Haxhi..

Rejhana Çekrezi

Primus registratum
Falënderimi i takon vetëm Allahut, Krijuesit të plotfuqishëm. Paqja dhe shpëtimi i Tij, si dhe përshëndetjet e salavatet tona qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, familjen dhe shokët e tij, si dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë me sinqeritet rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Lexues të nderuar!
Lusim Allahun e Madhëruar të na kurorëzojë me sukses në çdo punë të mirë, të na i pranojë veprat e mira, të na mbrojë nga të këqijat e fitnet, të na shpëtojë nga dënimi i Tij me zjarr! Edhe haxhinjve që kanë mësyrë Qaben ua mundësoftë ta kryejnë haxhin e tyre si duhet dhe ua pranoftë duke i shpërblyer me të mirat e Tij të panumërta!
Vëllezër e motra muslimanë!
Porosia e madhe për të gjithë është frika dhe përkushtimi i madh ndaj Allahut xhel-le shanuhu në të gjitha situatat e në të gjitha punët, mbajtja e fesë së Tij, si dhe kujdesi e largimi nga gjërat që e nxitin hidhërimin e Tij. Obligimi kryesor dhe më i rëndësishmi është Tevhidi (Njëshmëria e Allahut) dhe sinqeriteti i plotë (Ihlasi) në të gjitha ibadetet duke pasur parasysh gjithmonë pasimin e rrugës së Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem (Sunnetin e tij) në mendime, fjalë e vepra.
Andaj, edhe haxhi bën pjesë në Sheriatin e Allahut, të cilin e shpjegoi i Dërguari i Tij, Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe për ta kryer atë drejt e mirë duhet ndjekur udhëzimet e Mësuesit tonë, Muhammedit alejhi selam, i zgjedhuri i njerëzimit për t’i drejtuar ata në rrugët e mirësisë, gjegjësisht në rrugën e Xhenetit.
Gjëja më e urrejtur dhe mëkati më i rrezikshëm është politeizmi (shirku-bërja shok Allahut në ibadete, apo bërja e ibadetit për tjetërkënd), andaj edhe Allahu thotë: “S’ka dyshim se Allahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do.” [Nisaë, 48]
Poashtu edhe Pejgamberit të Tij i është drejtuar me këto fjalë: “Pasha Allahun! Të është shpallur ty, e edhe atyre para teje: “Nëse i bën shok (Allahut), veprat tua janë të asgjësuara dhe ti do të jesh prej të humburve.” [Zumer, 65]
Besimtarë të nderuar!
Pejgamberi (a.s) nuk ka bërë haxh pas shpërnguljes së Tij (hixhretit) vetëm se një herë dhe atë në fund të jetës së tij, i cili njihet me emrin “Haxhi Lamtumirës”. Gjatë ritualit të këtij haxhi ua mësoi njerëzve rregullat e tij me fjalë dhe me vepra, ku edhe thotë: “Merrni nga unë rregullat e haxhit tuaj.”
Nga kjo del se është obligim për të gjithë muslimanët që të ndjekin shembullin e tij në të gjitha çështjet, respektivisht edhe në haxh, të cilin duhet kryer ashtu si iu është obliguar, ngase Pejgamberi alejhi selam është Mësuesi Udhëzues. E dërgoi Allahu mëshirë për botërat, dëshmitar për apo kundër robërve, dhe urdhëroi që të pasohet duke sqaruar se pasimi i tij është rrugë që shpie në Xhenet, është mburojë që të mbron nga dënimi me zjarr, është simbol i çiltërsisë së dashurisë së robit ndaj Zotit si dhe dashurisë së Allahut ndaj robit. Për këtë edhe thotë Allahu xhel-le shanuhu: “Çka t’ju jep Pejgamberi, merrnie atë, e çka t’ju ndalojë, largohuni prej saj!” [Hashr, 7], poashtu porosit: “Faleni rregullisht namazin, jepni zekatin dhe pasone të Dërguarin në mënyrë që të mëshiroheni.” [Nurë, 56], si dhe thotë: “Kush i bindet Pejgamberit, ai i është bindur Allahut.” [Nisaë, 80]
Andaj, besimtarëve të devotshëm që kanë frikë Allahun si dhe shpresën e vetme e kanë lidhur te Allahu, u drejtohet: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur Allahun shumë shpesh.” [Ahzabë, 21]
Për këtë thekson dhe përmend pasojat e pasimit apo mospasimit të rrugës së Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, rrugë e cila shpie në xhenet, dhe thotë: “Kush i bindet Allahut (urdhërave të Tij) dhe të Dërguarit të Tij, atë e dërgon në xhenete nën të cilët burojnë lumenj. Aty do të jenë përgjithmonë. E ky është shpëtim i madh. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe i shkel dispozitat e Tij, atë e shtie në zjarr të përjetshëm. E për të është një dënim i rëndë.” [Nisaë, 13-14]
Madje e urdhëron Pejgamberiin e Tij që t’i drejtohet tërë njerëzimit duke thënë: “Thuaj (o Muhammed): O ju njerëz! Unë jam i Dërguari i Allahut te të gjithë ju. Allahut, që vetëm i Tij është sundimi i qiejve e i tokës, s’ka të adhuruar tjetër me meritë pos Tij; Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje. Pra besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Pejgamberin e pashkolluar që beson Allahun dhe shpalljet e Tij, ndiqne rrugën e tij që të udhëzoheni.” [A’rafë, 158], si dhe të thotë, madje edhe më fuqishëm dhe më bindës: “Thuaj (o Muhammed): Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje (rrugës sime) që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që falë shumë, mëshiron shumë.” [Ali Imran, 31]
Mu për këtë u drejtohemi të gjithëve me thirrje fisnike që të kenë frikë Allahun në çdo kohë dhe vend si dhe ta pasojnë rrugën e Pejgamberit në çdo gjë në mënyrë që të shpëtojnë dhe të kenë jetë të lumtur në të dy botërat!
Haxhi si ibadet është shumë i rëndësishëm dhe domethënës për besimtarët, sepse ka të bëjë me vendin e shenjtë, Qaben në Mekë, për të cilin Allahu në Kur’an thotë: “Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekë), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin.” [Ali Imran, 96]
Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe një nga aktet më domethënëse të adhurimit në jetën e muslimanëve, si individ dhe si popull. Allahu në ajetin kur’anor urdhëron: “Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë këmbësorë dhe kalorës me deve të rraskapitura prej rrugëve të largëta.” [Haxhxh, 27]
Haxhi i barazon të gjithë njerëzit, cilido qoftë statusi i tyre. Të gjithë veshin të njëjtën rrobë të thjeshtë dhe recitojnë: “Të përgjigjem o Allah të përgjigjem” gjë që të kujton qëndrimin para Allahut në Ditën e Gjykimit.
Haxhi është një rast i vlefshëm për të gjithë muslimanët. Ata, pasi kryejnë haxhin, kthehen në shtëpi “të pastruar”, si të ishin të sapolindur; mëkatet e tyre janë falur, lutjet u janë pranuar dhe dyert e Xhenetit janë të hapura për ta. Pejgamberi alejhi selam thotë: “Ai që e kryen haxhin, duke mos bërë veprime epshore apo mëkate, kthehet prej tij (i pastruar prej mëkateve) si atë ditë kur e ka lindur nëna.”
Me kthimin e haxhinjve të racave dhe ngjyrave të ndryshme në shtëpitë e tyre, ata mbartin me vete kujtesat e panumërta për Ibrahimin, Ismailin, Haxheren dhe Muhammedin alejhi selam. Ata do ta kujtojnë përgjithmonë këtë konkurs universal, ku të varfër e të pasur, të zinj e të bardhë, të rinj e të moshuar, takohen të barabartë.
Ata kthehen me një ndjesi frikë-respekti dhe qetësie: Frikë-respekti për përvojën e tyre në Arafat, ku u ndjenë më pranë Zotit se kurrë, teksa qëndronin në vendin ku Pejgamberi alejhi selam mbajti hytben gjatë haxhit të tij të fundit; qetësi për pastrimin e mëkateve në atë luginë, dhe duke u çliruar kështu nga kjo barrë e rëndë.
Ata kthehen gjithashtu me një kuptim më të mirë të kushteve të vëllezërve të tyre në Islam. Haxhinjt kthehen rrezatues, me shpresë dhe gëzim, pasi kanë përmbushur urdhëresën e kahershme të Zotit për njerëzimin, që të kryejnë haxhin. Mbi të gjitha, ata kthehen me një lutje në gjuhët e tyre: Na e prano o Allah haxhin dhe bëj që të jetë e vërtetë për haxhin tonë, ajo që ka thënë Pejgamberi alejhi selam: “Për haxhin e suksesshëm, nuk ka shpërblim tjetër veç Xhenetit.”
 
Top