Integrieti dhe media!

Integrieti dhe media!

Integriteti dhe Media

Mimoza Dervishi

Kur shikon "Fiks Fare" dhe montazhet me fjalimet kriminale që Berisha dhe Nano i kanë adresuar njëri-tjetrit, tronditesh edhe njëherë si atëherë, pastaj skuqesh dhe kërkon të fshehësh kokën diku, pastaj kujtohesh që nuk i ke bërë ti këto turpe dhe mundohesh të qetësosh veten. Por, befas kupton se je pjesë e së tërës dhe mundohesh të kujtohesh ç‘ke thënë dhe ti një vit, dy vjet a dhjetë vjet më parë, sa herë e ke gëlltitur mbrapsht atë që ke thënë, a ke njolla të tilla në biografi, mosqëndrueshmërie deri në pacipëri, a ke rol në riciklimin e pamoralshëm të dy keqbërësve më të mëdhenj që ka njohur Shqipëria pas Enver Hoxhës. Ku qëndron integriteti yt përballë atyre të politikanëve? A ka të drejtë Fatos Lubonja kur thotë se, duke kritikuar takimin rishtar mes të "mëdhenjve", nuk bëjmë gjë tjetër, veçse duam të distancohemi nga ata, të themi që ne nuk jemi si ata, por në fakt jemi të gjithë njësoj. Dhe ky është thelbi në fakt: A është kthyer shoqëria shqiptare sot, me në krye binomin media-politikë, në një shoqëri pa integritet, pa karakter dhe pa moral. Ku imoraliteti na shitet si parim, ku anormalja na shitet si progres, ku fjala që përdori Mustafa Nano "e ndyrë" është madje më e pakta që mund të thuhet...

Nëse gazetat do ishin me zë, "Fiks"-i sot do bënte çudira të tjera montimi dhe do i bënte të ulnin kokat e mos i nxirrnin më (në u ka mbetur ndonjë pikë gjaku në deje), të gjithë asaj kaste analistësh, opinionistësh që Fatos Nano do t‘i quante sot me përkëdhelinë e tij hipokrite, jo nxitës konfliktesh, por europeistë. Të gjithë atyre që jo më larg se dy vjet më parë, nuk lanë gjë pa thënë e nxjerrë nga pena e tyre për Fatos Nanon, dhe sot pas gati dy vjetësh po na e kthejnë përsëri si hero, ose po mbajnë një qëndrim po kaq të shpifur, që e quajnë të balancuar. Nuk është kthyer Nano, por kanë ndërruar mendim një pjesë e atyre që e shanë dje me në krye Berishën, kanë ndërruar mendimin që s‘e patën kurrë, kanë shkelur mbi personalitetin që ndoshta s‘e patën kurrë, dhe mbi karakterin e tyre që u deformua rrugës, bashkë me atë të Berishës e Nanos. Dhe po përpiqen ta trajtojnë si parimore të keqen që ka gllabëruar vendin, imoralitetin.

Dhe historia fillon disa herë e nuk mbyllet asnjëherë. Fillon gjithmonë në prag të ndërrimit të pushteteve, kur pikërisht kjo shpurë mediatike, njëherë përzuri Berishën, pastaj Nanon, pastaj ktheu Berishën dhe tani sërish Fatos Nanon. S‘ka asgjë të keqe të ndërrosh mendim, të jesh koherent, por kur ke një bazë të arsyeshme dhe një motiv për të ndërruar mendim, kur sheh se kanë ndërruar vërtetë personazhet politike që t‘i përshkruan dhe ke për detyrë të kritikosh. Dy vjet më parë, ata iu sulën Fatos Nanos dhe nuk i lanë gjë pa thënë për gjithë bëmat e tij, jo ato që i përmendi Berisha vend e pa vend, por ato që shiheshin sheshit, kryesisht degjenerimin që i bëri shtetit shqiptar dhe njollën që i vuri Shqipërisë në të gjitha indekset e botës, për korrupsion, varfëri e trafik njerëzish dhe droge. Pikërisht në momente të tilla, këta opinionbërës nuk u lodhën aspak të gjenin kush do t‘i vihej përballë qenies së deformuar Fatos Nano, por shkuan shpejt e shpejt te Berisha. Ky është gabimi i parë fatal. Ai na u paraqit tërësisht i ndryshuar, njëlloj sikur të kishte bërë transfuzion gjaku e truri. Kanë kaluar veçse një vit e ca muaj errësirë dhe u vërtetua e kundërta. Jo vetëm nuk ka ndryshuar, por është po aq despotik dhe i paaftë sa në fillimet e karrierës së tij. Dhe për këtë nuk ka nevojë të rreshtojmë presionin që ai bën me pushtetin e tij, tentativat për t‘u hequr lirinë institucioneve të pavarura, tentativat për të vjedhur votat sërish, persekucionin që i bën opozitës, por mbi të gjitha të tijve. Mjafton të themi që askush nuk pipëtin në PD, sepse e di mirë fundin. E megjithatë, ai nuk do ishte kthyer pa ndihmën e medias, e cila është inferiore dhe e trembur në radhë të parë nga mbipushteti i kësaj qenieje. Siç është inferiore nga mbipushteti i moderuar që i vesh vetes Fatos Nano.

Bash në momentin kur ishte koha t‘i jepnin lamtumirën edhe Nanos, ngritën nga "varri" pikërisht personazhin, që diku aty rrotull ‘96-‘97 i kishin treguar vendin e merituar dhe i kishin dhënë dërrmën edhe mediatikisht. Që Berisha dhe Nano duan të kthehen dhe rikthehen, kjo ka të bëjë jo vetëm me moralin e tyre, por dhe me një të drejtë të tyre, do thoshte gjithkush. Ashtu sikur me të drejtën e një keqbërësi, që e ka në gen të bëjë të njëjtën gjë, nëse do lihej jashtë qelisë. Por është shoqëria ajo që duhet të japë verdiktin, ashtu sikur duhet të ishte media gjykata e parë e politikanëve. Nuk ka nevojë të themi që kemi një politikë imorale, por a është dhe Gjykatë-Media po e tillë? Nuk mund të ketë ricover-rime për njerëz të tillë, që shkatërruan atë vend dhe nga të cilët asgjë e mirë nuk ka ardhur. E në krye të kësaj shoqërie që duhet të dënojë dhe mos lejojë riciklime të turpshme, janë edhe një pjesë e opinionbërësve, gazetarëve, ata që pretendohet të mbajnë mbi supe orientimin e shoqërisë. Të cilët sollën fillimisht Berishën dhe tani, pa u mbushur as dy vjet nga lamtumira "fisnike" e Fatos Nanos, po e sjellin sërish si shpëtimin e kombit dhe po na mallëngjejnë, duke na treguar sa begati kishte vendi, kur ata përqafoheshin. Nano dhe Berisha mund të duan të rrinë në postet e larta të shtetit edhe për 50 vjet të tjera, por ç‘duam ne shqiptarët. A janë këto dy figura më të votuarat prej vërteti, apo populli shqiptar nuk ka pasur kë të votojë tjetër, se në fund të fundit këto u ka servirur media, e cila po tregon se është e para që nuk duron dot zërat e rinj në politikë. Ajo duhet të ishte matësja e integritetit të politikës. Ashtu sikur "Fiks Fare" po mat dhe njëherë integritetin e Nanos dhe Berishës sot. Po integritetin e medias kush e mat? Me siguri lexuesi, është përgjigjja e shpejtë. Po sa fuqi ka lexuesi dhe shikuesi përveç se të shtyjë gazetat me mllef e t‘i hedhë në kosh ato. Shoqëria shqiptare është në ngërçin më të madh të jetës së saj, në pikun më të pamoraltë që nga fillimi i demokracisë, kur gjërat ishin rrëmujë, kur kishte vërtet nevojë për orientime, kur shkruhej e thuhej midis inoçencës dhe mospërvojës, por me intuitën dhe dëshirën për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Kjo ëndërr u harrua dhe dukemi të dorëzuar para imoralitetit politik shqiptar dhe jo vetëm kaq, një pjesë e medias sot ka përvetësuar këtë imoralitet dhe është bërë njësh me të. Nuk është nostalgjia e popullit për Nanon dhe Berishën, por e medias. Tani Nano na quhet shpëtim i politikës, një frymëzor i ri, një talent i pazbuluar më parë, gati dhe një yll në rritje. Dhe në Shqipëri mjaftokan vetëm dy vjet pushime, për t‘u kthyer si fitimtar. Çfarë bëri Fatos Nano në këto dy vjet, cili është kontributi i tij dhe çfarë na tregoi dhe na bindi se paska ndryshuar edhe ai tashmë? Pse nuk na shpalosi këtë frymë të re europeiste në 16 vitet e shkuara? Apo befas i ra në kokë dielli i brigjeve të botës dhe u bë më i zgjuar e më i përgjegjshëm se kur na la... Ai ka pafytyrësinë të na tregojë se do bëjë një katarsis të ri. Por, si mund të besojë një analist fillimisht e më tej gjithë shoqëria që dëgjon, se ai do bëjë katarsis tjetër? Ku është pyetja normale: Çfarë ndodhi me katarsisin tënd të parë zoti Nano? Akuzuat si hajdutë njerëzit që kishit afër dhe më pas i bëtë ministra... Ky është katarsisi që kemi përsëri nevojë? Kjo është e reja që të gjithë po mbajnë frymën derisa të ndodhë sërish?

Na tundet para syve nga ata që kritikuan Nanon dy vjet më parë, dorëheqja e tij moderne, dhe tani që Nano kthehet na kujton Cvajgun paturpësisht. Një dorëheqje false krijon një precedent edhe më të rrezikshëm se një mosdorëheqje e ndershme. Çfarë e justifikon kthimin e tij? Apo thjesht mosha e të zgjedhurit të kryeministrave në Japoni. Si mund të krahasohemi me vende dhe njerëz që kanë shpikur integritetin, që për arsye morali e dinjitetit shkojnë dhe në vetëvrasje. Për të mos përmendur se ç‘bëjnë me pushtetin e tyre politik japonezët dhe në cilën mirëqenie e kanë çuar vendin e tyre krenar. Nga ana tjetër, ku është detyrimi dhe përgjegjësia e opinionbërësve ndaj shqiptarëve? Eshtë normale të pasqyrosh lëvizjet e Nanos dhe Berishës (megjithëse duhen injoruar), por nuk është fare e moralshme të tregosh se shpëtimi do vijë po nga këta, që për 16 vjet e lanë Shqipërinë në mesjetë. Media ka vështirësinë dhe komoditetin të kritikojë politikën, por kush do gjykojë median, e cila tani po shkon njësh me imoralitetin politik. Nëse 5 analistë të kamur të Tiranës nuk kanë nevojë për drita se kanë gjeneratorë, bëjnë pushimet jashtë njësoj si Fatos Nano, kjo nuk është Shqipëria dhe ata nuk përfaqësojnë më zërin qytetar. Nëse pirja e kafeve me Nanon dhe Berishën i bën ata të ndryshojnë mendim përballë njërit e tjetrit, nuk është morale t‘ua servirin miqësitë dhe kulisat e tyre popullit si parimore. Një gazetar, nëse ndjehet i vetmuar, le të marrë një qen për shok e të bëjë xhiro nga liqeni, po mos ia sjellë zorrët në fyt këtij populli, duke i treguar se të "mëdhenjtë" do bëhen sërish bashkë për të mirën e kombit. Cila është e mira? Foshnjat që vdesin nga i ftohti, bizneset që vdesin nga mungesa e energjisë, ata që kanë një pension 50 mijë lekë në muaj dhe hanë veten me dhëmbë, listat e borxheve nëpër të gjitha dyqanet ushqimore të Shqipërisë, papunësia që detyron shqiptarët të marrin detin apo malet e Greqisë? Politika ndryshon balancat dhe aleancat dhe, në varësi të tyre, ndryshojnë dhe qëndrimet. Por a është normale të ndryshojnë balancat e medias dhe pse duhet të ndryshojnë ato? Vetëm një arsye dhe shpjegim ka: Janë aq të lidhura me njëra- tjetrën sa nuk dallohet më, ku fillon media e ku mbaron politika. Dhe kjo është katastrofa e vërtetë shoqërisë shqiptare sot.
 

MLK

Primus registratum
Re: Integrieti dhe media!

Do te doja ti jepja nje dhjete me yll kesaj vajzes qe ka shkruar kete artikull per kurajon qe ka treguar, per meriten qe ka ne rikujtimin e kthimin ne memorjen e njerezve se cilet jane me te vertete keta dy personazhe qe sot kane privilegjin te zene prape nje hapsire kaq te madhe neper media, si dhe kurajon qe kritikon profesionin te cilit i perket.
Bravo qe eshte distancuar nga pjesa e kalbur e shoqerise dhe sjell shembullin konkret se njeriu ka dhe menyra te tjera egzistimi.
 

99999

Primus registratum
Re: Integrieti dhe media!

Kjo eshte nje gazetare bythe, asgje me teper. Mos u merni me emra te ndryshem por shikoni punen qe ata bejne. E ç'po na duhet ne mosha e Berishes apo dikujt tjeter, ne na duhet puna e tyre, idete e tyre.
Nanua e dha doreheqjen sepse atij i hodhen fajin per humbjen e zgjedhjeve me 3 korrik. Por tani qe PS-ja ka ngele pa kryetar (per shkak se Edvin Rames i mori koka ere dhe deshi ti prishe pune gjithe Shqiperise), Fatos Nano ka te drejte te rikthehet. Ai eshte hajdut, pa moral, i korruptuar, por ama kete radhe e nxori Shqiperine nga kriza. Pozites dhe opozites i duhen gjithmone mirekuptime te tilla siç ndodh ne ç'do vend te qyteteruar dhe jo lufte si ne Afrike.
Ndersa pjese e qelbur e shoqerise shqiptare sot eshte ajo pjese qe nuk mbeshtet reformat, luften kunder mafies dhe korrupsionit te ndermarre nga qeverria demokratike me ne krye Dr Sali Berishen.
 

MLK

Primus registratum
Re: Integrieti dhe media!

Se pari nuk po shof ku punon e per ke punon gazetarja qe kashkruar artikullin po shof lexoj ate qe eshte shkruar e me duket i mbushur me plot sens, guxim e kurajo.
Ne ate shkrim na kujton te gjitha ato qe kane ndodhur e te gjithe kemi qene deshmitare. Nese ti je mesuar te lexosh ça shkruan Astrit Patozi, ky eshte problemi yt /pf/images/graemlins/wink.gif

Per sa i perket reformave qe ti ben aluzion, do te ishte interesante te dime per cilat e ke fjalen konkretisht, se deri tani une nuk kame konstatuar asnje reforme !!
 
Top