Universal
AnonymouS

Njohja ime me Myqerem Janinën është e hershme, i takon viteve të 60-ta të shekullit të kaluar, kur unë isha sekretar i Kolegjiumit të gazetës “Drita”. Po punoja në zyrë si zakonisht, kur një ditë troket lehtazi dera dhe hyri një burrë i panjohur.
Nasho Jorgaqi.
I gjatë e trupdrejtë, veshur me një kostum gri dopiopetë, me një pamje intelektuali disi të kapërcyer, plot sqimë e delikatesë, ai më zgjati dorën duke hequr kapelën republikë me një elegancë që mua më tërhoqi menjëherë vëmendjen. E ftova të ulet dhe ndërkaq mendova për moshën, që ishte vështirë ta përcaktoje prapa pamjes së tij të mbajtur me aq kujdes. Por dukja e parë tregonte për një moshë të pragut të pleqërisë.
“Të më ndjeni që erdha pa ju njoftuar më parë, - dëgjova të më thotë me një zë të përkorë. - Unë jam Myqerem Janina, përkthyes i osmanishtes në Institutin e Shkencave, por përkthej edhe nga turqishtja e sotme.” Dhe ndërsa unë po i thosha fjalët rutine të mirëseardhjes, ai nxori nga xhepi i brendshëm i xhaketës një zarf të hapur dhe ma zgjati.
“Është një tregim i humoristit të madh turk, Azis Nesimit, për të cilin besoj se keni dëgjuar. E kam përkthyer në shqip dhe dëshiroj t’ja bëj të njohur lexuesit shqiptar nëpërmjet gazetës suaj të nderuar.”
“Faleminderit, - i thashë si i hodha një vështrim dorëshkrimit. - Me sa di është shkrimi i parë i tij në gjuhën tonë.” “Po, - më tha, - bile dërguar nga ai në adresën time. Kam një njohje miq pas miqsh me të. Sepse, që ta dini, unë kam lindur në Stamboll (1890) dhe kam studiuar për histori e letërsi në Universitetin e tij. Janë këto lidhje të vjetra që i kujtoj me nostalgji dhe përpiqem edhe sot e kësaj ditë të mos i harroj.”
Biseda jonë u ndërpre pasi erdhën njerëz të tjerë dhe kështu u ndamë përzemërsisht me premtimin se për botimin e tregimit do të kujdesesha personalisht.
Tregimi u lexua nga redaksia dhe u pëlqye aq shumë, sa askush nuk pyeti, siç ndodhte atëherë, për biografinë e bashkëpunëtorëve të panjohur.
Pas ndonjë muaji përkthyesi aq i mirësjellshëm erdhi e më takoi përsëri në redaksi. Po me që isha me të tjerë në zyrë, dolëm në korridor dhe aty ulur te kolltukët biseduam. Kësaj here xha Myqeremi ishte më i çlirët dhe i gëzuar. “Ju faleminderit që e botuat aq shpejt e aq bukur, - tha. - Ia dërgova menjëherë Azis Efendiut dhe sot kam marrë një letër falënderimi dhe përgëzimi prej tij.” Dhe ma zgjati për ta parë e pastaj ma përktheu nga turqishtja. Nga ajo letër aq e ngrohtë mbaj mend vetëm tonin e notat humoristike me të cilin e kish shkruar dhe mirënjohjen ndaj gazetës dhe përkthyesit. E mbyllte me fjalët: “Vëllai juaj që di vetëm të qeshë”.
Pas leximit të letrës Myqeremi më dorëzoi dhe dy tregime të tjera të përkthyera për t’i botuar. Por nuk ishte kjo tema kryesore e këtij takimi. Ai njeri më kish ngjallur respekt e më kish bërë kureshtar. Doja të dija më shumë për jetën e tij, ndaj dhe biseda u vërtit rreth kësaj teme. Ai, siç do të kuptoja pastaj, ishte një natyrë e butë dhe e sinqertë, kish një mënyrë të rrëfyeri të shtruar, përmes së cilës ndjehej kultura e gjerë, formimi intelektual i dy hemisferave.
Me kohë do të vëreja botën e tij të pasur shpirtërore, ndjeshmërinë që s’njihte moshë, dashurinë pas bukurisë, sidomos asaj femërore, kulturën që gërshetohej natyrshëm me përvojën e gjithanshme të jetës. Nga rrëfimi i tij mora vesh se ai kish bredhur botën, kish jetuar në Turqi e në Francë, në Itali e në Greqi, duke përjetuar aventura nga më të çuditshmet. Studimet dhe shkolla e jetës i kishin dhënë staturën e një intelektuali të vërtetë, që kish mendimet dhe qëndrimet e tij vetjake, kulturë enciklopedike dhe njohje të letërsisë e të arteve, shije të hollë, madje nazike e mbi të gjitha një shpirt human. Nga ana tjetër, ishte inteligjent, rrëfente e arsyetonte me një zgjuarsi pa bujë, me një etikë të trashëguar dhe humor të këndshëm.
Të gjitha këto e të qenit poliglot të bënin për vete, siç më bënë mua që në bisedat e para.
Sepse bisedat me të në vitet që erdhën do të vijonin e do të më zbulonin më tej jetën dhe botën e tij. Kështu nga këto biseda herë në Klubin e shkrimtarëve e herë tek darkonim ndonjëherë në Restorant Vollga do të shfaqej para meje personaliteti i tij thuajse i plotë përmes rrëfimeve aq miqësore e aq njerëzore.
Ndërkaq do të merrja vesh nga miku im, historiani Selami Pulaha, se Myqeremi nuk ishte thjesht përkthyes i dokumenteve osmane, por orientalist dhe turkolog nga më të përgatiturit në mes grupit të vogël të studiuesve në këtë fushë, siç qenë Vexhi Buharaja, Haki Sharofi, Jonuz Tafilaj, Andrea Sahatçi etj. Në mënyrë të veçantë ai u dallua në studimet e paleografisë dhe diplomatikes osmane. Madje para çlirimit kish bashkëpunuar me shtypin e kohës, duke botuar artikuj publicistikë dhe historikë.
Në biseda e sipër do të merrja vesh se ai vinte nga një familje tipike aristokrate shqiptare. Vetë i jati, Azmiu, siç tregonte dhe mbiemri, ishte nga Janina, lindur prej dyer pashallarësh me emër. Kish bërë karrierë shtetërore në Turqi duke arritur deri në pozitën e vezirit.
Ai u martua me Labinurin, një nga vajzat prej derës së Vrionasve të Beratit. Vetë ai do të jetonte e punonte kryesisht në Turqi dhe me raste do të vinte në Shqipëri për të parë familjen në Berat dhe çifliqet e pasurinë e fituar nga krushqia me Vrionasit, të cilët do t’i administronte Myqeremi kur u rrit.
Në fakt dhe i biri do të vinte për herë të parë në Shqipëri në vitin 1922, për t’u shkëputur herë pas here me angazhime të tjera jashtë vendit. Në vitin 1924 ai u gjend këtu dhe, siç më thoshte, kish marrë anën e Fan Nolit, i cili, nuk di se në ç’rrethanë, e kish mik të babait, aq sa kryeministri e kish ftuar të jatin në Shqipëri dhe ai kish ardhur për të ngritur një akademi ushtarake në vend. Por ngjarjet që pasuan e bënë të parealizueshëm këtë projekt dhe i jati u kthye nga kish ardhur. Në Shqipëri mbetën e ëma dhe i vëllai më i vogël Muameri.
Një herë xha Myqeremi, tek më fliste për të kaluarën e tij, më zbuloi një sekret. Shkak për këtë u bënë disa blana që kish në kurrizin e duarve. Kur unë e pyeta, ai më tregoi një histori të çuditshme. Më tha se qe martuar me një nga vajzat e Sulltan Hamitit, e cila ishte e bukur peri nga mezi e lartë, por e pazhvilluar nga gjymtyrët poshtë. Sipas tij ishte shumë e zgjuar, por dhe e kulturuar.
Ndaj dhe kish rënë në dashuri në vitet 20, në kohën kur kish ardhur në fuqi Mustafa Qemali, mik i të jatit, i cili nuk e aprovoi këtë lidhje, kur ai kish rrëzuar nga pushteti të jatin e saj. Por Myqeremi i dashuruar s’kish dashur t’ja dinte dhe kish ardhur në Shqipëri me të.
Fillimisht çdo gjë kish shkuar mirë, por ajo bënte një jetë të mbyllur, ndërsa Myqeremi e kalonte kohën me shoqërinë e tij. Nusja e re xheloze erdhi një ditë, kur i shoqi kthehej vonë në shtëpi, për ta provuar besnikërinë dhe sinqeritetin e tij, merrte thëngjij nga mangalli dhe ia vinte në kurrizin e duarve. Sa më shumë ai të duronte, aq më shumë tregonte se e donte. Por kjo histori atëherë nuk zgjati shumë dhe erdhi një ditë, i shoqi gjeti mënyrën për ta kthyer në Turqi dhe u nda përfundimisht prej saj. Ç’është e vërteta, nga biseda e tij ndjehej një peng brengosës për sa i kish ngjarë dhe ishte mallkimi i saj që ai kish mbetur deri në pleqëri pa martuar.
Ishte e vërtetë që xha Myqeremi nuk ishte martuar, por kjo s’do të thoshte se nëpër vite i kishin munguar marrëdhëniet me gratë. Ai ishte një burrë shumë tërheqës jo vetëm nga pamja, por magjepsës nga fjalët, zemër mirë, i gjendshim, lozonjar dhe i kamur. Megjithatë, rrethana të jetës që nuk i kishin shkuar ndërmend ndonjëherë e kishin penguar të krijonte familje. Në një nga bisedat e tij, ai do të më tregonte, gati si nën zë, se ç’i kish ndodhur kur vendosi të kthehej në Shqipëri nga Italia në 1943.
Miqtë e kishin këshilluar të mos shkonte. Në vitin 1946, Myqerem beu ishte arrestuar me akuza që ai s’i pranoi asnjëherë për lidhje me elementë të reaksionit ndërkombëtar e të brendshëm dhe u dënua me 5 vjet burg dhe internim. Nga ana tjetër, xha Myqeremi më tregonte me dhimbje se vëllai i vogël, Muameri, gjatë luftës kish dalë partizan me Brigadën e shtatë dhe në rrethana enigmatike ishte pushkatuar nga forcat partizane.
vazhdon...