Gërdeci, tri mundësitë për procesin

Gërdeci, tri mundësitë për procesin

Ekspertët juridikë, analistë dhe avokatët e trashëgimtarëve të viktimave të Gërdecit, me pjesëmarrjen e disa përfaqësuesve të ambasadave të huaja, kanë diskutuar dje mënyrat se si mund të marrin dënimin e merituar personat përgjegjës. Të mbledhur në një nga hotelet private në kryeqytet, juristët kanë diskutuar në rreth tri pika që çështja të shkojë në rrjedhën e duhur. Së pari, do të realizohet kërkesa në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kërkesa e dytë ka të bëjë me një padi në Gjykatën e Strasburgut kundër moskalimit në seancë nga Gjykata Kushtetuese. Ndërsa strategjia e tretë, por jo nga rëndësia, ka të bëjë me depozitimin në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Tiranës të 26 kallëzimeve të reja për personat përgjegjës, midis tyre edhe Mediu.</p>


Diskutimet
Avokatja Blerta Kraja, që ka përfaqësuar trashëgimtarët e viktimave të Gërdecit në gjykata ka deklaruar se zbardhja e ngjarjes është shumë e vonuar. “Më 14 shtator 2009, Gjykata e Lartë pushoi çështjen ndaj të pandehurit për tragjedinë e Gërdecit, zotin Fatmir Mediu. Gjykimi i të pandehurve të tjerë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë vazhdon me zvarritje si një telenovelë… Ne do të ndërmarrim tri veprime të reja, midis së cilave do të realizojmë kallëzime të reja penale në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Tiranës për të pandehurin Fatmir Mediu dhe të tjerëve në bashkëpunim, që ai të përgjigjet për tragjedinë”, tha Kraja. Bashkë me familjarët e viktimave të tragjedisë së rëndë të 15 marsit, avokatët pritet të dorëzojnë të hënën padinë në Prokurorinë e Tiranës, ku i jepet një tjetër mundësi organit të akuzës të rifillojë ndjekjen penale ndaj Mediut si përgjegjës për tragjedinë e rëndë. Mbrojtësit ligjorë të familjarëve të viktimave dhe përfaqësues të lëvizjes “Mjaft” u mblodhën dje paradite, ku kanë diskutuar detajet e strategjisë së mbrojtjes që do të ndiqet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj të pandehurve të kësaj tragjedie. Gjithashtu, do të përcaktohet dhe çfarë rruge do të ndiqet për të vënë para drejtësisë të gjithë ata që menduan se i shpëtuan dhe mendojnë se do u shpëtojnë akuzave për tragjedinë e Gërdecit.</p>


Kallëzimet</p>


Të hënën, pranë Prokurorisë së Tiranës pritet kallëzimi penal ndaj ministrit Mediu, ish-drejtorit, ndaj ish-drejtuesit të MEICO-s, Ylli Pinari, administratorit të kompanisë “Albademil”, shtetasit Mihal Delijorgji dhe kunatit të tij, me detyrë drejtues teknik në fabrikën e çmontimit në Gërdec, Dritan Minxholli. Këta persona do të kallëzohen si shkaktarë të vdekjes së 26 personave, familjarët e të cilëve i mbrojmë në proceset gjyqësore. Sipas avokates Blerta Kraja, me kallëzimin që do bëhet në prokurori, do i jepet mundësi e dytë organit të akuzës të rifillojë ndjekjen penale për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vetëm pak ditë më parë vendosi pushimin e çështjes për shkak të imunitetit të fituar në zgjedhjet e 28 qershorit në vend. Ky vendim i Gjykatës së Lartë e shpëtoi atë nga gjykimi dhe përballja me akuzën e “shpërdorimit të detyrës, të kryer gjatë procedurave të përpilimit të ligjit për demontimin e municioneve, vendcaktimin për ngritjen e fabrikës së çmontimit në Gërdec, procedurat e pa rregullta të përcaktimit të firmës fituese dhe shumë akuza të tjera. Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme, edhe pse Gjykata e Lartë vendosi pushimin e çështjes ndaj deputetit Mediu, ka dërguar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet dosjen penale me 28 të pandehurit dhe kompaninë “Albademil”, të cilët akuzohen si përgjegjës për ngritjen e fabrikës së çmontimit në Gërdec. Por, edhe pse dosja penale tashmë prej muajsh ndodhet në duart e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Tiranës, procesi nuk ka filluar ende, për shkak të mungesës së paarsyeshme të avokatëve mbrojtës. Disa ditë më parë dështoi seanca e katërt.(Shqip)</p>
tzri8B9oqc8

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23031. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23031
 
Top