Histori me historianë

Histori me historianë

Teksti i historisë së Shqipërisë për klasën 12 mund të jetë shndërruar në librin më të kërkuar të javës në vendin tonë.

Arsyeja duhet gjetur në debatin publik që shoqëroi denoncimi nga PS-ja të disa paragrafëve të tij, që lidhen me interpretime të njëanshme të ngjarjeve politike të viteve 1997-2005.

Një ndikim të madh në debat pati edhe skandali i botimit në Maqedoni i enciklopedisë së re, një botim provokativ, racist dhe fyes për shqiptarët atje.

Presioni nga brenda e jashtë Maqedonisë detyroi akademinë të tërheqë dhe të korrigjojë botimin. Në Shqipëri, megjithëse në përmasa minimale skandali, shenjat janë të kundërta. MASH-i mbrojti botimin përmes alibisë së procedurës së ndjekur, duke u lënë në dorë nxënësve një test historie të dyshimtë në realizmin dhe profesionalizmin e tij.

Në fakt, debati mbi historinë dhe pasqyrimin profesional të tyre e kapërcen tekstin në fjalë, autorët, MASH-i dhe në një analizë retrospektive, rezulton të jetë një nga debatet tabu në jetën publike e akademike shqiptare të këtyre 20 viteve të fundit.

Çështja se me ndërrimin e qeverive, sidomos të partive në pushtet, ndryshojnë edhe interpretimet e teksteve historike, është njëra anë e rëndësishme, por jo thelbësore e problemit.

Shqetësimi më i madh lidhet me anën tjetër, atë të ruajtjes, promovimit dhe shndërrimit në piedestal të klisheve tabu të së shkruarës, me lexim bardhezi të ngjarjeve, me heronj pozitivë dhe negativë, dhe mbi të gjitha, me dominimin e kriterit ideologjik në shqyrtimin dhe analizimin e ngjarjeve dhe fakteve historike.

Partia Socialiste ka të drejtë kur kërkoi tërheqjen nga qarkullimi të tekstit të historisë 12, sepse ai është një tekst i kontestuar mësimor, edukues, i porositur, kontrolluar, certifikuar, financiar dhe promovuar nga shteti (MASH). Paragrafët e gjetur dhe të publikuar në shtyp janë të mjaftueshëm për ta kuptuar drejtësinë e kësaj kërkese.

Por Partia Socialiste nuk ka të drejtë kur skandalet e teksteve mësimore dhe akademike spekulative dhe me theks ideologjik, i fokuson vetëm tek ky tekst. Ja një shembull tjetër më shqetësues dhe edhe më skandaloz.

Pak kohë më parë, Akademia e Shkencave, pas një pune shumëvjeçare, publikoi tekstin me katër vëllime të Historisë së Shqipërisë. Në hierarkinë e teksteve mësimore mbi historinë, ky është teksti bazë i referimit, për nxënës, studentë, studiues, përfshirë edhe ata të huaj.

Dhe në fakt, në këto vëllime gjen me dhjetëra raste të spekulimeve ideologjike, qëndrimeve të njëanshme, injorimit të fakteve të dokumentuara dhe ngjyrosje preferenciale të ngjarjeve e figurave politike në përputhje me modelin tabu të krijuar nga historiografia gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

Për shembull, kur teksti i historisë së Shqipërisë analizon ngjarjet politike 1921-1923, Ahmet Zogu, atëherë ministër ose Kryeministër, konsiderohet një politikan arkaik, diktator, abuzues, spekulant.

Grupi politik që mbështet atë, në përputhje me tabunë e 45 viteve komunizëm, cilësohet anakronik, i shitur, antidemokratik, antiperëndimor etj. Kurse rivalët politikë të tij jepen vetëm si heronj pozitivë, të mençur, demokratë, liberalë, atdhetarë etj.

Autorët e Historisë së Shqipërisë u kushtojnë vetëm dy rreshta atentateve kundër Zogut Kryeministër, dhe dy faqe, protestave kundër vrasjes së Avni Rustemit.

Ky i fundit, përshkruhet me elozhe si një hero pozitiv, vrasja e tij i adresohet direkt Zogut (asnjë gjykatë apo dokument arkivor nuk e provon këtë), madje përshkruhen me detaje edhe parullat që mbanin në dorë ose thirrjet që bënin protestuesit në Vlorë pro heroit pozitiv (Avniut) dhe kundër figurës negative (Zogut).

Ose më tej, hapësira që teksti zyrtar i historisë së Shqipërisë u kushton ngjarjeve historike me vlera kombëtare dhe atyre me vlera partiake është në disproporcion të dukshëm.

Kështu, themelimit të PKSH-së i kushtohet dhjetë herë më shumë hapësirë sesa vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, Kongresit të Përmetit (të PPSH) i kushtohet dyfish më shumë hapësirë sesa Mbledhjes së Mukjes (PPSH dhe nacionalistët), demonstratës së bukës në Korçë (1936) i kushtohet tre herë më shumë hapësirë sesa lëvizjes studentore 1990-1991, edhe pse kjo e fundit, minimalisht solli ndryshimin e sistemit politik në vend.

Shembuj të tillë janë të shumtë në tekstin bazë të historisë, botim i ASH-së dhe në çdo tekst tjetër zyrtar të dalë nga akademia apo ish-institutet e varësisë së saj.

Siç shihet, shqetësimi mbi punën akademike, tekstet, botimet dhe të vërtetat historike, është shumë më i madh sesa gafa e tekstit të klasës 12. Këto e shembuj të tjerë të panumërt, të pamundur për t’u trajtuar në një koment të shkurtër, janë shprehje e krizës së madhe të identitetit në të cilën ndodhen institucionet kërkimore profesionale në vend, politikat arsimore dhe në një aspekt më direkt, mendimi shkencor në vend.

Më 1991-shin, të gjithë ishim të ndërgjegjshëm se reformat dhe sistemi i ri politik kërkonin juristë të rinj, ekonomistë të rinj, specialistë të rinj, ushtarakë të rinj, krijues të rinj etj., ku me përcaktim “të rinj” nuk nënkuptohet mosha, por mentaliteti i mendimit dhe i punës.

Pas 19 vjetësh ne mund të krenohemi se kemi tashmë juristë profesionistë, kemi specialistë të fushave, ushtarakë e krijues profesionistë, por krahasuar me to, ne nuk mund të themi akoma se kemi edhe studiues profesionistë, sidomos në fushën e shkencave historike.

Ky përfundim pesimist e ka shpjegimin e vet. Brezi i historianëve të edukuar dhe brumosur me metodat e kërkimit dhe vlerësimit ideologjik dhe partiak të historisë, vijon të jetë aktiv dhe dominues në procesin e rivlerësimit të historisë.

Për vite me radhë, nën regjimin komunist, në botimet e tyre ata kanë promovuar teza e qëndrime të diktuara nga partia – shtet, duke krijuar skema tabu, klishe të pandryshueshme, diferencim ideologjik e klasor, metodikë diferencuese etj., ndaj personazheve dhe ngjarjeve.

Në periudhën e demokracisë kjo kategori historianësh, në shumicën e tyre, e pati të pamundur të distancohet nga metodat e vjetra, alias, tezat, botimet dhe krijimtaria e jetës së tyre.

Nuk pati ndjesë, as falje, korrigjim apo tërheqje. Në tërësi ata shfrytëzuan hapjen e vendit dhe të burimeve arkivore shqiptare e të huaja jo për rishikim të botimeve, tezave dhe studimeve të tyre, por për të kundërtën, për zbulimin e ndonjë letre, fakti anësor, dokumenti politik etj., që përforcon tezat e krijimtarisë së tyre të vjetër.

Kështu, i njëjti autor që drejtoi për dekada studimet kundër mbretit Zog, në demokraci risolli një botim të ri, me vlerë të veçantë vetëm shtesën e akuzave për preferencat e tij seksuale apo aspekt tjetër të jetës dhe veprimtarisë së tij.

Në këto rrethana, kushdo që ka nevojë të lexojë e studiojë diçka profesionale mbi historinë shqiptare, është i detyruar të mos u adresohet studimeve të ASH-së apo historianëve akademikë, por autorëve të huaj.

Nuk është vështirë të shihet sot diferenca e punës akademike e profesionale e një studiuesi të huaj, p.sh., Berndt Fisher, me homologët e tij shqiptarë, edhe pse dy palët trajtojnë të njëjtën periudhë, shfrytëzojnë të njëjtin arkiv dhe shkruajnë e botojnë në të njëjtën kohë.

E vetmja gjë që kanë bërë dhe po bëjnë ky brez i vjetër historianësh është rreshtimi vullnetar pro apo kundër tezave historike që u shkojnë përshtat partive të majta apo të djathta në Shqipëri.

Kështu, kur politikës i intereson të vërë në dyshim datën e çlirimit, të rindezë debatet rreth rivalitetit brendashqiptar të viteve të luftës, të promovojë apo sulmojë figura e ngjarje historike, ne shohim në media të njëjtët historianë, të ndarë pro e kundër, që debatojnë me argumente politike, që ofrojnë luftë politike dhe në thelb, promovojnë histori politike.

Ndërkohë, tek ne është e dukshme edhe dukuria joshkencore, që për ngjarje historike dhe sidomos të asaj pjese që lidhet me historinë politike, të parët që ftohen në media për të folur nuk janë historianët apolitikë, por vetë politikanët në cilësinë e dytë, atë të historianit.

Madje, aktiv në debatet historike vazhdimisht janë edhe drejtues të lartë të qeverisë dhe partive politike, një tregues i nivelit dhe joseriozitetit me të cilat trajtohen çështjet historike në Shqipërinë postkomuniste.

Për ironinë dhe fatkeqësinë tonë, ne kemi historianë të gatshëm të mbrojnë teza se e majta është e keqja e Shqipërisë, siç kemi historianë të tjerë të gatshëm dhe krenarë të mbrojnë tezat se diktatura dhe diktatori Hoxha duhen parë në baraspeshë, kritikat për sistemin dhe vlerësimet për arritjet e këtij sistemi.

Në fakt, nëse shihen tekstet akademike dhe shkollore gjermane e italiane, në asnjë rast nuk ka e nuk mund të ketë një vlerësim pozitiv të regjimit të Hitlerit apo Musolinit, pavarësisht se këto dy regjime, në vitet e para të drejtimit ende nuk ishin shndërruar në rrezik për botën demokratike.

Po ashtu mund të thuhet për regjimet komuniste në vendet e Europës Qendrore, si dhe për Çausheskun në Rumani e Zhivkovin në Bullgari. Sepse në konceptin perëndimor, tekstet shkollore dhe akademike, më shumë sesa tekste pasqyrimi formal të arkivit historik, konsiderohen burim informimi dhe sidomos, burim edukimi për brezat e rinj.

Kur historianë të ndryshëm kanë mendimet dhe tezat e veta për ngjarje të caktuara, nuk ka vend për shqetësim, përkundrazi, është një zhvillim i dëshiruar që mund të hapë mundësi për debat pikëpamjesh mbështetur në fakte e dokumente shkencore.

Në momentin kur këto mendime dhe teza personale, e kalojnë pragun personal dhe shndërrohen në tekste shkollore e akademike, pra në qëndrim zyrtar të institucioneve të shtetit shqiptar, në mendim e tezë të publikut dhe burim informimi e edukimi për brezat e nxënësve dhe studentëve, atëherë kemi të bëjmë me një akt të pastër abuzimi, zhvillim antishkencor dhe një kërcënim serioz për sistemin edukativ dhe shkencor në Shqipëri.

Qoftë edhe për këtë motiv, debati i fundit duhet të shërbejë si një moment reflektimi e kthese, jo thjesht për një apo dy tekste, por për një metodologji të gabuar dhe të rrezikshme pune, e cila më shumë sesa tensionimin e përkohshëm të jetës politike sot, nëse nuk korrigjohet, në të ardhmen mund të sjellë pasoja shumë të rënda për publikun dhe shoqërinë tonë.(Shekulli)

Pr9EhvZj7GA

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/lifestyle-showbiz-kuriozitete/histori-me-historiane.html. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/lifestyle-showbiz-kuriozitete/histori-me-historiane.html

Top