"Gazeta Shqiptare" edhe ajo "Metropol" shfrytezojne punen e femijeve

"Gazeta Shqiptare" edhe ajo "Metropol" shfrytezojne punen e femijeve

Turpi ynë




Fatos Baxhaku
thumbsup.gif



Ne nuk jemi si gjithë të tjerët. Ne jemi krenarë kur tundim kartën tonë… Mjafton që të themi jemi gazetarë dhe njerëzit tkurren përballë peshës së profesionit tonë. Ne nuk merremi me gjëra si do kudo, ne merremi me gjëra shumë globale. Neve pak herë na bën përshtypje, nëse bilanci i një tragjedie është më poshtë shifrës së rrumbullakët dhjetë. “E po pastaj, çfarë? Vdiqën dhe kaq, kjo jallane botë kështu paska qenë, disa vdesin, disa brohorasin në maternitet me gëzim, se erdhën në këtë dynja, kjo është jeta…”. Kolegët e mi, të cilët kanë mote që punojnë ndër redaksi të zhurmshme, e kanë dëgjuar me siguri sa e sa herë këtë batutë të athët të thënë nga shefat që në atë moment duken si pa ngjyrë - të më falin kolegët e mi të vjetër e të nderuar – njësoj si një plastmas i vjetruar i serave. Ne nuk shohim majtas e djathtas, për ne ka shumë rëndësi, nëse Saliu e Fatosi do të jenë apo s’do jenë më në krye të vendit. Sa i rëndësishëm është për ne një ministër i Rendit, që e lëshon vendin vetëm pas disa muajve… Po një konferencë e zhurmshme shtypi? A nuk është ky rasti më fatlum për të mbajtur shënime pa e vrarë mendjen? Mbaj shënime, mbllaçit ca Orbit të njohur nga Shoqata Ndërkombëtare e Dentistëve, dhe kalo matanë. Po na lëshoi ndonjëri ndonjë dackë bëjmë një potere që i afrohet zallamahisë dhe kontribuojmë në atë që quhet rëndom “dhunimi i lirisë së shprehjes”.
Poshtë nesh, ndër rrugë e rrugica të përbaltura, larg redaksive tona, që punojnë vetëm me kondicioner, njerëzit presin me besim prej nesh që të mësojnë të vërtetën. Çfarë po ndodh, si do të jetë fati i fëmijëve tanë, a do të jenë ditët tona më të lulëzuara se sa ato që kemi kaluar? Eshtë vërtet një barrë e madhe t’u japësh përgjigje disa pyetjeve për të cilat edhe vetë nuk je i bindur. Por askush nuk na ka detyruar të marrim përsipër një nga profesionet më fisnike të dynjasë, njëherazi edhe një nga më të lodhshmit.
Eshtë e vështirë të shkruash për kolegët, të cilëve ua di hallet, ua njeh punën në të zezë dhe të gjitha vështirësitë, që burojnë nga të punuarit në një zanat, i cili kërkon shumë sakrifica dhe të jep vetëm pak privilegje. Eshtë njësoj sikur të duash të shash veten nga koka në këmbë. Pishmane të mbetura pezull, gjëra që ke dashur t’i kryesh, por që i ke lënë në mes të rrugës, gabime nga më trashaniket, suksese dhe lot falënderimi ndër sy, rrebeshe të kaluara dhe hamendësime për të ardhmen, portrete kolegësh që kanë preferuar më mirë të bëhen zyrtarë se sa të ndajnë me ne të njëjtën ndjenjë faji a pamundësie, të gjitha këto përzihen bashkë në një mjegullnajë pafuqie. Diku një shtëpi e munguar, diku një makinë e ëndërruar, kanë bërë që radhët tona të rrallohen disi, për t’u plotësuar më pas me të tjerë, disa prej të cilëve profesionin tonë mbase e shohin vetëm si trampolinë për të gjetur një vend të rehatshëm në metropol. Një ëndërr plotësisht e justifikuar për disa. Me që ra llafi i “metropolit” <img src="/pf/images/graemlins/laugh.gif" alt="" /> , kështu quhet edhe një organ i përditshëm, shumë simpatik në përpjekjen e tij për të hyrë në radhët e të vjetërve të shtypit. Vetëm se përpjekjet e shumta nganjëherë kanë edhe telashet e tyre. Në kryqëzimin e asaj, që në Tiranë quhet rëndom “Ura e madhe e Lanës”, do shohësh, që në orët e para të mëngjesit fëmijë të brishtë, që me siglën e kësaj gazete rreken t’u shesin njerëzve kopjet, që ende mbajnë erë shtypshkronjë. Janë të brishtë, fare të brishtë përballë arrogancës së kalimtarëve dhe lumit të makinave, që vërshon nga të gjitha anët. As nuk e dinë se çfarë po shesin, as nuk e dinë se cilët janë emrat në faqen e parë. Vetëm se u luten të tjerëve, që tringëllima e monedhave ndër xhepat e tyre të shtohet derisa të kthehen në shtëpi me buzën në gaz. E njëjta histori ishte shpallur si shpikje fort e madhe në lëmin e marketingut të shtypit nga njëra prej gazetave, – dhe autori i këtyre radhëve është vetë dëshmitar - e cila dikur dinjitetin e njeriut, dhe pra, pikërisht prej këndej atë të fëmijëve në radhë të parë, e kishte shpallur si një nga gjërat më të shenjta. E pikërisht kjo gazetë, bëhet fjalë për “Gazetën Shqiptare” <img src="/pf/images/graemlins/laugh.gif" alt="" /> , një gjë që mendohej të ishte ngritur me shumë mund e djersë, nganjëherë edhe me shumë gjak, e hodhi e para hapin e turpshëm. Fëmijë të veshur me siglat e saj hallakateshin të parët, para disa muajsh, në këmbim të disa parave të shkoqura në rrëmujën e përgjithshme të Tiranës. Shembullin e saj e pasoi sakaq, duke u nisur nga numri i shitjeve të shkruara ndër defterë të lyrosur, edhe gazeta që sapo e cituam pak më lart.
Nëse doni t’i shihni fëmijët e gazetave mjafton të bëni vetëm një xhiro në Urën e madhe të Lanës, janë atje, në orët e para të mëngjesit, duke iu lutur zotërinjve, që të blejnë gazetën e pronarëve të tyre. Që shtypi është një biznes, kjo s’do edhe aq mend të kuptohet. Që gara mes vedit në media është një gjë fort e ashpër, edhe kjo është afërmendsh. Porse që të harrohen disa vlera universale të tij këtë nuk mund ta justifikojë askush. Nuk mund ta justifikojë, e para sepse edhe ligjet tona në fuqi, – nuk po flasim për konventat të OKB-së - e dënojnë punësimin e shtetasve nën moshën e adoleshencës. Shumë prej nesh janë vetë prindër. Imagjinoni, të dashur kolegë, nëse fëmija juaj do të zgjohej që pa gdhirë, do të shtyhej në radhë me shokët për të marrë turrën e gazetave dhe më pas do të shkonte vrikthi në një kryqëzim, ku jeta dhe vdekja janë fare pranë… Nëse arrijmë të kemi një përfytyrim të asaj që ndodh, atëherë do të thoshim si prindër e si gazetarë: Në djall vaftë e gjithë kjo punë, kemi fëmijë që rropaten, ndërsa ne merremi me gjëra super të mëdha.
Eshtë e vështirë, shumë e vështirë dhe shumë e ndrojtur, ideja që nganjëherë të duhet t’u kujtosh kolegëve, se çfarë po ndodh realisht. Autori i këtyre radhëve e ndjen edhe veten pjesë të këtij faji gjigand. Të një faji që vret të ardhmen, pra që është një kobure e kthyer kundër të tërëve, qofshin këta gazetarë, apo prindër a qytetarë të thjeshtë. Ndokush mund të thotë: Mirë ne, se e bëjmë nga halli, po shteti çfarë bën? Ndërsa na shkonte mendja për të shkruar këto radhë, shikonim se si një polic trafiku, i bezdisur nga vapa, i bënte shoqëri një fëmije afër 12 vjeç në atë kryqëzimin e famshëm mbi Lanë. Të dy dukeshin po aq fatkeq në historitë e tyre, dukeshin madje gati-gati sikur ndanin të njëjtin fat. Shtetin tonë të brishtë e kemi njohur mirë në këto vitet e fundit. Ai ka faje, kolosale madje, përderisa puna e fëmijëve është një nga aktivitetet më të zhvilluara në vend. Por, të paktën, ne të shtypit mund të bënim ndonjë një gjë më tepër. Mirë heshtja, kush e di se si ka qenë puna. Por, që ne vetë të shfrytëzojmë punën e të miturve, kjo më vjen si era turp. Që ta shlyejmë mëkatin që rëndon mbi ne, duhet që diku të kërkojmë ndjesë, duke belbëzuar me ndrojtje: Ishte turp, nuk e bëjmë më. Falna o Zot!
shrug.gif
Do pak burrëri, por nuk është gjë që nuk arrihet.
thumbsup.gif



Gazeta Panorama
 

Leopardii

Primus registratum
Re: "Gazeta Shqiptare" edhe ajo "Metropol" shfrytezojne punen e femijeve

nje e-mail ketyre zoterinjeve te "Metropolit" duhet cuar sesben per pislliqet qe bejne , duke shfrytezuar punen minorile .
po ashtu edhe atyre italianeve botues te "Gazetes Shqiptare"
-----------------------------


Gazeta Metropol

http://www.gazetametropol.com/r0.php?r0=2


Tel: +355 4 233 991

Fax: +355 4 233 998

email: gazetametropol@yahoo.com,

metropol@gazetametropol.com



-------------------------------

"Gazeta Shqiptare"


http://www.balkanweb.com/kontakt.htm

tel +335 (4)358 481
support@balkanweb.com <support@balkanweb.com>
 

receli

Primus registratum
Re: "Gazeta Shqiptare" edhe ajo "Metropol" shfrytezojne punen e femijeve

gazeta shqiptare eshte institucion i mir organizuar mafioz nga i pari tek i fundit bashkpuntor e shef.


..
 
Top