Re: Histori Politike Shqiptare...
Prapaskenat e një krimi të paralajmëruar në Plenumin e Partisë. Pse u dogj Mehmet Shehu për të ngritur larg figurën e Ramiz Alisë
"Loja politike" e Enverit për "gabimin politik" të Kryeministrit
Misteret e pathëna të një dosjeje, e cila për nga koha dhe mënyra e tregimit të saj i ngjajnë një "telenovele" 21-vjeçare, sekreti i së cilës vazhdon ende të ndriçohet vetëm nga guximi gazetaresk. Vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut, as që do të ishte hapur ndonjëherë, nëse një letër e papublikuar do të sillte andrallat e përhershme në të tilla ngjarje. Megjithatë, djemtë e ish-kryeministrit të Shqipërisë kanë filluar të flasin për të vërtetat e hidhura të kohës së Diktaturës, e shoqëruar me skandalin, ose ngjarjen më të rëndë të (vet)vrasjes së një drejtuesi të lartë të shtetit shqiptar. Prapaskenat e atij krimi, në kufijtë e të cilit ka luajtur lojën e saj Politika e Enver Hoxhës, apo e ndonjë tjetri, i cili donte të futej në hullinë e ngritjes në detyrë, apo të ndonjë "loje fitimprurëse" të llojit "i besuar i të parit", duket se i ka shërbyer mjaft Mehmet Shehut, që të merrte guximin për t'i shkruar Enver Hoxhës dhe më pas të qëllonte veten me pistoletë. Sipas atyre që janë thënë deri tani, Mehmet Shehu kishte filluar rënien politike, që kur pranoi fejesën e djalit të tij me një prej vajzave të fisit Turdiu, të deklasuara në atë kohë, dhe madje të para me syrin e fisit që do "të shkatërronte" Shqipërinë. Megjithatë dilemat e 17 dhjetorit të vitit 1981, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, aq sa një stërmundim më vete ka qenë edhe gjetja e eshtrave të Mehmet Shehut nga djemtë e tij, kërkime që u sosën shumë kohë më vonë nga sa mendohej. Sikur të mos mjaftonin persekutimet e djemve të Mehmet Shehut dhe burgosjet e tij për veprimin "e gabuar" të babait të tyre, realisht, as atëherë dhe as tani, ata që e shtynë Shehun në këtë krim nuk janë përmendur plotësisht, por vetëm është aluduar për mbledhje "rrufe", raporti i kryeministrit të asaj kohe dhe kritikat personale të Mehmet Shehut përpara njerëzve që sajuan "devijimet" për ta çuar në krimin e mbrëmjes së ftohtë të dhjetorit, duke u gdhirë data 18. Të gjitha këto janë pak. Djali i Mehmetit, Bashkim Shehu, ka ditur të shpjegojë saktësisht dhe me mënyrën e tij enigmat e një krimi, për të cilin pati atëherë jehonë, por që edhe tani ka efektin e saj mjaft domethënës.
Rezarta Alushi
Dëshmi dhe fakte të pathëna për një krim të vjetër. Si hynë në lojë politikanët e lartë
VDEKJET MISTERIOZE
Dy persona u vranë për të mbuluar
sekretin e kryeministrit shqiptar
Përse u eliminuan dëshmitarët e rëndësishëm dhe çfarë enigme morën me vete në varr. Kush ishte i interesuar për zhdukjen e tyre dhe si u realizua ajo më pas.
Hapja e letrave për vdekjen e Mehmet Shehut, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, në vend që të pakësonte (sa për zgjidhje, nuk bëhet fjalë, sa kohë që, askush, përveç djemve të Mehmet Shehut, më saktë, më të voglit prej tyre, nuk ka folur deri më sot, për acarimin e marrëdhënieve midis tij dhe Enver Hoxhës dhe rolin vendimtar të tyre në përcaktimin e fundit të ish-kryeministrit komunist shqiptar) enigmat e mëdha rreth vdekjes më të bujshme të regjimit komunist në Shqipëri, përkundrazi, i shtoi ato me një tjetër element, po aq enigmatik. Madje, në një farë mënyre, rëndësia e kësaj të fundit merr më shumë peshë, si për kohën kur ka ndodhur ngjarja që e ka provokuar atë, ashtu edhe për vendin që zë sot në politikën shqiptare, personazhi qendror i saj, ish-ministri i Jashtëm i vendit, sot deputet në Kuvendin e Shqipërisë, zoti Paskal Milo.
Në një farë mënyre, burimi i letrës së publikuar prej tij është "ngacmuar" jo pak edhe nga vetë Milo në prononcimet e irrituara të tij, sidomos pas kritikave që i bëri, vetëm një ditë pas publikimit, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Shaban Sinani. Normalisht, sipas disa rregullave që ekzistojnë, në mënyrë imponuese në mënyrën se si funksionon një aparat shtetëror në kushtet e Demokracisë, fjala e një deputeti merret si e mirëqenë, ndërkohë që hetimet për të, qoftë edhe në një rast si ky, kur nuk kemi të bëjmë me një vepër penale të mirëfilltë, janë, për të mos thënë të pamundura, shumë të vështira, po se po. Sidoqoftë, nga kërkimet e "Republikës", në kushtet e heshtjes totale të zotit Milo dhe paragjykimeve të tij, për vlerat e gazetave dhe misionit që ato kanë, duke u nisur nga pozicioni dhe preferencat politike që kanë, del se historia e letrës së mbrame të Mehmet Shehut, është po aq interesante sa vetë historia e ditëve dhe netëve të fundit të tij. Madje, deri në atë pikë sa që, nëpërmjet zbardhjes së enigmës së "rrugëtimit" saj, mund të zgjidhen shumë enigma, edhe për vetë vdekjen e tij, fajtorët dhe planet që çuan në të.
Realisht, emri i zotit Milo, për të qenë të sinqertë deri në fund, nuk përmendet në historinë dhe dëshmitë që ka mundur të grumbullojë "Republika" deri më sot, në lidhje me këtë problem. Madje, duket se roli i tij në ato vite ka qenë kaq periferik, sa që askush nuk është kujtuar të merret me të. Gjithsesi, e vërteta është sa e hidhur, aq edhe tronditëse, sa ç'ka qenë vetë historia e kryeministrit të fundit potent dhe "poliautoritar" në strukturat e Diktaturës Komuniste në Shqipëri.
Dy vdekje misterioze, të ndodhura si "rastësisht", gjithsesi, pa asnjë shpjegim konkret, kanë shoqëruar, nën okeljon "helmim" vdekjen e Mehmet Shehut, gjithsesi, shumë kohë më pas. E para, ka të bëjë me një njeri shumë të afërt të vetë ish-kryeministrit, i cili, pa dyshim që ka qenë personi, që, ndoshta dinte më shumë se kushdo tjetër për enigmën e vdekjes së Mehmet Shehut, ndërsa i dyti, ndonëse nuk ka pasur asnjëherë lidhje të drejtpërdrejtë me Udhëheqjen e lartë Komuniste dhe trashëgimtarët, si gjenetikë, ashtu edhe politikë të tyre, krejt rastësisht u gjet atje ku nuk duhej, pranë sekretit më të madh të shtetit komunist dhe që, pikërisht për këtë humbi jetën, duke u eliminuar fizikisht.
Duke filluar që nesër, "Republika" do të botojë dëshmi dhe fakte konkrete, të personave që, në mos shumë, diçka kanë ditur për këto dy vdekje, njëra prej të cilave sidomos, por në thelb, mund të thuhet, edhe të dyja, kanë ditur shumë, si për letrën, të cilën, le ta quajmë tani, "letra e Milos", ashtu edhe për vendin e depozitimit të saj. Tek e fundit, dosja e këtij krimi, i rëndë, si të gjitha krimet që kryhen brenda llojit, u hap tashmë. Dhe, qoftë edhe vetëm për këtë, ia vlen t'i shkohet deri në fund (të asaj që duket dhe që mund të dihet). Për më tepër që, reminishencat e tij, si edhe lidhjet konkrete, nëpërmjet përpjekjeve madhore dhe tepër të stërmundimshme, siç del edhe nga dëshmitë, të cilat do të fillojnë të botohen në numrat e ardhshëm të "Republikës", kanë prekur jo pak, edhe kohën në të cilën jetojmë, vitet e periudhës së pluralizmit politik, me shumë nga personazhet e rëndësishëm të saj.
Genci Çobani