Re: INTERESI PARESOR i politikes shqipetare
Per te ndihmaur sadopak votimin, po sjell ketu nje artikull nga
www.shekulli.com qe me duket i pershtatshem
Ju keshilloj te gjeni pak kohe e t'a lexoni
Shqipëri – Greqi, për një debat pa tabu
Genc Burimi
Mospërfillja e problemit çam nga parlamentarët është shoqëruar paralelisht këto ditë me një shpalosje të interesit e të solidaritetit të pjesës më të madhe të shqiptarëve ndaj të kaluarës së çamëve. Ky reagim ishte i pritshëm. Në çaste kyçe, shqiptarët e thjeshtë tregojnë më pjekuri në vlerësimin e situatave, sesa ata që janë zgjedhur të na përfaqësojnë në kuvendin e popullit. Janë momente ku nuk do të kishe vërtet aspak zili të ishe deputet dhe të mbaje qoftë për ato ditë që vazhdon «habia», nofkën e tradhtarit. Turpin për vete e paçin… Në një letër drejtuar kryeministrit Chamberlain që braktiste Poloninë në kthetrat e Hitlerit, Churchill i shkruante: “Ju kishit dy zgjidhje, ose luftën, ose poshtërimin. Ju zgjodhët poshtërimin dhe sigurisht do të keni dhe luftën». Thënie lapidare që duhet t’i kujtojë Fatos Nanos se dhe pa e firmosur rezolutën çame, mos të krijojë iluzione se çereku aktiv i kombit tonë me mërgim në Greqi, do të trajtohet më njerëzishëm. Konfrontimi diplomatik me Greqinë në mos gjatë mandatit të tij, patjetër më vonë, është i pashmangshëm për nga pesha e problemeve që qëndrojnë pezull me këtë vend. Mos të habitemi kur Greqia të bllokojë nesër hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian duke parashtruar, pse jo, kushtin që Tirana të pranojë karakterin konfederal të Shqipërisë, me grekë në jug e shqiptarë gjetiu. Me tërheqjen përpara problemit çam, “Kutia e Pandorës” së kapriçove më fantaziste greke, është hapur. Çamëria ishte barrikada e fundit, vaksina e fundit diplomatke e Shqipërisë, karshi arbitraritetit të fqinjit të saj jugor. Kjo që ndodhi javën e kaluar në parlamentin e Shqipërisë, qe një kapitullim përpara një forme terrorizmi të tipit kancelarik, i cili në thelb, nuk ndryshon në asgjë nga terrorizmi real nëse Greqia mendon se mund ta banalizojë kaq paskrupllsisht fatin e 500 mijë emigrantëve shqiptarë. Ç’lidhje kanë me një dosje të vjetër çame, këto jetë njerëzish të pafajshëm e punëtorë që me djersën e tyre vetëm sa begatojnë tokën e helenëve? Si është e mundur që një kërcënim i tillë kaq primitv të lejohet në Europën moderne? Ose grekët e kanë bërë vërtet këtë kërcënim dhe kjo meriton që Shqipëria ta denoncojë atë pranë Këshillit të Europës e instancave të tjera adekuate, ose Fatos Nano ka deliruar dhe kjo meriton që ai të japë dorëheqjen. Mediat në Shqipëri, shoqatat e të drejtave të njeriut, mbarë shoqëria civile nuk mund dhe nuk duhet ta lënë këtë dosje të mbyllet kaq lehtë. Dosja çame provokoi papritur një dosje bis. Athina jo vetëm që nuk është e predispozuar që të ndreqë padrejtësitë e kaluara ndaj çamëve, por na tregon sot se është e gatshme ta përsërisë dëbimin e çamëve, edhe me emigrantët shqiptarë të viteve ‘90. Dhe sa kohë do të vazhdojë kjo lojë perverse? Shumë shqiptarë e dinë përgjigjen. Vasalitetin e neutralizon forca ekonomike. Deri sa ta arrijmë këtë status, dy rrugë shfaqen para nesh: t’u përgjigjemi grekëve “dhëmb për dhëmb”, ose të durojmë, por me kusht që me durim të ndërtojmë fuqinë tonë. Këtë aks do të mundohemi të analizojmë në refleksionet në vazhdim.
***
Dalja jashtë tutelës greke, është dëshira e çdo shqiptari, duke përfshirë dhe ata në politikën shqiptare që ne i akuzojmë sot heshturazi ose me zë të lartë si të shitur te grekët. Cili është ai që nuk do të jetë "zot" në shtëpinë e tij? Por më shumë se ritheksimi i kësaj ndjenje populiste, ajo që nevojitet është reflektimi mbi rrugët më të paqshme për t'ia arritur këtij synimi. Përtej statusit si i vetmi vend ballkanik anëtar i BE-së, Greqia përfaqëson për ne, para së gjithash, fqinjin imediat e më të fuqishëm në krahasim me të tërë fqinjët e tjerë. Angazhimi i vendit në një duel shqiptaro-grek, si ai i Davidit me Goliatin, sigurisht do të përkëdhelte sedrat tona të përvëluara patriotike për një çikëz revansh historik, por epilogu nuk do të ishte aq optimist sa në legjendën çifute. Greqia dominon sot Shqipërinë si në rrafshin e politikës e të ekonomisë sonë të brendshme, ashtu dhe në marrëdhëniet tona të jashtme. Në një pamje të përgjithshme është krjuar një marrëdhënie vasaliteti e tipit "soft". Kjo tendencë filloi të theksohet që nga 1997-ta e këndej, pra që me ardhjen e socialistëve në pushtet në Shqipëri. Grekofilia e një ish-ministri tonë të jashtëm, figurimi i ambasadorit të Greqisë në listën e këshilltarëve të një ish-kryeministri tonë, fundjavat pa mbarim në Greqi të kryeministrit aktual, ndërmjetësia e grekëve për pajtim gjakrash në lojën politike të krahut të majtë shqiptar, janë vetëm maja e ajsbergut të asaj që shohim nga lidhjet e dyshimta midis Tiranës dhe Athinës. Sado ta ngremë zërin, kjo nuk do të ndryshojë asgjë, pasi nuk e dimë nëse disa politikanë kanë ngrënë dikur një "lugë çorbë të prishur" që i mban ata peng të grekëve. Në atë pikë sa t’i kërkosh sot politikës shqiptare të ngrihet haptazi ndaj provokacioneve të disa qarqeve të caktuara greke, është po aq e pamundur sikur t'i thoje Toni Blerit të distancohej nga SHBA-të. Grekët e ushtrojnë fuqinë e tyre dëmtuese ndaj nesh në tre rrafshe: atë të emigratëve shqiptarë, të Bashkimit Europian dhe të lobit grek. Më shumë se 500 mijë shqiptarë punojnë sot në Greqi dhe të gjithë e dimë se Greqia përfiton nga ata në mos më shumë, të paktën sa vetë Shqipëria. Këta emigrantë i sjellin Greqisë një plus jetik që i mungon asaj sot në fuqi punëtore. Ky krah pune është i nevojshëm jo vetëm për punët më të rëndomta, por sidomos për të mbajtur në këmbë një sistem pensionesh në Greqi i destinuar të falimentojë pas dy –tre dekadash nëse nuk ndryshon raporti demografik aktual. Më 2040 llogaritet se Greqia duhet të shpenzojë një të katërtën e prodhimit të saj të brendshëm bruto për pagesat e pensioneve, shifër kjo më e larta në Europë. Nga ku, do të mund të dilte ky financim veçse nga krahu i huaj i punës që ushqehet në një mase të madhe nga emigracioni shqiptar? Ky emigracion i kushton gjithshtu më lirë patronatit grek. Fitimet e kryera në kurriz të emigrantëve investohen gjetiu në ekonominë greke ku punësohen emigrantë të tjerë shqiptarë, e kështu ndërtohet cikli i një shfrytëzimi pa pushim. Në Shqipëri, anasjelltas, në kontekstin e dështimit të politikave të punësimit, imigrimi drejt Greqisë përbën një valvul oksigjeni për ekonominë vendase. Familjet tona jetojnë më shumë me të ardhurat nga imigracioni sesa nga rrogat dhe pensionet në vend. Debati pra, kush fiton e kush humb midis Shqipërisë dhe Greqisë në dosjen e imigrantëve është i pazgjidhshëm, domethënë i kotë. Një gjë është e sigurt, ky emigracion përben një "peng", me të cilin Greqia ka të gjitha liritë legale të luajë si t'ia dojë qejfi. Atribuimi i një vize dhe më pas i një leje qendrimi, është e drejta sovrane e çdo shteti. Dhe me këtë të drejtë grekët luajnë vazhdimisht, turpshëm, por efikasisht. Operacioni fshesa është ende një kujtim i hidhur. Për aq kohë sa pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë në Greqi nuk do të kenë fituar dy nënshtetësitë, ata do të jenë fatkeqësisht të ekspozuar ndaj raprezaljeve greke, të provokuara nga mosmarrëveshjet me Tiranën. Terapia e vetme mbetet sigurisht modifikimi i konjunkturave ekonomike në Shqipëri që do të bënin të mundur rithithjen e kësaj fuqie punëtore dhe sheshimin e çdo lloj shantazhi që Greqia na ushtron në këtë fushë. Përtej dosjes së emigrantëve, në kuadrin e Bashkimit Europian, Greqia ka një pushtet edhe më të «të dëmshëm» ndaj nesh. Ende nuk është kryer reforma e BE-së për kalimin nga vota me unanimitet në votën me mazhorancë. Kjo do të thotë se nëse Greqisë nuk i "pëlqen" Shqipëria si anëtare e BE-së, ajo vë veton e saj. Greqia e luajti këtë armë në rastin e bllokimit të emrit të Maqedonisë. Aq e "bezdisur" u bë Greqia në atë kohë, sa aty europianët kuptuan gafën e madhe që kishin bërë më 1957. Në tekstet themeluese të Komunitetit Europian nuk ishte parashikuar përjashtmi i një vendi anëtar kur politika e tij bëhet e dëmshme për mbarë grupimin. Greqia di të përfitojë nga ky boshllëk institucional i BE-së, ashtu siç përfitoi dhe Austria kur solli Partinë e Hajderit në pushtet. Pra duam apo s'duam ne, fuqia punëprishëse e Greqisë ndaj nesh është reale. Për më tepër që nuk duhet harruar se në BE, «patronazhi» ndaj një vendi jashtëkomunitar bëhet shpesh mbi baza vullneti të lirë. Në rastin, për shembull, të trajtimit të problemeve të trafiqeve në Shqipëri, dy duar ngrihen në institucionet europiane, ato të Italisë dhe Greqisë. Domethënë se Greqia është në një farë mënyre tutore e Shqipërisë, e autorizuar nga vetë BE-ja.
Së treti, lobi grek në SHBA. Fuqinë e tij e kemi parë në rekomandimet e ambasadorit amerikan në Tiranë për Nikolla Geixh, apo në përmbajtjen e raporteve të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me trajtimin e minoriteteve në Shqipëri. Pra ngado ta kthesh kokën, ne jemi të mbërthyer në "darën" greke. Kjo nuk është e turpshme, këto janë realitete historike që dhe vende më të fuqishme se ne i kanë pësuar apo vazhdojnë t'i pësojnë. I tillë është rasti në çiftin e zhurmshëm SHBA-Meksikë ku kjo e fundit kërkon të gjejë më hapësirë veprimi, megjithë milionat e meksikanëve që punojnë në SHBA; i tillë qe rasti në privimin e Gjermanisë për disa vite pas Luftës së Dytë Botërore nga kompetenca e politikës së jashtme, një boshllëk që është përpjekur ta «mbushë» Franca; i tillë qe rasti për Austrinë dhe Finlandën që po ashtu nuk patën politikë të jashtme të mirëfilltë gjatë Luftës së Ftohtë, për shkak të pengesave që u krijonte ish-Bashkimi sovjetik.
Çfarë mund të bëhet në këtë rast?
Refleksi kryesor në diplomaci është krijimi i një marrëdhënieje me reciprocitet të detyrueshëm, njëherazi i tipit negativ, “na dëmton por edhe të dëmtojmë”, dhe i tipit pozitiv, “na shërben, sepse i shërbejmë”. Në rastin e parë, ne vetëm një xhoker kemi në dorë karshi Greqisë. Problemin çam. Këtë xhoker e “dogjëm” në shkëmbim të mosrealizimit të një kërcënimi grek në lidhje me dëbimin e emigrantëve tanë. Ndërkohë që këtë xhoker mund ta kishim përdorur, në rastin më maksimal sigurisht për të rivendosur të drejtat legjitime të çamëve, e në rastin më minimal, për ta detyruar Greqinë të abrogojë me ligj, ‘ligjin e luftës’ me Shqipërinë, apo për të negociuar një përmirësim të situatës së emigratëve tanë në Greqi. Por opsioni më optimal për zgjidhjen e të gjitha këtyre problemeve të mbetura pezull, mbetet sigurisht zhvllimi ekonomik. Kjo qe rruga që zgjodhi për shembull Gjermania. Ky vend harroi për një kohë të gjatë çdo ambicie tjetër përtej sfidës së rimëkëmbjes dhe forcimit ekonomik. Në atë pikë sa Gjermania krijoi atë kontrast në imazh që i vleu epitetin në Europë të një kolosi ekonomik e të një xhuxhi politik. Në fushën ekonomike, Shqipëria ka mundësi të bëjë shumë më tepër se Greqia, falë një potenciali demografik më ekspansiv dhe resurseve natyrore më të bollshme. Por një rreth vicioz e pengon këtë avantazh të shprehet. Si mund ta zhvillojmë ekonominë kur politanët tanë vendimmarrës janë nën hyqmin e Greqisë, e cila vetë nuk ka sesi të dëshirojë një konkurrencë shqiptare në ekonominë ballkanike?! Këtu një rol të planit të parë duhet të luajë opozita. Është ajo që duhet të avancojë alternativa ekonomike të besueshme dhe efikase të cilat mazhoranca e futur në kurth nga qarqe greke nuk mund t’i formulojë. Fjalën e kemi sigurisht për një program ekonomik që do ta vinte theksin tek hovi i prodhimit në Shqipëri, i vetmi motor që do t’i jepte më pas dhe një hov turizmit. Vështirë të besosh se një program i tillë do të gjente një miratim nga fqinji jugor. Dhe e vërteta është se këshillat e mira të Ambasadorit grek në Tiranë, rrallëherë orientohen kah zhvillimi ekonomik i Shqipërisë. Opozita duhet të ushtrojë presion pranë bashkëbiseduesve të Shqipërisë në BE, që zhvillimi ekonomik i Shqipërisë nëpërmjet përqasjes së fillimit të prodhimit, të figurojë në fletoren e detyrave të shtëpisë që na imponon në këtë moment BE-ja. Grekët do të jenë të detyruar ta miratojnë. Mirëpo vërehet se, influencë e Athinës apo jo, theksin BE-ja në Shqipëri e vë tek lufta kundra kriminalitetit. Në planin ekonomik, programi tepër “ambicioz” i BE-së për ne reduktohet në marrëveshje të tregtisë së lirë. Kjo rrugë po na çon në dështim të gjithanshëm, ku episodi çam përbën një shuplakë më shumë. Sido që t’i rrotullojmë gjërat, gjendemi gjithmonë përballë një hendeku ekonomik që sekreton vetëm shantazhe. Çdo debat tjetër është humbje kohe. Por kjo s’do të thotë që në programet që do të na paraqesin neve këtë vit paraelektoral partitë e opozitës në Shqipëri, mos të figurojë problemi çam. Përndryshe çamëve u mbetet vetëm mundësia të kriojnë partinë e tyre e të përfitojnë nga kjo valë simpatie që kauza e tyre ka ngjallur në opinion. Kush e di, mbase nga një parti politike e vogël mund të dalë dhe një program ekonomik i madh. Ah moj Shqipëri…!!!
12/04/2004
KATEGORIA: Analiza
www.shekulli.com
(Shekulli i ben te palexueshem artikujt pas nje jave)