Ferri ne letersine moderne shqiptare

tntn

Primus registratum
Ferri ne letersine moderne shqiptare

Përshkrime tërheqëse te ferrit dantesk, nën administrimin e përkohshëm të Nanos, Ramës, Berishës, dhe të madhit Ismail Kadare.



Ferri i Fatos Nanos

Ferri nën administrimin e Fatos Nanos nuk ndryshon shumë nga Shqipëria nën qeverisjen e tij. Fatos Nano nënshkruan me djallin një kontratë qeverisjeje, në të cilën djalli zotohet se do t'ia shesë shpirtin Fatosit. Fatosi ngre në këmbë një administratë të korruptuar, e cila fut në ferr shpirtra pa doganë, të transportuar nga kompania e gruas së Fatosit. Tenderat e naftës dhe ziftit i fiton rregullisht kompania e Anastas Angjelit. Si pasojë e kësaj, mëkatarët nuk arrijnë të digjen në kazanët e ziftit, sepse nafta e Angjelit është e përzierë me ujë. Vetë Fatos Nano nuk rri asnjëherë në ferr, por në një zonë neutrale të përjashtuar nga tatimet dhe me ajër të kondicionuar. Ferri i Fatos Nanos funksionon shumë keq, duke qenë se, për shkak të sistemit të korrupsionit dhe naftës së përzjerë me ujë, shpirtrave të shqiptarëve u duhet të vuajnë dyfishin e kohës së nevojshme për të larë mëkatet.



Ferri i Edi Ramës

Nën qeverisjen e Edi Ramës ferri arrin përparime të dukshme, të cilat i japin Edvinit të drejtën të zgjidhet "Kryedjalli i Botës" për vitin 2005. Ferri i Edvinit është i lyer me ngjyra të ndezura dhe i mbushur me kosha plehrash. Edvini premton se nën udhëheqjen e tij ferri shqiptar do të arrijë "shumë shpejt" standardet evropiane, si përshembull në pjesëmarrjen e barabartë në mëkat të meshkujve dhe femrave. Në një gjest të hapur populist, Edvini preferon t'i kalojë të djelat duke u djegur në të njëjtin kazan me njerëzit e thjeshtë. Edvini shprehet me forcë për demokratizimin e ferrit, duke thënë se nuk beson në strukturat hierarkike, por në të drejtën e patjetërsueshme të shqiptarëve për tu djegur të gjithë në një kazan. Për këtë qëllim ai ndërmerr nismën "një shejtan, një votë", si rezultat i së cilës djajtë, të lodhur me broçkullat e tij, e përzënë nga ferri.



Ferri i Sali Berishës

....është rezultati i njëqind ditëve të para të qeverisjes, dhe vazhdon të gjendet në proces legalizimi. Shpirtrat e mëkatarëve janë totalisht të humbur, dhe vazhdojnë të digjen nëpër kazanë të paregjistruar dhe të pahipotekuar. Ferri i Berishës funksionon shumë keq, duke qenë se Berisha ka premtuar ta shndërrojë atë në një parajsë të vërtetë. Duke qenë se në përmbushje të premtimit të tij për ta shndërruar ferrin në parajsë Berisha ka shkatërruar të gjithë infrastrukturën e korrupsionit, si tubat e naftës, rrugët, mbikalimet dhe kazanët e ziftit, mëkatarët nuk arrijnë të lajnë mëkatet e tyre duke u djegur në mënyrë institucionale, dhe detyrohen të blejnë shkrepse dhe bombola gazi në tregun e zi.

Në ferrin e Berishës asnjë mëkatar nuk arrin të digjet plotësisht. Sheshet janë të mbushur me njerëz me shkrepse që përpiqen t'i vënë flakën njëri-tjetrit. Duke parë situatën e pashpresë, Berisha premton ngritjen e furrave elektrike me fonde publike dhe legalizimin e furrave informale "të cilat mjaftojnë për të na djegur të gjithë".


Ferri i Ismail Kadaresë

Ne dallim nga skëterrat masive të përshkruara më lart, nën drejtimin e Ismail Kadaresë, ferri ka një dimension krejtësisht personal; ai përbëhet nga një tenxhere e thjeshtë prej alumini, në të cilën vlon nën presion Rexhep Qosja - bashkë me tri kokrra patate dhe një kilogram qepë.
 

pppppaa

Primus registratum
Re: Ferri ne letersine moderne shqiptare

/pf/images/graemlins/lol.gif /pf/images/graemlins/lol.gif /pf/images/graemlins/lol.gif
 
Top