juve. Jeni të rinj, por jeni të pjekur. Këto fjalë të tij më dhjetëfishuan guximin dhe unë jo vetëm e lexova diskutimin me zë të vendosur, por aty për aty, i nxitur nga inkurajimi i shokut Enver, shtova disa fraza që nuk i kisha të shkruara.
Pas meje folën edhe të tjerë. Shoku Enver vazhdonte të dëgjonte me vëmendje çdo diskutim. Tani ai dhe gjithë mbledhja kishin dëgjuar të dy palët polemizuese. Duhet thënë se teprime e keqkuptime kishte nga të dy anët edhe nga ne "të rinjtë", por megjithatë nuk mund të thuhej se të dy palët kishin të drejtë ose të dy palët e kishin gabim. Dikush kishte në thelb më të drejtë e dikush kishte më tepër keqkuptime. Ishte pikërisht ky thelb që kapi në mënyrë të shkëlqyer shoku Enver në fjalëkalimin e tij, që pritej me padurim. Ai i bëri një zbërthim të thellë marksist leninist problemit, foli për raportin dialektik midis traditës dhe novatorizmit, shpjegoi se shkrimtarët e rinj s'ka si të kenë interesa të tjera nga ato të popullit e të Partisë, se ata janë të lidhur me vendin e me kohën dhe se ndarja në "të rinj" e "të vjetër" s'i shërben askujt.
Fjala e shokut Enver pati një efekt të jashtëzakonshëm më gjithë jetën letrare artistike. U shpërndanë menjëherë keqkuptimet që kishin lindur gjatë debatit, lanë mënjanë etiketat e kota që i kishin vënë njëri-tjetrit, u kuptuan se shumë probleme të ngritura në valën e polemikës ishin fiktive dhe se të gjithë shkrimtarët e rinj e të vjetër në moshë punonin për një qëllim.
E çliruar kështu në saje të ndërhyrjes së shokut Enver prej një tensioni të kotë e të dëmshëm, letërsia jonë njohu menjëherë një zhvillim të ri e të vrullshëm, në kundërshtim me profecitë e zymta të hrushovianëve që prisnin shkatërrimin e saj. Takimi i shokut Enver me shkrimtarët e artistët në korrik të vitit 1961, hyri kështu në historinë e letërsisë shqipe.
2. Në vitin 1963 punoja si gazetar në gazetën "Drita", kur revista "Nëntori" botoi poemën time "Përse mendohen këto male".
- Ishte paradite kur më kërkuan në telefonin e redaksisë.
- Jemi nga sekretaria e shokut Enver, - më tha një zë.
- Qëndroni te telefoni, shoku Enver dëshiron të flasë me ju.
U hutova kaq shumë, saqë nuk arrita t'u thosha shokëve, me të cilët punoja në një zyrë, asgjë. U bëra vetëm një shenjë me dorë të mbanin qetësi, ndërsa shtrëngoja fort pas veshit receptorin.
- Kadareja? - dëgjova zërin e shokut Enver, me timbrin e plotë karakteristik.
Nuk jam në gjendje të riprodhoj fjalët e sakta që më tha, sepse isha tepër i emocionuar për t'i fiksuar ato në kujtesë. Më uroi për poemën Përse mendohen këto male?, më tha se përse e kishte lexuar dhe se e kishte pëlqyer shumë. Më uroi sukses në punën e mëtejshme krijuese. Nga hutimi dhe emocioni, unë nuk arrita t'i them diçka, përveç fjalës faleminderit, që e përsërita shumë herë.
Kur shoku Enver mbylli telefonin dhe unë e vendosa receptorin në vend, shokët e redaksisë, të cilët e kishin ndërprerë ndërkaq bisedën ngaqë u kishte bërë përshtypje sjellja ime në telefon, më pyetën:
- Ç'pate kështu? S'të kemi parë ndonjëherë kaq të emocionuar.
Unë i thashë atëherë, se me cilin kisha folur në telefon dhe atëherë ata m'u grumbulluan përreth të emocionuar, për të marrë vesh çdo detaj të bisedës....
3. Më 24 mars 1971, unë, gruaja dhe vajza ime shkuam për një vizitë në shtëpinë e shokut Enver. Na pritën shoqja Nexhmije me vajzën, Pranverën...
Shoku Enver nuk ndodhej në shtëpi dhe ne nuk e dinim nëse do të kishim fat ta takonim apo jo.
Ishim duke biseduar gjallërisht, kur u hap një nga dyert e sallonit dhe në të i gjatë dhe i qeshur u duk shoku Enver. Meqenëse unë isha përballë derës, e pashë i pari kur hyri dhe u ngrita menjëherë në këmbë, duke i habitur për një grimë bashkëbiseduesit, të cilët me siguri kanë thënë me vete: Ç'pati ky?
- Pastaj të gjithë kthyen kokat andej nga kishte hyrë Enveri
- Të vij dhe unë? - tha ai duke qeshur, - s'besoj se ju prish muhabetin.
Megjithëse disa herë gjatë kohës që po bisedonim dhe sa herë që më dukej se dëgjoja zhurmën e ndonjë makine, përfytyroja sesi mund të vinte shoku Enver, asnjëherë nuk mund të përfytyroja një ardhje më të natyrshme, të gëzueshme e njerëzore.
Ai u ul midis nesh, duke krijuar aty për aty një atmosferë jashtëzakonisht të përzemërt. Ai pyeti me radhë për shëndetin, e mori në prehër vajzën tonë 6 vjeçe dhe i tha duke përdorur një fjalë të vjetër gjirokastrite:
Ngalasëm ti, të të ngalas edhe unë (përqafomë ti, të të përqafoj edhe unë).
Shoku Enver më pyeti se ç’kisha shkruar kohët e fundit dhe unë i thashë se kisha në shtyp një roman për Gjirokastrën, me titull Kronikë në gur.
Do ta lexoj me kënaqësi, - tha ai - Gjirokastra është pasionante dhe këtë e themi jo se jemi andej, - shtoi ai duke vështruar me një buzëqeshje ngacmuese të tjerët, - por se kështu është e vërtetë. Apo jo?
Kur shoku Enver më pyeti pastaj se me se po merresha aktualisht, unë iu përgjigja se po shkruja diçka për prishjen me sovjetikët !
Në të vërtetë kisha filluar punën për romanin, Dimri i madh, por në përgjigjen time, në vend të fjalës Roman thashë diçka dhe këtë e bëra pa menduar, si një mbrojtje instiktive, ngaqë ende s'isha i sigurtë nëse do ta përballoja temën e madhe së cilës i kisha hyrë.
Për fat, shokut Enver nuk i tërhoqi vëmendjen ky detaj. Sapo dëgjoi fjalët prishjen me sovjetikët, fytyra e tij u bë në çast serioze. Ai tundi kokën ngadalë si të thërriste një kujtim jo të këndshëm dhe ndërsa pinte kafenë, filloi të fliste me një ton të ndryshëm nga ai që kishte folur gjer ahere, të rëndë e të menduar. Ai foli shkurt për disa nga takimet e tij me "Hrushovianët", duke bërë krahasimin e tyre me takimin e parë me Stalinin. Pastaj tregoi një episod të vogël me Kosiginin në darkën e Kremlinit, në prag të mbledhjes dhe kalimthi diçka për vilën ku ishte rezidenca e delegacionit tonë dhe për vizitat e mysafirëve të natës, Nikojanit, Torezit etj.
Do të dëshiroja që ai të fliste me orë të tëra për këtë, por për fat të keq ëndrra ime për të dëgjuar sa më tepër hollësi nga ngjarja monumentale, personazh qendror i së cilës ishte si vetë, qe e shkurtër. Shoku Enver hapi një bisedë tjetër dhe unë s'pata guxim ta pyesja për Moskën.
Më vonë, gjatë procesit të punës për romanin, unë shfrytëzova gjerësisht arkivat, u njoha me dokumentet e Partisë, me procesverbalet e mbledhjes së Moskës, si dhe me dëshmitë e ndryshme të ndihmësve të delegacionit tonë. Megjithatë duhet ta them se ajo bisedë e rastësishme e shokut Enver, më dha shumë horizont dhe materie artistike për veprën, se gjithçka tjetër. Krejt atmosfera e pjesës së dytë të veprës, nën titullin Mysafirë në kështjellë, vizioni i përgjithshëm i saj, ngjyrat, tingujt, tragjizmi dhe pesha e saj e kanë zanafillën e tyre tek ajo bisedë e udhëheqësit. Në bisedën e shokut Enver kishte një kolorit të jashtëzakonshëm, me një frazë apo një nënvizim ai jepte rrezëllimin e llambadarëve të festës mbi darkën e Kremlinit apo hijet rembrandekse mbi fytyrën e Mikojanit, qetësinë monumentale të darkës me Stalinin apo komicitetin e figurës së Hrushovit. Dhe mbi të gjitha, biseda e tij sado e rastit t`ishte, ngërthente fuqishëm gjithë dimensionet e dramës.
Më vonë, kur puna për romanin po avanconte, disa shokë të mi shkrimtarë më sugjeruan të kërkoja mundësinë për një takim tjetër me shokun Enver, por unë nuk guxova ta bëj këtë: Kisha gjithmonë drojtjen se mos nuk e mbaja dot premtimin për të realizuar një vepër që të ishte e denjë për ngjarjen e madhe, por kisha dhe një arsye tjetër edhe më të rëndësishme. Unë kisha punuar në shtypin letrare dhe e dija se shoku Enver e kishte ndaluar të shkruhej për figurën e tij. Në qoftë se unë do të arrija të realizoja një takim me të për veprën që po shkruaja, ç'do të ndodhte sikur ai, gjatë bisedës, të merrte vesh se unë e kisha atë personazh qendror historik në romanin tim. Kisha shumë frikë se ashtu si në shumë raste të tjera me shkrimtarë të tjerë, ai do ta refuzonte një gjë të tillë dhe kjo do të ishte një katastrofë për romanin tim.
Po le të kthehemi te takimi me shokun Enver.
Pas bisedës për Moskën, ra fjala për pasuritë shpirtërore të popullit tonë dhe për lashtësinë e tij. Më pyeti nëse e kisha lexuar një libër të francezit Zaharia Menjani për etruskët dhe gjuhën shqipe, dhe kur unë i thashë se e kisha dëgjuar, por nuk e kisha lexuar, më tha se do të ma jepte.
Dërgoi dikë ta merrte, duke i thënë:
- E kam lënë sipër oxhakut.
Biseda u bë prapë e lirshme dhe e gëzueshme dhe meqë ishte fjala për njohjen e kulturës sonë në vendet e tjera,
unë përfitova nga rasti për t'i thënë se kishin ardhur dy kineastë francezë, që kërkonin të drejtën e xhirimit
të një filmi sipas romanit tim, Gjenerali i ushtrisë së vdekur. M'u kujtua kjo gjë rastësisht, por shkaku që i thashë, ishte se pikësisht n'atë ditë po shqyrtonim këtë problem dhe nuk e dinim si t'i jepnim zgjidhje.
Shoku Enver u mendua një hop.
- Dëgjoj - tha - Duam apo s'duam ne ata po të dëshirojmë, e bëjnë filmin. Prandaj le të përfitojmë aq sa mund të përfitohet prej tyre, në mënyrë që Shqipëria të dalë sa më pozitive në këtë film. Përndryshe në qoftë se s'pranojmë të merremi vesh me ta, ata kanë për ta bërë pas qejfit.
Kjo gjë ishte kaq e vërtetë, saqë flitej se amerikanët kishin ndërmend të bënin një film satirik, duke defiguruar krejtësisht romanin, një film ku, sipas tyre, shqiptarët e italianët, pasi kishin luftuar vite me radhë, njëzet vjet pas luftës po grindeshin për kockat e ushtarëve.
Ia thashë këtë shokut Enver dhe ai tundi kokën duke qeshur.
- Ç’mund të presësh prej tyre, - tha. Pastaj shtoi:
- Prandaj ti si autor duhet të jesh tolerant me këta kineastë që pranojnë të bisedojnë me ne. Të mos i bësh kërkesat siç do t'ia bëje Kinostudios sonë.
Kështu vetëm për 2 minuta, shoku Enver na zgjidhi një problem me të cilin kishim javë të tëra që po ngatërroheshin të gjithë, pa i dhënë rrugë.
Shoku Enver bëri prapë shaka me vajzën tonë të vogël. Pastaj bëmë disa fotografi. Ora po vente 8:30 dhe megjithëse kishim dëshirë të madhe të rrinim akoma, ne morëm leje të largoheshim. Para se t'iknim, shoku Enver më dhuroi mua dhe gruas sime nga një libër të tij me autograf.
Ai më dhuroi gjithashtu librin e Zaharia Menjanit "La fin du mistere e trusque".
Ishim në këmbë në çastin që do të ndaheshim, kur ai i tha të shoqes Nexhmije:
-Shko në bibliotekë dhe zgjidh diçka tjetër.
Shoqja Nexhmije u kthye pas pak me një komplet të Balzakut
-O -, e mbushe me Balzak ,-bëri shaka shoku Enver.Ishte shakaja e hollë e njeriut të informuar në mënyrën më të plotë për diskutimet që bëheshin kudo në botë lidhur me raportin midis letërsisë relasite të shekullit XIX dhe asja bashkëkohore,diskutime në të cilat Balzaku ishte në qëndër të kundërvënieve.
Duke e falenderuar për librat e dhuruar unë i thashë shokut Enver se pavarësisht se isha shkrimtar bashkëkohor e pëlqeja shumë Balzakun.
Po si do t'i ngrini gjithë këto libra? - tha shoku Enver kur po ndaheshin. Ai iu drejtua shoqes Nexhmije-Shiko për një maqinë për t’i çuar mysafirët gjer në shtëpi
Këto ishin çastet e fundit nga ky kujtim i paharrueshëm me shokun Enver.
 

Renea88

Primus registratum
Re: Ismail Kadare për Enver Hoxhën !!!

dulla ishte djalli i madh dhe kadareja ishte djalli i vogel....
 

zog

Primus registratum
Re: Ismail Kadare për Enver Hoxhën !!!

se kuptova une ket temen, ti deshe me i bo reklame asaj sites te kreu, kadarese, enverit, apo kujt ?

ja ta zeme se kadarese, po pastaj ?
 

tushi

Valoris scriptorum
Re: Ismail Kadare për Enver Hoxhën !!!

Gjenoja deshti me than qyre Kadare qa ka shkru per Enverin tash e shan :eek: Gjeno pse lodhesh e burre kurseji energjit e gjej i dashnore harroje xhaxhin veç nks t'pagun kush po prap edhe kshtu ke me ja pa sherrin a e sheh si je ba me fiksime :tipsy:
 

AnaBlue

Forumium maestatis
Re: Ismail Kadare për Enver Hoxhën !!!

Linder, ke hapur shume tema neper forum per enver hoxhen duke prishur strukturen e forumit. Ky nuk eshte nje forum enverist dhe nuk duhet te prishet balanci i temave te hapura. Nese do te shkruash per hoxhen, shko tek websites te tij.

Kjo teme mbyllet ketu. Nese do te vazhdosh shkrimin per te, vazhdo ne temat qe ke hapur me pare.
 
Top