scadarsko
Locus omnem
Primo Shllaku Poet me nji zâ te vetin poetik, Primo Shllaku asht nji ndër autorët e letërsisë shqipe që gjatë diktaturës nuk kishte gja për me thanë. Mbas kësaj kohe, jo vetëm nëpërmjet krijimtarisë letrare, por edhe n’intervista – si kjo që vijon – ai shprehet në mbrojtje të thesarit të munguem të standardit të sotëm gjuhsor, gegnishtes.JAVA: Mungesa e nji forumi të lirë për shprehjen e mendimit ndryshe t’intelektualve shqiptarë a asht konfirmim i faktit se ky mendim ndryshe nuk ekziston, apo i faktit se shoqnia shqiptare nuk asht ende e gatshme me e mirpritë nji forum të tillë?Primo Shllaku: Besoj se mendimi ndryshe ekziston. Sidomos mendimi në lamin e kulturës ekziston me nji opozicion të thekshëm dhe të përgjegjshëm njiherësh. Ky mendim sot nuk mund të thuhet se qëndron në ajër, sepse materializimi i tij në vepra letrare e artistike e ka konfirmue bazalitetin e tendencës dhe risinë e saj të padiskutueshme. Problemi i madh i kohës sonë nuk asht mungesa e institucioneve që do ta përfaqsonin ket mendim ndryshe. E keqja e madhe âsht se tek na në mnyrën ma paradoksale âsht vendosë në heshtje që ata njerz që i shërbyen ngritjes dhe konsolidimit (e aspak ramjes) së artit të Realizmit Socialist, thirren sot prap, si specialistë, për të riorientue gjuhën, letërsinë, menditë kulturore, etj. Kam idenë se shum ma e dobishme do të ishte që disa punë të binin në dorë të atyne që kanë fare pak ose edhe hiç stazh nëpër zyrat e kulturës, se sa disa cungje të vjetër që ripërtypin me ndryshime sipërfaqsore teori gjoja të reja, gjithsesi të paaplikueshme te na. Konfuzionin në ketë fushë e rrit shum edhe mungesa e nji platforme të kjartë nga ana e shtetit për zmontimin dhe shrranjosjen e trashigimisë komuniste, e cila sot ka vojtë si puna e qershive të Nastradinit. Shum njerz me dëshirë tremben nga ideja e boshllëkut. Shembulli i Rilindjes sonë që filloi mbi nji teren pothuejse zero dhe begatia e produktit të saj, a s’na thonë se nji stomak bosh punon ma mirë se ai që i duhet të bluej skrapin e nji vakti të gatuem keq. Inteligjencia shqiptare – mjerisht ky term âsht komunist i kulluet – do ta donte ket forum. Por shteti dhe qarqe kulturore të së kaluemes janë të betuem mos me i lshue pozitat hegjemone për sa të jenë gjallë. Shteti promovon politika kulturore që gjallnojnë diversitetin dhe inkurajon të gjitha tendencat. Shteti s’mund të jetë palë që ka pikëpamje edhe për gjuhën, edhe për artet, edhe për mendimin lvizës. Shteti nuk ka funksione represive në kulturë, për derisa ka vendosë me lejue shtypin, letërsinë e multimediat pornografike. Shteti âsht koordinator dhe përfaqsohet me të gjithë.Në fillimin e vjetëve ’90, letërsia e artet e kohës së diktaturës ranë si gardh i kalbunJAVA: Të shumtë kanë qenë zânat që kanë kërkue, si edhe ju, përmbysjen e sistemit letrar të diktaturës, por letërsia bashkkohore shqiptare asht ende nën hijen e randë të viteve ’60, jo vetëm sa i takon pikave të referimit, por rrjedhimisht edhe sistemit të vlersimit. A mendoni se duhet me ikë ma s’pari prej nji narcisizmi absurd në trajtimin e letërsisë shqipe?Primo Shllaku: Ka qenë krejt e natyrshme që kultura e re pluraliste shqiptare, por edhe ajo “e nëndheshmja” që zhvillohej disi gjatë diktaturës, të mos ishin jo vetëm dakord me modelin e Realizmit Socialist, por në njifarë mnyre me dhanien e nji modeli tjetër, sado të vagët e sado të pakët, ky lloj modeli ka qenë i kontestuem me kohë e me vakt. Unë personalisht nuk kam kërkue ndonjiherë të përmbyset sistemi letrar. Dhe kjo jo sepse unë gjej diçka te ai sistem që më ndalon për të kërkue përmbysjen e tij. Jo. Kjo ndodh për vetë faktin e thjeshtë e ultraevident se ai sistem âsht përmbysë, shembë e skadue prej vetiu. Dhe jo si nji proces, por si nji shembje që ndodhë për nji çast. Në fillimin e vjetëve ’90, letërsia e artet e kohës së diktaturës ranë si gardh i kalbun. Ky qe nji sihariq i madh për kulturën dhe krijuesit, sepse po largohej trysnia e imponimit të metodës. Mirpo nji pjesë e krijuesve të asaj metode kishin lanë nën gërmadhat e atij gardhi, rininë e tyne ekzistenciale, rininë e tyne letrare, iluzionet për drejtsinë e diktaturës, mundin por edhe dëshminë e bezdishme të mosrefuzimit të fatkeqsisë. Meqë ishin shum dhe i njifnin rrugët e sintonisë, vendosën me i dalë zot shkrimeve të tyne, mbasi, kjo duket kjartë, nuk kishin se çka me thanë të re e në përputhje me shpirtin e kohës. Zamani a koha e tyne optimale e krijimit kishte ikë dhe stina e thatë e Realizmit Socialist ua kishte përzhitë klorofilat. E ç’faj mund të kemi na se ata e përdorën gabim jetën e tyne? E ç’kusur kemi na të rrimë e t’i ndigjojmë se paskan thanë ketë e atë, të gjitha kto mballosje të mapastajme e mjerane, kur të gjithë e dimë se ajo stinë ishte sŷmprehtë me i gjetë devijimet atje ku s’ishin e jo ma atje ku ishin të thanuna me adresë.Unë, po, kam kërkue shprehimisht përmbysjen e kierarkive si dhe te libri për Martin Camajn kam kërkue me plot gojën që të hiqen gërmadhat e të hapet vend për Martinin.“Nuk due të jem nji gozhdë e ngulun në tru të njerzisë”JAVA: Ju jeni ndër përfaqësuesit e atyne që shkruen pa botue në diktaturë. Si ndiheni sa herë që autoritetet nga brenda sistemit mohojnë ekzistencën e letërsisë t’sirtarve në Shqipni, tue u përpjekë me jua shpërvetsue këte të drejtë?Primo Shllaku: Më lejoni pak të shpreh njilloj alergjie që kam për togfjalshin “letërsi sirtaresh”.E di se ky âsht nji term i konsakruem dhe përmban edhe nji veshtrim neutral e kategorik.Si term nuk më duket i gjetun dhe do t’i bâj njifarësoj kritike, sepse sugjestioni i tij âsht ma fort pejorativ. Shkrimet rrinë në sirtar si rrinë paret në bankë a anijet mbi shpinë të detit. Vjet në maj më pyeti nji kineast amerikan që kishte ardhë te “Poeteka”: A ke qenë i persekutuem gjatë kohës së komunizmit? Unë iu përgjigja thatë se jo. U çudit dhe më ngriti supet: Si, kshtu? I thashë se gjatë diktaturës unë nuk kisha gjâ për me thanë. Pastaj i shtova: ”Tashti që kam për të thanë, tashti nuk më lanë. Tashti jam i persekutuem.” Edhe pse përgjigja ime kishte disi nji strukturë anekdotike, burri i botës nuk mbrriti me kuptue shum prej çka ndigjoi. Njeriu e kullandris vetë lirinë dhe s’i merr leje askujt për me e jetue lirinë si diktaturë apo anasjelltas. Vetëm se desha me thanë se termit “letërsi sirtari” që përpiqet me qenë nji term universal, ndoshta me kapitull në vete në tekstin e teorisë së letërsisë, në letërsinë shqipe bashkëkohëse i përgjigjet termi që po e shpik tashti “letërsi gozhdë”. Më ndihmoi Migjeni me vargun e tij “Nuk due të jem nji gozhdë e ngulun në tru të njerzisë”. Me nji fjalë kur të skjarohen gozhdat dhe karpentierët, do të skjarojmë sirtaret dhe marangozët.Letersia ime si granate e csigirueme nen jastekJAVA: Disnivelet e mëdhaja ndërmjet letërsisë zyrtare dhe asaj jozyrtare shqiptare gjatë 50 vjetëve të fundit a janë shprehje e ndërhymjes së shtetit në punët e letërsisë dhe e asaj që Trebeshina e pat quejtë si “përcaktim të shkrimtarit të parë me dekret shtetnor”?Primo Shllaku: Të them të drejtën nuk e di nëse ka pasë gjatë ktyne 50 vjetëve të fundit nji letërsi jozyrtare. Përveç letërsisë skorbutike të RS, nuk e di se ka tjetër. Ato që kam shkrue unë e ndonji shok i imi, kanë qenë shprehje e lirisë sonë të mbrendshme, nji përpjekje me ruejtë turgorin shpirtnor dhe nji epsh djallzor me jetue me nji granatë të çsigurueme nën jastek. Nëse mandej, kjo lojë, si e tillë apo diçka ma tepër ka mundë me qenë edhe nji dëshmi e pjesmarrjes sime të mirfilltë në sfidën e artit, unë ket nuk e pres ta ndigjoj prej njerzish që janë ma tepër se nji rreth i ngushtë bashkëkohësish.Patjetër që shteti kishte ndërhŷ në punët e letërsisë, pa tjetër që ndërhymja e shtetit nuk kishte qenë asnjiherë elegante dhe delikate, patjetër që shteti kishte gijotinën e vet edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve e njerzit e devoçëm që shqelmonin stolin a hiqnin siguresën. Letërsia duhet të ishte konsakrimi moral e shpirtnor i mizorisë konstante të makinës shtetnore që kishte krijue institucionin e kurbanizimit periodik. E e dini se në letërsinë shqipe të RS ekzistojn edhe ndonji “personazh pozitiv” që manifeston simptoma të pamëdyshta kanibalizmi?JAVA: Debati për raportet e intelektualve me shoqninë shqiptare në stadin aktual, asht çështje e moralit apo e të vërtetës? Cilës duhet me iu referue intelektualët, simbas jush?Primo Shllaku: Na ende vazhdojmë me quejtë intelektualë njerzit që s’merren me punë fizike. Puna mendore âsht ma e shumllojtë se puna fizike dhe si të tillë, pra si intelektualë, duhet të biem dakord ma në fund me quejtë vetëm ata që, mbasi kanë msue fort, janë në gjendje me krijue diçka. ”Intelektuali” që nuk krijon âsht edhe shef llogarie, âsht edhe roje kantieri, edhe pilot avoni. Pra njeri i shlodhun, njeri me nge. E si mund t’i përcaktojmë na raportet me shoqninë kur masa e atyne që janë në gjendje me dhanë krijimtari të vërtetë rrethohet literalisht prej nji mase të trashë parazitare e të turbullt amatorësh, diletantësh, parvenysh, brigantash e deri provokatorësh. Kjo masë e ngeshme që shullâhet nën çdo qiell e nën çdo mot, nuk e njef asfare dilemën “të jesh atë kesh”. JAVA: Në mungesë të studimeve serioze, ende s’asht vërtetue nëse nji nga arsyet e ndalimit të disa shkrimtarve të gjysmës së dytë të shekullit të kaluem ka qenë edhe gjuha, por kjo tezë as nuk asht hedhë kurrë poshtë. Cili asht gjykimi juej për këte aspekt?Primo Shllaku: Edhe pse erdhi ajo liri minimale që i duhet njeriut për me dëshmue të paktën, nji pjesë e madhe e protagonistëve të asaj periudhe, preferojnë dhe po ikin pa krye nji rrfim total. Shkaqet janë të shumta, por gjithsesi janë vetjake dhe mikro-nikro. Kolë Jakova bani nji autokritikë të bukur e burrnore, por ajo kishte për shenjestër veten dhe partinë. Parti nuk ishte ma dhe vetja duhej lehtsue prej mkatit të gënjeshtrës. Ajo autokritikë ishte prap opurtuniste, sepse ai nuk foli për gjuhën. Pra, Kola e dinte se ata që e ruenin gjuhën ishin gjallë, kurse partia ishte nji karakatinë e braktisun. Gjuhsisht dramatika e tij ishte avancim i gegnishtes në dramaturgji dhe përqasje e guximshme dhe e sukseshme e dialogut me të folunën e gjallë. Kola do të bante shum ma mirë të përqendrohej te gjuha si mjet absolut i asaj natyre drame që shkruente ai dhe që ndrrimi i ekspresionit koincidoi fatalisht për ket autor me hymjen e tij në klimaks.“Rrej, rrej...se dicka mbetet”JAVA: Çfarë të vërtete shkencore apo logjike historike ka në thanien “Qysh nga shekulli i Skënderbeut… gjuha, që dikur kishte qenë e unifikuar, po thellonte ndarjen dialektore. Në këtë proces regresiv divergimi, një rol reaksionar luajti kleri katolik…” të bame në vitin 1978 nga njeni prej eksponentve ma të naltë të sistemit të kohës? A mendoni se kjo thanie ka zbritë në masën e njerzve tue i ba nji pjesë me mendue kështu edhe sot?Primo Shllaku: Të gjithë eksponentët e naltë të sistemit të kohës ishin të turbulluem prej uthullës që Enveri u jepte me pi esëll çdo mëngjes. Fjalët e tyne s’i kam marrë për bazë as atëherë, as edhe sot. Kleri katolik nuk ka nevojë t’i dalë zot askush, sepse vepra e tij historike âsht e madhe dhe e lavdishme. Ata që sot përsërisin të tilla teza duket se msheftas vazhdojnë në shtëpitë e tyne kurën e uthullës esëll në mjes. Padyshim që kto zana tregojnë se historia e të ashtuquejtunës “tolerancë fetare” âsht ma tepër nji urim sesa e vërtetë e pakocka. Për ata që marrin vesht diçka nga gjuhsia shqipe do të kujtoj se fenomeni lokal e i përkohëshëm i rotacizmit që e ka mbarue veprimin e tij diku para ardhjes së sllavëve, pra mes shekujve VI-VIII, âsht i pari divergim degjenerativ mbrenda shqipes dhe se zona ku u shfaq nuk ka qenë tamam zonë e veprimit të klerit katolik, por e asaj pjese të trevave iliro-shqiptare që interesoheshin prej ndikimit bizantin dhe, përkatsisht, ortodoksisë.Thania që i atribuohet Napoleonit “ Rrej, rrej se diçka mbetet”, realizohet në dy faza. E para âsht “rrej, rrej” dhe përkon me kohën e diktaturës. Kurse faza e dytë se “diçka mbetet”,i takon me qenë koha e jonë. Po të mos kishim “kso mbeturinash”, koha e jonë do të ishte pa rival dhe, kam frikë, shum e amësht. Të mos harrojmë se ata që mendojnë mbrapsht, janë absolutisht arsyeja për të cilën duhet të ekzistojnë ata që mendojnë mbarë.Masakra hegjemoniste mbi gjuhen JAVA: Tash që disa gjuhtarë shqiptarë nuk bajnë ma shkencë mbi parime partishmënie, standardin kanë mbetë me e mbrojtë tu’ sulmue si antishqiptar cilindo që ven në diskutim këte çështje. A mundet me u mbajtë në kambë nji standard gjuhsor me pretekstin se njisoi nji komb, i cili edhe mbas 35 vjetësh jo vetëm nuk ndihet i përfaqsuem në këte standard, por për pjesën ma të madhe t’individve të këtij kombi, standardi shfaqet me tiparet e nji mishi të huej?Primo Shllaku: Më duket se Oscar Wilde e pati quejtë patriotizmin si strehën e fundit të maskarejve. Viktimat intelektuale të indoktrinimit ideologjik dhe të partishmënive e ndjejnë tmerrsisht të pariparueshëm sistemin e tyne të dijeve dhe kjo i ban shum nevrikë e, për pasojë, agresivë. Sokrati paska thanë: Kur më kafshon qeni, çfarë prisni, që t’i sillem e ta kafshoj edhe unë qenin?” Standardi âsht ky dhe po mbahet në kambë jo keq. Arrna andej, arrna kndej, ky standard ka lanë jashtë vetes edhe vetë disa zonalitete të tosknishtes. Ky arrnim që e ka kthye atê në nji patch work të vërtetë, nuk knaq ma askend, përveç atyne që e fitojnë buken tue krye arrnimin. Papritmas nji shkrimtar ynë i madh deklaron ose deklarohet se po merr nga gegnishtja. I shofim ata që merr nga gegnishtja e del se i ka marrë se s’ka pasë ku i merr tjetër veç prej ndonji gjuhe të huej. Pra ajo që sot kërkohet të na shitet si dashamirsi ndaj gegnishtes që qan e ankohet se âsht emargjinue, rezulton asgjâ ma pak se mosplotni ose edhe pamjaftueshmëni e bazës tosknishte të ktij standardi. Megjithë operacionet që janë krye e mund të kryhen, me gjithë përpjekjen dinake e fodulle për ta vû shoqninë shqiptare e dhe nji herë para faktit të kryem, me gjithëshurdhimin akademik si formë e terrorit shkencor në postdiktaturë, megjithë ngritjen e nji opinioni përherë e ma solid lidhë me rrugët për zbutjen e efektit të masakrës së kulturës së hegjemonizmit mbi gjuhën, unë them se gjuha shqipe pa gegnishten âsht si gjuha shqipe pa tosknishten.Kur De Rada shijohet me kondomJAVA: Asht e qartë se pasojat e Kongresit përjashtues të Drejtshkrimit nuk kanë me u riparue prej të njajtit brez që e organizoi ate. Mosthirrjen e nji autoriteti për me ndryshue vendimet e vitit 1972 e shihni si mungesë të vullnetit për ndryshim, apo si paaftsi e konfirmueme edhe në ribotimin e nji fjalori tejet të vorfën para pak kohësh, që e nxjerr gjuhën e sotme shqipe po aq të paevoluueme sa në vitin 1981?Primo Shllaku: Gegnishta u përjashtue me program prej festës gjuhsore të shqiptarëve. Kongresi i njofti dhe i caktoi asaj njifarë statusi të vdekjes klinike që mbahet pranë për dhurim organesh. Substancialisht kongresi i tha gegnishtes “vdis ti që të bashkëpunojmë” Dhe qysh atëherë filloi ndërtimi i standardit mbi bazën e tosknishtes në bashkëpunim me nji të vdekun a klinikisht të vdekun. Shum thonë se rezultati âsht i dyshimtë, i paknaqshëm, gjysmak dhe, bile, ka asish që flasin për dështim. Unë nuk kam se si të gzohem kur dështon gjuha ime. Por as nuk kam sepse të mendoj se u bâ tashti, nuk zhbâhet. Ket mkat ua lâ të tjerëve dhe mos paça punë me ta. Po si t’ia bâjmë gegnishtes që âsht gjallë e e fortë se...? Ku t’i çojmë Arshi Pipat, Ernest Koliqat, Martin Camajt, Zef Zorbat e nji dorë tjetër letrarësh që janë gjallë e që nuk ma lejon etika t’i përmend as si interesantë? Ku? Pra nuk ka ndodhë ndonji mrekulli. Shqipja jonë e dashun, e msueme e lakue trupin e saj përmes Skilash e Karibdash, s’i paskej humbë reflekset edhe mbas Rilindjes që do të profilohej si epoka e triumfit të saj mbi kolerat e njipasnjishme mbi tê. E gegnishtja jonë e bukur që “i ka shti dridhën tanë Rumelisë”, e msueme me dalë shndosh ndër shtigje të ashpra historike, e kishte ruejtë të fortë turrin 400-500 vjeçar të jetës së saj dhe vazhdonte me dhanë kryevepra në stina të thata e në kushte asfiksimi. E ku ta çojmë gegnishten që dredhon, hidhet, çan e futet përparje? Ata të kongresit s’i kishin parasŷsh kto punë. Po kta të mbaskongresit ku duen me i çue kta vitalitete të gegnishtes? Apo nuk i shqetson mallkimi i De Radës, që si poet eminent i gjithëhershëm i letrave shqiptare sot lexohet i transkriptuem e shijohet me kondom, vetëm e vetëm se mes nesh e atij ishte nji det Adriatik dhe nji perandori osmane, autoritetin prohibitiv të të cilëve e pretendon sot nji kongres i bamë në kohën e palirisë. JAVA: Përveç gjuhës standarde që duhet të jetë pengue me u rritë prej përjashtimit të gegnishtes, a mendoni se edhe vetë gegnishtja asht dâmtue prej mospërfshimjes dhe mungesës së zhvillimit natyror si gjuhë jo veç e folun, por edhe e shkrueme?Primo Shllaku: Kohët e fundit ka pasë replika shum të mprehta dhe me argumente të ndritshme që kërkojnë rishime ridimensionime të qëndrimeve zyrtare akademike ndaj gjuhës. Argumentologjia âsht sa moderne aq edhe e forcueme me fenomene tipike të rrafshit konkret të kulturës e gjuhës sonë. Por bota akademike hesht, hesht me nji heshtje “ex cathedra”, heshtje fodulle por edhe vrasëse. Studiues të ndriçuem e njerz të kulturës si Ledi Shamku-Shkreli, Migjen Kelmendi edhe ndonji tjetër, kërkojnë hapsina të mdha për gegnishten, jo dhe aq për të riparue kongresin, se sa për të shpëtue trashigiminë letrare të ktij ekspresioni që gjallon me ngulm e shkëlqim sot e gjithë ditën. Nga gjuhtarët e institutit do të ishte e mirë të merrej iniciativa e nji konference ku të diskutohej rreth njisimit në kushte të reja të drejtshkrimit të gegnishtes si parapërgatitje për futjen e saj në shkollë si landë e themelit.Për fund, duhet të them se damtimi i gegnishtes ka qenë ma shum i rendit moral. Kurse gjendja e saj e mënjanimit e ka sjellë në nji pozicion të mrekullueshëm për të bâ prekje shum modernizuese sidomos në adoptimin e nji drejtshkrimi praktik e sintetik.Shkodranizmi i Gegnishtes asht kurthJAVA: Si e komentoni mungesën e reagimit institucional nga Universiteti i Shkodrës në çështjen e rishikimit të standardit? A mendoni se po mbi këte institucion mundet me râ përgjegjsia për heshtjen masive edhe t’intelektualve t’asaj hapsine, e sidomos të shkrimtarve, shumica e të cilëve kanë harrue me shkru’ gegnisht?Primo Shllaku: Universiteti i Shkodrës âsht skalioni i parë që ndoshta u asgjâsue në betejën e parë për hapjen ndaj gegnishtes. Unë i kujtoj me respekt replikat dhe rreshkun e sinqertë të seancave të vjeteve ’94-’95. Ata kishin nji gabim ose ndoshta ashtu ishin rrethanat. Problemi i gegnishtes nuk âsht dhe nuk mund të jetë problem i shkodranëve. Më duket se shkodranizimi i gegnishtes âsht kurtha ma e rrezikshme për t’u shtŷ pafundsisht kjo çeshtje. Problemi i gegnishtes sot profilohet si problem kombtar e mbarëkombtar dhe nuk ka aspak lidhje me çeshtjet e standardit e të letrarishtes. Gjuha letrare shqipe do të krijohet mbi bazën e dy nënletrarishteve shqipe, kur të dyja të jenë të gjalla e të përdoruna edhe në të folun, edhe në të shkruem. Gjuhën letrare do ta vendosë letërsia mbetëse dhe me përmbajtje të thellë humaniste, moderne e kompetitive jashtë e mbrendë. Gjuha letrare do të vijë pa i djegë etapat dhe pa i sforcue proceset. Maturimi i proceseve nuk mund të ndodhë mbrenda harkut të nji brêzi, e aq ma pak, mbrenda periudhës së nji pushteti. Unë mendoj se sot problemi i gegnishtes âsht kryesisht problem i toskfolësve natyrorë, të cilët rrezikojnë të gjenden të përjashtuem ndaj pjesës ma substanciale të krejt letërsisë kombtare të te gjitha kohnave.