Gërdeci, 10 zyrtarë të pandehur në gjykatë

Gërdeci, 10 zyrtarë të pandehur në gjykatë

Dosja e plotë/ Nën akuzë vlerësuesit e objekteve të prekura nga tragjedia

Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet për grupet e vlerësimit të dëmeve pas tragjedisë së Gërdecit. Janë dy grupe, me nga pesë zyrtarë, që akuzohen për “shpërdorim detyre”. Në dosjen e dorëzuar dy ditë më parë në sekretarinë e Gjykatës së Tiranës janë të pasqyruara të gjitha vlerësimet e gabuara nga ekspertët. Nga këto abuzime, shtetit shqiptar, përkatësisht fondet e qeverisë dhe të Bashkisë së Vorës, i është shkaktuar një dëm prej 207 milionë lekësh (të vjetra). Denoncimi është realizuar disa muaj më parë nga vetë Bashkia e Vorës për komisionet e vlerësimit. Sipas kërkesës për gjykim, të pandehur si Isa Picari kanë vlerësuar vetë dëmtimet në banesat e tyre, duke favorizuar fryrjen e faturave.

Rastet e abuzuara

Prokuroria e Tiranës ka verifikuar rreth shtatë raste të abuzimeve të vlerësuesve të dëmeve nga tragjedia e Gërdecit, teksa janë vërejtur abuzime të mëdha. Sipas dosjes, e cila është dërguar në gjykatë, në banesën e shtetasit Hamit Kurti ka pasur parregullsi nga ana e vlerësuesve. Kjo banesë është vlerësuar si e dëmtuar plotësisht nga shpërthimi. Ajo është një shtëpi dykatëshe dhe ka rezultuar se kati i dytë nuk ishte ndërtuar kur ndodhi shpërthimi, ndërkohë vlerësuesit kanë përcaktuar dëmet në katin e dytë. Banesa tjetër, që ka pasur diferenca të mëdha në vlerësime, ka qenë ajo e shtetasit Rigon Durdaj. Në dokumentet e prokurorisë ka rezultuar se kjo banesë është vlerësuar në faturë si e dëmtuar plotësisht. Ekspertiza dhe fotot që kanë hetuesit kanë treguar të kundërtën, pasi kati i parë nuk është dëmtuar fare, megjithëse lekët janë marrë si banesë e shkatërruar plotësisht. Një tjetër parregullsi ka ndodhur në banesën e shtetasit Isa Picari, i cili ka qenë njëkohësisht edhe vlerësues i dëmeve. Ka rezultuar se ky person ka vlerësuar edhe banesën e tij. Kjo banesë

është pasqyruar në faturë si plotësisht e shkatërruar. Ndërkohë, kati i dytë nuk ka qenë i ndërtuar fare. Banesa e radhës që ka pasur vlerësime të gabuara ka qenë e banorit të fshatit Gërdec Zani Picari. Ajo është vlerësuar si thellësisht e dëmtuar, ndërkohë që fotot kanë treguar të kundërtën. Banesa ishte katërkatëshe dhe shpërthimi i Gërdecit nuk ka prishur asnjë kat, por vetëm disa plasaritje të vogla. Ekspertët kanë konstatuar se vlerësimi i ekspertëve ka qenë i gabuar, si dhe me dijeni. Prokuroria thotë se edhe banesa e shtetasit Rexhep Picari është pasqyruar si plotësisht e shkatërruar, ndërsa fotot tregojnë se ka vetëm plasaritje të lehta. Po ashtu, edhe banesa e shtetasit Latif Gërdeci është faturuar si e shkatërruar plotësisht, ndërsa kati i parë nuk është dëmtuar fare. Është rindërtuar vetëm kati i dytë.

Skema

Pas verifikimeve të disa shtëpive me probleme, prokuroria ka nxjerrë konkluzionin se vlerësimet kanë qenë të gabuara dhe se dëmi total është 20.752.654 milionë lekë “të vjetra”. Hetuesit kanë nxjerrë në dritë një skemë abuzimi nga këta vlerësues. Në këmbim të një vlerësimi të “majmë” ata merrnin ryshfet nga të zotët e shtëpisë. Në të paktën 24 banesa janë konstatuar dëme të mëdha, ndërsa nuk përjashtohet abuzimi edhe tek firmat private që operonin në zonën e prekur nga tragjedia e Gërdecit.(Shqip)

pbWtcVYkFh4

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=22965. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=22965

Top