Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, në një takim në drejtorinë e Transportit Rrugor ne Tiranë, u ndal të sqarojë rëndësinë që ka reforma në transport. Sipas tij, kjo reformë do bëjnë të mundur rritjen e sigurisë publike dhe jetës së qytetarëve që udhëtojnë cdo ditë.
Sipas tij, do t’i jepet fund blerjes së patentave.“Mendimi dhe koncepti se mund të blihet patenta duhet të marrë fund menjëherë. Përmes shitjes së patentës, shesim sigurinë, kompromentojmë sigurinë publike. Pasi një i paaftë në timon është rrezik për sigurinë dhe jetën. Ndaj duhet të realizojmë masat e paketës për kualifikimin dhe testimin për patentën”, tha Haxhinasto, duke shtuar se do të përmirësohet mënyra e testimit teorik dhe praktik.
Ministri i Transporteve theksoi gjithashtu se një reforme të thellë kërkon edhe procesi i kontrollit të automjeteve. “Procesi i kolaudimit të shikohet me vëmendje, pasi vetëm automjetet me kushtet e përshtatshme duhet të dalin në rrugë. Të monitorohet, të kontrollohet dhe të bëhet vlerësimi rigoroz, pasi është e rëndësishme cilësia e shërbimit për automjetet dhe qytetarët”, tha Haxhinasto.
Haxhinasto u ndal edhe te mbrojtja e mjedisit. “Kam dhënë urdhër që gazrat që lëshojnë automjetet të jenë pjesë e testimit. Asnje lëshim nuk do të bëhet me gazrat që lëshojnë automjetet dhe cilësinë e karburanteve pasi cilësia e shëndetit publik është parësore”.
Ministri i Transporteve ripërsëriti idenë për targat elektronike. Sipas tij, “targat elektronike duhet të nxjerrin informacione si për policinë, ashtu dhe për drejtorinë e transportit rrugor, mbi gjendjen e automjetit, aftësisë së shoferit, detyrimet e tij, me qëllim që të ecim para drejt standardit europian”, tha Haxhinasto.
Burimi: lajm-shqip.com