Hapja e kutive, zbardhet projektligji i opozitës

Hapja e kutive, zbardhet projektligji i opozitës

Partia Socialiste ka gati projektligjin që do tia paraqesë Kuvendit të Shqipërisë me qëllim hapjen e kutive të votimit dhe hetimin parlamentar të zgjedhjeve. Burimet nga selia rozë thonë se deri më tani është punuar për mbledhjen e firmave nga qytetarët shqiptarë që mbështesin kërkesën për zbardhjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Po sipas burimeve mësohet se nisma legjislative ka për qëllim hetimin e shkeljeve të ligjit dhe pretendimeve publike për shkelje, nga ana e institucioneve shtetërore apo personave të përfshirë zyrtarisht në administratën zgjedhore, si dhe krijimin e institucioneve të përkohshme që ngarkohen për drejtimin dhe administrimin e këtij procesi.
Burimet nga PS thanë për “Shqip” se drafti i hartuar nga ekspertët e Partisë Socialiste përmban në total shtatë nene. Në nenin që flet për objektin e hetimit thuhet se synohet hetimi i çdo shkeljeje që lidhet me procesin zgjedhor në tërësi. Konkretisht, socialistët duan të hetojnë akuzat për presione për largim ose ulje në detyrë për shkaqe që lidhen me fushatën zgjedhore, të punonjësve të administratës qendrore, lokale apo të çdo enti publik. Një tjetër objekt ka të bëjë me hetimin e pretendimeve dhe akuzave për proces të parregullt votimi në disa qendra konkrete votimi, pjesë të disa Zonave të Administrimit Zgjedhor. Nisma e opozitës që pritet të paraqitet në Kuvend synon edhe hetimin e akuzave dhe pretendimeve publike të ngritura nga partitë politike dhe vëzhguesit ndërkombëtarë për moszbatim të legjislacionit në lidhje me procesin e numërimit të votave dhe vlerësimin e tyre. Kjo kërkesë detajohet me një numër të caktuar të vendeve të numërimit të votave që përkojnë me ato çka janë konstatuar në raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit. Një tjetër objekt hetimi janë akuzat publike për përdorim të aseteve dhe administratës publike qendrore dhe lokale në favor të fushatës së forcave të caktuara politike. PS kërkon të hetojë edhe rastet e dhënies së lejeve të përkohshme për persona që janë të dënuar apo vuajnë masën e sigurisë arrest me burg. Objekt hetimor mësohet se do të jetë edhe hetimi i administratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me dështimin dhe mangësitë në përdorimin e teknologjisë së monitorimit të procesit të numërimit të votave. Drafti i PS thotë se hetimi i shkeljeve, objekt i këtij ligji, është i pakufizuar në natyrën e materialeve, dokumenteve apo provave që kërkohen të administrohen nga organet e ngarkuara në këtë ligj. Bëjnë përjashtim rastet kur administrimi i tyre, pengon punën e organeve gjyqësore apo atyre të ndjekjes penale. PS thotë se për zbatimin e këtij ligji dhe drejtimin e hetimit ngrihet një komision i posaçëm hetimor i përbërë në shumicën e tij nga deputetë të opozitës parlamentare. Numri i anëtarëve të këtij komisioni është tek dhe përcaktohet me vendim të veçantë të Kuvendit. Në vendimin e Kuvendit për ngritjen e komisionit hetimor përcaktohet edhe afati i punës së tij, që në çdo rast nuk mund të jetë më pak se 3 muaj.(Shqip)</p>
KS9LbEYo7Gs

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25050. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25050
 
Top