Eksperti i pavarur, Dritan Zoto: Nuk kemi ndryshim fytyre e zëri
Çdo individ mund të kryejë regjistrimin e bisedës që kryen me një person tjetër. Nëse evidenton vepër penale mund t’ia servirë prokurorisë dhe medias për ta denoncuar ligjërisht dhe publikisht. Eksperti i pavarur, Dritan Zoto, në një intervistë për gazetën “Shqip” tregon konceptet e regjistrimit e përgjimit, ndërsa shpjegon se kur këto audio-video janë të montuara apo të trukuara. Nga ajo që ka parë në media, Zoto tregon se pamjet e transmetuara së fundmi nga emisioni “Fiks Fare” nuk janë të trukuara dhe montuara, pasi asnjërit prej bashkëbiseduesve nuk i është ndryshuar fytyra dhe zëri, si dhe ambienti ku është bërë regjistrimi. Ai thotë se ekzaminimi i këtij përgjimi mund të kryhet në Shqipëri nga laboratorët privatë, ndërsa me aq sa ka dijeni shteti shqiptar nuk disponon pajisje për të tilla ekspertiza. Dritan Zoto thotë se ekzaminimi mund të kryhet brenda dy-tri ditëve, ndërsa saktëson se krahasimi i zërit mund të bëhet me një incizim të ri të prokurorisë, i cili më pas të krahasohet me zërin që është në kasetë.
Emisioni investigativ “Fiks Fare” transmetoi disa ditë më parë një filmim prej disa minutash midis një deputeti dhe ministri. Njëri prej bashkëbiseduesve pranon se e ka kryer ai këtë regjistrim, ndërsa tjetri thotë se është e montuar. Pamja e transmetuar nga “Fiksi” ishte përgjim apo regjistrim?
- Në sekuencat filmike të emisionit “Fiks fare” që u transmetuan është përdorur montimi televiziv. Çfarë domethënë montim televiziv? Një pjesë e emisionit është filmuar në studio. Më pas reklama, më pas kthehet në studio, më pas jepen sekuencat filmike të për të cilin është tema e emisionit. I gjithë ky emision shoqërohet nga sigla e televizionit përkatës. Në sekuencat që kanë interes për emision vendosen titra dhe nga pikëpamja teknike këto quhen montime televizive. Ky është montazhi televiziv. Ç’do të kuptojmë me montazhin nga pikëpamja ligjore ose kriminale, me natyrë shantazhi. Kur dy njerëz që regjistrohen vetëm me sinjalin në video, atëherë me softuerë që janë sot bëhet përpunimi i këtyre regjistrimeve në video. Për shembull duke i vendosur në një ambient tjetër, për të dhënë idenë se nuk janë bërë në ambientin e parë, (zyrë, shtëpi etj.) por në një ambient tjetër ku ka interes personi që bën ndërhyrjen. Ky është montazhi me natyrë kriminale. Tani kemi regjistrimet e zërit, sërish me dy persona. Në bisedën që është regjistruar midis këtyre dy personave futen fjalë të thëna nga njëri ose tjetri person në vende të ndryshme (për shembull emisionet humoristike ku vihen në lojë politikanët ose persona të tjerë). Bëhet ekzaminimi i sinjalit, audio, video, duke analizuar spektogramet (parametrat teknikë) dhe pajisja ekzaminuese evidenton ndërprerjen e sinjalit, montimin e një sinjali tjetër dhe në fund arrihet në përfundimin se materiali audio, video nuk është në vijimësi, ose nuk është origjinal. Pra në tërësinë e sinjalit evidentohen ndërprerje dhe rifillime të sinjalit audio-video. Ndërprerjet e rifillimet hyjnë në grupin e montimeve. Çdo ndërhyrje në sinjalin që bëhet në regjistrimin audio-video evidentohen me lehtësi nga pajisjet ekzaminuese. Nëse është përdorur montazh ndryshon dhe kuptimi i fjalëve e fjalive dhe gjithë biseda merr kontekst tjetër.
Disa persona kanë deklaruar se ky filmim është i trukuar! Mund të na shpjegoni çfarë është trukimi nga aspekti teknik?
- Edhe trukimi është një shprehi që ndeshet në kinematografi dhe televizion si për shembull personi që do të filmohet në një film i bëhen plagë, sikur ka rrjedhje gjaku, i deformohet figura. Pra këto hyjnë në kontekstin e trukimeve. Në rastin konkret, nga pamjet e transmetuara së fundmi nga emisioni “Fiks Fare” nuk ka trukim, pasi asnjë prej personave që shihen në videoregjistrim nuk ka ndryshime të fytyrës, të rrobave etj. Te trukimi mund të ndryshohet zëri. Si? Duke u bërë më i hollë, duke u bërë më i trashë, jo për shkak të pajisjeve regjistruese, por si shkak të ndërhyrjeve që i është bërë në sinjalin audio për të bërë deformime të tilla.
Si mund të kryhet ekzaminimi i një regjistrimi nëse është origjinal ose jo?
- Kemi regjistrime numerike (dixhitale), audio-video, që është teknologjia e fundit dhe regjistrime audio-video në teknologjinë analoge. Ç’kuptojmë me të parën? Kemi një pajisje e cila regjistron audio-video në mënyrë shifrore dhe të gjithë regjistrimin e ruan ose në memorien e saj ose në një kartë memorie. I gjithë ky regjistrim më pas shkarkohet në kompjuter dhe ruhet në një kompakdisk.
Në rastin e dytë, që është teknologjia analoge, regjistrimi bëhet në shirit manjetik që ruhet në kasetë audio dhe kasetë video. Në rastin e parë, në teknologjinë dixhitale, mundësitë e ndërhyrjeve, pra heqje sekuencash, vendosje sekuencash e të tjera, është më e madhe dhe më e thjeshtë për të punuar, sepse kryhen me kompjuter, por lënë gjurmë që janë evidente gjatë ekzaminimit. Nuk ka përpunim dixhital që nuk lë gjurmë gjatë ekzaminimit që kryhet.
Në rastin e dytë në regjistrimet analoge, të duhet një tavolinë montimi për të marrë sekuencat nga njëra kasetë për t’i transferuar në kasetën tjetër. Edhe në këtë rast, gjurmët e montimeve janë akoma më të shprehura, apo të çdolloj editimi (manipulimi). Pra në të dyja variantet, mundësitë e zbulimit të ndërhyrjeve që janë bërë mund të përcaktohen nga gjurmët, pra e mbarimit dhe e rifillimit të pjesës tjetër të montimit.
Te teknologjia analoge në shiritin manjetik ngelin gjurmë të butonave që shtyp “stop” dhe “pauzë”, pra duke bërë ekzaminime drejtpërdrejt të shiritit dhe në këto raste themi që biseda nuk është e plotë, por është e cunguar, sepse është shtypur butoni “pauzë”, ndërkohë që biseda vazhdon. Pra nuk ka një rrjedhje kronologjike të bisedës.
Në qoftë se do të flasim për montime dhe trukime që i përmendëm më sipër, kërkohet teknologji dhe njerëz të përgatitur të ndërhyjnë në këto materiale të ruajtura në të dyja variantet që thamë.
Marrim rastin e regjistrimeve numerike (dixhitale). Kur do të quhet autentike sekuenca që transmetohet? Kur është ekzaminuar vetë regjistrimi audio-video i ruajtur në CD dhe në të nuk konstatohen gjurmë të ndërprerjes së sinjalit dhe rifillimit të tij, atëherë duhet të krahasohet me regjistrimin e ruajtur në memorien ose kartën e memories të pajisjes numerike regjistruese. Pra, çdo hedhje nga memoria e pajisjes regjistruese në kompakt disk quhet kopje. Atëherë kjo kopje duhet të krahasohet me informacionin e ruajtur në pajisje ose kartën e memories së saj dhe kur ato të dyja përputhen atëherë themi që sekuenca filmike e regjistruar nuk ka gjurmë të montimeve, ndërhyrjeve në të.
Ku ndryshon audio-video regjistrimi nga përgjimi?
- Deri tani folëm për montimet dhe trukimet. Tani ç’do të kuptojmë me përgjim? Përgjimi është një veprim hetimor, që kryhet nga organi procedues me lejen e gjykatës dhe me mjetet tekniko-shkencore që administrohen sipas ligjit. Pra përgjimi në vetvete është kur dy njerëz bisedojnë dhe një i tretë regjistron bisedën e tyre pa dijeninë e dy personave që bisedojnë. E rëndësishme është që përgjimi bëhet nga organi procedues për qëllimin e hetimit të veprave penale ose për zbulimin e veprimtarive të mundshme kriminale.
Në rastet kur njeri nga biseduesit për qëllimin e tij regjistron bisedën që zhvillon me personin tjetër, pavarësisht se njëri nga ata nuk e di që po regjistrohet, atëherë këtu nuk kemi më përgjim, sepse personi që e ka regjistruar bisedën më pas e komenton dhe e konfirmon objektin e bisedës, siç ndodhi në rastin e fundit. Pra ky është një veprim që bëhet nga shtetas të ndryshëm në kuadër të marrjes së provave në çështjet civile ose penale, ose për qëllime të tyre personale. Referuar nenit 191 të Kodit të Procedurës Penale paragrafi i parë citohet: Lejohet marrja e dokumenteve që përfaqësojnë fakte, persona, ose sende nëpërmjet fotografimit, filmimit, fonografimit, ose të çdo mjeti tjetër. Në pikën 3 të këtij neni thuhet se “dokumentet që përbëjnë provë materiale duhet të merren cilido qoftë personi që i ka krijuar ose mban”.
A ka mundësi të ekzaminohet zëri i dy biseduesve brenda territorit shqiptar nga organet shtetërore dhe private?
- Me aq sa kam dijeni institucionet shkencore shtetërore nuk kanë pajisje ekzaminuese të zërit, ndërsa privatet po. Në laboratorin tonë ekzaminime të tilla tashmë janë bërë rutinë dhe aplikohen në të gjitha rastet që ka kërkuar si prokuroria dhe gjykata dhe u jemi përgjigjur të gjitha pyetjeve që janë shtruar si në lidhje me montimet televizive apo jo, si dhe në identifikimin e biseduesve që janë të regjistruar si në audio dhe në video.
Edhe në rastin e fundit që përflitet përveç origjinalitetit të imazheve video një rëndësi merr dhe ekzaminimi krahasues akustik i dy biseduesve, pra nëse është zëri i tyre apo jo. Për këtë arsye duhet që të dy bashkëbiseduesve t’u merren modele të zërit, mirë është me të njëjtin tekst që ata kanë folur, por mund të gjenden materiale audio nga aktivitete të ndryshme që kanë zhvilluar dhe më pas bëhet krahasimi i zërave objekte ekspertimi me ato modele krahasimi të dy personave dhe arrihet në nxjerrjen e konkluzioneve nëse janë këta dy persona që kanë bashkëbiseduar apo jo.