Gruaja e hekurt e Lituanisë

Gruaja e hekurt e Lituanisë

Ekonomiste, rripi i zi në karate, që prej korrikut të këtij viti Dalia Grybauskaite është Presidente e Lituanisë. Tani, detyra e saj është të ngrejë në këmbë një vend të gjunjëzuar nga kriza ekonomike</p>


Jo të gjithë kanë dëgjuar për Dalia Grybauskaite, Presidenten 53- vjeçare të Lituanisë, e vetmja kryetare shteti në botë, që mban rripin e zi në karate. E veshur me fund dhe xhaketë me lule, flokët biondë të krehur bukur, Dalia nuk nguron të flasë për artet marciale, një nga pasionet e saj. Ajo tregon se ka marrë rripin e zi në karate dhjetë vjet më parë, kur ishte funksionare diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, sot, i ngelet shumë pak kohë për tu stërvitur. “Të gjitha artet marciale kanë si qëllim të shmangin kontaktin fizik. Ato konsiderohen thjesht vetëm ushtrime fizike. Por angazhimi mendor është më i rëndësishëm. Me sjelljen tonë, gjithmonë duhet të përpiqemi të eliminojmë një sulm të mundshëm. Ky quhet parandalim i sulmit”, shpjegon Presidentja bukuroshe me sytë bojëqielli. Por Grybauskaite nuk është e vetmja lidere në politikë e interesuar për artet marciale në botë. Vladimir Putin, Kryeministri rus, është rripi i zi në xhudo. “Është tipike e Forcave të Armatosura të Rusisë, xhudo ishte i vetmi art i lejueshëm në sistemin sovjetik”, tregon Presidentja, besnike ndaj karatesë.</p>


Takimi me Putin</p>


Lituania u nda nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, kur vendi mori pavarësinë që kishte humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Raportet me Rusinë janë ende shumë komplekse. Kur e pyet se mund ti zgjidhin çështjet e lëna pezull me Rusinë, duke organizuar një ndeshje në artet marciale me Kryeministrin Putin, Dalia bën sikur nuk e dëgjon pyetjen dhe përgjigjet shkurt. “Nuk jemi takuar kurrë”. Megjithatë, në çdo rast nënvizon se “për të karateja është një filozofi jete, një sjellje kundrejt punës, një lloj disipline”. Situata e vështirë e Lituanisë kërkon me siguri gjithë energjinë mendore të Grybauskaites. E zgjedhur në maj të vitit 2009, me 68 për qind të votave, Dalia e mori detyrën si Presidente e vendit më 12 korrik. U rikthye në Vilnius pas 5 vjetësh detyrë si komisare europiane në Bruksel dhe gjeti një vend të zhytur thellë në krizë. Në tremujorin e dytë të vitit 2009, ekonomia e Lituanisë ka pësuar një ulje me 22 për qind. Të ardhurat fiskale po shkurtohen në mënyrë drastike dhe kasat e shtetit janë pothuajse bosh. Këto ditë, Dalia sapo ka firmosur një ligj që shkurtonte rrogat e sektorit publik me 10-20 për qind. Në javët e fundit, ekonomia duket sikur është stabilizuar paksa dhe tregu aksioner ka filluar të përmirësohet. Por, gjendja e financave publike dhe të dhënat mbi rritjen ekonomike janë shqetësuese. E lindur në Vilnius, në vitin 1956, Dalia ka studiuar ekonomi politike në Universitetin e Leningradit, Shën Peterburgu i sotëm. U rrit në një familje me origjinë modeste, ku ditën punonte në një fabrikë peliçesh, që të kishte mundësi të paguante shkollën. Megjithatë, Dalia e kujton me nostalgji atë periudhë. Pavarësisht se i ka kryer studimet në kohën sovjetike, e mohon idenë se ka pësuar ndonjë influencë ideologjike. “Leningradi kishte një bibliotekë shumë të bukur dhe për tre vjet rresht kam studiuar historinë e mendimit ekonomik nga Aristoteli te Marksi, nga Smith te Keynes”. Anglishtja është gjuha e saj e tretë ose e katërt (pas lituanishtes, rusishtes dhe asaj polake). E flet në mënyrë të matur, ashtu si personaliteti i saj. Ndonjëherë shton edhe ndonjë fjalë në frëngjisht, në kujtim të kohëve të Brukselit. Ky kombinim mes personalitetit të fortë, preferencave për teoritë që mbështesin tregun e lirë dhe flokët biondë, ka çuar në krahasimin e pashmangshëm me Margaret Theçerin. Edhe Grybauskaite është cilësuar si gruaja e hekurt e Lituanisë. Por, në ndryshim nga Theçeri, nuk ka në shtëpi një burrë që e pret, me një gotë uiski, pas një dite të lodhshme pune. Statusi i saj si grua beqare ka përhapur shumë thashetheme për jetën private. Gjatë fushatës elektorale e mohoi kategorikisht se ishte lezbike. Nuk ka të afërm të ngushtë. Prindërit i kanë vdekur herët dhe është vajzë e vetme. Fakti i të qenit Presidente e ka përkeqësuar izolimin e saj. Me një zë melankolik shton se në Bruksel ishte shumë më e bukur, ndihej rehat dhe mund të dilte shëtitje e veshur me xhinse. Tani, liria e saj është reduktuar ndjeshëm. Por ky është çmimi që duhet të paguajë. Aktualisht, ditët e saj janë vetëm “punë, punë, punë”. Presidentja dallohet për kurajën dhe sinqeritetin që e karakterizon, përveçse është shumë simpatike. Dalia thotë se Lituania i ka ndjerë shumë pasojat e krizës ekonomike, duke shtuar se Vilniusi mund të kërkojë hua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, nëse nuk do të arrijë të mbledhë fondet e nevojshme për tregun financiar. Lituania është republikë parlamentare dhe teorikisht, pushteti i Dalias është shumë i kufizuar. Por, Presidentja e re u paraqit në zgjedhje si kandidate e pavarur dhe mori një mandat që kërkon ta çojë deri në fund. Nuk nguron të bëjë dallimin mes fuqive të kufizuara që ka dhe gjendjes aktuale: “Qytetarët pretendojnë shumë nga unë, sidomos në këtë kohë krize dhe ndihem përgjegjëse për gjithçka ndaj popullit tim. Jo vetëm për ekonominë, por edhe klimën morale dhe kulturore”. Një çështje morale dhe kulturore që ka trashëguar nga paraardhësi i saj është edhe ligji i ri mbi “mbrojtjen e të miturve kundër efekteve të dëmshme të informacionit publik”, që ndalon shpërndarjen në shkolla, në vende publike dhe në mjetet e informacionit të materialeve që promovojnë lidhjet homoseksuale, biseksuale dhe poligame”. Ky veprim u dënua nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si “Amnesty International”. Ish-presidenti, Valdas Adamkus, kishte vendosur veton, por Parlamenti lituanez e hodhi poshtë dhe Grybauskaite u detyrua të firmoste ligjin. Megjithatë ka ngritur një komision për ta analizuar këtë çështje, duke theksuar se vetë është plotësisht kundër. “Homofobia është në rritje të vazhdueshme”, thekson ajo. Komuniteti hebraik që përbënte 40 për qind të popullsisë lituaneze para Holokaustit, tani është reduktuar shumë. Por suksesi i Grybauskaites do të varet nga zgjedhjet e saj në fushën e ekonomisë. Lituanezët mendonin se do ta përjetonin krizën më pak se Letonia, që kërkoi një hua nga FMN-ja. Por të dhënat për GDP-në janë tronditëse: numri i të papunëve është shumë i lartë, rrogat po ulen dhe rrezikohet një zhvlerësim i monedhës vendase. Para recesionit, fakti se ishte një vend i vogël dhe në gjendje të vendoste vetë për politikat fiskale, ishte avantazh për Lituaninë. Tani Presidentja është e bindur se nuk ka ardhur ende momenti për të nxjerrë përfundime mbi zgjedhjet më të mira për të dalë nga kriza. Vetëm pas tre vjetësh mund të zbulojmë nëse është e këshillueshme të “vendosemi në dietë apo të organizojmë një festë”, përfundon ajo.(Shqip)</p>
PONtluBNpzw

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25740. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25740
 
Top