Tiranë –Valixhja e teknikut kinez të punësuar nga Federata Shqiptare e Futbollit për ndeshjen e të shtunës, Shqipëri- Danimarkë, në “Elbasan Arena”, e harruar, mëngjesin e sotëm, në banjot e Aeroportit “Nënë Tereza” ndezi alarmin për bombë duke ngritur në këmbë gjithë policinë.
Gjithashtu krijoi panik tek udhëtarët që ishin në aeroport.
Gazetari ynë Xhevahir Zhabina informoi se valixhja kishte ngjallur dyshimin tek një udhëtar, i cili ka njoftuar menjëherë forcat e policisë.
Menjëherë ishte bërë dhe rrethimi i aeroportit dhe verifikimi i valixhes e cila fillimisht rezultoi pa pronar.
Pak më vonë, nëpërmjet kamerave u zbulua dhe pronari i saj, ishte një shtetas kinez i cili rezultoi se e kishte harruar.
Më pas u mësua se shtetasi kinez, identifuar si Qiangjun Mao, ishte një teknik reklamash që ishte punësuar për reklamat e ndeshjes Shqipëri- Danimarkë në Elbasan. Tekniku ishte thirrur nga Federata Shqiptare e Futbollit për ndeshjen e të shtunës.
Brenda valixhes ka pasur pajisje elektrike të parrezikshme.
Zyrtarë të aeroportit sqaruan se hetimi i objekteve të dyshimta në aeroporte është një procedurë standarte që ndiqet në kushtet e luftës kundër terrorizmit. Pasi u verifikua se nuk kishte rrezik puna në aeroport u kthye në normalitetit.
(Në foto Aeroporti “Nënë Tereza” mëngjesin e sotëm)
ORA NEWS