histori nga e kaluara

histori nga e kaluara

Per vite me rradhe kam degjuar nje histori qe flitej cdo 12 Tetor, ish historia e kenetes se Maliqit.Kam lexuar romanin madheshtor te asaj kohe "Keneta" shkruar nga Fatmir Gjata, kam pare teatrin "Keneta" dhe shpesh kemi gjeshur me gjermanken Zyraken, qe e varen. Kam vizituar cdo 12 Tetor Muzeun e kenetes, gjetjet e kohes se gurrit, dhe pak me larg prej tij nje fotografi bardh e zi ku ishin 4 vete qe pushkatoheshin. Sot padashur gjeta nje artikull mbi kete fak, e imagjinoja se si mund te ish, e imagjinoja ate qe mund te kish ndodhur, por ketu jane emrat dhe mbiemrat e shume njerezve qe dhane jeten per kete kenete(edhe se nuk ja u mori ajo).Nje homazh per ta.
 

tola77

Primus registratum
Re: histori nga e kaluara

• Pjesa më e madhe e tyre janë inxhinierët e parë që nisën rindërtimin e vendit. Sabotatorë.

Kjo ishte akuza për shumicën e inxhinierëve të vrarë në kohën e diktaturës, ku sipas shifrave jo krejtësisht të plota janë varur 4 inxhinierë, pushkatuar 9, dy kanë vdekur në burg dhe 13 të tjerë janë burgosur. Mjekët e njohur që kishin studiuar jashtë shtetit kishin një akuzë tjetër; Armiq të popullit dhe më e lehta akuzë agjitacion e propagandë. Nga mjekët janë pushkatuar 5 dhe burgosur 13 të tjerë. Pjesa më e madhe e tyre ishin në grupin e deputetëve, kishin lidhje me organizatën e Ballit dhe opozitën e dytë.
Maliqi
Eshtë njohur si këneta famëkeqe e Maliqit, ku për bonifikimin e saj kanë vdekur dhe janë pushkatuar 63 vetë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin të internuar. 3 mijë të burgosurit e liruar nga 7 burgje u internuan në Maliq. Sot e kësaj dite, ajo që tregohet për kampin e Maliqit është në kufijtë e lemerisë. Njerëzit, mes të cilëve emra të njohur si Mitrush Kuteli, Alfred Ashiku... hanin një herë në ditë një përshesh çaji me bukë dhe shkonin në punë me vrap, të detyruar nga rojet. Bonifikimi ishte i rëndësishëm dhe po kaq i rëndësishëm ishte vendimi i partisë për të dënuar me punë atje të gjithë ata njerëz të deklasuar dhe të internuar, anti- komunistët. Mushkonjat dhe ushunjëzat ua pinin gjakun të internuarve, ndërsa darkat teksa ktheheshin në “hauret e kafshëve”, e bënin rrugën këmba-dorazi nga lodhja. Koçi Misrasi, një i internuar nga Korça, vari veten. Alfred Ashikun e rrahën për vdekje se hëngri një panxhar që e gjeti në tokë. Të tjerë i linin varur në mes të diellit. E në këtë lemeri vdiqën 63 njerëz. Por fati i keq pasoi dhe inxhinierët dhe drejtuesit e punimeve në kënetë. Gjashtë prej tyre u varën dhe u pushkatuan si sabotatorë. Data 22 nëntor 1946 ende kujtohet me tmerr nga familjarët e viktimave, të cilët u akuzuan si spiunë të misionit të Harry Fultzit në Tiranë. Abdyl Sharra, diplomuar në Romë, në rolin e drejtuesit të punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit, u dënua me varje. Vëllai i tij, Ymeri, ka qenë profesor i shkollës teknike dhe, sipas të vjetërve, të gjitha gjyqet e këtij tipi kishin si qëllim diskreditimin e Harry Fultz. Kujtim Beqiri, që kish mbaruar në Vjenë dhe ishte drejtor i madh, u akuzua dhe u var në litar, e të tjerë u pushkatuan. Edhe pse e lutën Beqirin të qëndronte pedagog në Vjenë, ai nuk pranoi, me idenë që të rikthehej në vend e t’i shërbente popullit të tij. Edhe sot foto e tij është vendosur në universitetin e inxhinierisë së Vjenës, si nxënës i shkëlqyer. Fjala e fundit e të riut para se të vdiste ishte; Fajin tonë do ta tregojë historia. Të rrojë Shqipëria.
Të tjerë
Pjesa tjetër e të varurve në litar dhe të pushkatuarve kishin po prapë të njëjtën akuzë, atë të sabotatorit dhe agjentit. Riza Alizoti punoi në Kuçovë si inxhinier dhe u dënua me vdekje dhe të njëjtin fat pati dhe Sulo Klosi, që kish punuar në Rubik. Ali Kavaja dhe Shaban Balla, të dy pjesëmarrës në organizatën “Bashkimi demokrat”, opozita e parë shqiptare, u dënuan me pushkatim. Në vrullin e sabotatorëve u pushkatuan dhe dy inxhinierë italianë. Paolo Saglioti vjen në Shqipëri në vitin 1931 për të punuar në Kuçovë tek AIPEN. Ai u akuzua si sabotator dhe u pushkatua. Të njëjtin fat pati dhe Eugenio Scaturo, i cili erdhi në Shqipëri në 1937-ën dhe punoi në vepra të ndryshme. Por këneta e Maliqit i kushtoi jetën.
Mjekët
Edhe sektori më i rëndësishëm i njerëzimit, shëndetësia, nuk mundi t’i qëndronte dot larg persekutimit. Njerëz të arsimuar jashtë, intelektualë, të cilët u përpoqën t’i vijnë në shërbim popullatës, u pushkatuan si agjentë, pjesëmarrës në vendosjen e bombës në ambasadën sovjetike, bashkëpunëtorë të Undrras dhe pjesëmarrës në grupin e deputetëve. 13 të tjerë u dënuan për agjitacion e propagandë e arsye të tjera po kaq tronditëse. Mjeku i njohur tiranas dr.Kadri Kërçiku, që të gjithë e njohin edhe sot vendin ku ka banuar ai si rrugicën e doktor Kërçikut, pati të njëjtin fat. Ai arrestohet në vitin 1947 për agjitacion e propagandë, por për fat pas dy vjetësh burg, Ministria e Shëndetësisë bën një kërkesë për lirimin e tij. Doktor Kërçiku ishte një nga njerëzit që përballoi luftën kundra malaries dhe ishte pikërisht ky shkaku që u bë sebep për lirimin nga burgu. Vëllai i Trifon Xhagjikës, poetit që u dënua si armik i lartë i komunizmit, i cili u dënua me pushkatim në vitin 1962, i erdhi shpejt radha. Doktor Ylli Xhagjika kish mbaruar studimet për mjekësi në Bashkimin Sovjetik dhe ishte mjek me shumë eksperiencë, por menjëherë pas të vëllait të pushkatuar, atë e arrestojnë një vit më vonë dhe e dënojnë me 10 vjet, si kundërshtar të regjimit. Në grupin e mjekëve të vrarë dhe persekutuar nga regjimi hyn dhe i ashtuquajturi Mandela shqiptare, legjenda e burgjeve, Osman Kazazi. Në të ri, Mandela kish mbaruar studimet e larta për farmaci në Itali dhe kur kthehet në vend është pjesëmarrës në organizatën Balli Kombëtar. Osman Kazazi arrestohet në vitin 1945 dhe dënohet me 15 vjet burgim, e pasi lirohet pas kryerjes së dënimit arrestohet sërish, duke mbajtur rekordin e viteve të kaluar në burgjet e komunizmit. Osman Kazazi është qytetar nderi i Tiranës dhe simboli i vuajtjeve të periudhës 45-vjeçare totalitare. Kjo është një pjesë e historisë së inxhinierëve dhe mjekëve të vrarë e burgosur, ndërsa me vite numri i tyre është rritur.

RIZA ALIZOTI
Kryen tekniken e Fulcit dhe studimet e larta i kreu në Francë. Specializohet për shfrytëzimin e minierave në Strasburg. Punoi në Kuçovë dhe u dënua me vdekje në litar.

GJON TEMALI
Shkollën e mesme e kreu në Austri, ndërsa të lartën për farmaci në Firence. Arrestohet e pushkatohet në vitin 1951: “bomba në ambasadën sovjetike”.

SULO KLOSI
Pjesëmarrës në lëvizjen antizogiste të vitit 1935, dënohet me vdekje, por i falet jeta. Laureohet për gjeologji në Francë. Kryeinxhinier në Rubik, dënohet me varje më 10 tetor 1947.

Dr. NEKI RADOVICKA
Specializohet në Itali për zhdukjen e malaries në fondacionin “Rockfeler”. Që nga viti 1939-1945 punon në Ministrinë e Shëndetësisë. Arrestohet më ‘46 dhe vdes pas 13 muajve në hetuesi.

MIRUSH PËRMETI
Kryen fakultetin e inxhinierisë në Padova të Italisë. Arrestohet në vitin 1945, por lirohet për mungesë provash. Dërgohet në Maliq për tharjen e kënetës. Pushkatohet më
3 dhjetor 1946.

UAN FILIPI
Kreu Fakultetin e Mjekësisë në Napoli. Dënohet me vdekje në 1935 nga regjimi monarkist, por i falet jeta. Arrestohet në vitin 1947 si agjent i anglo-amerikanëve dhe dënohet
me vdekje, pushkatohet.

ANTON DELHYSA
Lindur në Prizren më 1904. Kreu shkollën Teknike të Fulcit. Emërohet kryetar i zyrës teknike. Pushkatohet në vitin 1951: “bomba në ambasadën sovjetike”.

MARK ZEF PALI
Kryen studimet për ndihmësmjek dhe shërben në spitalin e Laçit. Arrestohet në vitin 1953 dhe dënohet me 20 vjet burg. Mark Zefi dhe tre shokët e tij pushkatohen mbasi ishin torturuar egërsisht.

Dr. ENVER SAZANI
Studimet e larta për mjekësi i kreu në Lion të Francës. Deputet në vitin 1945. Pjesëmarrës në grupin e deputetëve. Dënohet me vdekje, pushkatim, më
10 tetor 1947.

HAZBI PUTO
Lindur në Gjirokastër Më 1900. Mbaron studimet e larta për inxhinjeri në SHBA. Në vitin 1945-1946 punon në shoqatën bamirëse UNDRA. Arrestohet në vitin 1947 dhe dënohet me vdekje, pushkatim, si agjent EBS.


INXHINIERE

INXHINIERE

TE VARUR

1. ABDYL SHARRA
2. RIZA ALIZOTI
3. KUJTIM BEQIRI
4. SULO KLOSI

TE PUSHKATUAR

1. VASIL MANO
2. ZYRAKA MANO
3. MIRUSH PËRMETI
4. ANTON DELHYSA
5. PAOLO SAGLIOTI
6. EUGENIO SKATURO
7. HAZBI PUTO
8. SHABAN BALLA
9. ALI KAVAJA

VDEKUR NE BURG

1. JANI KOLIAKA
2. HASAN XAMA

TE BURGOSUR

1. IBRAHIM BIÇAKU
2. NDOC NARAÇI
3. VENTIQAR HAMZARAJ
4. EMIN BAKALLI
5. QAZIM XHEPA
6. PETRIT MËRLIKA
7. LLUKA DINDI
8. AVNI ZHITI
9. NAMIK LUCI
10. RESHAT AGAJ
11. NAMIK XHELILI
12. DAJLAN PANARITI
13. XHAFERR SHEHU


mjeke

TË PUSHKATUAR

1. ENVER SAZANI
2. GJON TEMALI
3. NEKI RADOVICKA
4. UAN FILIPI
5. MARK ZEF PALI

TË BURGOSUR

1. IRFAN PUSITINA
2. KADRI KERCIKU
3. ISUF HYSENBEGASI
4. A.KALIDHOPULI
5. YLLI XHAGJIKA
6. SULO KONJARI
7. ALFRED ASHIKU
8. OSMAN KAZAZI
9. ANDREA HRISOHOU
10. SOTIRAQ KOTE
11. MUHARREM KOLIQI
12. ALI SPAHIU
13. KOÇO MOISIU

Mare nga gazeta panorama.
 

tola77

Primus registratum
Re: histori nga e kaluara

Zyraka ne librin e Fatmir Gjates, permendej si gjermanka,pasi i kish floket e verdha, kish dhe nje kenge qe nuk e mbaj mend.


Të të pushkatojnë me fëmijë në bark, është dy herë krim. Por kjo ka ndodhur jo rrallë në komunizëm. Zyraka Mano, bashkë me të shoqin Vasilin, punonin bashkë prej vitesh.

Vasili përfundon studimet në Francë në vitin 1930 dhe së bashku me të shoqen, Zyrakën, e cila kish lindur në Zagreb, vijnë në Shqipëri. Punojnë së bashku në Tiranë, Korçë e Berat, e së fundmi të dy shkojnë për të kontribuar në tharjen e kënetës së Maliqit. Por shumë shpejt historia e jetës së tyre do të mbaronte aty. Zyraka akuzohej si agjente e misionit amerikan dhe bashkë me të shoqin u denoncuan si sabotatorë. Pas gjyqit të shpejtë, burrë e grua u dënuan me pushkatim. Një histori e trishtë, një dashuri e lënë në mes dhe një embrion i vrarë. Zyraka ishte shtatzënë, kur nga një akuzë e paargumentuar u dënua me pushkatim. Para se mbi ta të derdheshin plumbat, Zyraka i tha bashkëshortit dhe inxhinierit italian, Eugenio Scaturo: “Ngrini sytë nga qielli të na shikojë Zoti, se Ai dhe ne e dimë që jemi të pafajshëm”.
 

tola77

Primus registratum
Re: histori nga e kaluara

Faji i nje inxhinjeri
Mes listës së inxhinierëve të burgosur është dhe Petrit Merlika, djali i ish-kryeministrit Mustafa Kruja, për një periudhë 16-mujore.

Pas ’44-ës ai kërkon strehim politik në SHBA, ndërsa nuk mundi të marrë me vete gruan dhe njërin djalë. Petriti u arrestua menjëherë pas instalimit të regjimit dhe dënohet me 20 vjet burg si “Armik i popullit”. Arsyeja ishte i ati. Pas daljes nga burgu më 1960-ën, ai internohet familjarisht, ndërsa nëna e tij vuajti kampeve dhe me pengun në zemër të burrit të arratisur dhe djalit, Besimit, që vdiq në 1944-ën. Musafa Kruja vdiq në SHBA më 1958, pa parë me sy gruan dhe djalin e lënë në Shqipëri.

Vuajtjet vazhduan per Petritin dhe familjen e tij, e cila ish internuar ne Tepelene dhe me vone ne Lushnje. Pas 90 familja e tij zhvendoset ne Latina te Italise. Petriti vdes ne 2005.
 

tola77

Primus registratum
Re: histori nga e kaluara

Pushkatimet dhe dënimet e mbi 200 klerikëve që nga 1945

Pushteti i vitit 1945 e vuri në shenjë kryesisht Kishën Katolike të Shqipërisë, duke e cilësuar atë si çerdhe të agjentëve të huaj në Shqipëri. Frika nga ndikimi i madh i njerëzve të fesë në popullatë, solli një luftë të hapur kundra tyre.



Në vitet e komunizmit, referuar librit të Tomor Alikos “Genocidi mbi elitën intelektuale”, u dënuan me pushkatim 24 katolikë dhe u burgosën e internuan 24 të tjerë. U pushkatuan 7 bektashinj, 4 vdiqën në burg dhe 7 të tjerë u persekutuan. E po të njëjtin fat patën 20 pjesëtarë të komunitetit mysliman dhe 8 nga ai ortodoks. Rreth 217 klerikë u vranë e persekutuan nga regjimi i egër komunist.
Vala e parë
Për këtë arsye, qysh në fillim, kishës katolike shqiptare iu kërkua të shpallte autoqefalinë e saj. Por të dy peshkopët katolikë, imzot Gaspër Thaçi dhe imzot Vinçenc Prenushi, nuk e pranuan një gjë të tillë dhe u dënuan. U arrestuan 30 françeskanë, 15 jezuitë dhe mjaft seminaristë. Disa prej tyre u pushkatuan e disa vdiqën të munduar nëpër kampe përqendrimi dhe në punë të detyruar. Patër Gjon Fausti, Patër Daniel Dajani dhe Patër Gjon Shllaku, ishin pjesëmarrës në organizatën antikomuniste “Bashkimi Shqiptar Shkodër”. Të tre priftërinjtë u pushkatuan më 1946 si armiq të pushtetit. I njohuri Patër Anton Arapi, drejtor i kolegjit françeskan në Shkodër, pati të njëjtin fat. Në shkurt të vitit 1946, ai u dënua me vdekje, pushkatim. Në vitet e para pas çlirimit nisi mësymja e përgjithshme dhe në idetë komuniste, fetarët duheshin eliminuar, sepse ndikimi në popull ishte shumë i madh. Patër Bernard Llupin e gjetën dhe e pushkatuan në Pejë, e po kështu dhe Patër Lorenc Mazrekun, Patër Leonard Tagaj... ndërsa Patër Çirjan Nika u pushkatua më 1946, duke thënë si fjalë të fundit; “Rroftë Krishti Mbret, rroftë Shqipëria edhe pa ne”. Akuzat për priftërinjtë katolikë ishin nga më të ndryshmet, por kryesisht ato i quanin; armiq të pushtetit dhe spiunë të Vatikanit, si Imzot Fran Gjini, i cili u pushkatua më 1946. Vala e luftës kundra bektashinjve është në vitin 1948. Pas pushkatimit të Baba Qamil Gllava, Sali Niazi Dede dhe Baba Zylfo Turani në prag të çlirimit, u arrestuan dhe u pushkatuan Baba Ali Tomorri, Baba Shefqet Koshtani, Baba Bedri Cakrani, Baba Myrteza Kruja. Ndërkaq në listën e drejtuesve fetarë myslimanë personalitete si Sheh Karbunara, deputet i legjislacionit të parë të 1945, u dënuan dhe pushkatuan në grupin e deputetëve antikomunistë. Ndërsa priftërinj ortodoksë, si At Kostandin Bozdo, At Dhimitër Leka... u pushkatuan si armiq të vendit. Shumë vuajtën në kampet e punës dhe vdiqën atje. Për At Sifi Papamihalin tregojnë se e kanë varrosur të gjallë në kënetën e Maliqit, Dom Sandër Sirdanin e kanë hedhur në gropë deri sa dha shpirt e po kështu dhe Dom Pjetër Çunin, që e hodhën në kanalin e ujërave të zeza.
“Rrno për me tregue”
At Zef Pëllumbi, një nga katolikët e dënuar në kohën e diktaturës komuniste, në librin e tij me kujtime “Rrno për me tregue” rrëfen shumë skena rrëqethëse në kënetën e Bedenit. Në kujtimet e vitit 1948 ai shkruan; “Kam parë me sytë e mij Atë Gegë Lumën, që e kishin zhytë në ujë të kënetës dhe dy të burgosun i hidhnin llucë sipër”. Ai tregon se si u rrah At Aleksi nga komandanti me lopatë deri sa i ra të fikët... “Ishim 29 priftërinj që punonim të ndarë. E kishim të qartë se aty do të vdisnim. Këtë na e kishin deklaruar komandantët e burgut disa herë. Por, edhe ne donim me jetue mbi të gjitha vështirësitë. Kushdo që nuk bënte normën, përfundonte në atë kryqin e torturës fizike përballë kuzhinës... Ndërsa një i dënuar politik, ish-oficer i Ministrisë së Brendshme të kohës së Mbretnisë, ishte duke shtyrë karrocën e drurit që peshonte aq rëndë, një i burgosur i shkonte nga prapa duke e goditur me shkop nga shpina. Ky vazhdoi rrugën deri në fund ku pa një lopatë, të cilën e rrëmbeu dhe iu kthye të burgosurit ordiner dhe e goditi disa herë sa e la në tokë. Disa të burgosur të tjerë bashkë me policët, e rrahën keq të burgosurin politik dhe e dërguan në kamp të lidhur në kryqin para kuzhinës”. Në librin e At Zef Pëllumbit tregohet se qëllimisht të burgosur ordinerë i bashkonin me ata politikë për të krijuar skena sherresh, ndërsa shto vuajtjeve, ushqimi ishte skandaloz.
Vala e dytë
Kunja me kishën katolike vazhdonte e ndërsa ushtrimi i fesë survejohej ishin mbyllur shkollat, manastiret katolike, medresetë, kudo. Më 1967, besimet fetare dhe institucionet e tij e ndërprenë me dhunë veprimtarinë e tyre. Dom Zef Bici arrestohet në vitin 1967 dhe pushkatohet një vit më vonë. Po në kuadrin e ndalimit të fesë u dënua me pushkatim Dom Mark Dushi. Lëvizja kundër institucioneve fetare, e nxitur nga shteti diktatorial komunist, u mbulua me një lëvizje të rinisë ateiste. Shumë kisha u kthyen në salla publike, disa u kthyen në salla bagëtish, disa u rrënuan plotësisht. U prishën 2169 objekte kulti, si kisha, xhami e teqe. Atëherë u burgosën 217 klerikë për terror e disa prej tyre vdiqën nëpër burgje ose u pushkatuan. Kodi Penal i vitit 1977 dënonte propagandën fetare si dhe përhapjen e liturgjisë. Sipas këtij Kodi, u dënuan shumë ish-klerikë, por edhe laikë. Pas përmbysjes së rendit ateist në Shqipëri, më 4 nëntor 1990, patër Simon Jubani, që ishte mbyllur 26 vjet në burg, si dhe Karlo A.Sevilla që ishte dëbuar nga Shqipëria që në vitin 1946, dhanë një meshë për të gjallët e për të vdekurit, në kapelën e vogël të varrezave të Shkodrës, e cila shërbeu si altar. Pjesëmarrja në meshë ishte e jashtëzakonshme. Po atë ditë u dha një duva në Xhaminë e Plumbit në Shkodër nga myslimanët.

AT DHIMITER LEKA
Lindur në Kudhës, Sarandë, në 1910. U arsimua në Korfuz. Arrestohet në 1944, ku dënohet me vdekje nga një trup gjykues partizan. Pushkatohet në përroin e fshatit nën akuzën “armik i popullit”.

AT KOSTANDIN BOZDO
Lindur në 1902 në Koshovicë nga një familje klerikësh ortodoksë. Arrestohet dhe torturohet 16 muaj. Në shtator 1964 dënohet me vdekje nën akuzën e tradhtisë ndaj Atdheut.

Imzot KRISTOFOR KISI
Lindur në Berat, 1881. Diplomuar për teologji. Në vitin 1937 emërohet Kryepeshkop deri në vitin 1948, kur u zëvendësua nga besniku i Qeverisë Komuniste, At Pashko. Vdekja e tij mbeti një mister. U gjet i helmuar.


kleriket e pushkatuaR

katolike
TE PUSHKATUAR

1. Patër Gjon Fausti
2. Patër Daniel Dajani
3. Patër Gjon Shllaku
4. Patër Anton Harapi
5. Patër Bernard Llupi
6. Patër Çiprian Nika
7. Patër Leonard Tagaj
8. Patër L. Mazreku
9. Imzot Gjergj Volaj
10. Imzot Frano Gjini
11. Imzot Nikoll Noga
12. Patër Mat Prendushi
13. Dom Zef Bici
14. Dom Mark Dushi
15. Dom Engjell Kovaci
16. Dom Ded Malaj
17. Dom Luigj Pici
18. Dom Luigj Prenushi
19. Dom Lazër Shantoja
20. Dom Anton Zogaj
21. Dom Ndre Zadeja
22. DOM ALFONS TRACKI
23. Mons.Nikoll Deda
24. Sem.Mark Çuni

VDEKUR NË BURGJE,
TORTURA

1.Patër Florian Berisha
2.Patër Pal Dodaj
3. Patër CIRIL ÇANI
4. Patër Klement Miraj
5. Patër Karlo Sereqi
6. Patër Gasper Suma
7. Patër Serafin Konda
8. Imzot Vicenc Prenushi
9. Imzot Gjergj Haberi
10. Mons Jul Bonati
11. Dom Kolec Prendushi
12. Dom Jak Bushati
13. Dom Anton Muzaj
14. Dom Engjell Deda
15. Dom Mark Hasi
16. Dom Pjeter Gruda
17. Dom Nikoll Gjini
18. Dom Pjeter Noga
19. Dom Lec Sahatcia
20. Dom Pjetër Çuni
21. Dom A. Sirdani
22.Dom Mark Gjani
23.Fratel Gjon Pantelia
24.DOM LAZER JUBANI

BEKTASHINJTE
E PUSHKATUAR

1. Sali Niazi Dede
2. Baba Zylfo Turani
3. Baba Qamil Gllava
4. Baba Ali Tomorri
5. Baba Shefqet Koshtani
6. Bedri Cakrani
7. Dervish Ali Kocia

vdekur ne burg

1.Baba Myrteza Kruja (Paja)
2.Dede Kamber Prishta (Meçe)
3.Baba Mehmet Zyka
4.Baba Islam Leskoviku

TË BURGOSUR - TË INTERNUAR

1. Baba Bajram Mahmutaj
2. Baba Islam Jangolli
3. Baba Hilmi Kurtesi
4. Dede Ahmet Myftari
5. Dede Reshat Bardhi
6. Baba Hajro Progonati
7. Baba Sherif Canametaj

MUSLIMANET
1. Sheh Qerimi Delvines
2. Sheh Ibrahim Karbunara
3. Hafiz Ali Korça
4. Hafiz Musa Dërguti
5. Hafiz Ismet Dibra
6. Hafiz Ibrahim Dalliu
7. Hafiz Ali Kraja
8. Hafiz Sherif Lëngu
9. Hafiz Sabri Koçi
10. Hafiz Bakalli
11. Hafiz Myrtja
12. Hafiz Muhamet Bektashi
13. Hafiz M. Varoshi
14. Sheh Ali Pazari
15. Sheh Reiz Sinani
16. Sheh Qazim Hoxha
17. H. Adem Metalia
18. Vexhi Buharaja
19. Jonuz Buliqi
20. Shaban Demiri
ORTODOKSE
1. Imzot Visarion Xhuvani
2. At Gjergj Suli
3. At Dhimitër Leka
4. At Kostandin Bozdo
5. Imzot Kristofor Kisi
6. At Sifi Papamihali
7. Imzot Irine Banushi
8. Episkop Kozma Qirjo

Mare nga gazeta Panorama
 
Top