Gazetari kinez që takoi Maon ditën e shpalljes së republikës

Gazetari kinez që takoi Maon ditën e shpalljes së republikës

Pas kaq vitesh, njeriu i vetëm që ndoshta është ende gjallë nga njerëzit që e takuan Maon, 1 tetorin e 60 viteve më parë, Li, vazhdon që të mbetet krenar për artikullin që shkroi dhe që u publikua në faqen e parë të të gjitha gazetave partiake më 2 tetor.</p>


Janë të paktë ata që i kanë mbijetuar asaj dite të 60 viteve më parë, kur historia e Kinës së madhe mori një rrjedhë krejt të ndryshme e, bashkë me historinë e Kinës, ndryshoi edhe një pjesë e historisë së botës. Një prej të paktëve të mbetur ende gjallë dhe në gjendje për të rrëfyer është edhe Li Pu. Ai është 91 vjeç dhe ka qenë dikur gazetar, e mbase mund të jetë i vetmi i mbetur gjallë nga njerëzit që kanë qëndruar ballë përballë me Mao Ce Dunin pikërisht ditën kur ai shpalli themelimin e Republikës Popullore të Kinës. Li ka qenë në atë kohë të 60 viteve më parë një reporter relativisht i ri në moshë dhe sot është pjesë e qindra figurave më me influencë të shekullit XX, që do të ngjisin Portën e Paqes Qiellore në Tiananmen, në hyrje të Pallatit të Perandorëve me rastin e përvjetorit që po festohet me shumë madhështi në Kinë.
Li është shumë i moçëm dhe me flokë tashmë krejtësisht të thinjur. Jeton në të njëjtin apartament që partia i dha shumë e shumë vite më parë si veteran i saj. Ky gazetar u zgjodh mes gjithë kolegëve të tij që të asistonte dhe të fotografonte momentin formal të lindjes së pushtetit të Partisë Komuniste. “Më kujtohet se ndodhesha në një makinë që mori rrugën pas Tiananmen dhe u fut brenda Qytetit të Ndaluar. Kur ndalëm pashë Maon të dilte nga makina që ndodhej përballë simes. Në ato vite, ende nuk kishte një ashensor për tu ngjitur në portën e madhe dhe ne na u desh që të ngjisnim shkallët”, rrëfen gazetari i moçëm. Ai kujton se në atë ceremoni ndodheshin rreth 1000 persona në podiumin e portës që sheh për nga sheshi i famshëm “Tiananmen”. Li ishte vetëm 31 vjeç dhe me siguri anëtari më i ri i atij grumbullimi. “Unë isha thuajse në fund të turmës dhe nuk mund ta imagjinoja atë që po ndodhte në rreshtat e parë, madje edhe në Bulevardin e Paqes së Përjetshme. Mendoj se në shesh mund të ishin mbledhur rreth 300 mijë persona”. Ceremonia në fakt nuk u hap nga shoku Mao, por nga një tjetër veteran. Më pas Zhu De, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë, i zuri vendin veteranit duke u futur në një kamion të vogël ushtarak dhe bëri një paradë para Forcave të Armatosura prej 16 mijë personash. Kjo traditë është ndjekur edhe nga liderë të tjerë në përvjetorët që vijuan. Kur edhe ai mbaroi parakalimin, atëherë në tribunë doli Mao për të folur. Kujtesa e Li është pak e mjegulluar pas 6 dhjetëvjeçarësh. “Mendoj se duhet të ishte ora 3:00 e pasdites kur Mao mori mikrofonin dhe tha: “Po shpall themelimin e Republikës Popullore të Kinës”. Pas kësaj, ai lexoi një listë emrash të zyrtarëve më të lartë të qeverisë së re. Li kujton se atmosfera rreth liderit të madh ishte e elektrizuar. Njerëzit ishin të lumtur dhe plot me shpresë për ndryshimet pozitive që prisnin. Ata kishin vite që luftonin dhe ja, më në fund, dukej se kishte ardhur momenti i rindërtimit. “Ata që ndodheshin në atë shesh e konsideronin veten me fat që ishin ende gjallë e që nuk kishin vdekur si miliona të tjerë që humbën jetën gjatë viteve të luftës nga armët dhe nga uria e vështirësi të ndryshme”, thotë Li. Pas fjalës së Maos, nisën këngët dhe hedhja e parullave entuziaste për komandantin dhe për gjithë veteranët e luftës dhe udhëheqësit e partisë. Në turmën e njerëzve ndodhej atë ditë edhe bashkëshortja e Li, tashmë 83 vjeçe, ish-gruaja e një ambasadori kinez në Londër në vitet 80. Ajo është gruaja e dytë e gazetarit. “E kisha pritur me gëzim të jashtëzakonshëm atë moment dhe e kam përjetuar me shumë lumturi si të gjithë njerëzit që ndodheshin në atë shesh përpara liderëve të partisë. Unë u bëra pjesë e Revolucionit që në vitin 1940 dhe kjo ditë ishte pika kulmore e gjithë atyre viteve të gjata të luftës dhe shpresave”, rrëfen gruaja e Li. Por asaj i ka mbetur një peng i madh se, pavarësisht se e ka dëgjuar fjalimin, nuk mundi që ta shihte me sytë e saj Maon, për shkak të pozicionit në të cilin ndodhej. Sipas kujtimit të Li, Mao nuk dukej të kishte pikë emocioni, ose e zotëronte shumë mirë veten dhe nuk shfaqte asnjë ndjenjë. Ai vetëm sa lexoi atë që kishte për të lexuar dhe kaq. “Ishte një njeri i keq, një bastard dhe fshehja e emocioneve është tipike e njerëzve të ligj. Askush nuk e merrte vesh se çfarë ishte duke ndjerë Mao në të vërtetë në ato momente, vetëm se turma ishte e entuziazmuar dhe nuk e kishte shumë mendjen te Mao, por tek arritja e madhe”. Por edhe Li vetë kujton se ishte shumë i qetë krahasuar me njerëzit rrotull tij. “Unë isha një reporter dhe isha aty për punë ndaj duhet të përqendrohesha e jo ta lija veten të lirë që të festoja e të harrohesha pas ceremonisë. Më duhej të përqendrohesha që të shkruaja ato që thuheshin”, rrëfen Li. Pjesa më interesante e kësaj dite për Li ishte kur ai iu afrua Maos dhe me shumë përunjësi i kërkoi atij që ti jepte fjalimin. Mao ia dha fletën së bashku me listën e 56 zyrtarëve të qeverisë komuniste të Kinës. “Si më dha letrën, Mao më tha: të lutem, bëje raportin siç duhet dhe mos e humb këtë letër”. Fjalimi i shkurtër i Maos, që e lexoi para turmës në atë ditë të madhe, ishte shkruar me dorë dhe Li e ruajti atë letër përgjatë dy dhjetëvjeçarësh, deri kur Rojet e Kuqe ia morën kur një ditë të vitit 1966, ndërsa kishte nisur epoka e Revolucionit Kulturor, i bastisën shtëpinë dhe i morën shumë gjëra të çmuara, mes të cilave edhe letrën që ai e ruante me shumë fanatizëm. Këtë revolucion famëkeq Mao e lançoi për të riardhur në pushtet dhe për të dënuar rëndë të gjithë kundërshtarët e tij. “Nuk e pashë kurrë më atë copë letër dhe nuk e di nëse ekziston apo jo”, thotë Li. Pas kaq vitesh, njeriu i vetëm, që ndoshta është ende gjallë nga njerëzit që e takuan Maon 1 tetorin e 60 viteve më parë, Li, vazhdon që të mbetet krenar për artikullin që shkroi dhe që u publikua në faqen e parë të të gjitha gazetave partiake më 2 tetorin e vitit 1949. “Redaktori im nuk ndryshoi asnjë fjalë nga ato që kisha shkruar, por kjo nuk ndodhi kurrë më”(Shqip)</p>
5CfRKs8l-8E

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23324. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23324
 
Top