Fundi apo fillimi i grevave të këtij viti

Albforumi

Primus registratum
Fundi apo fillimi i grevave të këtij viti

Nëse dikush në Kosovë kënaqet me një rritje simbolike, atëherë le të përgatitet të bëjë negociata maratonike me rendin e grevistëve dhe të pakënaqurve, të cilët gradualisht do të fillojnë të kuptojnë se vetëm me grevë mund të marrin një rritje të pagave

Gazeta Express, më 06.02.2010
Mimoza Kusari-Lila

Kosova këto ditë u ballafaqua me pamjet të cilat mund të bëhen realitet për vitin 2010. Protestat/grevat e fundit shënuan një proces i cili vetëm përkohësisht është sanuar dhe tregon se për disa ditë/javë do të kemi lajme tjera me të cilat mund të preokupohemi.

Por, ajo çfarë substancialisht i mungon proceseve në Kosovë është plani për ngritje të mirëqenies së përgjithshme, rrjedhimisht, uljen e varfërisë dhe ngritjen e punësimit në Kosovë.

Nëse dikush nga Qeveria mendon se ka përfunduar ky proces me përfundimin e grevës, atëherë gabohet, pasi që një ngritje simbolike e pagave të policëve si rrjedhojë e protestës hap rrugën për protesta tjera dhe greva tjera të cilat do të kenë të njëjtën kërkesë. Nëse dikush pyet sa ka arsye për këto greva, përgjigja është se ka mjaft arsye. Është vetë Kryeministri Thaçi ai i cili premtoi se do të ketë rritje të pagave për një numër të konsiderueshëm të kategorive të cilat paguhen nga buxheti i Kosovës. Ndërsa, është vetë kjo Qeveri që miraton Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve në të cilën për tre vitet e ardhshme nuk parashihet ndonjë rritje e pagave.

Kundërthëniet dhe paradokset e kanë përcjellë këtë qeverisje në dy vitet e fundit. Edhe pse premtimi se me ketë qeverisje do të ketë prosperitet dhe do të krenohemi me Kosovën, janë bërë dy vite nga shpallja e pavarësisë dhe nuk kemi pasur shumë arsye të krenohemi me Kosovën. Aq më pak se Kosova ende saktë nuk e di se cila është strategjia e saj e zhvillimit dhe të rinjtë e Kosovës më pak se kurrë më parë e shohin të ardhmen në Kosovë e më shumë e kërkojnë atë jashtë vendit, qoftë edhe përmes Serbisë fqinje.

Çfarë i duhet Kosovës dhe institucioneve të saja tash?

Më mirë vonë se kurrë, Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht ta krijojë një grup të zgjeruar ekspertësh për të përpiluar strategjinë për uljen e varfërisë dhe ngritjen e punësimit. Projektet individuale të cilat tentojnë ta sanojnë një gjendje emergjente do të kenë efekt të izoluar. Më nuk duhet të flasim për një projekt këtu dhe një projekt atje, por duhet të punojmë për një strategji gjithëkombëtare të miratuar nga të gjitha palët e përfshira në vendimmarrje në Kosovë, me objektiva dhe synime të qarta të uljes së varfërisë dhe ngritjes së punësimit.

Nëse vazhdojmë me injorimin e sëmundjes e cila ka përfshirë Kosovën – krizën ekonomike, atëherë do ta humben shanse që të gjejmë ilaçin e duhur për ketë sëmundje.

Cilat mund të jenë masat e menjëhershme që grupi i ekspertëve mund ti rekomandojë për institucionet vendimmarrëse?

1. Ndryshimi i Ligjit për investimet e fondit të privatizimit dhe mjeteve të Trustit Pensional të Kosovës. Përderisa Kosova vazhdon ti eksportojë mjetet e saja jashtë, asnjë investim substancial ose strategji zhvillimore nuk mund të realizohet me sukses. Është i tejkaluar dhe i zbehur totalisht arsyetimi se më të sigurta janë investimet e këtyre mjeteve jashtë Kosovës. Përderisa Kosova e humbë shansin e saj për investime të mjeteve në Kosovë, do të vonojë edhe ngritja substanciale ekonomike. Ne jemi të fundit pa tregun e kapitalit në Kosove çfarë na pamundëson ngritjen e fondeve dhe investimeve afatgjata me mjetet tona.

2. Ndryshimi i planit për privatizim të tërësishëm të aseteve publike (PTK, KEK, etj.) dhe dhënies në koncesion te Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Këto asete publike janë pasuri e popullit të Kosovës, ndaj edhe duhet të trajtohen me seriozitet si shumë të rëndësishme për mbushjen e buxhetit të Kosovës për vitet në vijim. Është i domosdoshëm ndryshimi i mënyrës së menaxhmentit të këtyre ndërmarrjeve publike, prandaj edhe privatizimi i tyre duhet të bëhet, por i pjesërishëm. Nuk mundemi ne si Kosove të heqim dorë nga çdo gjë që vlen, vetëm për ta mbushur buxhetin për një vit. Ta zëmë se në vitin 2010 do të privatizohen PTK, KEK dhe ANP do të jepet në koncesion. Çfarë të hyrash do të kemi nga viti 2011 dhe vitet në vijim? Si do ti realizojmë të hyrat me ekonominë e bazuar në import? Nuk mund të krenohemi me ndërmarrjet e brishta të cilat përbejnë 80% të ekonomisë së Kosovës.

3. Në Kosove me ligj duhet të krijohet Fondi zhvillimor, i cili mundëson realizmin e projekteve për ngritjen e punësimit. Ky fond do të financonte dhe mbikëqyrte projekte në sektorët me punësim të lartë dhe në të njëjtën kohë do ta vlerësonte efektshmërinë e këtyre projekteve.

4. Trajtimi më serioz i investitorëve të huaj dhe atyre vendas nga institucionet qendrore dhe atyre në nivelin lokal. Tek investimet e reja në Kosovë mund të themi se kemi një legjislacion i cili mundëson një lidhje të partneritetit publiko-privat, por për ta bërë një gjë të tillë duhet të kemi projekte inovative dhe të kemi një transparencë në proces, i cili dorën në zemër, ka munguar me vite të tëra.

Lista e rekomandimeve mund të vazhdojë dhe duhet të vazhdoje në mënyrë sistematike, deri në kohën kur zhvillimi dhe ngritja ekonomike ti afrohen rritjes dyshifrore. Vendet e lindjes së largët kaluan dekada me rritje dyshifrore, dhe prapë u goditën nga kriza e fundit globale.

Nëse dikush në Kosovë kënaqet me një rritje simbolike, atëherë le të përgatitet të bëjë negociata maratonike me rendin e grevistëve dhe të pakënaqurve, të cilët gradualisht do të fillojnë të kuptojnë se vetëm me grevë mund të marrin një rritje të pagave.

Nuk ka rrugë të shkurtër dhe formulë magjike për mirëqenie, ajo arrihet me punë dhe përkushtim afatgjatë, por assesi me shpenzime të vazhdueshme të parasë publike dhe me shitje e dhënie të pakompromis të aseteve vendore.

Kosova ka kaluar nëpër shume sfida dhe ka përballuar shumë prej tyre, por asnjëra nuk mund ta mposhtë vendin dhe ta ulë moralin më keq se një krizë e vazhdueshme ekonomike.

Le të jetë kjo thirrje për të gjithë ata të cilët rekomandojnë dhe përpilojnë strategji në emër të Kosovës. Shumica e popullatës në Kosovë ka nevojë për strategji dhe zhvillim bashkë me gjithë të tjerët. Andaj, vendimmarrës kosovarë dhe ndërkombëtarë, këndelluni dhe përvishuni punës para se të jetë tepër vonë. Nuk duam të jemi ata të cilët do të përgjigjemi me: Ju kemi thënë!.

Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.mimozakusari.com/?p=153

Top