Fate!

Goca

Primus registratum
Fate!

Po marr shkas nga dicka qe lexova ne internet, per te sjelle ketu fate te shqiptareve.

Gjatë qëndrimit në Austri Qazim Mulleti u fejua me Hajrien,
martesë e cila solli lindjen e të vetmit trashëgimtar të tij, Reshidit. Me
ardhjen e regjimit komunist në Tiranë, në tetor të vitit 1944 Qazim Mulleti
shkon në Shkodër nga ku arratiset për në Austri. Vendndodhja e tij pas disa
muajsh qëndrimi në këtë vend u bë Italia deri në 1956 ku edhe vdiq. Me një grup
miqsh Qazim Mulleti merr makinën që ia kishin caktuar si prefekt, si dhe
automjetin e tij privat për t'i çuar në Shkodër, ku tashmë ishte gati plani i
arratisjes. Njerëzit që e përcollën, si dhe shoferi i tij morën një amanet:
"Makina e prefekturës të kthehej në institucion". E kështu automjetin e tij
privat e la në Shkodër, ndërsa atë të punës e ktheu prapa. Gjatë arratisë Qazimi
nuk mundi të marrë familjen e tij me vete me shpresë se do të kthehet. Kështu,
pas forcimit të diktaturës komuniste gruaja e tij, Hajria dhe i biri u internuan
në Tepelenë. Hajrie Mulleti vdiq në vitin në 1980 në Savër në internim, ndërsa i
biri jeton në Tiranë me idenë për ta varrosur të ëmën që e rriti në varrezat
publike të kryeqytetit.
 

Goca

Primus registratum
Re: Fate!

Une do doja te sillnit ketu fatet e disa personazheve te njohura te kultures shqipetare. P.Sh, ka shume kengetare e aktore, figura te sportit e te historise, qe kane lene gjurme e qe sot s`dihet me se merren e ku jane.
 

RecurrentDream

Forumium praecox
Re: Fate!

Bojaxheshe, te lumshin duart!!

Me kujtohet perpara disa vjetesh, u botua nje shkrim ne nje te perditshme shqiptare, per nje peshengrites shqiptar qe paskesh fituar titullin kampion bote diku nga vitet '70 ne Gjermani, dhe qe ne kushte te tjera do te ishte me te vertete shume i njohur.

Me vjen shume keq qe nuk me kujtohet emri i tij, po ajo qe me ben te mos e harroj si histori, eshte se ai punonte roje te INIMA (ndoshta dhe sot e kesaj dite), ne varferi te plote.
 

lil-butterfly

Primus registratum
Re: Fate!

diku kam lexuar qe ish -bashkeshorja e Edi Rames edhe njekohesisht ish-aktorja Matilda Makoci jeton ne varferi te plote ne nje apartament ne periferi te tir vetem me perkrahje sociale pasi as nje lloj pensioni nuk i eshte lidhur. aq me teper qe ka edhe nje djale nga rreth 13-14 vjec qe i vuan nga zemra(nuk e kam te sigurte kete fakt).

eshte fatkeqesi se si per njerez te tille fati rezervon te tilla perfundime :shrug: :shrug:

PS: * Goca e karrocaxhiut * nqs eshte e mundur dua qe te me japesh linkun nga e ke marre shenimin e mesiperm per Qazim Mulletin pasi jam shume e interesuar ne mbledhjen e informacioneve rreth kesaj familje.
cheers :thumbsup:
 

personazh

Valoris scriptorum
Re: Fate!

Penele teme e bukur per zotin.

dikur mu kujtua diçka qe me treguan mbi Vaçe Zelen, qe pa shkuar me kujtese shume larg ne vite, ishte kengetarja dhe zeri me i konsideruar. me thane qe kishte vite qe jetonte jo ne menyren qe nje artsit i ketij lloji duhet te jetoje.
kerkova ne internet, dhe gjeta kete ketu Mbi Vaçe Zelen
 

Goca

Primus registratum
Re: Fate!

Personazh
Rikthimi i shkurtër në Tiranë i këngëtares dhe aktores, Nertila Koka. Vendimi i saj për t'u marrë më shumë me dramë sesa me këngë
Nertila Koka: "Aventurat" e mia nëpër botë

Jeta dhe karriera e re e këngëtares dhe aktores së viteve '80, Nertila Kokës

Belina Budini
Është endur për më shumë se 10 vjet mes Suedisë, Japonisë, Turqisë e Australisë. Ku ta gjesh Nertila Kokën pas gjithë këtyre "aventurave" nëpër botë? Por një mesditë gushti, këngëtaren dhe aktoren shqiptare të viteve '80, e gjetëm në Tiranë, në shtëpinë e saj të lindjes. Itinerari i "rrugëtimeve" të saj nuk ka përfunduar në kryeqytetin shqiptar. Ajo është kalimthi në Tiranë, edhe kësaj radhe. Me grilat mbyllur, kujdeset që drita e diellit të fortë të Tiranës, të mos ia trazojë gjumin më të voglës së saj, Anit. Në këtë mugëtirë "fshihet" ajo sa herë vjen në shtëpinë e saj, në Tiranë. Kështu ndodh që vetëm fqinjët mezi marrin vesh për kthimin e saj të radhës. Nuk pranon as ftesat e producentëve e regjisorëve për pjesëmarrje në spektaklet dhe festivalet shqiptare, as pyetësorët e gazetarëve. Kështu ndodh që ajo vjen e ikën çdo verë, pa e shuar deri në fund kureshtjen e njerëzve për jetën dhe karrierën e saj të re. Në pritje për të nisur një karrierë brilante në teatrin e madh të "Goteborgut", në Suedi, ndoshta edhe në pritje të ndonjë oferte speciale nga Teatri Kombëtar në Tiranë, Nertila Koka e sheh veten ende mes familjes dhe karrierës, ku përparësi ka ajo e para. Cila është jeta e saj e re, që ka ndërtuar larg Tiranës? Ç'projekte thur ajo? Nertila Koka rrëfen për "Shekullin" këtë "aventurë" të pandërprerë nëpër botë, por dhe dëshirën e madhe për t'u kthyer një ditë përgjithmonë në Shqipëri.
Mes familjes dhe karrierës
Vajza e saj e madhe është 13 vjeç, e vogla sapo ka mbushur 21 muaj. Me fëmijët ende të parritur, ajo është e dyzuar mes familjes dhe karrierës. Dilema anon për kah familjes. "Vajza e vogël, Ani, është fare e vogël dhe ka shumë nevojë të më ketë pranë. Aq më tepër që tani unë nuk mund të kuptohem më pa familjen time, të cilën e adhuroj", - pohon Nertila. Por përtej këtyre angazhimeve prej nëne, Nertila Koka nuk ka hequr dorë nga të kënduarit dhe profesioni i saj, aktrimi. Madje ka punuar edhe si pedagoge kantoje dhe pantonimi (dramë) në universitetin "Çukurova", në Turqi. As të kënduarit nuk e ka harruar, pavarësisht se ka kaq vjet larg festivaleve. Këngën më të fundit e ka regjistruar një vit më parë në Tiranë. Flitet për një ripunim të këngës së vjetër të Valentin Veizit, kur e ka shoqëruar në piano Genc Çukiqi. "Kënga titullohet "Më prit" dhe e kam kënduar për herë të parë kur ndaheshin çmimet për kinemanë, në një mbrëmje speciale, shumë vjet më parë. Kasetën e saporegjistruar e kam në duar, por nuk e kam transmetuar asgjëkundi. Jam në pritje të momentit më të volitshëm për ta përcjellë këtë këngë tek publiku", - tregon Nertila. Veç kësaj eksperience muzikore, Nertila, padyshim, nuk le pa përfituar nga çdo festë familjare a takim me miqtë për të kënduar këngët e saj të preferuara. Por, kur ishte në Japoni ka mundur të realizojë edhe dy koncerte, pikërisht në Tokio. "Ishte para festave të Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri. Atëherë u krijua një mundësi për të dhënë një koncert të shkurtër, prej gjysmë ore, me këngë të muzikës popullore shqiptare. Nuk e mendoja se do të gjenim një mundësi të tillë në Tokio, aty ku publik shqiptar nuk kishte fare. Por gjithçka u bë e realizueshme, atëherë kur një pianist japonez, që kurrë më parë nuk kishte dëgjuar muzikë shqiptare, filloi të mësonte partiturat e mia dhe ia arriti. Bëri muzikë shqiptare, ndërkohë që unë këndoja pjesë nga repertori popullor. Për rreth gjysmë ore një publik, kryesisht i përbërë nga gra japoneze, ndoqi muzikën shqiptare dhe mbetën vërtet të kënaqur edhe pse nuk dinin asnjë fjalë shqip e nuk kishin dëgjuar kurrë më parë muzikë shqiptare, aq më pak popullore. Thjesht u gëzoheshin tingujve dhe melodive", - tregon Nertila këtë eksperiencë vërtet të veçantë japoneze. Pas kësaj përvoje kënge, Nertila do të hidhej në Turqi, aty ku edhe ajo, edhe bashkëshorti i saj Sokoli, ishin më pranë Shqipërisë, por edhe ku kishin oferta të mira pune, që të dy. Do të punësoheshin që të dy në universitetin e "Çukurovës" ku Nertila dha mësim për rreth dy vjet në degën e pantonimës për dramë dhe kanto. "Ndërkohë, bashkëshorti, Sokoli më ka mbështetur gjatë gjithë kohës në karrierën time", -shton ajo. Dhe nuk mbaron gjithçka këtu. Nertila kujton se në Suedi, ku jeton edhe aktualisht prej katër vjetësh, ka patur mundësi që për emigrantët e paktë shqiptarë të atjeshëm të çelë kurse të gjuhës shqipe. Flitet për shqiptarë të Maqedonisë e të Kosovës, prindërit e të cilëve kanë neglizhuar paksa me gjuhën e tyre dhe fëmijët nuk dinë të flasin shqip. Por mënyra me të cilën Nertila ka vendosur t'u mësojë gjuhën shqipe është krejt origjinale. "U mësoj atyre pjesë të shkurtra teatrale, që t'i thonë përmendësh, t'i riprodhojnë me të folur e me të shkruar. Është një mënyrë jolodhëse dhe shumë e përshtatshme për ta. Fillimisht, m'u dukën fëmijë shumë të vështirë. Por më pas, ata nisën të mësonin më mirë", - tregon ajo rreth kësaj eksperience ndryshe që ka patur në Suedi. Pikërisht aty pret të nisë një karrierë të re në teatrin e njohur të "Goteborgut". Por, Nertila thotë se mirëpret edhe ofertat nga Teatri Kombëtar shqiptar, e vendosur se këtej e tutje karriera e saj do të jetë e lidhur më tepër me dramaturgjinë (për të cilën është diplomuar në vitin 1989) sesa me këngën.
"Rrugët e mia"
Ka veshur edhe "kimononë" japoneze (veshja tradicionale), ka "shaluar" një gamilje kur ishte në Turqi, ka mësuar zakone të vendeve të ndryshme deri edhe të gatuajë gjellë nga më të veçantat. Të gjitha këto ndërsa udhëtonte dhe jetonte njëkohësisht nga Suedia në Japoni për në Turqi, duke u ndaluar për pak kohë në Australi, për të përfunduar në pikën e nisjes, në Suedi. Itinerari i udhëtimeve të saj nis kështu me Suedinë, qyteti ku bashkëshorti i saj ka studiuar për gjashtë vjet, para se ata të njiheshin një ditë plazhi, në Shqipëri, për t'u martuar vetëm pak kohë më vonë, në një kohë kur Nertila ishte ende studente në vitin e katërt për dramë, në Akademinë e Arteve. Ishte viti 1991 kur Nertila la për herë të parë Shqipërinë. Por do të kthehej edhe një herë në vitin 1993, këtë radhë sërish në një festival. "Aty e kuptova se kishin ndryshuar shumë gjëra në një kohë kaq të shkurtër dhe festivalet shqiptare nuk ishin më për mua. Hoqa dorë kështu nga skena e atyre festivaleve që më kishin falur aq emocione ato vite, do të thosha një rrufe emocionesh", - shprehet Nertila. Mandej, ajo do të vazhdojë të kthehet çdo verë në Tiranë, për dy javë ose një muaj pranë prindërve e të afërmve, por kurrë më në skenë, as në film, as në teatër. Ndërkohë që kishte nisur "aventurat" e saj nëpër botë. Bashkë me vajzën e madhe, Erën, tani 13 vjeçe, dhe bashkëshortin Sokolin, morën rrugët e karrierës dhe jetës nëpër botë. Eksperienca të reja, emocione të reja dhe shumë gjuhë të mësuara. Ndërkohë që vajza e saj e madhe, Sara, njeh mirë anglishten, suedishten, turqishten, japonishten dhe së fundi i është vënë edhe frëngjishtes, ndërsa bashkëshorti i saj është njohës i gjashtë gjuhëve të huaja. Por në një familje të tillë, duket sikur të gjithë kanë shansin të bëhen poliglotë. Aq më tepër fëmijët, që siç tregon ajo vetë kanë treguar se mund të mësojnë sa hap e mbyll sytë gjithçka të re. Më e zellshmja është padyshim Sara, e cila shkëlqen jo vetëm me gjuhët e huaja, por edhe në lëndët e tjera. Megjithëse është një valltare e shkëlqyer, ajo ka zgjedhur që tani një tjetër rrugë për veten e saj. Larg pasioneve të mamit të vet, Sara është e apasionuar pas astrologjisë dhe shkencave, duke marrë kështu më shumë nga babi. Ndërsa Ani, vetëm 21 muajshe, është ende e vogël. Madje, për këtë shkak, Nertila është ende me "pushimet e mamasë", siç i pëlqen asaj të thotë dhe vetëm pasi të çojë vajzën në kopsht, në Suedi, do të ndihet e qetë për të nisur përçapje më serioze për karrierën e saj në Suedi. Udhëtimet e saj kanë përfunduar pikërisht aty, ku ajo së bashku me familjen e saj është vendosur prej katër vjetësh. "Është vendi më i volitshëm për mua. Ca më afër me Shqipërinë sesa Australia, më e ftohtë dhe më e mbyllur se kjo e fundit, por më e përshtatshme për ne, fundja është në Evropë, paçka se në skaj të saj", - thotë Nertila.

Pasaportë
Viti i lindjes- 1966
Vendlindja-Tiranë
Ngjyra e syve- jeshile

Plus
Profesioni- aktore, këngëtare
Shenja - Akrepi
Hobi - Gatimi

Kënga
Në moshën 17 -vjeçare merr pjesë në festivalin e Interpretuesve
Një vit më vonë merr çmim të parë në këngën "Çel si gonxhe dashuria" në një duet me Gëzim Çelën.
Çmim tjetër i parë me këngën "Dy gëzime në një ditë"
Që nga kohë merr pjesë në të gjitha festivalet deri në atë të 1993-it

Aktrimi
Mbaron Akademinë e Arteve, dega dramë, në vitin 1989
Luan rolin e Nertilës në filmin "Apasionata"
Interpreton Borën tek filmi "Duaje emrin tënd"
Ka një rol në filmin "Tre njerëz me guna"
Luan edhe në filmin "Telefoni i një mëngjesi"

Hobet
Buka me djathë është gjëja që i pëlqen më shumë Nertilës këtu. Bukë si e Tiranës dhe djathë vendi. Megjithëse librat e saj të kuzhinës janë të pafundmë dhe recetat e saj të regjistruara në video nuk numërohen, ajo preferon këtë ushqim të thjeshtë shqiptar më tepër nga gjithçka. Ka dobësi edhe kuzhinën kineze, disa sekrete të së cilës ka arritur t'i mësojë tashmë. Por nuk lë dot pa përmendur gatimet turke, tepër pikante, por me shumë shije. "Por nuk ka si buka me djathë. Jo bukë si atjeshmja, as djathë i atillë. Më pëlqen buka dhe djathi siç i kemi ne këtu", - thotë ajo. Por nuk është i vetmi hob i Nertilës. Asaj i pëlqen edhe të vrapojë, sidomos në pranverë, kur pylli që ka pranë shtëpisë në Suedi, bëhet për të një mrekulli e stinës. Tepër në formë dhe elegante, ajo megjithatë i trembet ushqimit në Tiranë si edhe dritës së bollshme të diellit. Ka bërë fare pak plazh. Një dëshirë tjetër e madhe e saj është të qëndrojë në shtëpi, pranë familjes, motrës së saj Dorit, por edhe pranë Zanës e Yllkës. Dhe këto ditë do të niset sërish për në Suedi, aty ku e presin miqtë dhe shtëpia e saj.
 

Djep

Forumium maestatis
Re: Fate!

Fillimisht postuar nga Mirror:
[qb] Bojaxheshe, te lumshin duart!!

Me kujtohet perpara disa vjetesh, u botua nje shkrim ne nje te perditshme shqiptare, per nje peshengrites shqiptar qe paskesh fituar titullin kampion bote diku nga vitet '70 ne Gjermani, dhe qe ne kushte te tjera do te ishte me te vertete shume i njohur.

Me vjen shume keq qe nuk me kujtohet emri i tij, po ajo qe me ben te mos e harroj si histori, eshte se ai punonte roje te INIMA (ndoshta dhe sot e kesaj dite), ne varferi te plote. [/qb]
Pa dyjshim qe e ke fjalen per te madhin Ymer Pampuri.
pampuri.jpg


Eshte i VETMI sportist shqiptar i shpallur Kampion i Botes, ne te gjitha koherat. Per ironi te fatit, ne Shqiperi deri ne fillim te viteve 90, as edhe qe eshte ditur se Pampuri kish thyer rekordin boteror, pra te dhenat e federates sone te peshengritjes ishin te pasakta.
Ne kampionatin e 72-shit ne Mynih theu rekordin olimpik per peshen e vet ne "stilin e forces" - stil i cili pak kohe me vone u hoq pergjithmone nga garat e peshengritjes, duke e bere Pampurin rekordmen bote te perjetshem per ate stil.

Sot ky gjigand, eshte roja i nje fabrike me duket. Ja sa ne pellembe te dores i mban Shqiperia demokratike e ekonomise se tregut bijte e vet.
 

RecurrentDream

Forumium praecox
Re: Fate!

Djepi :kiss: , rrofsh!

Ai postimi im me dukej shume i cunguar po nuk kisha ku te gjeja asnje material qe ta ilustroja. Sigurisht qe eshte Ymer Pampuri. Po ti qeke dreq mor cun, nese ke access ne ndonje database press-clipping athere tek kjo tema do na besh shume pune!!

Kjo ishte per te pergezuar, tani une filloj te godas /pf/images/graemlins/wink.gif :smash: meqenese lenia ne harrese (per te mos thene injorimi) i kesaj figure eshte goxha me i hershem se vitet '90, prandaj me mire te mos futemi ne te tilla rrugica qorre, por te vazhdojme te nxjerrim nga erresira e harreses personazhe te tjere...

Pacim. :wave:
 

Djep

Forumium maestatis
Re: Fate!

Mirror.. /pf/images/graemlins/wink.gif
Ja ku po e plotesoj pak informacionin me ca me shume sesa di vete.

Marre nga gazeta "Shekulli" (rrofte search engine /pf/images/graemlins/laugh.gif )

Rrëfimi i Ymer Pampurit, peshëngritësit të vetëm shqiptar që është shpallur Kampion Bote dhe që punon roje tek INIMA

Një Kampion Bote, roje porte

Shtangisti: “Jetoj në varfëri dhe jam i detyruar të punoj për të mbajtur veten dhe gruan”

Belina Budini

TIRANË – Mban veshur ende pantallona prej shantungu dhe xhup doku. Edhe biçikletën me të cilën rend nga rruga “Ali Demi” për në rrugën e Elbasanit, e ka të tipit të vjetër. Çdo mesditë nxiton kështu për të qenë në kohë para portës të cilën ruan. Bëhet fjalë për dezhurnin e INIMA-s, një 60 -vjeçar nga Tirana, jo më shumë se 1 metër e 52 centimetra i gjatë dhe megjithatë tani mbi 75 kilogramë në peshë, i vetmi Kampion Bote i Shqipërisë në peshëngritje. 30 vjet pas shpalljes Kampion Bote në Mynih të Gjermanisë, Ymer Pampuri është shndërruar në roje të Institutit të Matematikës. Nuk i kanë munguar medaljet e titujt e nderit që nga viti 1972, por ka qenë i detyruar të bëjë punë të rëndomta për të fituar bukën e gojës. Që prej katër vjetësh punon si roje për të fituar diçka më shumë mbi pensionin prej 9 mijë lekësh që merr nga shteti. Së bashku me gruan e vet të papunë, Ymer Pampuri, jeton në një apartament dhomë e kuzhinë në rrugën “Ali Demi”. Ai rron me kujtimet e së shkuarës së shkëlqyer, e cila kurrë nuk i dha as të tashme, as të ardhme të ndritshme në Shqipëri. Pas 30 vjetësh që nga marrja e titullit Kampion Bote, Ymeri ndihet i harruar dhe i pavlerësuar, edhe pse ka mbetur i vetmi në historinë e peshëngritjes shqiptare, shpallur Kampion Bote. Ja peripecitë e një sportisti shqiptar, që stërvitej me barkun bosh dhe tutat e pathara mirë në trup dhe që mban me vete pengjet e një jete të pashpërblyer.
Rrëfimi
“Në moshën 7 -vjeçare isha i apasionuar pas cirkut. Isha një akrobat amator por deri në vitin 1962 isha bërë profesionist dhe sigurova një vend pune në Cirkun Shtetëror Shqiptar”, - nis të tregojë Ymer Pampuri, fillesat e veta që më pas do ta çonin në tjetër drejtim. E ka zbuluar për herë të parë talentin e Ymerit në peshëngritje Telat Agolli, i cili mandej e mori Ymerin në palestër dhe nisi ta stërviste. Kështu u nda përkohësisht nga cirku peshëngritësi i ardhshëm. Nuk ishte më shumë se 20 vjeç kur u shpall për herë të parë kampion kombëtar me peshën 120 kilogramë. Hera e parë që merrte pjesë në garë dhe dilte i fituar. Dy vjet më vonë, së bashku me një ekip prej 10 vetësh, u nisën për specializim në Kinën e largët, e cila edhe pse nuk merrte pjesë në kampionatet e peshëngritjes, kishte një përvojë në këtë lloj sporti, sidomos për sa i takon teknikës. “Eksperienca kineze ishte tepër e dobishme, nga kinezët mësuam më shumë rreth teknikës së peshëngritjes”, - tregon Ymeri. Bëhej fjalë gjithnjë për stilin forcë, i cili aplikohej asokohe ende. Në 1972 Ymer Pampuri do të përfaqësonte Shqipërinë në Kampionatin Evropian që u organizua në Rumani. “Ishim në përgjithësi sportistë dhe trajnerë pa përvojë të madhe. Shqipëria prezantohej aty për herë të parë. U shpalla nënkampion me peshën 125 kilogramë, e njëjtë me atë të vendit të parë, por mandej pesha jonë trupore bëri diferencën”, - tregon Ymeri. Të njëjtin vit, Ymerit i ndriti ylli më fort në qytetin e Mynihut ku zhvilloheshin Lojërat Olimpike. Pasi në moshën 27 -vjeçare, peshëngritësi i “17 Nëntorit” të Tiranës qe shpallur nënkampion Evrope në stilin Forcë, Ymeri theu në Gjermani rekordin olimpik të Yoshinobu Miyake të Japonisë. Në garën e zhvilluar më 29 gusht 1972 në Forcë, Ymer Pampuri theu rekordin olimpik 127,5 kilogramë. Agjencia e lajmeve, AP, pati shkruar atëherë se “Sportisti shqiptar, Pampuri brenda pesë minutave thyen dy herë rekordin olimpik”. Rekordi i vendosur më parë ishte 122 kg. “Arrita të thyeja rekordin olimpik të vendosur dhe të shpallesha Kampion Bote për peshën trupore 60 kilogramë”, - shprehet Pampuri. Megjithë kujtimet e mira të trofeve, ai nuk duket i lumtur për to, pasiqë në jetën e tij ato medalje nuk kanë sjellë vlerë materiale. Pas një muaji Ymer Pampuri u bë “Mjeshtër i merituar i sportit” nga Federata Sportive.
Aksidentet sportive
Nuk hoqi dorë nga peshëngritja edhe pas heqjes së stilit forcë. Ai nisi të praktikohej me stilin shtytje dhe mori pjesë në kampionatin ballkanik ku doli me medalje bronzi, në Gjermaninë Lindore me medalje argjendi dhe në Verona sërish me medalje bronzi. Nuk pati suksesin e stilit forcë, por tashmë ishte një peshëngritës i nivelit botëror. Jo gjithçka do të ecte kaq fjollë për sportistin. Në 1978 ia behu një aksident shëndetësor. Ymer Pampuri do të kalonte një trombozë fill pas një seance stërvitore, sëmundje që do ta mbante një muaj në gjendje të rëndë. “Pasi kalova me sukses këtë sëmundje iu riktheva peshëngritjes, por në vitin 1975 m’u desh të kaloja një tjetër sprovë dhe bëra operacion miniskun (në gju). Shqetësimi këtë radhë ia kishte behur në shtetitn e largët të Kinës. Pasi u bë operacion, mjekët ia kishin hequr shpresat për të mbajtur prapë shtangën. “Arrita të ngrej 135 kilogramë pasi e mora veten nga operacioni dhe rekordi i fundit që kam thyer ka qenë 138 kilogramë. E kam thyer në 1975 në Bullgari në stilin shtytje”, - thotë Pampuri. Ai nuk do të hiqte dorë prej shtangës deri në moshën 33 -vjeçare. Në vitin 1981 heq dorë përfundimisht nga sporti që i kishte dhuruar aq shumë emocione për disa vjet radhazi dhe u rikthye në mjediset e Cirkut të Tiranës, aty ku do të dilte në pension në moshën 50 -vjeçare. Pasi doli në pension në vitin 1994, Ymer Pampuri kërkoi të punonte për të fituar jetesën. Gruaja e vet ishte gjithashtu e papunë. Ajo kishte punuar në ndërmarrjen e trikotazhit dhe nuk e ka mbushur ende moshën për të dalë në pension. Për të siguruar bukën e gojës, Ymer Pampuri, edhe pse i lodhur, u punësua në një ndërmarrje si punëtor lavatriçesh. Një çikatriçe në ballë shënjon një aksident në punë. Ndërsa që prej katër vjetësh Ymer Pampuri vazhdon të jetë roje në Institutin e Matematikës, ku thotë se e ka ndihmuar shumë drejtori Gudar Beqiraj. “Ky njeri më dha një rrogë, atëherë kur kisha nevojë më shumë se kurrë dhe më solli në jetë. Ai ka qenë president i peshëngritjes dhe i ka ndihmuar sportistët jo vetëm moralisht, por edhe materialisht”, - shprehet Pampuri.

Momentet e rralla në palestrën e institucionit ku punon. “Nuk jam më në formë se nuk kam takat”

Ditët e Pampurit në portën e INIMA-s

Çdo ditë e gjen para portës së INIMA-s nga ora 13.00 e mesditës deri në mbrëmje. Ai është dezhurn i rreptë. Është fatlum megjithatë që në katin e parë të institucionit që ruan gjendet një palestër, çelësat e së cilës ai mund t’i ketë në dorë kur të dojë. Megjithatë shtangën nuk e ka ngritur më kurrë njëlloj që nga viti 1981 kur hoqi dorë në moshën 33 -vjeçare nga peshëngritja. Tani madje thotë se nuk është më në gjendje të mirë as për të vrapuar. “Një sportisti i duhet të ushqehet mirë dhe të mbajë regjim të rreptë. Tani e kam humbur krejt formën dhe më vjen shumë keq për këtë. Kam arritur rreth 80 kilogramë, ndërkohë që pesha ime më përpara është luhatur nga 56 në 60 kilogramë”, - tregon Pampuri. “Çështja është se tani nuk kam më as takat e as ushqim”, - shton ai. Thotë se do të kishte dashur të ishte edhe një herë i ri, tani, për të korrur të tjera suksese prej talentit të vet. “Atëherë ishte shumë e vështirë. Por një ndihmë të jashëtzakonshme kam patur prej familjes. Gruaja e hiqte ushqimin nga gojët e vajzave për të ma dhënë mua, sepse duhej të ushqehesha mirë. Edhe vajzat kujdeseshin shumë për mua. Më lanin rrobat e stërvitjes çdo ditë. Kisha vetëm një palë tuta dhe duhej t’i laja, t’i thaja e pastaj t’i vishja për të vrapuar në stërvitje”, - kujton Pampuri. “Do të kishte qenë shumë mirë për mua të bëja ndonjë kontratë me ekipe të huaja dhe kërkesa kisha, por duhej të merrja përsipër rrezikun që ikja ime do të kishte për familjen dhe njerëzit që lija në Shqipëri, prandaj nuk e bëra kurrë këtë hap”, - tregon Pampuri. Veç medaljeve e titujve, madje presidenti Rexhep Meidani i ka akorduar edhe titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”. Më parë qe dekoruar edhe me urdhrin “Naim Frashëri” i klasit të parë, por thotë se kurrë nuk i është dhënë asnjë shpërblim financiar dhe tani i gëzohet një rroge prej punëtori roje dhe një pensioni, ndërkohë që prej kohësh ka kërkuar prej institucioneve shqiptare një pension të posaçëm si Kampion Bote.

Ndryshe
“Kur stërvisja miss-et”
“Gjithë jetën kam qenë një njeri me humor të mirë, por tani nuk jam më i tillë”, - shprehet Ymeri. Dhe në fakt ai qesh shumë rrallë dhe flet vetëm për zhgënjime të njëpasnjëshme megjithë sukseset që ka arritur në peshëngritje. Tani gëzimi i vetëm për të janë tre nipërit e vegjël, jo më shumë se 5 -vjeçarë. Thotë se i studion ata me vëmendje e se ka pikasur tek njëri prej tyre talentin e ardhshëm të peshëngritjes. Kënga popullore ka qenë një prej argëtimeve të Ymerit përtej sportit, por tani thotë se nuk ndihet në humor për të dëgjuar muzikë të tillë. Shton gjithashtu se ndihet më mirë kur merret me stërvitjen e talenteve të reja, gjë që megjithatë thotë se nuk e bën shpesh. Rasti më i veçantë është ai kur ka stërvitur disa vajza të “Miss Albanias” për një vit rresht në palestrën e INIMA-s, aty ku punon, derisa ato kanë ardhur në formë të mirë trupore.
 

Goca

Primus registratum
Re: Fate!

Une nuk e kuptoj pse shteti shqiptar nuk ben asgje per keta njerez?! jo ne kuptimin e lemoshave, por ne aktivizimin e tyre ne jeten publike.
 

qartesia

Primus registratum
Re: Fate!

Ne kampionatin e 72-shit ne Mynih theu rekordin olimpik per peshen e vet ne "stilin e forces" - stil i cili pak kohe me vone u hoq pergjithmone nga garat e peshengritjes, duke e bere Pampurin rekordmen bote te perjetshem per ate stil.
Po pse nuk ndodhet emri Shqiperise ke medaljet. :confused: :confused:


Munich 1972
Medal Table
Nation Gold---- Silver----- Bronze

1. USSR URS 50 27 22
2. United States of America USA 33 31 30
3. German Democratic Republic (1955-1990, GDR 20 23 23
4. Federal Republic of Germany (1950-1990, "GER" since) FRG 13 11 16
5. Japan JPN 13 8 8
6. Australia AUS 8 7 2
7. Poland POL 7 5 9
8. Hungary HUN 6 13 16
9. Bulgaria BUL 6 10 5
10. Italy ITA 5 3 10
11. Sweden SWE 4 6 6
12. Great Britain GBR 4 5 9
13. Romania ROM 3 6 7
14. Finland FIN 3 1 4
15. Cuba CUB 3 1 4
16. Netherlands NED 3 1 1
17. France FRA 2 4 7
18. Czechoslovakia TCH 2 4 2
19. Kenya KEN 2 3 4
20. Yugoslavia YUG 2 1 2
21. Norway NOR 2 1 1
22. Democratic People's Republic of Korea PRK 1 1 3
23. New Zealand NZL 1 1 1
24. Uganda UGA 1 1 0
25. Denmark DEN 1 0 0
26. Switzerland SUI 0 3 0
27. Canada CAN 0 2 3
28. Islamic Republic of Iran IRI 0 2 1
29. Greece GRE 0 2 0
30. Belgium BEL 0 2 0
31. Austria AUT 0 1 2
32. Colombia COL 0 1 2
33. Argentina ARG 0 1 0
34. Korea KOR 0 1 0
35. Lebanon LIB 0 1 0
36. Mexico MEX 0 1 0
37. Mongolia MGL 0 1 0
38. Pakistan PAK 0 1 0
39. Tunisia TUN 0 1 0
40. Turkey TUR 0 1 0
41. Ethiopia ETH 0 0 2
42. Brazil BRA 0 0 2
43. Spain ESP 0 0 1
44. Ghana GHA 0 0 1
45. Nigeria NGR 0 0 1
46. Niger NIG 0 0 1
47. Jamaica JAM 0 0 1
48. India IND 0 0 1
 
Top