Gjykata: Jo gjykim të shkurtuar tre të akuzuarve të Gërdecit

Gjykata: Jo gjykim të shkurtuar tre të akuzuarve të Gërdecit

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesat e Delijorgjit, Minxhollit dhe Pinarit, tre të akuzuarve të çështjes “Gërdeci”, për gjykim të shkurtuar.

Ndërkohë disa nga të pandehurit kanë kërkuar të thirren si dëshmitarë në gjyq Fatmir Mediu, Aldo Bumçi dhe Enkelejd Alibeaj.

Në seancën e sotme trupi gjykues nuk ka pranuar kërkesën e bërë pak ditë më parë nga avokatët mbrojtës të Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit e Dritan Minxholli, të cilët kërkonin gjykim të shkurtuar, një tentativë për t’i shpëtuar burgimit të përjetshëm.

Avokatët e të pandehurve i kërkuan Gjykatës, që të pranojë kërkesën për gjykimin e klientëve në aplikim të gjykimit të shkurtuar. “Jemi dakord të gjykohen me ato prova që janë siguruar. Në asnjë rast nuk pranojmë akuzat e ngritura nga Prokuroria, pasi ato janë të pabazuara ligjërisht, për të cilat në pretendimet tona përfundimtare do t’i argumentojmë”,- thanë avokatët e të pandehurve, Delijorgji, Pinari, Minxholli, Margariti, e kompanisë “Albademil”, një seancë më parë, kur u bë dhe kërkesa.

Por, kjo u kundërshtua nga prokurorët e çështjes, sipas të cilëve gjykimi i shkurtuar cenon procesin gjyqësor dhe dëmton provat e mbledhura prej tyre.

Vetëm pak ditë më parë, kjo gjykatë refuzoi kërkesën e ish-zv/Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral Agim Lala, për gjykimin e shkurtuar të tij.

Nëse kjo kërkesë pranohej nga trupi gjykues i kryesuar nga Ridvan Hado, i shpëtonte automatikisht ata nga dënimi kapital me burgim të përjetshëm, nëse ata deklarohen fajtorë për akuzat e “vrasjes masive në rrethana cilësuese” në bashkëpunim.

Nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve “Alba Demil”, mesditën e 15 marsit 2008 mbetën të vrarë 26 persona, u plagosën qindra të tjerë në fshatin Gerdec.

Nis “Gërdeci”, Mediu i dyshuari pa akuzë

29 tetor

TIRANË- Filloi dje zyrtarisht procesi gjyqësor ndaj 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit. Përfaqësuesit e akuzës lexuan për dy orë kërkesën për gjykim me rreth 120 faqe në ngarkim të të pandehurve, duke parashtruar edhe provat që janë siguruar në fazën hetimore bashkë me listën prej 391 dëshmitarëve, që do të thirren prej saj në këtë cilësi në gjykatën e Tiranës.

Në listën e këtyre dëshmitarëve të akuzës, falë imunitetit parlamentar nuk ndodhej emri i ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu tashmë me detyrën e ministrit të Mjedisit, edhe pse shpërthimi i Gërdecit ka ardhur si pasojë e urdhrave të lëshuar nga ai, sipas pretendimit të prokurorisë.

Sipas kërkesës për gjykim që u lexua nga katër prokurorët e çështjes, nga 30 minuta secili, në dosje përmendet emri i Mediut vetëm si qytetar dhe jo si person i pandehur. Siç dihet, me vendim të Gjykatës së Lartë, procedimi penal ndaj tij është pushuar falë imunitetit të fituar në zgjedhjet e 28 qershorit.

“Për të provuar akuzat ndaj 28 të pandehurve të kësaj dosjeje, kërkojmë nga gjykata ta pranojë dhe të thërrasë me cilësinë e dëshmitarëve 391 persona, mes tyre, familjarë të viktimave, ish- punëtorë të punishtes së demontimit të municioneve, ish- dhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, të nivelit të lartë, të mesëm dhe të ulët, ushtarakë e civilë, punonjës të firmave private, etj”- thuhej në kërkesën e prokurorisë.

Gjithashtu, sipas akuzës, u kërkua të merren në shqyrtim provat materiale të renditura sipas rendit alfabetik në 199 faqe, që i bashkëngjiten kërkesës për gjykim si dhe kërkesa për pyetjen e 27 të pandehurve të kësaj dosjeje, duke përjashtuar këtu vetëm të pandehurin “Albademil” si person juridik.

Ndërkohë, pas parashtrimit të kërkesave paraprake nga organi i akuzës, të gjithë avokatët e pranishëm në sallën e gjyqit kërkuan kohë për të paraqitur kërkesat e tyre për këtë procedim penal, kërkesë kjo që u miratua nga gjykata.

Ndërkaq, ajo refuzoi të rrëzojë kërkesat e mbrojtësve përsa i përket pavlefshmërisë për një sërë aktesh ekspertimi, të kërkuara prej avokatëve në një nga seancat e mëparshme, që kishin të bënin kryesisht me shpërthimin dhe vlerësimet e dëmeve.

Në fund trupi gjykues shtyu seancën për më datën 2 nëntor në orën 10:00. Të pranishëm në sallën e gjyqit ndodheshin vetëm 9 nga 27 të pandehurit. Të pandehurit e tjerë nuk preferuan të paraqiteshin. Gjithashtu, në sallë munguan edhe disa prej avokatëve mbrojtës, mes të cilëve edhe kreu i Dhomës Kombëtare, Maksim Haxhia.

Ai kishte kërkuar të shtyhej seanca pasi ndodhej në një proces tjetër penal, por gjykata vendosi ta zëvendësojë atë me dy avokatë kryesisht.

Prokuroria:
Shpërthimi nga zhvendosja e kontenierëve të saposalduar

Nga hetimet disamujore ka rezultuar se shtetasi Fatmir Mediu, me detyrën e Ministrit të Mbrojtjes, me kërkesë të të pandehurit Ylli Pinari, ka firmosur urdhrin për hapjen e tenderit për çmilitarizimin e municioneve.

Më pas po i pandehuri Pinari bashkë me Patrik Henry, përfaqësues i kompanisë SAC dhe i pandehuri Mihal Delijorgji kanë hapur një shoqëri me emrin “Albademil”. Firma amerikane SAC ka fituar tenderin e Ministrisë së Mbrojtjes për demontimin e fishekëve, por me ndërhyrjen e Pinarit ka nënkontraktuar firmën e Delijorgjit “Albademilin” me përqindje. Kjo kompani ka filluar punën duke çmontuar municione pa krijuar kushtet elementare të sigurisë.

Përveç mos krijimit të kushteve të sigurisë, kompania e drejtuar nga drejtori teknik, tashmë i pandehur, Dritan Minxholli punësoi gra e fëmijë të pa kualifikuar në çmontimin e municioneve. Me datë 15 marsit 2008 në kohën e drekës, rreth orës 12:00 përgjegjësit e punëtorëve, duke parë se koha ishte pak e vrenjtur urdhërojnë punëtorët të fusin brenda kapanoneve dhe bunkerëve barutin që ndodhej jashtë.

Një kontenier i mbushur me barut, të cilit pak minuta më parë ia kishin salduar rrotat duke e shtyrë me forcë drejt kapanonit krijon flluska zjarri në beton, këto shkëndija mbërritën tek baruti që nisi të digjej. Duke parë skenën e djegies së barutit, punëtorët fillojnë të largohen me vrap për t’i shpëtuar shpërthimit të pritshëm që ndodhi pas disa minutash.

Djegia e barutit dhe predhave të pa çmontuara që ndodheshin aty shkaktoi një shpërthim të fuqishëm, flakët e të cilit përqafuan qiellin, duke arritur në një lartësi prej dhjetëra e dhjetëra metrash. Shpërthimi solli vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e mbi 300 të tjerëve të plagosur. Njëkohësisht pati edhe dëme të konsiderueshme materiale, pasi shtëpitë e fshatrave për rreth u shembën bashkë me shumë biznese.

Sipas akuzës, të 28 të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në role dhe kohë të ndryshme, kanë kryer një sërë veprash të rënda penale, duke sjellë për pasojë shpërthimin e ndodhur më 15 mars 2008 në ish-repartin e tankeve në fshatin Gërdec të komunës së Vorës.(Shekulli)

wdUBrP7xw0o

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=27035. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=27035

Top