Re: Rrëqebulli
Rrëqebulli i Ballkanit
Mace e madhe me mundësi të vogla
Qendra e Komunikimit Elektronik
http://www.qke-al.info/modules.php?name=News&file=article&sid=136
Pyjet e Shqipërisë, edhe pse të shkatërruara dhe të masakruara ndër vite fshehin ende thesare të pazbuluara që mund të mahnitin këdo. Një ndër to është dhe rrëqebulli, një kafshë mistike që i ka shpëtuar vëmendjes së njerëzve për shumë kohë. Pak kush ka dëgjuar të flitet për rrëqebullin. Janë edhe më të rrallë ata që mund të krenohen se kanë parë një të tillë. Ai endet madhështor nëpër pyjet e maleve të larta të Shqipërisë i rrethuar nga mistere dhe legjenda.
Rrëqebulli, i njohur në gjuhën shkencore si Lynx lynx, është mishngrënësi i tretë për nga madhësia në Evropë, pas ariut dhe ujkut. Bën pjesë në familjen e maceve (Felidae) dhe ka përhapje në Euroazi, nga Alpet e Evropës deri në Siberinë Lindore. Në Shqipëri haset kryesisht në zonat malore veriore dhe qendrore si në Alpe, Pukë, Lurë, Martanesh e Librazhd.
Parapëlqen pyjet e larta dhe pak të shkelura nga njerëzit. Ka pamje mjaft karakteristike, me trup të mbledhur dhe këmbë të gjata e me shputa të gjera. Ka kokë të rrumbullakët, veshë të mëdhenj me një xhufkë tipike qimesh në majë, bisht të shkurtër dhe me majë të zezë. Gëzofin e ka ngjyrë kafe në të kuqërremtë, që vjen duke u zbardhur në pjesët e poshtme të barkut dhe është i mbuluar me pulla të errëta.
Është i gjatë 80-130 cm, i lartë rreth 65 cm dhe peshon 12-35 kilogramë. Ushqehet kryesisht me thundrakë, si kaprolli dhe dhia e egër, por në dietën e tij nuk mungojnë dhe lepuri i egër, dhelpra dhe shpendë të ndryshëm të pyllit. Është kafshë tipike vetmitare dhe takohet me rrëqebuj të tjerë vetëm në sezonin e çiftimit. Zë territore të mëdha (deri 2000 km2) dhe është aktiv kryesisht natën. Brenda një nate mund të përshkojë deri 45 km. Rrëqebulli jeton deri 17 vjet.
Vlerësimet paraprake për popullatën autoktone të rrëqebullit në Ballkanin jugperëndimor tregojnë se është popullata e rrëqebullit më e rrezikuar në të gjithë Botën. Situata bëhet edhe më alarmante po të mendohet se rrëqebulli i Ballkanit konsiderohet si subspecie më vete, Lynx lynx martinoi. Gjendja e tij nuk njihet mirë, por numri i gjithë popullatës mendohet të jetë nën 100 individë e përqendruar kryesisht në Shqipëri dhe Maqedoni.
Nga të dhënat e deritanishme, mendohet se në Shqipëri jetojnë 20-25 individë rrëqebujsh. Nevoja për masa mbrojtëse është urgjente dhe pikërisht për këtë, kohët e fundit ka filluar një projekt shumëpalësh për mbrojtjen dhe rikuperimin e popullatës së rrëqebullit të Ballkanit. Në këtë nismë marrin pjesë organizata ndërkombëtare si Grupi Specialist i Maceve të Egra të Botës (IUCN SSC/Cat Specialist Group), Organizata Zvicerane për Menaxhimin e Mishngrënësve të Mëdhenj (KORA), Fondi Evropian për Trashëgiminë Natyrore (Euronatur) dhe Instituti Norvegjez për Kërkimet Mjedisore (NINA).
Në nivelin rajonal, implementuese të projektit do të jenë Shoqata për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe Shoqata Ekologjike Maqedonase (MES). Projekti shumëpalësh i njohur si “Programi për Rikuperimin e Rrëqebullit të Ballkanit” në fazën e parë ka si synim të ndalojë rënien e mëtejshme të popullatës së rrëqebullit nëpërmjet studimit dhe monitorimit të species, sensibilizimit publik, forcimit të kuadrit ligjor dhe shpalljen e zonave te mbrojtura.
Në një periudhë më afatgjatë pritet të konkretizohet një Plan Veprimi për specien dhe të konsolidohet një Qendër Monitorimi Kombëtare për Mishngrënësit e Mëdhenj në bazë të eksperiencës së vendeve partnere në projekt.
Fauna shqiptare ndodhet në një situatë mjaft kritike dhe rrëqebulli është përfaqësuesi më i denjë i kësaj situate. I gjendur në prag të zhdukjes ai kërkon ndihmën tonë. Shpëtimi i rrëqebullit në veçanti dhe ruajtja e faunës shqiptare në tërësi është detyrë e të gjithëve në mënyrë që tu trashëgojmë brezave një natyrë të pasur dhe kulturën për ta ruajtur atë.