"Gerdeci", Pinari e Delijorgji drejt lirisë

TIRANE-Ora duket se punon në favor të Mihal Delijorgjit. Biznesmeni i akuzuar si përgjegjësi kryesor për tragjedinë e Gërdecit, është vetëm një hap larg lirisë njofton sot e perditshmja Gazeta Shqiptare sipas te ciles , i njëjti fat ka gjasa 't'u trokasë në derë' dhe të akuzuarve të tjerë të arrestuar, Ylli Pinarit, ish-kreu i MEICO-S, si dhe Dritan Minxollit e Sokol Ngjecit. Me vendimin e fundit të marrë vetëm pak ditë më parë nga Gjykata e Lartë, duket se "ëndrra" e Delijorgjit dhe tre të akuzuarve të tjerë po kthehet në realitet.
"GSH" ka mundur të sigurojë vendimin e Gjykatës supreme që prishi dy vendimet e shkallëve më të ulëta, të cilat kishin rrëzuar kërkesën e katër të pandehurve, për lirimin nga qelia me argumentin se kanë përfunduar afatet e paraburgimit. "Në rigjykimin e kërkesës së kërkuesve, Gjykata e shkallës së parë duhet të ketë parasysh përllogaritjen e afatit të kohëzgjatjes së paraburgimit për secilin nga kërkuesit, nga data kur aktet janë dërguar nga organi i prokurorisë në Gjykatën e Lartë, pra më 13.03.2009, duke mos llogaritur në këtë afat vetëm datat për të cilat gjykata ka pezulluar afatet e paraburgimit", thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë, duke lënë të nënkuptojë që afati 1-vjeçar i pretenduar prej të akuzuarve ka filluar prej ditës që dosja ka mbërritur pranë kësaj gjykate, pasi atëherë një nga të akuzuarit ishte dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Gjykata e Lartë e ndau çështjen duke mbajtur për gjykim vetëm ish-ministrin Mediu, ndërsa të pandehurit e tjerë ia dërgoi për kompetencë gjykatës së Tiranës. Kjo e fundit shprehet se afatet e paraburgimit fillojnë ditën që dosja ka mbërritur pranë saj, por për Gjykatën e Lartë, ky qëndrim është i gabuar. GSH sjell te plote sot arsyetimin e gjykatës supreme.

Dosja "Gërdeci" me 29 të pandehurit si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit ku me 15 Mars te vitit 2008 humben jeten 26 persona, po shqyrtohet në gjykatën e Tiranës që prej qershorit 2009. Aktualisht ndodhet në fazën e debatit për prova dhe natyrshëm që ka pasur mjaft përplasje mes palëve. Në gjyqin ndaj të akuzuarve për shpërthimin tragjik, pritet të vijë për të dëshmuar Patrik Henri, president i kompanisë amerikane SAC, për njoftimin e të cilit është dërguar një lëterporosi, por ende nuk ka ndonjë përgjigje. Nëse Henri nuk do të paraqitet në proces, atëherë prokurorisë do t'i duhet të kërkojë leximin e dëshmisë së tij të marrë përmes letërporosisë.

(d.b/BalkanWeb)
 
Top