Re: Gjykata: STOP Partise Islamike!
Gjatë ditës së djeshme, gjyqtarja Muça ka vendosur të hedhë poshtë kërkesën për legalizimin e “Mëmëdheu”-t
Gjykata refuzon legalizimin e partisë fetare “Mëmëdheu”
Shaqiri: Gjyqtarja na paragjykoi. Do të ndërrojmë listat dhe do të përsërisim kërkesën për legalizim
Ardita Hysa
TIRANË – Gjykata e Tiranës ka refuzuar dje, legalizimin e së vetmes parti me prejardhje fetare në vendin tonë, të quajtur “Mëmëdheu”. Duke i cilësuar të parregullta listat me anëtarët e “projekt-partisë” së re, gjyqtarja Blerina Muça e ka hedhur poshtë kërkesën e paraqitur më 14 shkurt të këtij viti nga Artan Shaqiri, për krijimin e partisë “Mëmëdheu”. Pasi i ka verifikuar nga ana ligjore listat me 500 anëtarët e “Mëmëdheut”, Muça ka vendosur edhe marrjen në pyetje të disave prej tyre. Dy dëshmitarët e parë, të pyetur në Gjykatën e Tiranës janë pasuar edhe nga pesë të tjerë, emra këta të përzgjedhur nga gjyqtarja Muça. Deklarimet e tyre para togave të zeza, nuk e bindën gjyqtaren të legalizonte një tjetër parti në vendin tonë, anëtarët e së cilës i përkasin besimit islam.
Anëtarët
Gjatë ditës së djeshme, nga gjyqtarja Blerina Muça janë marrë në pyetje pesë anëtarë nga lista prej 500 anëtarësh e partisë “Mëmëdheu”. Por edhe pas kësaj séance pyetjesh, gjyqtarja nuk është bindur, duke vendosur të rrëzojë kërkesën e Artan Shaqirit për të legalizuar partinë “Mëmëdheu”. Vetë gjyqtarja nuk ka komentuar gjatë vendimin e saj për rrëzimin e kërkesës së Shaqirit, por ka shprehur mosbesimin e saj për krijimin e kësaj partie. Ndërkaq, kryetari i partisë së palegalizuar, Artan Shaqiri, është shprehur se ky vendim ka ardhur për shkak të rivaliteteve politike.Ai ka shtuar se ka mbledhur 500 firma për krijimin e kësaj partie, që sipas tij ka në thelb besimin dhe drejtësinë. E megjithëse në qendër të partisë “Mëmëdheu” qëndron besimi islam, Shaqiri shprehet se është për një shtet laik dhe jofetar.
Reagimi
Kreu i partisë në ilegalitet, Artan Shaqiri shprehet për “Shekullin” se nuk është gjykata ajo që refuzon krijimin e kësaj partie, por politika. “Janë inate politike ato që penguan firmosjen e kërkesës për krijimin e partisë “Mëmëdheu”,-shton ai. “Gjyqtarja na ka paragjykuar, duke kërkuar lista të reja. Ne nuk do të heqim dorë nga krijimi i kësaj partie, por do të ripërsërisim kërkesën për legalizimin e “Mëmëdheut” në Gjykatën e Tiranës”,-pohon Shaqiri. Sipas tij, mësohet se janë ndërruar tashmë edhe listat e anëtarëve, dhe pritet që shumë shpejt të përsëritet kërkesa për legalizimin. “Partia jonë ka në program ato që partitë e tjera nuk kanë mundur t’i arrijnë ndonjëherë”,-përfundon ai.
“MËMËDHEU”
Ka në thelb besimin dhe drejtësinë
Është për shtet laik
Nuk ka financim fetar,
por kërkon të financohet si partitë e tjera.
Synon të arrijë atë që nuk e kanë arritur partitë e tjera politike
Dënon aktet terroriste në të gjithë botën
Krerët e kësaj partie nuk pranojnë karakterin fetar të “Mëmëdheut''