Kisha kohë që vrisja mendjen dhe thoja: ore, po si nuk nxorri një hajdut të ri me famë, qyteti im i lindjes, Elbasani? Sepse të tillë Elbasani njeh boll! Jo më kot, Elbasanin e quajnë qytetin e fukarenjve dhe pashallarëve të mëdhenj. Shefqet Verlaci ka qenë një ndër ta, por një të tillë nuk pashë të lindte gjatë epokës së barbarisë demokratike! Për pak, sa nuk e shpalla Elbasanin tim të dashur, qytetin, ku jetojnë vetëm njerëz të ndershëm. Falë hajdutit Ardian Fullanit, mua më buzëqeshi buza, dhe zemra filloi të më rrihte fort prej krenarisë gati të groposur.
Sepse politikanë Diktatorë nuk pjell dot Elbasani. Edhe ata që kanë tentuar të bëhen të tillë janë po aq të cekët, sa edhe mbiemri i arkeologut, Neritan Ceka, i cili me thonjtë e tij prej femre, gërmon nën dhe, unazat e viktimave të diktaturës. Këtë sport, Neritani, e braktisi, qysh kur doktori Berisha, ia kafshoi ato fort. Mbas kësaj ngjarje të frikshme, kur Neritanit i ha koka, ai telefonon doktorin të vijë tia kruajë.
Dhe tani t’i rikthehem, o zot, krenarisë së qytetit tim, Ardian Fullanit. Them krenarisë, sepse një hajdut të tillë, nuk ka arritur ta sjellë në jetë, as edhe një mitër ose bark i një qyteti tjetër shqiptar, të paktën gjatë shekullit të njëzet e një. Ku e bazoj unë këtë konkluzion?
Fullani, është hajduti më demokrat i tërë Shqipërisë pashoxhiste. Ai grabiti paratë e tërë shqiptarëve, pa dallim! Mbas kësaj vjedhje, të gjithë shqiptarët, kanë dy dhëmbë më pak; kockat u janë holluar të gjithëve pa dallim, tre milimetra dhe të gjithë ruajnë në trup gjysëm litër më pak gja..Po keshtu edhe statujat ose te vdekurit, jane te gjithe pa asnje vecim, me pak te varfer. Shpata dhe hunda e Skenderbeut jane dy gisht me te holla. Mustaqet e Konstandin Kristoforidhit jane dy centimetra me te shkurtera. Dy nga pese prozhektoret e varrezave jane djegur, saqe kendej e tutje, naten, mund te lexosh vetem emrin e te vdekurve. Mbiemrat e tyre jane zhytur ne erresire. Edhe rojet e muzeumeve kombetare ose private deklarojne 5 dite ne jave te semure. Te gjitha keto pasoja, jane shkaktuar prej Fullanit ne shkalle kombetare!
Hë, më thoni? Cili hajdut tjetër është treguar kaq i drejtë, i sinqertë ndaj shqiptarëve? Thesari i Krrabës, vërtetë u vodh, por ne nuk e dimë kush e vodhi? Nuk e dimë, ku jeton hajduti? Vishte kollare apo jo? Jeton në shpellë apo në qiellgërvishëse? Po të përjashtojmë grabitjen mistere, të floririt të Krrabës, të gjithë plackitjet e tjera, kanë qenë provinciale. Kur kalit i hipte veriori, varfërohej jugori, dhe kur i hipte jugori, varfërohej veriori. Ndërsa, në rastin e Fullanit, të gjithë skllevërit janë të barabartë.
Nesër, o Fullan, o yll pirat, do t’i bëj një propozim bashkisë së Elbasanit për të shpallur ty, qytetar nderi.
Motivacioni im do të jetë: Hajduti më i ndershëm dhe i sinqertë që ka njohur qyteti dhe atdheu ynë, gjatë njëzet e tre viteve të demokracisë.
Jam i sigurtë, se idenë time do ta perkrahin pa dallim të gjitha partitë politike, sepse njerëzit që e rrethojnë Fullanin janë njerëz që protofolin ta grabisin me të dyja duart, ndërsa një xhepist sado profesionist të jetë, nuk është aq i aftë që ta rrëmbejë portofolin me të dyja duart. Zakonisht atij i punon më lehtë ose dora e majtë, ose e djathta.
Kush ishte ai qen bir qeni, që të kërcënon ty, të dorëhiqesh? Pa ty, do të varfërohet Elbasani! Po, po! Kartmonedhat e shqiptarëve i duhen qytetarëve tanë, për të fshirë djersën. Gropë e poshtër, Elbasani, o Fullan! Shkumbini, ky lum i imtë dhe i pistë, nuk ia shuan qytetit dot etjen tropike. Epo, nuk u bë kiameti se vodhe! Elbasanit nuk i duhen asgjesuar hajdutët! Përndryshe pa to, ai mbetet lakuriq, pa asnjë shpatë në brez. Sepse politikës mbarëkombëtare nuk ia themi dot ne. Jemi, as mish as peshk! Mos ndoshta e ka fajin shtrirja jonë gjeografike që nuk pjellim dot Diktatorë? Ne jemi kërthiza e vendit. Vetëm ekuatorit nuk i merren mendtë. Pjatat e kandarit mund të kërcejnë lart e poshtë, por shtylla e kandarit jo.
Sa ngjajmë ne të dy, O Ardian Fullani. Sa i ngjan artistit ti o Fullan!
Isuf Myzyri, i këndoi të tërë Republikës pa dallim! Bashkëqytetasi yne, Kristoforidhi, brodhi anë e mbanë Republikës, e mblodhi pasuritë e gjuhës shqipe, duke i ruajtur ato në deftere të vjetër, pa u merakosur nëse filan shprehje i përkiste veriut apo jugut! Edhe ti pak a shumë këtë bëre. Dorën tënde, të butë, e fute thellë në arkën e shtetit, dhe nxorre që andej pa dallim, flori e pará, duke mos pyetur: të kujt kanë qenë këto para? Të malësorit, fushorit, kodrinorit, lumorit, detasit apo liqenasit?
Po e mbyll këtë letër duke shpresuar se bashkia e Elbasanit do ta aprovojë kërkesën time, duke të shpallur TY qytetar nderi! Hajdutit më të ndershëm që ka njohur Shqipëria në shekullin e njëzet e një!