Gërdeci në vendnumëro, shtyhet seanca e katërt

Gërdeci në vendnumëro, shtyhet seanca e katërt

Mungoi avokati i të pandehurit Agim Lala, ishte në procesin e “Qafë-Gjashtës”

Shtyhet për herë të katërt në Gjykatën e Tiranës procesi në ngarkim të 29 të pandehurve që akuzohen për tragjedinë e Gërdecit. Megjithëse palët në proces ishin angazhuar që të zhbllokonin një gjyq të rëndësishëm, duke pasur parasysh se nga ngjarja e rëndë humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën, mungesa e avokatit Artan Kodheli, mbrojtësi ligjor i të pandehurit Agim Lala, ka sjellë shtyrjen e tij, duke caktuar datën 30 shtator për zhvillimin e seancës së radhës. Seanca e djeshme ishte paralajmëruar nga vetë avokati Kodheli për tu dështuar, pasi në seancën e kaluar, atë të datës 23 shtator, do të deklaronte në sallën e gjyqit se nuk kishte mundësi të shkonte në këtë proces, pasi ishte i angazhuar në një tjetër gjyq.

Seanca
Seanca filloi dje rreth orës 10:00 dhe treshja gjykuese e përbërë nga Ridvan Hado, Fatmira Hajdari dhe Shefkie Demiraj lexuan fillimisht emrat e prokurorëve që do të përfaqësojnë akuzën në këtë proces: Altin Dumani, Petrit Bicja, Marjeta Zaimi dhe Genci Qano, të gjithë me detyra drejtuese në Prokurorinë e Tiranës. Pas prokurorëve, trupi gjykues verifikoi të pandehurit në seancë, të cilët ishin të shumtë, duke iu bashkuar edhe avokatët mbrojtës. Fillimisht u verifikua mosprezenca në kafazin e hekurt e të arrestuarve për këtë çështje: Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit, Dritan Minxollit dhe Sokol Gjeçit, të cilët do të gjykohen në mungesë. Pas kësaj, kryegjyqtari Hado lexoi emrat e të pandehurve dhe të mbrojtësve të tyre ligjorë, ku midis 29 të pandehurve vetëm disa ishin në seancë. E gjithë procedura e leximit të emrave ka zgjatur plot 45 minuta, ku të gjitha palët në proces ishin të bindur se gjyqi do të dështonte sërish. Pasi u lexuan të gjithë të pandehurit dhe avokatët, radha i ka takuar mbrojtësit ligjor të të pandehurit Agim Lala. Avokati Artan Kodheli mungonte në sallën e gjyqit, ndërsa kishte autorizuar asistentin e tij që të deklaronte se ndodhej në një tjetër proces gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Pas verifikimeve të rastit, gjyqtari Ridvan Hado shpalli mungesën e avokatit dhe caktoi një tjetër avokat për të pandehurin Agim Lala. Por, pasi erdhi në seancë, avokati i caktuar kryesisht nuk pranoi ta mbronte Lalën, me justifikimin se nuk e njihte dosjen. Megjithëse ndërmori një veprim me shpresën se procesi nuk do të dështonte, trupi gjykues e shtyu seancën gjyqësore, pas konsultave me prokurorët. Hado caktoi datën 30 shtator si seancën e radhës.

Debatet

Një nga proceset gjyqësore më të bujshme që zhvillohen në vend ka dështuar për herë të katërt, duke bërë një precedent të rrezikshëm për të gjithë drejtësinë shqiptare. Paralajmërimet e anëtarëve të KLD-së për shtyrjen e seancave nuk kanë shërbyer dje, teksa avokatët janë bërë shkak për shtyrjen e procesit. Duket se gjyqi i djeshëm ishte i paralajmëruar që të dështonte. Avokati Artan Kodheli, që mungoi dje në sallën e gjyqit, kishte debatuar një javë më parë me gjyqtarin Ridvan Hado, teksa ky i fundit do të caktonte si seancë të radhës datën 30 shtator. Avokati Kodheli do të deklaronte se nuk mund të ishte i pranishëm, pasi prej një viti e gjysmë ishte i angazhuar në një gjyq tjetër, atë që njihet si “gjyqi i Qafë-Gjashtës”. Por justifikimi i avokatit seancën e kaluar nuk është marrë parasysh nga trupi gjykues, çka ka sjellë edhe njëherë tjetër dështimin e procesit më të rëndësishëm në Shqipëri, atë të Gërdecit.(Shqip)

M7L1cPRO5IM

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=22917. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=22917

Top