Guma shpallet hero grek, bust në kishën e himarës

Vendoset gjatë natës pranë kishës së Fshat-Himarë busti i Aristotel Gumës, i mbuluar me një flamur grek, për t’u zbuluar ditën.Në një lartësi prej 2 metrash, mbi trupin e mermerit të bardhë me kokë bronzi, u shfaq edhe mbishkrimi: “U vra pse foli gjuhën amtare, greqishten”. Një rresht makinash, të gjitha me targa greke, si edhe disa të rinj me motorë, bllokuan për pak minuta trafikun në rrugën nacionale, vetëm 1 kilometër larg Himarës. Me emrin e Aristotelit në gojë, “të importuarit” nga vendi fqinj bënë xhiro 2 herë duke lëshuar parulla, por herën e tretë, policia lokale u tregoi vendin se ku duhet të parkonin me këtë rast. Pranë kishës Fshat-Himarë, aty ku do të prezantohej busti i Gumës në një ceremoni përkujtimore të organizuar nga shoqata “OMONIA”, që drejtohet nga ish-kryebashkiaku Vasil Bollano. Një ceremoni që filloi pak para mesditës, por që sfidoi kryebashkiakun aktual Gjergj Goro, i cili në një prononcim për gazetën “Panorama” pati deklaruar se nuk do të lejonte shkeljen e ligjit, pra vendosjen e bustit të të riut pa miratimin e Këshillit Bashkiak. Pavarësisht heshtjes, ndryshe nga një vit më parë kur punonjës të Bashkisë Himarë, së bashku me kreun e saj, Bollano, ishin në krye të protestave për aksidentin e të riut 35-vjeçar, Goro është mënjanuar krejtësisht nga kjo ngjarje. As ai, as ndonjë zyrtar tjetër i Bashkisë nuk ka marrë pjesë në ceremoninë e djeshme.
Shenjtor dhe hero

Busti i Gumes, dje ne oborrin e Kishes se Himares
Për disa orë ndenji i mbuluar. Aty, në oborrin e kishës Fshat-Himarë dhe i mbuluar me flamurin kombëtar grek. Në mënyrë sekrete, monumenti i të riut 35-vjeçar, që sipas versionit zyrtar të Tiranës “vdiq në një aksident rrugor”, ndërsa sipas atij të Athinës “u vra nga katër të rinj shqiptarë vetëm pse foli greqisht”, është transportuar gjatë orëve të para të mëngjesit drejt kishës. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë policisë lokale, që kanë patrulluar pranë kishës. “Jemi të bindur që e kanë transportuar gjatë natës, pasi të paktën që nga ora 06:00 ne kemi qenë këtu dhe nuk kemi parë asnjë automjet me bust. Nuk është diçka e vogël që mund ta fshehësh”, thonë efektivët e policisë, të cilët gjithashtu mohojnë që monumenti të ketë qenë aty që një ditë më parë. Ndërkaq, edhe pse ceremonia ishte paralajmëruar rreth orës 09:00, ajo u zhvillua në orën 11:00. Pas kësaj vonese, familjarët, anëtarë të shoqatave të ndryshme minoritare, si dhe të ardhur specialë nga politika greke, u futën brenda kishës së fshatit për të kryer meshën sipas riteve ortodokse. Jashtë, dy vajza të veshura me kostume popullore helene ndenjën në pritje për ta zbuluar bustin. Po në pritje ishin edhe disa djem, por këta të fundit për të dëbuar të paftuarit. Në ceremoni nuk u lejuan mediat shqiptare, madje pati debat me kameramanët e televizioneve. Ndryshe nga këta, të ftuar për të xhiruar ishin disa operatorë dhe gazetarë të ardhur posaçërisht nga Greqia. Vetëm prej tyre mundën të dilnin më vonë filmimet nga ceremonia e vendosjes së bustit dhe kasetat e montuara të viheshin në dispozicion të kolegëve shqiptarë. Disa i pranuan, disa ngelën me copëza xhirimesh, ndërsa ne të “Panoramës” mundëm të përvidheshim mes turmës.
Thirrje për Vorio-Epirin
Pas gjysmë ore meshë, organizatorët kryesorë të kësaj ceremonie ngjitën shkallët drejt bustit; lideri i OMONIA-s, Vasil Bollano, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, si dhe ish-deputeti Harallamb Karathano, i shquar për pozicionin e tij antishqiptar dhe në mbrojtje të çështjes së ashtuquajtur Vorio-epirote. Madje, me këtë emër ishin dhe parullat kryesore të asaj që duhet të ishte ceremoni përkujtimore. Në kor, të pranishmit brohorisnin “Vorio-Epir” dhe “Aristotel”, të vetmet fjalë që të linin të kuptoje pak shqip, edhe pse ishin në greqisht. Me radhë u vunë disa kurora me lule, shumica të ardhura nga Greqia, ashtu si edhe të pranishmit. Fjalime, duartrokitje. Thirrje Vorio-Epir. Një entuziazëm i paparë shihej tek të ardhurit e huaj dhe ata të shoqatave, një entuziazëm ky krejt i munguar te nëna dhe familjarët e aristotel gumës. Ndryshe nga politikanët grekë dhe ata të omonia-s që rrokën mikrofonin për të folur, nëna e të ndjerit Aristotel Gume u ul në një karrige duke qarë. Erdhi e para dhe u largua e fundit…
Vendos lule mbi bust dhe e quan gumën birin e një nëne
Incidenti, mitropoliti i gjirokastrës akuzon krerët e omonia për pronat

Kreu i Omonia-s, Bollano dje në Himarë
Një incident krejt i paparashikuar ka ndodhur dje gjatë ceremonisë përkujtimore të Aristotel Gumës. I paparashikuar, sidomos sa i përket personazhit, por edhe akuzës. Mitropoliti i Gjirokastrës e ka akuzuar OMONIA-n për vjedhje. I ftuar për të nderuar të riun 35-vjeçar, ai e ka nderuar vërtet atë si birin e një nëne…“Unë nuk mund të pranoj që të përdoret një djalë i ri, i vdekur, për qëllimet tuaja. Unë respektoj të ndjerin si bir nëne, por distancohem nga këto veprime të ulëta”, tha mitropoliti i Gjirokastrës në gjuhën greke, ndërsa e ka respektuar familjen e Gumës me një kurorë me lule. Duke e prekur monumentin, ai sërish tha disa fjalë nën zë që nuk u kuptuan qartë, por pati disa të tjera që gjëmuan: “Unë do t’ju denoncoj se ju keni vjedhur pronat e kishës dhe keni bërë hotele”. Me të thënë këto fjalë, ai është distancuar vërtet nga të ftuarit, përveçse ka përshëndetur nënën e të ndjerit. Që të dy kishin diçka të përbashkët në këtë ceremoni. Edhe nëna, ashtu si mitropoliti, duket se ka qenë kundër vendosjes së bustit të djalit të saj në oborrin e kishës. Madje vonesat e nisjes së meshës kishin të bënin pikërisht me këtë refuzim të tyre. Sipas informacioneve pranë familjes, janë dashur disa orë bindëse nga Bollano, Dule dhe Karathano, në mënyrë që prindërit e Aristotelit të pranonin lartësimin e monumentit. Pavarësisht bindjes, u pa qartë se ata dhe familjarë të rrethit të ngushtë nuk ndenjën në rreshtin e parë të të ftuarve në ceremoni. Secili prej tyre zuri një cep dhe vajtuan sipas mënyrave të tyre, por më i dhimbshëm ishte vajtimi i nënës; vetëm lot, pa fjalë!
Në ceremoninë e djeshme në himarë merrnin pjesë politikanë grekë dhe përfaqësues të shoqatave minoritare
Karathano, thirrje për Vorio-Epirin
Ultranacionalisti grek shoqërohej nga Vasil Bollano e vangjel Dule

Dule, Bollano dhe politikanët Grekë, dje në Himarë
I ardhuri posaçërisht nga Greqia në Himarë, ish-deputeti dhe ultranacionalisti grek, Harallamb Karathano, ka rikthyer dje thirrjet për çështjen e Vorio-Epirit.Bëhet fjalë për të njëjtin politikan që ka qenë në Himarë disa herë dhe ka krijuar tensione, siç ndodhi në zgjedhjet lokale të vitit 2003. Deputet në atë kohë, Karathano ndoqi zgjedhjet për pushtetin lokal në Himarë, duke mbështetur kandidatin Vasil Bollano, i cili arriti të marrë edhe mandatin e kryebashkiakut. Kjo mbështetje vijoi edhe vitet që pasuan, ashtu si edhe në zgjedhjet lokale të 8 majit. Karathano u pa duke lëvizur i shoqëruar me një eskortë prej 6 personash, me trupa të fuqishëm, si dhe në kafenetë përballë zyrës së OMONIA-s, sërish me kreun e kësaj shoqate, Bollano dhe me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule. Në oborrin e kishës dhe pranë bustit të Aristotel Gumës ai u interesua që mikrofoni t’u kalonte miqve të tij të ardhur nga Greqia dhe qëndronin në radhën e parë

Karathano dje gjatë ceremonisë
të të ftuarve, përkrah Bollanos dhe Dules. Të gjithë përmendën Vorio-Epirin në fjalimet e tyre.
E, ndërsa zhvillohej ceremonia, pak metra larg oborrit ndodhi një incident i vogël. Një burrë rreth të 40-tave po komunikonte për një çështje biznesi, siç duket me dikë përtej telefonit që nuk dinte shqip, ndërsa katër djem të rinj iu afruan dhe nisën ta shanin në greqisht. Një moment, burri në fjalë mbylli telefonin dhe ua ktheu me të njëjtën gjuhë; ishte njëri prej tyre, por për çështje biznesi i duhej që të fliste shqip. Pasi u sqaruan, të rinjtë i rrahën paksa shpatullat atij si për t’i treguar mirëkuptim, por jo gjithkujt që mund të fliste shqip pa shkak. Kureshtarë të tillë që tentuan të afrohen, u larguan menjëherë. Megjithatë, qytetarët Himarës thuajse e injoruan ceremoninë e djeshme dhe nuk iu përgjigjën thirrjes për të marrë pjesë në kishë. As bllokime rrugësh, as parulla antishqiptare si një vit më parë, kur Bollano ishte në krye të Bashkisë së Himarës. Gjithsej të pranishmit ishin rreth 150 veta dhe shumica ishin të ardhur nga vendi fqinj.
PDIU: veprim i paligjshem dhe provokues
PDIU dënoi ngritjen e një busti të të ndjerit Aristotel Guma në Himarë, të cilin e quajti “provokimin e disa qarqeve”. Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet kërkon që të mos manipulohet me viktimat dhe që të respektohet kujtimi i të ndjerit Guma. Sipas PDIU-së, “në asnjë rrethanë ky provokim nuk i shërben bashkekzistencës së një vendi europian. Ky veprim është i paligjshëm dhe sfidues, pasi Këshilli Bashkiak i Himarës e ka refuzuar ngritjen e një busti të tillë”. Me anë të kësaj deklarate i bëhet thirrje shtetit shqiptar të ndërhyjë për të dekurajuar ata që duan të kthejnë një fatkeqësi me të cilën po merret Drejtësia, në një akt atavist e shovinist e që nxit tensione të panevojshme në mes të sezonit turistik.
Aleanca Kuq e Zi
Aleanca Kuq e Zi e ka cilësuar aktin e vendosjes së bustit të Aristotel Gumës në Himarë si provokacion të hapur ndaj shqiptarëve. “Vendoja e bustit me flamurin grek është një veprim arbitrar i organizatës ‘OMONIA’”, pohuan përfaqësuesit e Aleancës. Duke iu referuar edhe debateve më të fundit mbi regjistrimin e popullsisë, AK akuzon edhe PBDNJ-në e Vangjel Dules se po i bën sfidë të hapur shtetit dhe ligjit shqiptar. Nga ana e përfaqësuesve të AK-së, “grekët po luajnë rëndë me durimin e shqiptarëve”. Ata u kanë bërë thirrje institucioneve shtetërore t’i japin fund kësaj padrejtësie.
 

Hank

Valoris scriptorum
Shqitare te vrare nga greket gjate 20 viteve te fundit:

-9 nëntor 1992, polici I. Sejtaridis vret një shqiptar
-27 dhjetor 1992, polici Dh. Janopulos vret një shqiptar.
-12 shtator 1993, polici A. Delas vret një shqiptar
-9 mars 1994, polici N. Kunupakis vret një shqiptar
-Në nëndor 1994, polici L.Karajanis vret një shqiptar
-Në nëntor 1994, polici I.Rigas vret pa asnjë shkak një shqiptar
-Shkurt 1996, qytetari Theodoros Zanemas vret një shqiptar në moshë të re, pasi ai tentonte të vidhte biçikletën e djalit të tij.( 8/03/1996)
-Shkurt 1996, dy policët Dionis Vasiliu dhe Grigor Valmas çojnë në një vend të veçuar në Agio Stefano, disa km larg Athinës vjedhin me dhunë armën Cako (27-06-1996)
-Qershor 1996, Në Selanik, pedagogu i filologjisë të universitetit Antonis Manitakis akuzon policinë, pasi në sheshin e fshatit Kalamakis të Pilos ka ushtruar presion dhe i ka detyruar emigrantët e lidhur të ulen në gjunjë përdhe përpara banorëve të fshatit.( 2/07/1996)
-Tetor 1996, Në qytetin e Follorinës nxirret para drejtësisë Athanasio Fotopulo, i cili në vitin 1995 kishte vrarë shqiptarin Qazim Biklin, ndërsa një polic tjetër kishte tërhequr zvarrë pas motorit lidhur një shqiptar për ta çuar në rajonin e policisë.(23-10-1996)
-Nëndor 1996, Në Katerini të Selanikut, polici Dhimitris Spiropulu ka vrarë shqiptarin Jani Noka, me justifikimin se arma iu shkreh vetë. (11-11-1996)
-Dhjetor 1996, Në Komotini, Lefteris Kakulidhis ka vrarë në një lokal një 28 vjeçar shqiptar
-Prill 1997 Në Selanik, polici Apostol Kiras, me pistoletë ka plagosur në lokal një 22 vjeçar shqiptar (3/04/1997)
-Prill 1997 Në Kastoria gjatë ndjekjes së një kamioni që bënte transportin e emigrantëve klandestinë policia hap zjarr dhe vret dy shqiptarë. (16 /04/ 1997)
-Shtator 1997 Në fshatin Paramithia të Janinës, Lambro Dhimu vret 13-vjeçarin shqiptar Adriatik Domaniku, si dhe plagos 16-vjeçarin Milian Llapi ( 30/09/1997)
-Shtator 1997, Në zonën Platonokabo të Kavallas, Theokaris Eminidhis vret 17-vjeçarin Gazment Meko ( 6-04-1997)
-Nëntor 1997, Në Pirgo vëndasit akuzojnë policinë se kanë djegur një barangë ku jetonin shqiptarë për arsye se nuk mundi që t’i kapte. (8-11-1997)
-Dhjetor 1997 Në Kozani, drejtësia nxjerr të pafajshëm policin Miltiadhis Andreopulos, që më pare kishte vrarë një fëmijë 14 vjeçar. ( 9-12-1997)
-Mars 1998, Në Paleio Keramidhi të Pirias, vendasit së bashku me kryetarin e kësaj periferie, nxjerrin ligjin ku ndalojnë lëvizjen e emigrantëve shqiptarë pas perëndimit të diellit. Këtë ksenofobi banorët e shprehen hapur në lajmet kryesore të kanaleve televizive.
-Mars 1998 Në Pulitca të Korinthias, me propozimin e kryetarit Dhimitris Xhanavaras të kësaj komune u ndalon shqiptarëve të qëndrojnë si dhe të hyjnë në tavernat dhe kafenetë. (31/03/ 1998)
-Prill 1998, Polici Jorgo Atmaxhidhi në Selanik, ka qëlluar me armë pas koke, duke lënë të vrarë të riun Niko Leonidhi. ( 6/03/1998)
-Prill 1998 Në Amarinthu të Evias kërkojnë që emigrantët të largohen brenda një jave dhe të mos u jepet mundësia për t’u legalizuar ( 4/04/1998)
-Prill 1998 Në Larisa drejtësia i jep dënimin deri në dy vjet Athanasio Mato ( që paguan ditët që duhet të qëndronte në burg, e lihet i lirë).
-Në qershor të vitit 1993 kishte vrarë një shqiptar, pasi po merrte në kopshtin e tij një kokërr shalqi. -Maj 1998 Dy fëmijë shqiptarë plagosen me armë dhe vrasësi lihet i lirë nga drejtësia. ( 20/05/1998)
-Shkurt 1998, Në Athinë drejtësia u jep pafajësinë tre policëve dhe një shoferi taksie për keqtrajtimin dhe torturat karshi shqiptarëve më 1993 në Amfiklea. ( 11/02/1998)
-Qershor 1998 Në Larisa, drejtësia nxjerr të pafajshëm Zaharia Gogolu, i cili më 4 gusht 1995 kishte vrarë një emigrant shqiptar, ku më pare ishte dhënë dënimi me katër vite burg ( 18/06/1998)
-Qershor 1998 Në Stilidhas, dy fëmijë shqiptarë rrihen dhe keqtrajtohen nga policia. Për këtë vihet në dijeni edhe konsulli shqiptar i asaj kohe. Fajtorët si gjithnjë nuk dalin para drejtësisë
-Tetor 1998, Një 17 vjeçar grek vret dy shqiptar,drejtësia nuk e dënon vrasësin.
-Nëntor 1998, Polici Panajot Tcoleridhis, vret shqiptarin Sotiraq Butka, drejtësia greke si gjithnjë e nxjerr të pafajshëm.(10/11/1998)
-Dhjetor 1998, Jorgo Makris lihet i lire nga drejtësia, ku më 30 nëntor 1998 kishte vrarë një shqiptar dhe plagosur vëllain e tij.
-Dhjetor 1998, Polici Nikos Vrendas plagos me armë të riun shqiptar Sabri Kokiu.(2/12/1998)
-Janar 1999, Në Egjio, një fshatar qëllon me armë dhe plagos të birin, duke kujtuar se është shqiptar.
-Janar 1999, Në Thraki drejtësia i jep dënim me 4 vjet e dy muaj vrasësit Theokari Eminidhis nga Kavalla, ku shtator të 1997 kishte vrarë me karabinë 17 vjeçarin Gazmend Meka në Platanotopom. Edhe ky vrasës lihet i lirë. ( gazeta Paratitis 12 /01 /1999)
-Shkurt 1999, Drejtësia e Selanikut nxjerr të pafajshëm policin Konstandino Zaharopulos, i cili kishte vrarë në burg një emigrant shqiptar.
-Mars 1999, Shqiptari Arben Vekshi bie i vdekur nga plumbat e policit Andonis Kanavas.
-Prill 1999 Shqiptari 45 vjeçar Faslli Neta vritet nga policia.
-Në nëntor 1999, drejtësia e Janinës dënon me burg Jorgo Xorxopulo, i cili natën e vitit të ri kishte vrarë tre shqiptarë sepse ata i kërkuan pagesën e ditës së punës. Vrasësi i preu me sharrë trupin e njërit prej tyre për të humbur gjurmët.
-Nëntor 1999 në ishullin, Navpliu, drejtësia dënon shtetasin Gurgusi, se ka vrarë një 20-vjeçar shqiptar, dhe u mundua që ta zhdukte duke e djegur trupin, ku dënohet në fillim me 18 muaj burg e më vonë lirohet në mars 2000,
-19 qershor 1999, në Kedhica vritet një shqiptar pse po shikonte një makinë
-24 qershor 1999 në Greqinë Veriore në Imathias vritet një 28 vjeçar vendas, pasi nga pamja e jashtme u mor për shqiptar
-Tetor 1999 Në periferinë Istias, kryetari i saj, Dhimitri Daliani, ka kërkuar largimin e emigrantëve shqiptar.
-Tetor 1999. Panteli Kazakos, punonjës shërbimi pranë Televizionit Shtetëror grek, vret në Athinë dy emigrant dhe plagos katër të tjerë.
-Nëntor 1999, Gjatë një ekskursioni shkollor në qytetin e Selanikut, në muajin tetor bie i vdekur nga plumbat e policit Qiriako Vantuli në mes të qytetit nxënësin serb Marko Bulatoviç. Drejtësia mbas katër vjetësh e dënon me 27 muaj burg, por, polici lihet i lire dhe kthehet në detyrën e tij.
-Nëntor 1999, Në ishullin, Navpliu, drejtësia dënon Gurgusi, i cili akuzohet se ka vrarë një 20 vjeçar shqiptar, dhe u mundua që ta zhdukte duke e djegur trupin, ku dënohet në fillim me 18 muaj burg e më vonë lirohet
-Mars 2000, Polici Jorgo Atmaxidhis vret 18-vjeçarin Nikolla Leonidhi. Drejtësia e lë të lire kundrejt një gjobe prej 500.000 dhrahmi.
-Gusht 2000 Një shqiptar vritet nga policia, pasi dyshohej për drogë. Mbas vrasjes shqiptarit nuk ju gjend asnjë gjë e dyshimtë.
-Më 24 Qershor 1999 vritet një i ri 28 vjeçar në Imathia që u mor nga pamja e jashtme për shqiptar, dhe katër ditë më parë në Kardhica ( 20 qershor 1999) u vra një shqiptar pse po shikonte një makinë…
-Shkurt 2001 Shqiptari 16 vjeçar Refat Tafili rrihet në rajonin e policisë në Agjio Stefanio të Athinës dhe trupi i tij i sakatosur hidhet në rrugë. Ministri i Rendit me 22 shkurt i jep afatin që brenda 15 ditëve të largohet nga Greqia. Mjeket deklaruan se emigranti duhet të qëndronte të paktën dy muaj në spital.
-Nëntor 2001, polici Joanis Rizopulos vret 24 vjeçarin Gentian Çelnikun, i cili ishte duke pirë kafe
23 shtator 2003,një ushtar ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar me një plumb në kokë Vullnet Bytyçin gjatë kalimit të kufirit. Qeveria shqiptare proteston ne Ambasadën greke në Tiranë
-23 gusht 2003 gjenden të vdekur në Selanik,Gentian Fati 23 vjeç dhe Adrian Vreto 25 vjeç
-Nëntor 2003, Në Kretë gjendet trupi pa jetë i një të riu
-Athinë 2003, një shtetas grek vret me thikë për një fjalë goje 20-vjeçarin Aleksandër Lufo
-20 gusht 2004, policia vret 36-vjeçarin Luan Bërdëllima që së bashku me disa shokë po shikonin ndeshje futbolli në një lokal.
15 mars 2005, Ilir Frroku, 26 vjeç, u vra me thikë në një lokal të Athinës nga një grek vetëm sepse po këndonte këngë shqiptare.
-5 shtatorit 2004. Shqiptari Gramoz Palushi u vra me thikë nga greku Panajotis Kladhis vetëm për arsyen se Palushi po festonte me flamurin.
-1 janar 2006, babë e bir vrasin me thikë në gjumë 18-vjeçarin Edison Jahajn (gjykohen dhe më pas lirohen)
-8 nëntor 2007, vritet në kufi Elmi Lata
-18 Dhjetor 2008,Enea Kalemi u gjet i vrarë në banesë. Policia greke: Ekzekutuar nga dy persona, si dhe një 23-vjeçar shqiptar tjetër është gjetur i vrarë në banesën e tij në Kolono në Athinë i ekzekutuar me 20 plumba
-5 gusht 2009 ,një emigrante shqiptare u gjet e varur në komisariatin e policisë Hersonisos të Kretes
 
Top